
Pamflet nga Rafael Floqi/
“Nuk kanë bërë prokopi popujt që udhëhiqen nga delirantë dhe sharlatanë”, deklaroi dje Edi Rama në Vlorë në mitingun e 35 -vjetorit të PS-së.
Dhe, për çudi, jam dakord me të.
Problemi fillon menjëherë pas kësaj. Sepse pyetja nuk është nëse delirantët dhe sharlatanët janë problem. Pyetja është: kush janë? Janë vallë protestuesit që prej një jave mbushin rrugët e Tiranës, duke kundërshtuar projekte që sipas tyre po betonizojnë bregdetin dhe po privatizojnë hapësirat publike?
Apo janë ata që shohin Tiranën dhe mendojnë se zgjidhja për një qytet ku mijëra apartamente qëndrojnë bosh është ndërtimi i një tjetër kulle 250 metra të lartë, ndoshta me një pistë helikopterësh në çati dhe me një emër anglisht që askush nuk e shqipton dot?
Ndoshta delirantë janë ata që besojnë se qyteti ka nevojë për më shumë pemë. Ose ata që mendojnë se lagjet duhen ndërtuar për njerëzit dhe jo për maketet 3D nga arkitektë të huaj.
Ose ndoshta jo.
Disa ditë më parë, kryeministri përdori edhe një term tjetër filozofik të nivelit të lartë: “honxho-bonxho”. Një koncept ende i paidentifikuar nga Akademia e Shkencave, por që me sa duket përfshin të gjithë ata që nuk bien dakord me qeverinë.
Në Shqipërinë e vitit 2026 duket se ekziston një rregull i thjeshtë: nëse proteston, je honxho-bonxho; nëse kundërshton, je delirant; nëse ngre pyetje, je sharlatan; ndërsa nëse duartroket, je qytetar model.
Por këtu lind një pyetje e bezdisshme.
A është delirant populli kur proteston? Qoftë dhe 500 mije edhe pse nuk është 800 mijë sa shuplakat e PS-së. Apo bëhet delirant vetëm kur proteston kundër pushtetit?
Sepse historia na mëson se pothuajse çdo protestë e madhe, para se të njihej si lëvizje qytetare, është quajtur fillimisht marrëzi, ekstremizëm, destabilizim, apo komplot.
Në fakt, paradoksi shqiptar është edhe më interesant. Për tridhjetë e pesë vjet kemi dëgjuar se populli është i mençur kur voton dhe i manipuluar kur proteston. Është sovrani kur fut fletën në kuti, por bëhet turmë sapo del në rrugë.
Ndërkohë, flamengoja e Zvërnecit po shndërrohet gradualisht në një simbol që shkon përtej një kauze lokale. Jo sepse flamengot kanë lexuar program politik, por sepse shumë qytetarë po projektojnë mbi atë protestë një pakënaqësi më të gjerë ndaj mënyrës se si qeveriset vendi.
Megjithatë, ndryshe nga shumë vende të Europës Lindore që përjetuan lëvizje të fuqishme qytetare dhe ndryshime të thella politike, Shqipëria nuk ka njohur ende një revolucion demokratik që të tronditë themelet e sistemit dhe të prodhojë një elitë të re politike. Dhe kjo nuk ka ndodhur sepse kanë munguar arsyet.
Përkundrazi, korrupsioni, pabarazia, kapja e institucioneve, mungesa e besimit te politika dhe zhgënjimi i vazhdueshëm i qytetarëve kanë krijuar shpesh kushte të ngjashme me ato që në vende të tjera kanë ndezur revolta të mëdha demokratike. Por në Shqipëri zemërimi kolektiv ka gjetur zakonisht dy valvula shkarkimi: ose është përthithur dhe instrumentalizuar nga partitë e vjetra politike, të cilat kanë ditur ta kanalizojnë pakënaqësinë në interes të tyre, ose është shndërruar në valë emigracioni, duke bërë që shumë qytetarë të zgjedhin aeroportin në vend të sheshit. Kështu, energjia që në vende të tjera ka prodhuar ndryshim politik, tek ne shpesh është tretur mes militantizmit partiak dhe ikjes masive jashtë vendit.
Po sikur populli të mos jetë duke ndjekur një delirant, por të jetë thjesht i lodhur? Po sikur, për herë të parë pas shumë vitesh, zemërimi të mos ketë një lider të vetëm, një parti, një flamur politik apo një “shpëtimtar” të radhës? Në fund të fundit, një nga tiparet e protestave të kohëve moderne është se ato shpesh lindin përpara se të gjejnë udhëheqësit e tyre.
Ndoshta paradoksi më i madh i politikës shqiptare është se jemi mësuar aq shumë me idenë se çdo lëvizje duhet të ketë një “kokë”, sa nuk arrijmë të pranojmë se ndonjëherë njerëzit mund të dalin në rrugë edhe pa një dirigjent. Për një pjesë të klasës politike, një protestë pa lider është e pakuptueshme; dikush duhet të jetë pas saj, dikush duhet ta organizojë, dikush duhet ta manipulojë.
Kur një qytetar del në shesh dhe thotë “jo” – jo vendimeve të marra në errësirë, jo arrogancës së pushtetit, jo një klase politike që e sheh popullin vetëm si numër votash – ai nuk po sfidon shtetin. Përkundrazi, ai po ushtron të drejtën themelore që e bën shtetin demokratik.
Sepse në fund të fundit, qytetari nuk është armiku i shtetit. Qytetari është vetë burimi i legjitimitetit të tij. Ai nuk po e destabilizon shtetin; ai po i kujton atij se kujt i përket sovraniteti.
Por po sikur të mos ketë ende një lider?
Po sikur, në vend të një deliranti që udhëheq popullin, të kemi një popull që ende nuk ka vendosur kë të ndjekë?
Ndërsa Migjeni shkruante për “pleqninë e lënë në shenjtërinë e vet”, politika shqiptare duket se vazhdon të endet mes hijeve të së shkuarës. Nga njëra anë, një opozitë e plakur politikisht ashtu si lideri i saj Berisha qё ende kërkon recetat e vjetra të përplasjes, sikur koha e molotovëve dhe e barrikadave të ishte ende zgjidhja e problemeve të sotme. Por koha ka ndryshuar. Kjo nuk është më epoka e flakëve në asfalt, por e qytetarëve që dalin në rrugë me familjet e tyre, me fëmijët për dore, për të treguar se protesta nuk është dhunë, por pjesëmarrje. Janë prindër që sjellin fëmijët në shesh jo për t’u mësuar zemërimin, por për t’u mësuar guximin qytetar, që të mos kenë frikë as nga presioni i pushtetit, as nga ujëhedhësit, as nga etiketimet e shpejta që i shpallin “delirantë” ata që guxojnë të kundërshtojnë. Në fund, shoqëritë nuk ndryshojnë nga flakët e molotovëve, por nga brezat e rinj që mësojnë të flasin pa frikë.
Atëherë pyetja ndryshon krejtësisht. Nuk është më: “Kush është deliranti?” Pyetja bëhet: a po kërkon shoqëria shqiptare një alternativë të re, sepse nuk beson më as te delirantët e djeshëm dhe as te ata që i quajnë të tjerët delirantë sot?
Dhe kjo, për pushtetin, mund të jetë shumë më shqetësuese sesa prania e një lideri karizmatik. Sepse një protestë me lider mund të sulmohet, të diskreditohet ose të negociohet. Një pakënaqësi e shpërndarë në mijëra njerëz, pa një fytyrë të vetme dhe pa një komandë qendrore, është shumë më e vështirë të etiketohet si “delir”. Në fund të fundit, kur të gjithë quhen delirantë, lind dyshimi se ndoshta problemi nuk është më te populli.
Dhe këtu kthehemi te fjalia e kryeministrit.
“Nuk kanë bërë prokopi popujt që udhëhiqen nga delirantë dhe sharlatanë.”
E vërtetë.
Por po aq e vërtetë është se nuk kanë bërë prokopi as popujt ku çdo kritik quhet delirant, çdo protestues quhet honxho-bonxho dhe çdo kundërshtar shpallet armik i zhvillimit.
Prandaj ndoshta debati i vërtetë nuk është se a ka delirantë në Shqipëri.
Debati është: kush po flet për kë?