• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SISTEMI QË HËNGRI BIJTË E VET

October 31, 2026 by s p

Mevlan Shanaj/

Në historinë e artit shqiptar ka një grup artistësh, pionierë të ekranit dhe të artit skenik, jeta e të cilëve dëshmon se si një sistem, për të cilin kishin luftuar, punuar apo besuar, u kthye kundër vetë bijve të tij.

Viktor Stratobërdha, Mihal Luarasi, Kujtim Spahivogli, Petro Marko dhe Mandi Koçi (MAK) janë emra që, në forma dhe rrethana të ndryshme, përjetuan përplasjen tragjike me regjimin komunist. Disa prej tyre kishin marrë pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Të tjerë kishin besuar te idealet e komunizmit. Por angazhimi i tyre nuk i mbrojti nga përndjekja, burgimi, përjashtimi apo shkatërrimi i jetës personale dhe profesionale.

Viktor Stratobërdha , Mihal Luarasi, Kujtim Spahivogli, Petro Marko dhe Mandi Koçi përfaqësojnë histori të ndryshme, por me një pikë të përbashkët: përplasjen e artistit me një pushtet që kërkonte t’i nënshtronte krijuesit. Drama e Mandi Koçit, pionierit të kamerës në filmin shqiptar, është veçanërisht tronditëse. Ish-partizani komunist fotograf i shtabit te përgjithshëm përfundoi në burg dhe vuajti për vite të gjata, deri në vitet ’80. Pasojat e goditjes së tij prekën edhe familjen, përfshirë bashkëshorten ruse. I moshuar dhe i rrënuar nga vuajtjet, pas daljes nga burgu, ai e mbylli jetën në një azil.

Këto nuk janë thjesht fate individuale. Janë dëshmi të një tragjedie historike, në të cilën sistemi u kthye kundër njerëzve që dikur i kishin shërbyer, duke mos kursyer as kontributin, as talentin, as sakrificat e tyre.

Për Petro Markon , Viktor Stratobërdhën kam publikuar diçka në fb ndërsa për Spahivoglin dbe Mandi Koçin po shkruaj për të parë nuk di përse me kaq vonesë.

Jo vetëm për t’i kujtuar si artiste, por edhe për të dëshmuar për njeriun që fshihej pas emrit të tyre.

Sepse historia e artit nuk shkruhet vetëm me veprat që mbeten. Ajo shkruhet edhe me jetët që u ndërprenë, me talentet që u mohuan dhe me plagët që një sistem la pas.

Një sistem që përfundoi duke ngrënë bijtë e vet.

Kam edhe një shëmbull familjar.Një ndër ata që u masakrua nga sistemi ishte i ati i Natashes.Në një natë miku i tij Sotir Andoni, vjen e takon dhe i thotē po iki do arratisem.Të dy i kishin baballarët në usa.Të dy partizanë.Sotiri do arratisej i pakënaqur nga pozicioni qē kishte në degën e punëve te brendshme në Korçe , i ati i Natashës ishte drejtor në Radio Korça.Sotiri ikën, në kufi e kapën.Pas hetimeve shtërngimeve nxori emrin e Petro Lakos personit që i kishte thënë që do arratisej.E arrestojnë të atin e Natashës ditën që lindi Natasha .Bëri dy vjet burg për mungesë vigjilence përse nuk kishte treguar që Sotir Andoni do arratisej.Ja edhe këta të dy partizanë provuan burgun dhe sigurisht gjithë jeta e privuar nga çdo gjë.

Dënimet ishin një zbatim i përsosur i mësimeve të Stalinit.Ata që kishin bërë Revolucionin e Tetorit, kishin luftuar për krijimin e Bashkimit Sovjetik dhe kishin ndihmuar në ngritjen e vetë Stalinit, përfunduan të akuzuar, të burgosur, të internuar ose të pushkatuar prej tij. Pra e njëjta praktikë, kush kishte pasur pjesëmarrje gjatë luftës njëri pas tjetrit provuan burgun internimin.Ende nuk arrij të kuptoj si funksiononte përzgjedhja apo më mirë ishte ndonjë sistem roleje apo bingo apo llotarie që shënjohej x person për tu survejuar apo arrestuar, se janë me qindra,raste me dëshmitarë të sajuar për të bërë akuzën.

Çdo njeri mund të arrestohej. Nuk kishte njeri të mbrojtur.Ishte një popull i akuzuar dhe një popull i trembur nga pasiguria.Një gjë ishte e sigurtë njeriu nuk besonte te askush.Askushi kontrollonte gjumin. Këtu përmënda kryesisht më të zëshmit e skenës dhe ekranit, se ndryshe lista është shumë e gjatë.

Filed Under: LETERSI

Poezia e Dabishevcit, similitudë e fuqishme dhe tronditëse

October 30, 2026 by s p

Arben Iliazi/

U zgju hala pa u zbardhë mirë,

nisi me t’shpejt tana rangt’ e shpisë me i krye,

me la, me gatu, me vizllu gjithkah,

mrena e jashtë,

me i rahatu fmitë, me i ba gati për shkollë,

tuj nga shpejt, pa frymë, poshtë e naltë,

𝑡’𝑖 𝑘𝑖𝑠ℎ𝑎 𝑒𝑑ℎ𝑒 𝑛𝑗𝑎 𝑡𝑒𝑡𝑒̈𝑑𝑢𝑒𝑟, tha

𝑠𝑒 𝑠’𝑘𝑟𝑦ℎ𝑒𝑛 𝑘𝑡𝑜 𝑝𝑢𝑛𝑒̈𝑡’𝑠ℎ𝑘𝑟𝑒𝑡𝑎, 𝑠’𝑘𝑟𝑦ℎ𝑒𝑛 𝑘𝑢𝑟𝑟𝑒̈ 𝑚𝑒 𝑣𝑎𝑘𝑡!

…nanë ku je, nanë ku i kam çorapat,

nanë ku asht’ kjo, nanë ku m’ka hupë ajo,

nanë, nanë, nanë…

nanë anej, nanë knej, nanë ktu, nanë aty, nanë, nanë, nanë…

kur ju terruen sytë… tuj u shalakatë,

menxi e gjeti nji copë vendi me e ungjë trupin, veç pak me pushue,

e… pa ditë gja….veç kur i mshoj nji sakicë n’kry…

𝑃𝑠𝑒 𝑏𝑟𝑒 𝑏𝑢𝑟𝑟𝑒̈, tha… 𝑐̧𝑘𝑎 𝑏𝑎𝑛𝑎… 𝑘𝑎𝑓𝑗𝑎 𝑘𝑒 𝑔𝑎𝑡𝑖…

dhe e lëshoi nji psherëtimë…e vdiq…

Dielli lshoi rrezet fort e nisi me e shndritë

edhe nji vorr t’ri grueje n’këtë vend.

Veprimtaria mendore e shoqërisë shqiptare brenda mureve të shtëpisë shpesh herë përpunohet në një zonë eklektizmi individual, e sunduar nga një keqkuptim i madh. Ndërsa shoqëria është moderne dhe postmoderne, ambjenti familjar, në mënyrë ciklike e sporadike, shfaqet në formën e një entiteti subpatriarkal, me dinamika mjaft të dhunshme e kriminale, duke krijuar një “nën-sistem” varësie që ruan me përdhunë kufijtë midis pjesës së pagdhendur dhe pjesës së ndriçuar të gjinisë njerëzore.

Kjo poezi antropologjike me subjekt, e Donika Dabishevcit, ka të gjitha mjetet shprehëse të një tragjedie bashkëkohëse dhe rivendikon krejt prestigjin e aktit të krijimit artistik, letrar, intelektual ose shpirtëror, pasi është vënë në përdorim një formë e caktuar poetike dhe estetike. Në këto vargje nuk ka as fiksion, as steriotip, as shpikje e sajesa, as zgjedhje kulturore apo rebelim epistemologjik, por solidaritet njerëzor dhe një laryshi të pafundme ndjesish, që shërbejnë si instrumente të emancipimit, për një rrugëtimin kanonik të shoqërisë në strehën e ngrohtë të identitetit kulturor autentik.

A ekziston një kulturë ku ushtrohet gjymtimi dhe privimi i femrës, cënohet liria, gëzimi i jetës dhe dinjiteti i saj njerëzor, duke u bërë dorëzanë i atyre traditave barbare që Zoti nuk është në gjendje t’i përligjë? Në një shoqëri të pa çliruar nga autoriteti transhedent, të sajuar nga mendja njerëzore dhe jo të diktuar nga sjelljet, ligjet dhe morali, robi i fshikulluar nga knuti ka humbur çdo legjitimitet në mizërinë e ndjeshmërive kulturore.

Poezia e Davishevcit, similitudë e fuqishme dhe tronditëse në realitetet empirike të përmbysura, bymehet deri në përmasat e amshimit, duke marrë kuptime të reja e të pafundme, për t’i kthyer femrës krenarinë e qënies së vet të papërsëritshme.

Poezinë mund ta shohim edhe si një përvojë epifanike-një çast ndriçimi, ku e përditshmja prek dhe shkrihet me hyjnoren. Një kredo e tillë rreket ta ruajë shoqërinë tonë nga çdo përdhosje e drejtpërdrejtë apo eliptike, që barabaria të mos i prijë qytetërimit.

Filed Under: LETERSI

Bardhyl Londo, përkthyesi i parë i Yehuda Amihait

October 29, 2026 by s p

Për herë të parë jam njohur me poezinë e Yehuda Amihait kur miku im, poeti Bardhyl Londo, po përkthente një përmbledhje të shkurtër të poezive të tij në vitet nëntëdhjetë. Për shumë vite libri me poezi të Amihait, i përkthyer nga Bardhi mbeti një nga librat e mi më të dashur, një libër që e mbaja gjithmonë me vete. Poezitë e mrekullueshme të Amihait vinin në shqip me një gjuhë poetike të papërsëritshme, sepse vetëm një poet si Bardhyl Londo, mund të realizonte një magji të tillë në përkthim.

E megjithatë, ai libër vetëm sa ta shtonte etjen për t’u njohur më tej më krijimtarinë e këtij poeti, që për mua mbetët një nga poetet më të mëdhnj të shekullit të njëzetë, i papërsëritshëm në vetvete. Vite më vonë u shndërrua në ngjarja mbërritja në shtëpinë tonë e një libri më poezi në anglisht “Selected poetry of Yehuda Amichai” të përkthyer nga Chana Bloch dhe Stephen Mitchell. Brenda pak vitesh, ai libër u bë fletë fletë, sa mezi i bashkonim.

Me Bardhin diskutonim shpesh për poezitë e Amihait, sidomos kur unë përktheja ndonjë poezi të tij. Njëherë pasi kisha sjellë në Facebook, poezinë “Kujtime të pamëshirshme”, Bardhi shkroi një koment, ku shprehej:

“Ti e ke perkthyer shumë bukur. Por një pjesë të konsiderueshme të poezive ai i ka shkruar direkt anglisht. Në Amerikë është ndër poetët e huaj më të vlerësuar. Librat e tij para se të botoheshin në Izrael, më parë dilnin në ShBA.” Të nesërmen në kafe, biseduam gjatë për poezinë e Amichait. Me tha se përveç poezive që kishte botuar në libër kishte edhe përkthime të tjera të Amihait në shtëpi.

Pse nuk boton një libër tjetër me poezitë e Amichait, i thashë, ndoshta duke përfshirë të gjitha poezitë që Chana Bloch dhe Stepphen Mitchell kanë përfshirë në botimin e tyre në Amerikë? Do ta bëj në të ardhmen, më premtoi. Por e ardhmja është si një greminë, ku mbyten premtimet tona. Bardhi nuk mundi ta mbante premtimin e tij. Tani sa herë lexoj Amichain, ose përkthej ndonjë poezi të tij, më duket se shoh Bardhin të ulur në kafe përballë meje, të përhumbur në mendime. Edhe pse nuk do te më qortonte për përkthimin e di se askush nga ne nuk do ta përkthejë kurrë Amihain, siç do ta përkthente ai.

Yehuda Amichai: Kujtime të pamëshirshme

Këto ditë mendoj për erën në flokët e tu

dhe për vitet në këtë botë që paraprinë ardhjen tende

dhe për përjetësinë ku para teje do të shkoj;

dhe mendoj për plumbat që nuk më vranë në betejë

por vranë miqtë e mi –

me të mirë se unë ata ishin, sepse

ata nuk jetojnë më;

dhe mendoj për ty që rri zhveshur në furrnajën e verës,

përkulur mbi një libër që të lexosh më mirë

në dritën e ditës që po shuhet.

Po, kem’ jetuar më shumë se një jetë,

Dhe tani duhet ta peshojmë çdo gjë në peshoren e ëndrrave

dhe t’paqtojmë

kujtimet e pamëshirshme

me atë çka njëherë qe e sotme.

Përktheu: Lazer Stani

Filed Under: LETERSI

Kujtim për muzikologun Albert Paparisto

October 26, 2026 by s p

Nga Ilinka Dimashi/

Para disa ditësh, përfundova së lexuari një libër, për dajën tim, Albert Paparisto, të përgatitur nga muzikologu Edmir Ballgjati, nën kujdesin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ndër të tjera, më tërhoqi vemendjen një episod i rrëfyer nga vetë Paparisto: Një mëngjes nëntori të vitit 1960, —tregon ai, — sapo kisha dalë në zyrë, më njoftuan se dikush dëshironte të takohej me mua.

— Le të vijë, — thashë.

Pas pak, te dera qëndronte një fshatar rreth të pesëdhjetave, i shoqëruar nga djali i tij dymbëdhjetëvjeçar.

— Urdhëroni! — i ftova të hynin.

Sapo kaluan pragun, atë e bir hoqën opingat dhe, duke iu shmangur qilimit, kaluan përgjatë anës së dhomës, që të mos e shkelnin. Pastaj më përshëndetën.

U thashë se nuk ishte nevoja të bënin gjithë atë kujdes dhe se mund të hynin lirisht, ashtu siç ishin. Por ata vepruan sipas zakonit të tyre. I ftova të uleshin dhe biseda nisi.

— Jemi nga fshatrat e Burrelit, — tha burri. — Kemi lexuar në gazetë se këtu do të hapet një shkollë për këngëtarë. Vendosa të shpenzoj ca para, të vij deri në Tiranë e të heq merakun. Djali ka shumë qejf të këndojë, di shumë këngë dhe thashë të vija një herë te ju.

— Po ti, — e pyeta, — dëshiron që djali të bëhet këngëtar opere e të këndojë këtu, në skenën tonë?

— Posi! — u përgjigj fshatari. — Përse jo?

Kaluam pastaj në njërën prej studiove të provave, ku na u bashkuan pianistja Lola Gjoka dhe tenori Ibrahim Tukiçi. Atje, djali i vogël, ende i papjekur për një shkollë të tillë, na këndoi një këngë popullore.

Më pas, të njëjtën këngë e këndoi edhe Ibrahim Tukiçi. Atë e bir e dëgjonin me admirim, me buzë në gaz.

Papritur, fshatari shpërtheu:

— Ej, ky paska zë të bukur!

Dukej sikur, në atë çast, dëshira e tij që edhe djali të bëhej këngëtar ishte dhjetëfishuar.

— Po, — i thamë ne, pasi i dhamë disa këshilla, — edhe ai mund të bëhet këngëtar, por duhet të rritet edhe pak e pastaj të ndjekë shkollën.

E shikoja atë burrë nga Burreli dhe mendoja se sa shumë kishte ndryshuar koha! Dikur, fshatari mezi priste që djali t’i rritej, që ta çonte me bagëti ose ta kishte krah të djathtë në punët e rënda të bujqësisë. Tani, ky baba dëshironte që i biri të bëhej artist!

Dhe kishte arsye të besonte se kjo ëndërr mund të bëhej realitet. Shembujt nuk mungonin: Mentor Xhemali, i cili nga hamall u bë një bariton i famshëm; Mustafa Krantja, që e kishte nisur punën si çirak te një furrxhi në Kavajë e u bë dirigjent i njohur; Hysen Kurti, ish-punëtor shtypshkronje, që u bë tenor. E të tjerë si ata.

Kështu përfundon ky episod i thjeshtë, por mjaft domethënës për muzikologun Albert Paparisto, në atë kohë drejtor i Teatrit të Operës dhe Baletit.

Ai që priti atë ditë babanë fshatar me të birin nuk ishte thjesht një drejtues institucioni, por një njeri që besonte se talenti mund të fshihej te çdo njeri dhe se detyra e punonjësit të kulturës ishte ta zbulonte e ta zhvillonte më tej.

Por cili ishte në të vërtetë profesor Paparisto dhe çfarë roli luajti ai në zhvillimin e muzikologjisë shqiptare dhe në trajtimin e problemeve të saj?

Më i vogli i gjashtë fëmijëve të Jorgjit dhe Krisavgjisë, dy banorëve të hershëm të Kalasë së Elbasanit, Alberti lindi më 21 tetor 1925.

NJË I RI I TALENTUAR

Alberti ishte djalë i talentuar. Kolë Papajani, bashkënxënës dhe bashkëmoshatar i tij në shkollën Normale të Elbasanit, më vonë kirurg i njohur, ka dëshmuar se Alberti ishte nxënës i shkëlqyer në të gjitha lëndët. Ai e përshkruante si njeri me karakter të qëndrueshëm, të sjellshëm dhe shumë të urtë.

Në Normalen e Elbasanit, përveç lëndëve të tjera, Alberti kishte marrë edhe mësime solfezhi, trombe dhe violine. Me sa duket, prirjet muzikore ishin një tipar i përbashkët i familjes. Vëllezërit dhe motrat e tij e kishin që të gjithë në gjak muzikën.

Në një familje me kaq shumë prirje e talente, Alberti, megjithatë, duket se kishte zgjedhur një rrugë tjetër. Ai kishte më shumë prirje për matematikë dhe dëshironte të studionte arkitekturë. Por strukturat shtetërore vendosën ta orientonin drejt studimeve muzikore, pasi vendi kishte më shumë nevojë për specialistë në këtë fushë.

Në vitin 1951, Alberti nisi studimet për muzikologji në Konservatorin “P. I. Çajkovski” të Moskës, të cilat i përfundoi më 1956 me rezultate të shkëlqyera, ndonëse nuk kishte kryer më parë një shkollë të mesme muzikore.

Gjatë studimeve pati fatin të ndiqte mësimet e personaliteteve me përmasa të mëdha artistike, ndër ta të kompozitorëve me famë botërore, Dmitri Shostakoviç dhe Aram Khaçaturian.

Sipas të dhënave që përcillen në materialet për jetën dhe veprimtarinë e Paparistos, Shostakoviçi e kishte përzgjedhur Albertin ndër studentët më të mirë për ta shoqëruar në një prej edicioneve të festivalit “Pranvera e Pragës” një veprimtari e rëndësishme e muzikës klasike në Evropën Lindore. Shostakoviç ka kompozuar “Valsin Numër 2”- një kryevepër botërore.

A shihte kompozitori i madh te studenti shqiptar një përfaqësues të denjë të kulturës muzikore të vendit të tij? Këtë nuk mund ta dimë me siguri, por vetë përzgjedhja është një dëshmi domethënëse e vlerësimit për të.

Një tjetër fakt me interes të veçantë lidhet me punimin e diplomës së Albertit, kushtuar epikës historike shqiptare. Sipas rrëfimeve të vetë atij, të përcjella në biseda mes të afërmve dhe miqve, ky punim ishte botuar në gazetën Pravda, një nga organet më të rëndësishme të shtypit sovjetik të kohës.

U përpoqa ta gjeja gazetën në fjalë, por nuk arrita të gjej botimin e punimit. Sidoqoftë, një mundësi e tillë, nuk u jepej të gjithë studentëve të konservatorit, aq më tepër një studenti nga një vend si Shqipëria e vogël.

NË TEATRIN E OPERËS DHE BALETIT

Me t’u kthyer në atdhe, më 1956, Alberti u emërua drejtues i sektorit të muzikës në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Njëkohësisht, u angazhua seriozisht në veprimtari studimore e publicistike, si dhe në mësimdhënie në Liceun Artistik «Jordan Misja». Ndërkaq, nisi edhe kompozimet e para.

Në vitin 1958 u emërua drejtor i Teatrit të Operës dhe Baletit. Në këtë detyrë, dha kontribut në konsolidimin e institucionit, në rritjen e nivelit artistik të trupës dhe në vënien në skenë të operave të mëdha botërore, si Traviata, Madamë Baterflaj, Berberi i Seviljes, Karmen e të tjera.

Krahas tyre, u nxitën dhe u vunë në skenë edhe vepra të kompozitorëve shqiptarë, si operat Lulja e Kujtimit dhe Mrika, si dhe baletet Halili dhe Hajria, Delina etj.

Më 1962, ndërsa ishte drejtor i Teatrit të Operës dhe Baletit, Alberti mori përsipër edhe drejtimin e Konservatorit Shtetëror, duke qenë njëkohësisht ideatori dhe nismëtari i hapjes së tij.

Ky institucion hodhi themelet e arsimit të lartë muzikor në Shqipëri. Konservatori u vendos në të njëjtën godinë me Teatrin e Operës dhe Baletit, gjë që përbënte një avantazh për studentët, të cilët mund të ndiqnin veprimtaritë artistike që zhvilloheshin në skenën e Operas.

Në një kohë kur mungonin edhe bazat materiale të nevojshme për zhvillimin normal të mësimit, Alberti dhe pedagogë të tjerë vunë në dispozicion partiturat dhe bibliotekat e tyre personale.

Megjithëse i ngarkuar me dy përgjegjësi të rëndësishme, ai nuk hoqi dorë nga mësimdhënia, duke dhënë leksione në muzikologji dhe harmoni.

Në se shkolla shqiptare e muzikës, do të arrinte brenda një kohe të shkurtër standarde të caktuara artistike, veçanërisht impresionuese për një vend të vogël e me tradita të pakta paraprirëse në arsimin e lartë muzikor, siç ishte Shqipëria, një meritë specifike i duhet njohur drejtuesit dhe pedagogut Albert Paparisto, ka thënë studiuesi Spiro Kalemi.

Ai karakterizohej nga serioziteti në punë, profesionalizmi i lartë dhe një autoritet i jashtëzakonshëm.

Muzikologia Ilirjana Dema është shprehur se ai kishte një autoritet të padiskutueshëm, nuk fyente njeri dhe nuk e ngrinte kurrë zërin, sepse nuk kishte nevojë ta ngrinte.

Ndërsa Spiro Kalemi, ka theksuar se ky autoritet nuk buronte nga detyra që kryente, por nga qëndrimi, vizioni i gjerë dhe fjala e ndërhyrjet e tij, gjithmonë të argumentuara e të arsyetuara.

NJË VLERËSIM QË VJEN NGA KOHA

Më 10 maj 2022, Albert Paparistos iu akordua nga Universiteti i Arteve titulli i lartë “Doctor Honoris Causa”,me motivacionin zyrtar:

“Pedagog dhe themelues i Konservatorit Shtetëror të Tiranës, si dhe drejtor i parë i këtij konservatori. Themelues i Muzikologjisë Shqiptare, me kontribut të madh e të jashtëzakonshëm në shkollën e parë shqiptare për muzikën, si dhe shembull për të rinjtë që kanë zgjedhur të jenë e nesërmja e muzikës shqiptare.”

Më 23 shtator 2026, figura e profesor Albertit u përjetësua edhe në një pullë poste shqiptare, duke u bërë pjesë e kujtesës filatelike të vendit.

Duke iu kthyer episodit të fshatarit nga Burreli me të birin, më ka bërë përshtypje bindja e prof. Paparistos se talenti mund të lindë kudo dhe meriton të zbulohet.

Ndoshta, kjo është një nga trashëgimitë më të bukura që ai na la: besimi te njeriu, te muzika dhe te mundësitë që mund të çelen kur dikush arrin të shohë përtej asaj që duket në pamje të parë.

Vepra e Albert Paparistos nuk është hulumtuar plotësisht. Janë me dhjetëra kompozime të tij që kanë parë prej kohësh dritën e diellit dhe disa prej tyre luhen nga studentët në shkollat e muzikës. Megjizhatë, ende ka mjaft të tjera që presin të zbulohen, të studiohen dhe t’u bashkohen veprave tashmë të njohura.

Kujtimi për të nuk është thjesht një kthim pas. Është edhe një mënyrë për t’ua përcjellë brezave të rinj vlerat që ai përfaqësoi.

Filed Under: LETERSI

Life in “Time Shelter”

October 20, 2026 by s p

Rafaela Prifti/

Vaysha, vajza që në tregimin e shkrimtarit bullgar Georgi Gospodinov njihet si Vajsha e Verbër, sheh të shkuarën me syrin e majtë dhe të ardhmen me të djathtin, por kurrë të tashmen. Dhuntia e saj e pazakontë ngërthen një dilemë intime: e shkuara është e gjallë, e ardhmja e dukshme, ndërsa momenti ku ajo jeton i pakapshëm. Po të ishe ti në vend të saj, çfarë do zgjidhje, të shohësh të shkuarën apo të ardhmen? Dhe çfarë do të mungonte nga tjetra?

Vaysha, the girl known as Blind Vaysha in Bulgarian writer Georgi Gospodinov’s story, sees the past through her left eye and the future through her right—but never the present. Her strange gift turns questions of memory and longing into an intimate dilemma: the past is vivid, the future visible, and the moment she inhabits remains out of reach. If you could chose to look back or ahead, which would you choose, and what might you miss by choosing one over the other?

Nostalgia, not simply a longing for what has gone, but a force that shapes how we perceive the present and imagine the future, was at the center of today’s presentation at NYU’s Eastern European Workshop. Georgi Gospodinov, winner of the 2023 International Booker Prize, discussed how his novel Time Shelter explores personal and collective memory. The event was hosted by Professor of European History Larry Wolff and Professor Cristina Vatulescu of NYU’s Comparative Literature Department and Center for the Humanities. The conversation suggested how society’s memories can become both a refuge and a trap.

One of Gospodinov’s wry observations stayed with me. It is easier now, he suggested, to be a Bulgarian writer. When he first encountered audiences outside Bulgaria in the 1990s, readers often approached him through stereotypes about what a Bulgarian writer should be. Those expectations may have changed, but his position has not become simple.

That sense of estrangement gives his reflections on nationalism particular force. National identity can offer people a sense of belonging, but it can also narrow the space for disagreement. Gospodinov’s account of alienation in Bulgaria felt larger than any one country: the pressure to conform to a national story, and the loneliness of resisting it, are recognizable far beyond Bulgaria. This may be one reason Time Shelter speaks to readers across borders. Its concern with nostalgia is not sentimental. The past can comfort us, but it can also be curated and idealized, used to promise a reassuring version of who we are. Georgi Gospodinov’s works ask what happens when the desire to return—to a remembered home, an imagined era, a supposedly simpler identity—begins to crowd out the uncertainties of the present.

His short-story collection The Man with Many Faces offers another point of entry into his writing. But the talk’s central question lingered beyond any single book: How do we live with the past without letting it dictate the present? Gospodinov’s answer, as I heard it, is not to abandon memory, personal or collective. It is to remain alert to the stories memory tells us and to ask who gets to belong within them.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Rafaela Prifti

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 320
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ati i Shenjtë, Papa Leoni XIV, pret në audiencë private ipeshkvijtë dhe administratorët dioqezanë të Shqipërisë
  • SOVRANI ZGJEDH DIALOGUN…
  • Masakra e Tivarit – E vërteta historike nuk mund të mbetet peng i heshtjes!
  • Revoltohemi, pra jemi!
  • Si i shërbeu çështjes së pavarësisë kombëtare figura e Gjergj Kastriotit
  • KUR DIPLOMACIA GREKE HARRON KUFIJTË: MESAZHI I PRESIDENTIT TASOULAS DHE PËRGJEGJËSIA E AMBASADORES NË TIRANË
  • SISTEMI QË HËNGRI BIJTË E VET
  • A JANË PLUMBAT E GOMËS VETËM GOMË?
  • Kushtetuta e zgjimit kombëtar shqiptar: Anastas Kullurioti dhe manifesti patriotik për gjuhën, arsimin dhe vëllazërinë shqiptare
  • Çështja Çame sipas koncepteve filozofike të Antonio Gramshit
  • SKENDERBEU NË ROMË, një copëz e Shqipërisë në zemër të Italisë
  • Poezia e Dabishevcit, similitudë e fuqishme dhe tronditëse
  • Një ndryshim i madh për çështjet e emigracionit!
  • Pengjet e Bosforit dhe Çmimi i Fshehur i Pavarësisë: Shkrimi i rrallë i revistës pariziene për Ismail Qemalin
  • NGJARJET QË PËRFSHINË KANDAVINË NË LUFTËN CIVILE TË ROMËS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT