
Mbi romanin e ri të shkrimtarit Stefan Çapaliku.
Arben Iliazi
Sapo ka dalë nga shtypi romani i ri i shkrimtarit dhe dramaturgut Stefan Çapaliku, “Dyqani i helmeve”, (Botimet Fishta-2026), një reflektim mbi mjerimin ekzistencial të epokës sonë, mbi thelbin e saj mendor dhe kulturor.
***
“Dyqani i helmeve”, ku “hynin kryesisht njerëz të lodhur si në pikëpamje kulturore dhe po ashtu edhe ekonomike, i pozicionur fiks përballë me ish Degën e Punëve të Brendshme të qytetit, ku sot gjendej kuvendi i motrave klarise”, është i vetmi realitet etern e somatik, ku ende gjallon empatia, e mishëruar te Agostini, Agimi, Aliu, Gloria, Tadeu, etj.
Çdo gjë tjetër është lojë e mendimit në fantazmagorinë e një bote të përmbysur, sipas “projektit të Shqipërisë pa shqiptarë”. “Parashikohet që Shqipëria të bëhet një vend rreth 10 milionë banorë me të gjithë këto që do vijnë nga cepa të ndryshëm të botës… Këtë e thërrasin “Albanian Plan”. Në qytetin fantazmë, ku rrëfimtari kthehet pas shumë vjetësh për të “shuar mallin” e babait të tij të moshuar, që jeton i vetëm prej shumë kohësh, jeta është gjithçka dhe nuk është asgjë dhe koha nuk është thjesht një rrjedhë kronologjike, por një element elastik, subjektiv dhe shpesh një iluzion apo “aparencë”.
Asgjë nuk është e rastësishme. Të bëhesh i vetdijshëm është marrëzi. Qytetarët thjesht ekzistojnë. Loja është më e madhe se ata vetë. Dikush i telefonon priftit për t’i dhuruar një arkivol, dikush tjetër ble do farëra lulesh për motrat… edhe do bar minjsh për vete, ndërsa në kafene bisedohej për shpirtin, dhe shaheshin “me nënë” të gjithë shkrimtarët dhe artistët.
Qyteti, me sindromën e depresionit shkaktuar nga boshllëku ekzistencial, me ndjesitë e pakuptimësisë, por edhe me përgjegjësinë për të mbijetuar, jeton me ankthin kolektiv të shpopullimit, anarkisë sociale dhe humbjes së shpresës për të ardhmen. Kur “ndër varreza të vdekurit kujtojnë të gjallët”, shfaqet papritur “një qenie të çuditshme, që sillej si fantazmë nëpër rrugë: dhe që më pas rezulton të jetë “një i abortuar, domethënë i dështuar” dhe policia e qytetit ju lutet “qytetarëve të nderuar”, për të adoptuar këtë “qenie të mrekullueshme”, profili i së cilës, për prokurorin Mark Bashkia, ishte profili i së shoqes, Liza Kopi.
***
Gjendja e transit hipnotik përdoret si një urë lidhëse midis reales dhe reales psikologjike, duke shërbyer si një mjet i fuqishëm për të eksploruar ndërdijen, manipuluar vullnetin e lirë dhe krijuar atmosferë misterioze. Lexuesi gjendet para situatash suspense, pritjeje. Autori ndërton një strategji tekstuale, ku rrjedh konfuzioni dhe qëllimi paradoksal: Ndërsa policia kërkon një qënie të çuditshme, vendi është shpopulluar krejt!
“Kafen ma solli në tavolinë një djalosh me ngjyrë. Si duket kisha qenë aq habitshëm, sa nuk e kisha vënë re, që edhe kamerieri edhe banakierja nuk kishin lidhje fare me vendasit. I pyeta në anglisht se prej nga vinin dhe më thanë se ishin nga Bangladeshi”.
Ndërsa njerëzit kanë humbur luftën me kohën, duke konsumuar jetën të zhytur në meostazë, (madje shpesh duke mos gjetur arsye për të jetuar), edhe sistemi këtu ka humbur kuptimin dhe dobinë e tij shoqërore dhe është shndërruar në një fantazmë plot thagma, në të njëjtën gjendje mosekzistence dhe ku çdo gjë njerëzore është e huaj për të :
“…në këtë qytet të mallkuar funksiononte një mekanizëm i çuditshëm. Njerëzit e zgjedhur a të emëruar ishin gjithnjë shërbëtorë të bindur pa asnjë mendim të vetin, të gatshëm për t’iu nënshtruar çdo lloj mediokriteti dhe, padyshim çdo lloj korrupsioni”.
Ndërsa sistemi është duke përgatitur një kurth të ri për vetveten, legjenda e njeriut të çuditshëm të periferisë është një kurth i përsosur se si mund të ekzistojë jeta edhe pas abortit, kur marrëdhëniet njerëzore fiksohen në valenca të rreme, duke injoruar fuqinë auditive të qënies. Njeriu i çuditshëm është një qënie që nuk ekziston në vetvete, por ekziston si substancë, vetëm për sa kohë është një perceptim transhedental, në formë ëngjëlli, që sfidon falsitetin e realitetit njerëzor.
Kjo botë e indoktrinuar në dinamikat ekzistenciale, ku tërësia ka rënë në kurth dhe ku nuk ka asgjë më absurde se jeta normale, në vetvete është skenë e një tragjikomedie njerëzore, ku fajësohet shoqëria dhe faji i vihet viktimës. Autori nuk insiston te autotranscendenca e ekzistencës njerëzore, te aftësia e njeriut për të dalë përtej vetvetes, interesave të tij të ngushta egocentrike dhe kufizimeve të tij fizike apo mendore, për t’u lidhur me diçka më të madhe se vetja.
Konflikti, sa më shumë i afrohet fundit, aq më shumë i vjen rrotull fillimit.
I gjithë rrëfimi është i udhëhequr nga filozofia e absurdit, me një konglomerat elementësh semiotikë të shenjimit dhe komunikimit. Ai shquan për nga loja e tërësisë , por edhe nga konfigurimi i elementëve stilistikë , mjeteve gjuhësore dhe artistike, për të krijuar një efekt estetik substancial.
***
Romani është shkruar me një stil të veçantë, ku aventurohet teksti letrar dhe ai dramaturgjik, ku miksohen elementët narrativë dhe teatrorë, në një moment të caktuar kohor, por edhe në një vijimësi diakronike, ndaj kërkon një vëmendje të veçantë në rrafshin e interpretimit, për çdo pjesë realiteti shenjues. Parimi themelor i komunikimit artistik në këtë vepër është trikoloni shkak-distancë -efekt dhe të gjitha pakënaqësitë vijnë për shkak të mosekuilibrimit midis shkakut dhe efektit.
Vepra qeveriset nga parime të gjalla estetike, që përbëjnë shtyllat emocionale dhe filozofike të saj, dhe që e bëjnë këtë roman të prekë lexuesin dhe të kapërcejë kohën. Këto parime nuk janë rregulla të ngurta teknike, por koncepte dinamike, që lidhin formën artistike me përjetimin njerëzor.
Duke përdorur teknikën narrative sinkretike, të gërshetimit të rrëfimit aktual me retrospektivën (ose flashback-un), ku ndërfuten shënimet e nënës dhe më pas edhe të babës, në përmjet përdorimit të shkronjave të pjerrëta (italics), autori, me një bashkësi tekstesh, si një korpus poetik dhe mitik, krijon një urë lidhëse midis asaj që ka ndodhur dhe asaj që po ndodh.
Ky mekanizëm diskursiv rrit komponentin pasional të tekstit, dimensionet emocionale, ndjenjat dhe gjendjet shpirtërore, me një metaforicitet të brendshëm eksplicit. Kjo teknikë, në efekt të driçimit të motiveve, nuk përdoret thjesht për të ndryshuar kohën, por për të thelluar kuptimin e veprës. Dinamizmi i tekstit thyen thjeshtësinë e rrëfimit linear kronologjik, duke e bërë strukturën e romanit më kompleks dhe interesant.
Mendimi artistik shprehet përmes një bashkëlidhjeje strukturale dhe nuk ekziston përtej saj. Dallohet qartë se kodet e autorit përbëjnë një strukturë hierarkike shumë komplekse, si rezultat i entropive, ku sistemet narrative, ose botët e krijuara, humbasin energjinë dhe strukturohen drejt një rënieje të pashmangshme.
Autori, që di gjithcka mbi botën fiksionale, dhe, në çdo rast, di më shumë se personazhi dhe lexuesi, pra është në rolin e narratorit të gjithdijshëm, nuk rreket të përshkruajë ndjenjat e brendshme të personazveve, duke nxjerrë kuinesencën dhe duke plazmuar heterogjenitetin pa kufij.
Duke përdorur eksteriorizimin, autori e shfaq botën e brendshme të ndjenjave, mendimeve ose gjendjes psikologjike të personazheve përmes elementeve të jashtme dhe të kapshme nga shqisat, duke përdorur mjedisin, veprimet fizike ose objektet ( si dyqani i helmeve) për ta pasqyruar gjendjet ekzistenciale.
***
Me një teknikë ambivalente letrare autori paraqet ndjenja, qëndrime, kuptime ose motive të kundërta dhe kontradiktore për të njëjtin personazh, objekt, situatë apo ide, duke ndodhur të gjitha në të njëjtën kohë.
Betejat më të tmerrshme zhvillohen brenda vetë personazheve në përmasën etike e psikologjike të tyre. Të gjithë janë heronj, për shkak të ankthit që vjen për shkak të mosekuilibrimit midis shkakut dhe efektit, por janë dhe antiheronj që kanë zaptuar asgjënë, dhe një forcë qendërsynuese i ka hedhur jashtë qytetit të tyre.
Autori i konturon si personazhe metonimikë, që gjenden në qendër të dinamikave të së vërtetës dhe të falsitetit, që kanë secili nga një emër në botën narrative, duke krijuar një strukturë topologjike, jo në kuptimin statik, por si vende shndërrimi narrative e diskursive. Natyrisht nuk janë konsideratat ontologjike, por është teksti që të autorizon t’u besosh. Zbulimi i identitetit të tyre kthehet në lëndë të intrigës. Në botën e krijesave të veta, mes harmonisë dhe disharmonisë urbane, autori krijon një ide për jetën, duke nxjerrë në pah relievet tipike dhe duke ngulitur një ndjenjë të përhershme të relativitetit të të gjitha vlerave.
“Baba me siguri që kishte dyshuar se vajza e donte për vete, ndaj dhe me një ëmbëlsi rrallë të parë te ai, i tha se nuk mbante ilaç për minj. Si?! Nuk mbani?! Pyeti vajza e çuditur. Po mue më ka çue nana. Ajo ka blerë disa herë këtu te ju, te barnatorja e helmeve, bar minjsh. Atëhere nëse ka blerë, i thuej të vijë vetë. Asaj edhe mund t’ia jap, por ty, jo. Jo.”
Përveç personazheve tipike diskursive, si Baba, agronom dhe gjenetist, që interesohej për klonimin e deles “Dolly”, Nëna-aktore që luante Dezdemonën, Axha Martin, (parneri i saj në skenë, që luante Otellon), Agostini, (komshiu shulak), Agimi, (ish koleg i babës), Aliu, (inxhinier kimist) Gloria, ndihmëse e babës në dyqanin e helmeve, Tadeu, (komshiu që i sillte babës gazetën), Teze Greta, shoqe e nënës, Marin Kurti, shefi i policisë së rajonit, Liza Kopi, e shoqja e Mark Bashkisë, të dy me instikt narcist, etj. autori ndërton edhe “aktant”, që janë ide, institucione apo koncepte abstrakte që lëvizin aksionin përpara.
Edhe fëmija i abortuar shfaqet me dy role narrative, herë si konkret, herë si abstrakt. Megjithëse fëmija vërtitet si një mit urban, ai funksionon në bazë të “logjikës së konkretes”.
***
Autori, i interesuar për valencën estezike, pra për përbërësin afektiv dhe ndjesor të përvojës së përditshme, përdor estetikën e shpërbërjes, deformimin, ekzagjerimin e skajshëm, shëmtinë, absurdin, komizmin e zi, groteskun dhe paradoksin, duke përcaktuar antropologjinë shoqërore të 36 viteve të tranzicionit postkomunist shqiptar.
Romani, duke rrokur një nivel të admirueshëm abstraksioni, depërton në njësinë e gjinisë njerëzore, në rrafshe të ndryshme, nëpërmjet një semantike diakronike, sociologjike, politike dhe ekzistenciale, ku, në të vërtetë individi ose qytetari përjshtohet si koordinatë universale dhe fokusohet vetëm individi njerëzor si vlerë, fatet e të cilëve mbeten si hije të kota.
Ky rrëfim absurdist, me racionalitet dhe “totalitet të çtrashur”, nuk lë asgjë në hije, duke iu futur zbulimit të asaj përmase të njeriut e cila, në fakt, është fshehur dhe errësuar në modernitetin allashqiptar, ku ka ndodhur dukuria e prishjes së ekuilibrave natyrorë e socialë, zvetnimi dhe bjerrja e vlerave morale dhe kombëtare. Çapaliku ka kapur drejtpërsëdrejti matricën universale në të cilën është ngulitur lidhja logjike e çdo sistemi të veçantë vlerash, ku çdo shoqëri e kulturë mban gjurmën e mbishkrimit të ideologjisë së saj brenda gjendjes njerëzore.
Ndonëse libri duket si një rrëfim faktesh, ngjarjesh dhe përjetimesh personale, autori, mjaft pjellor nga pikëpamja heuristike, bën interpretimin ekzistencial të së vërtetës dhe lirisë, ç’kodifikon ndërgjegjen morale, përgjegjësinë, lirinë, kuptimin. “Dyqani i helmeve” është një parabolë groteske mbi tmerrin e zbrazëtisë ekzistenciale dhe shndërrimin e ekzistencës në hiç.