
Andis Gjoni/
Zef Zorba – Vargu i tij me fraza të fuqishme të drithëron shpirtin, të rrëmben e të brishton, para tij dukesh shumë i vogël, i pafuqishëm. Dhe mendon si nuk e njihnim më parë këtë rapsod të fjalës? Ku ishte ky njeri me vite të tëra, i pa vlerësuar dhe i pa botuar, i lënguar në harresën mjerane të përkohshmërisë së pushtetit të arrogancës. E pra fuqia e vargut të tij nuk rreshti së gjurmuari rrugën e vet në një fluturim qiellor drejt universit të tij ku diçka e pakuptueshme më shtyu të afrohem e ta cik me droje dhe kuriozitet, pa e ditur se çfare fshihej pas pluhurit dhjetëra vjeçar. Aty me duart që më dridheshin si një arkeolog ktheja fletët e një dorëshkrimi dhe nuk ngopesha në ekzaltimin tim tek përthithja vargun që vallëzonte bashkë me tingujt në një tango të çuditshme lashtësie, me fraza po aq me peshë sa malet e karaktereve që përshkruanin. Fantazia e tij ishte e frikshme, të bënte të stepeshe si përpara një gremine që të tërhiqte dhe ti nuk e dije nëse në fund të saj ishte parajsa apo ferri.
Por tërheqja ishte aty në vargun e tij “hermetik”, të pathyeshëm si shkëmbi i Orakullit në një polifoni metaforash befasuese që kërkonin me ngulm të të drejtonin për tek personazhet e tij magjikë. Gjuha e tij gegnishte ravijëzohej në një kontur të thepisur fjalësh që jetëzonin gjithçka preknin me puhizën flakëndjellëse të prehistorisë, në një “crescendo” tensioni që përfshinte në vorbullën e vet dhe të hidhte përpara murit të lartë e të paarritshëm të gjenialitetit të cilin duhej t’a deshifroje me kujdesin më të madh përndryshe ai mund të të shembej e të të zinte poshtë pa mëshirë, por nëse arrije ta zbërtheje porta hapej si me magji dhe para teje shfaqej universi i Zef Zorbës që mbështetej në krahët e një Shiva sa shkatërruese aq edhe transformuese. Gjithçka e derdhur në një spirale tensioni skenik që të ngrinte peshë dhe të çonte drejt e te themeli i kalasë së ëndrrave.
Pjesë nga libri “Historia e operas Rozafa”…