
Ambasador Flamur Gashi/
Në vitin 1913, kur mbi shqiptarët po kryheshin masakra dhe Fuqitë e Mëdha vendosnin për fatin e tyre, gazetari, publicisti dhe politikani austriak me origjinë hebraike Leo Freundlich ishte ndër ata evropianë që nuk heshtën.
Ai mblodhi dëshmi për krimet e kryera ndaj popullsisë shqiptare dhe i bëri ato të njohura opinionit evropian përmes veprës së tij të famshme “Albaniens Golgatha” – “Golgota e Shqipërisë”, botuar në Vjenë më 1913.
Në faqet e librit të tij Freundlich denonconte dhunën, masakrat, dëbimet dhe shkatërrimet që po pësonin shqiptarët, duke ngritur një akuzë të fuqishme morale përpara Evropës së kohës.
Për shqiptarët, kjo vepër mbetet një nga dëshmitë e rëndësishme ndërkombëtare të tragjedisë së viteve 1912–1913.
Lidhja e Leo Freundlichut me shqiptarët nuk përfundoi me këtë libër. Edhe në vitet e mëvonshme ai mbajti lidhje të ngushta me Shqipërinë dhe, gjatë kohës së Mbretit Zog, veproi në Vjenë në shërbim të interesave shqiptare, përfshirë veprimtarinë në fushën e shtypit dhe të përfaqësimit të interesave të Shqipërisë.
Historia i dha kësaj marrëdhënieje edhe një dimension të veçantë njerëzor: Freundlich ishte hebre, ndërsa disa dekada më vonë shqiptarët do të bëheshin një nga popujt që, gjatë Holokaustit, hapën dyert dhe rrezikuan jetën për të mbrojtur hebrenjtë.
Leo Freundlich meriton të kujtohet me mirënjohje si një mik i shqiptarëve dhe si një nga zërat evropianë që, në një kohë kur heshtja ishte më e lehtë, zgjodhi të dëshmonte.
Miqtë e kombit tonë nuk harrohen.