
Isuf B.Bajrami*/
Një histori e përpjekjeve, sakrificave dhe e burrave e grave që e kuptuan se pa gjuhën e vet një komb rrezikon të humbasë kujtesën, identitetin dhe të ardhmen.
Shqipja – zëri i një kombi që nuk pranoi të heshtte
Ka ngjarje në historinë e një kombi që nuk mund të maten vetëm me rëndësinë e vendimeve që u morën, por edhe me peshën e sakrificave që i paraprinë dhe me trashëgiminë që lanë pas. Një ngjarje e tillë, pa dyshim, është Kongresi i Alfabetit, i mbajtur në Manastir nga 14 deri më 22 nëntor 1908, një prej momenteve më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.
Ky Kongres nuk ishte thjesht një tubim intelektualësh për të zgjedhur disa shkronja. Ai ishte një kuvend i ndërgjegjes shqiptare, një përpjekje e madhe për të bashkuar një popull që, ndonëse fliste të njëjtën gjuhë, jetonte nën trysninë e ndarjeve administrative, fetare, krahinore dhe politike.
Ishte një përpjekje për t’i dhënë shqipes një alfabet të përbashkët, por, mbi të gjitha, për t’i dhënë kombit një themel të qëndrueshëm kulturor, mbi të cilin do të ndërtohej e ardhmja.
Në atë kohë, shqiptarët jetonin nën sundimin e Perandorisë Osmane, ndërsa në hapësirat shqiptare vepronin edhe interesa politike dhe kulturore të qarqeve nacionaliste greke e serbe, të cilat, në forma të ndryshme, përpiqeshin të zgjeronin ndikimin e tyre mbi popullsinë shqiptare.
Shkolla, institucionet fetare, administrata dhe institucionet arsimore shpesh shndërroheshin në hapësira ku përplaseshin interesa të huaja dhe ku gjuha shqipe përballej me pengesa të shumta.
Shqiptari duhej të luftonte jo vetëm për të drejtat politike, por edhe për një të drejtë themelore: të mësonte, të shkruante dhe të lexonte në gjuhën e vet.
Shqipja shkruhej me alfabete të ndryshme. Në përdorim ishin alfabeti i Stambollit, ai i shoqërisë letrare Bashkimi, alfabeti i Agimit dhe variante të tjera, të cilat mbështeteshin në sisteme të ndryshme shkrimi.
Kjo shumësi krijonte vështirësi për botimin e librave, përhapjen e arsimit dhe komunikimin ndërmjet shqiptarëve.
Por pas kësaj vështirësie gjuhësore qëndronte një problem shumë më i madh: rreziku i copëtimit të vetëdijes kombëtare.
Një popull që nuk arrin të shkruajë në mënyrë të përbashkët, e ka më të vështirë të ndërtojë një hapësirë të përbashkët kulturore.
Prandaj, njësimi i alfabetit nuk ishte vetëm një nevojë praktike. Ishte një domosdoshmëri kombëtare.
Dhe kjo forcë do të shfaqej në Manastir.
At Gjergj Fishta – kur ideali kombëtar ishte më i madh se çdo përkatësi
Në këtë rrugëtim historik, një vend të veçantë dhe të merituar zë At Gjergj Fishta, njëri prej personaliteteve më të mëdha të kulturës, letërsisë dhe mendimit kombëtar shqiptar.
Fishta nuk ishte vetëm poet, klerik dhe krijues i veprave madhore të letërsisë sonë. Ai ishte një veprimtar i përkushtuar i çështjes kombëtare, i cili e kuptonte se gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por themeli mbi të cilin ruhet kujtesa e një populli, përcillet trashëgimia e tij dhe ndërtohet vetëdija për të ardhmen.
Ai nuk luftoi vetëm për shkronjat shqipe. Luftoi për një gjuhë që do t’i bashkonte shqiptarët, pavarësisht nga krahina, besimi dhe bindjet e tyre. Luftoi për një gjuhë që nuk do të ishte pronë e një grupi, e një shoqërie apo e një krahine, por pasuri e përbashkët e të gjithë kombit.
Në Kongresin e Manastirit, Gjergj Fishta u zgjodh kryetar i Komisionit të Alfabetit, ndërsa kryetar i Kongresit ishte Mit’hat Frashëri. Ky dallim është i rëndësishëm për saktësinë historike dhe për vlerësimin e drejtë të përgjegjësive që morën figurat pjesëmarrëse. [1]
Fishta, megjithëse përfaqësonte shoqërinë Bashkimi, nuk shkoi në Manastir për të imponuar alfabetin e saj. Qëndrimi i tij ishte shumë më i gjerë se interesi i një shoqërie kulturore.
Ai kërkonte një zgjidhje që do t’i shërbente të gjithë shqiptarëve.
Madhështia e Fishtës qëndronte pikërisht në aftësinë për të kuptuar se një alfabet i përbashkët kishte më shumë rëndësi sesa fitorja e një alfabeti të veçantë.
Në atë sallë nuk po diskutohej thjesht për shkronjat. Po diskutohej për të ardhmen e një kombi.
Dhe kur fjala shqipe bëhet çështje e përbashkët, edhe dallimet më të thella duhet të gjejnë rrugën drejt pajtimit.
Kjo ishte filozofia kombëtare që Fishta përfaqësonte në Manastir.
Manastiri – aty ku shqiptarët e vendosën gjuhën mbi ndarjet
Më 14 nëntor 1908, në qytetin e Manastirit, filloi një nga kuvendet më të rëndësishme të historisë shqiptare.
Kongresi mblodhi përfaqësues të shoqërive, klubeve dhe komuniteteve shqiptare nga vise të ndryshme të atdheut dhe nga kolonitë shqiptare jashtë tij.
Në Kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote dhe 18 pjesëmarrës të tjerë, duke përbërë një kuvend prej 50 përfaqësuesish.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, ndërsa Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Qiriazi patën role drejtuese si nënkryetarë.
Për çështjen e alfabetit u formua një komision prej njëmbëdhjetë anëtarësh, me në krye At Gjergj Fishtën.
Në këtë komision u përfshinë personalitete të shquara të mendimit dhe veprimtarisë kombëtare, ndër ta Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Bajo Topulli, Shahin Kolonja, Sotir Peci, Gjergj Qiriazi dhe Mit’hat Frashëri.
Parashqevi Qiriazi ishte një nga figurat e rëndësishme të këtij procesi dhe shërbeu si sekretare e Komisionit të Alfabetit. [2]
Ajo që e bënte këtë kuvend madhështor ishte fakti se aty ishin bashkuar shqiptarë të besimit mysliman, katolik, ortodoks dhe protestant.
Ata nuk kishin ardhur për të mbrojtur dallimet e tyre, por për të dëshmuar se gjuha dhe identiteti kombëtar ishin më të mëdha se çdo ndarje fetare.
Në këtë bashkim qëndronte një nga mesazhet më të fuqishme të Kongresit.
Shqiptarët po dëshmonin se mund të ishin të ndryshëm në besim, por të bashkuar në gjuhë, në kujtesë dhe në përkatësi kombëtare.
Pas diskutimeve të shumta, Kongresi vendosi të pranonte dy variante alfabeti, të cilat do të përdoreshin në periudhën kalimtare. Njëri lidhej me alfabetin e shoqërisë Bashkimi, ndërsa tjetri me alfabetin e Stambollit.
Pra, Kongresi nuk miratoi menjëherë vetëm një alfabet përfundimtar. Vendimi i tij ishte një kompromis historik që hapi rrugën drejt njësimit të mëvonshëm të alfabetit të sotëm. [3]
Ky kompromis nuk ishte dobësi. Ishte dëshmi e pjekurisë politike dhe kombëtare të atyre njerëzve, të cilët kuptuan se bashkimi ishte më i rëndësishëm sesa këmbëngulja për fitoren e njërit apo tjetrit variant.
Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda dhe bashkëpunëtorët e një ideali të madh
Historia e Kongresit të Alfabetit nuk mund të kuptohet pa kontributin e atyre burrave që, secili në fushën e vet, i dhanë këtij procesi mendimin, dijen, përkushtimin dhe autoritetin e tyre kombëtar.
Ndër ta, një vend të veçantë zë Luigj Gurakuqi, njëri prej personaliteteve më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare.
Ai ishte intelektual, poet, publicist, pedagog dhe veprimtar politik, por mbi të gjitha ishte një njeri që e kishte lidhur jetën me fatin e Shqipërisë.
Kontributi i tij në Kongresin e Manastirit ishte i rëndësishëm si në organizimin e punimeve, ashtu edhe në përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët për alfabetin.
Më vonë, si drejtues i arsimit kombëtar dhe drejtor i parë i Shkollës Normale të Elbasanit, ai do të vazhdonte të punonte për formimin e brezave të rinj.
Gurakuqi e dinte se pavarësia politike nuk mund të qëndronte e sigurt pa pavarësinë kulturore dhe arsimore.
*Botuar me shkurtime.