
Prof. dr. Lush Culaj/
Historia e diplomacisë botërore është në thelb histori e sistemeve të marrëdhënieve ndërkombëtare, e karakterizuar më së shumti nga konflikte dhe luftëra dhe në masë dukshme më të vogël nga stabiliteti dhe paqja. Konfliktet e shkaktuara dhe luftërat kanë pasur si shkak pushtimet territoriale zgjerimet e kufijve shtetërorë sipas interesave të më të fuqishmëve. Marrë si tërësi historia e diplomacisë evropiane dhe botërore është histori e kalimit nga konfliktet dhe luftërat e mëdha në paqe dhe stabilitet dhe e kundërta.
Gjatë historisë botërore sikur u bë dukuri që, pas përfundimit të secilës luftë, palët ndërluftuese të uleshin rreth tryezave të bisedimeve dhe t’i zgjidhnin çështjet të cilat rëndom ishin bërë shkaktare të luftërave disavjeçare. E tillë ishte edhe Konferenca e Paqes e Parisit, e organizuar nga data 18.1. 1919 deri më 21.1. 1920.
Qëllimi kryesor i kësaj konference ishte dhënia fund e gjendjes së luftës ndërmjet palëve të konfrontuara: shteteve të Antantës nga njëra anë dhe atyre të Bllokut qendror nga ana e tjetër. Rreth Fuqive të Antantës vërtiteshin shtetet më të vogla që synonin realizimin e premtimeve të tyre si shpërblim për aleancën gjatë luftës, kurse fuqitë e mundura prisnin vendimet e Versajës.
Pikërisht kësaj problematike historike me mjaft interes i është rrekur studiuesja Margaret Macmillan, e diplomuar në Universitetin e Oksfordit, e cila aktualisht punon si profesoreshë e historisë në Universitetin e Torontos në Kanada. Vlen të theksohet që në fillim se studimi i saj, Paris 1919, ka fituar çmimet “ Duff Cooper”, “ Samuel Johnson” dhe” Pen Hesell Tiltman”. E veçanta e tërë këtij studimi qëndron në faktin që autorja është e mbesa e David Lloyd George, njërit ndër protagonistët kryesorë gjatë zhvillimit të kësaj konference.
Duke u nisur nga mësimet jetësore se në diplomaci, ashtu si edhe në jetë, mësohet më shumë nga dështimet se nga sukseset që në hyrje të paradhënies së këtij studimi diplomati i njohur amerikan Riçard Hollbruk, duke konstatuar se kishte ardhur koha të rishihet ajo çka ndodhi në Paris në vitin 1919, thekson se rrëfimi i përzgjedhur i Margaret MakMilanit për këtë ngjarje të rëndësishme përmban disa histori të suksesshme dhe të matura nëpërmes gjykimit të historisë dhe pasojave.
Për gjashtë muaj në vitin 1919, Parisi ishte kryeqytet i botës. Konferenca e organizuar aty ishte çështja më e rëndësishme e botës. Aty kishin arritur edhe njerëzit më të fuqishëm të botës fitimtarët e luftës. Duke e përshkruar karakterin e këtyre njerëzve të fuqishëm, autorja vë në pah se ata argumentonin, debatonin, grindeshin dhe pajtoheshin përsëri. Ata krijonin vende të reja dhe organizata të reja. Shpesh herë darkonin së bashku e gjithashtu shkonin në teatër së bashku. Në këtë periudhë kohore ndërmjet janarit dhe qershorit, Parisi simbolikisht ishte shndërruar në qeveri botërore, në gjykatë të apelit dhe parlament të saj, ishte shndërruar në epiqendër të shpresave dhe druajtjeve. Zyrtarisht Konferenca e Paqes zgjati deri në vitin 1920, por në fakt gjashtë muajt e parë të saj janë ata kur u morën vendimet kryesore dhe që vunë në lëvizje zinxhirët jetikë të ngjarjeve.
Në fakt ky është një studim i vendimeve gjysmake me pasoja të tmerrshme, shumë nga të cilat enden rreth nesh.
Në qendër të ndëshkimit të Konferencës së Paqes u vu Gjermania. Ajo u konsiderua shkaktare kryesore e fillimit të luftës dhe pasojave të saj. Fuqitë e tjera aleate të Gjermanisë kaluan më lehtë.
Ne versionin gazetaresk, sipas diplomatit Riçard Hollbruk, që e ka bërë edhe parathënien e librit, udha nga salla e pasqyrave në Versajë deri te pushtimi gjerman i Polonisë, vetëm 20 vjet më pas, zakonisht është paraqitur si një vijë e drejtë. Mirëpo, MakMilani na paraqet fuqishëm se kjo pikëpamje e pranuar gjerësisht për historinë, shtrembëron natyrën e vendimeve të marra në Paris dhe zvogëlon rëndësinë e veprimeve të marra në vitet e ndërhyrjes.
Diplomati Hollbruk konsideron se mënyra se si përfundoi lufta – me një “armëpushim” dhe jo me luftime në tokën gjermane – luajti një rol të rëndësishëm në ngjarjet në vazhdim. “Gjërat mund të kishin qenë ndryshe, – shkruan Makmilani, në qoftë se Gjermania do të ishte shpartalluar tërësisht”. Nga ana tjetër Makmilani e korrigjon pikëpamjen e pranuar gjerësisht se reputacionet e imponuara nga fitimtarët ishin aq barrë e rëndë sa shkaktuan rrënimin e ekonomisë gjermane, çka i hapi rrugën Hitlerit për të ardhur në pushtet.
Harta e përpiluar, sipas marrëveshjes së Versajës, e rrethoi Gjermaninë me miliona gjermanë që u detyruan të jetonin në shtete të vogla përreth dhe që përherë e kishin në mendje bashkimin kombëtar; e rrethoi Çekosllovakinë me gjermanë, polakë e hungarezë që nuk i lidhte asgjë me atë shtet, e rrethoi Serbinë me shqiptarë, hungarezë dhe kroatë që po ashtu nuk mund kurrsesi të ishin pjesë e natyrshme e një shteti të dominuar nga filozofia dhe kultura sllavo-ortodokse. Ky kompozim i hartës të Evropës, që e dizajnoi Versaja, është ndoshta modeli më i keq i zgjidhjeve të bëra nga diplomacia botërore dhe një ndër shembujt më të mirë se si nuk duhet vepruar për të zgjidhur problemet në të ardhmen. Pra, nëse Versaja nuk kishte arritur t’iu linte gjeneratave një eksperiencë pozitive, ajo gjithsesi na la një eksperiencë negative.
Makmilan konsideron me të drejtë se paqebërësit e vitit 1919 bënë gabime. Nga trajtimi i tyre i momentit i botës jo evropiane, ata nxitën mëri dhe inate për të cilat Perëndimi ende po paguan sot. Ata morën përsipër vuajtjet mbi kufijtë e Evropës, edhe pse ata nuk i vendosën ata kufij në mënyrë të kënaqshme për të gjithë.
Është tejet domethënës vlerësimi i Makmilanit kur thekson se “nëse ata do të kishin mundur të bënin më mirë, ata sigurisht që do të kishin mundur të bënin edhe më keq se kaq”. Ndoshta mund të konsiderohet e drejtë kur thuhet që ata nuk mund t’i parashikonin të ardhmen dhe ata sigurisht nuk mund ta kontrollonin atë. Kjo do të varej nga pasardhësit e tyre. Pikërisht fillimi i luftës tjetër botërore në vitin 1939 ishte si pasojë e vendimeve të marra apo të pamarra njëzet vite më parë dhe jo për shkak të marrëveshjeve të bëra më 1919.
Makmilan në përfundimet e saj do të konkludojë në mënyrë hipotetike se ngjarjet do të zhvilloheshin ndryshe, nëse Gjermania të ishte mposhtur plotësisht. Apo nëse SHBA-të do të ishin po aq të fuqishme pas Luftës së Parë Botërore sikur ishin pas Luftës së Dytë. Nëse Britania dhe Franca nuk do të ishin dobësuar aq shumë nga lufta. Nëse Austro-Hungaria nuk do të zhdukej. Nëse Kina nuk do të kishte qenë aq e dobët. Nëse Japonia nuk do të kishte qenë më e sigurt në vetvete. Nëse shtetet do ta kishin pranuar një Lidhje Kombesh më pushtet të vërtetë etj. Diplomati Hollbruk, duke e vlerësuar lart librin e Makmilanit, do të theksonte ndër të tjera: “Portreti i shkëlqyer për burrat e Parisit i bërë nga Makmilani për çfarë ata u përpoqën të bëjnë, ku patën sukses dhe pse dështuan, tani veçanërisht është i kohës. Kjo histori ndriçon, ashtu si mundet vetëm historia e madhe, jo vetëm të kaluarën, por edhe të tashmen. Ajo mund të na ndihmonte drejt së ardhmes. Mua më vjen keq se këtë nuk e kishim një dekadë me parë. Por ja ku është: një udhëtim magjepsës nëpër histori”.
Vlera e mirëfilltë e këtij studimi qëndron në faktin se autorja për ngjarjet që i shtjellon niset nga koha dhe hapësira e zhvillimit të tyre, duke i shkoqitur si duhet e në mënyrë shkencore si anët pozitive ashtu edhe anët negative të diplomacisë, që u zhvillua në atë periudhë kohore në Versajë. Natyrisht që peshë të rëndësishme për autoren Makmilan kishin edhe shtjellimi me pedanti i shkaqeve që kanë ndikuar në to.
Në rrafshin metodologjik-hulumtues, me qëllim që lexuesi profesionist si dhe ai joprofesional të ketë para vetes një pasqyrë të ngjarjeve sa më komplete në vazhdimësi, duke mos i shkëputur ngjarjet nga konteksti historik, autorja brumin e lëndës së këtij studimi e organizon në tetë pjesë të cilat janë të lidhura ngushtë mes veti dhe e përbëjnë boshtin e këtij studimi monografik. Në pjesën shtojcë autorja pasqyron 14 pikat e Presidentit Wilson. Natyrshëm që ky libër me peshë të madhe përfundon me bibliografinë e shumtë që na ofron autorja si dëshmi e punës së saj të madhe dhe të palodhshme. Duke e pasur mbështetjen në burime me shqyrtim të hollësishëm kritik të të dhënave faktografike, ky botim mban epitetin e librit shkencor. Botimi në fjalë plotëson një zbrazëti të madhe në diplomacinë botërore.
Nga e terë kjo mund të përfundojmë se diplomacia botërore është më e pasur për një analizë të thukët diplomatike, ndërsa diplomatët, historianët dhe të gjithë lexuesit te libri i Makmilanit gjejnë analiza të thelluara të ngjarjeve dhe momenteve diplomatike të cilat do të shërbejnë për t’i thelluar studimet dhe hulumtimet për kohën në shqyrtim të diplomacisë dhe të historisë botërore.