• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR DIPLOMACIA GREKE HARRON KUFIJTË: MESAZHI I PRESIDENTIT TASOULAS DHE PËRGJEGJËSIA E AMBASADORES NË TIRANË

October 31, 2026 by s p

Isuf B.Bajrami/

Qëndrim kritik mbi diskursin politik dhe diplomatik grek ndaj Shqipërisë. Ka një kufi që diplomacia nuk duhet ta kalojë: kufirin e respektimit të sovranitetit të një shteti tjetër. Deklaratat e presidentit të Republikës së Greqisë, Konstantinos Tasoulas, me rastin e 28 Tetorit, dhe aktivitetet përkujtimore të organizuara nga përfaqësues të komunitetit grek në Shqipëri, rikthejnë në vëmendje një problem që nuk mund të trajtohet më me indiferencë institucionale.

Problemi nuk është përkujtimi i historisë greke. Problemi është mënyra se si historia interpretohet, emërtohet dhe prezantohet në raport me territorin e një shteti fqinj. Presidenti grek dhe përgjegjësia e fjalës presidenciale. Presidenti grek Konstantinos Tasoulas, në deklaratën e tij publike të 28 tetorit 2026, foli për «fushatën epike në Epirin e Veriut», duke iu referuar zhvillimeve ushtarake të vitit 1940.

Kjo deklaratë nuk mund të shkëputet nga pesha institucionale e personit që e shqipton. Kur një president shteti përdor një terminologji historikisht të ngarkuar në raport me territorin e një vendi tjetër, ai duhet të jetë i vetëdijshëm se fjalët e tij nuk mbeten vetëm në kufijtë e një ceremonie kombëtare.

Ato prodhojnë mesazhe politike dhe diplomatike. Prandaj, zoti Tasoulas duhet ta kuptojë se Shqipëria nuk është vazhdim i ndonjë harte historike greke dhe as territor mbi të cilin mund të projektohen nostalgji politike. Nëse bëhet fjalë për historinë e vitit 1940, ajo mund dhe duhet të përkujtohet. Por historia e një operacioni ushtarak nuk krijon të drejtë pronësie mbi territorin e një shteti tjetër. Është koha që institucionet greke të bëjnë një dallim të qartë ndërmjet kujtesës historike dhe diskursit që mund të interpretohet si relativizim i realitetit territorial shqiptar.

Ambasadorja Komini: Diplomacia nuk është vetëm protokoll

Një vëmendje të veçantë meriton edhe ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Lambrini Komini, e cila mori pjesë në ceremoninë përkujtimore në Vanovë. Natyrisht, një ambasador ka të drejtë të marrë pjesë në aktivitete përkujtimore të komunitetit që përfaqëson. Por funksioni diplomatik kërkon më shumë sesa pjesëmarrje protokollare.

Ambasadorja e një shteti në Shqipëri përfaqëson Republikën Helenike në territorin e një shteti sovran shqiptar. Për këtë arsye, çdo aktivitet zyrtar dhe çdo mesazh publik duhet të jetë në përputhje me parimet e respektimit të sovranitetit, integritetit territorial dhe fqinjësisë së mirë.

Pyetja që shtrohet është e thjeshtë:

A është e vetëdijshme ambasadorja Komini për ndjeshmërinë historike dhe politike që mbart përdorimi i terminologjisë «Vorio-Epir» në Shqipëri?

A e konsideron diplomacia greke të nevojshme të bëjë një dallim të qartë ndërmjet përkujtimit të ushtarëve të rënë dhe çdo interpretimi që mund të ushqejë narrativa territoriale?

Nëse po, këtë duhet ta bëjë të qartë përmes qëndrimeve institucionale.

Diplomacia nuk mund të kërkojë mirëkuptim nga pala shqiptare, ndërkohë që lë hapësirë për paqartësi në çështje kaq të ndjeshme.

Shqipëria nuk është terren për projekte historike

Duhet të rikujtojmë një të vërtetë themelore: territoret shqiptare nuk janë territore me status të diskutueshëm.

Emërtimi «Vorio-Epir», në përdorimin politik dhe nacionalist grek, nuk mund të shërbejë si alternativë ndaj emërtimit dhe përkatësisë shtetërore të territoreve që ndodhen brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë.

Kufijtë e Shqipërisë nuk përcaktohen nga nostalgjitë e qarqeve politike, nga hartat e vjetra apo nga interpretimet selektive të historisë.

Ato janë realitet juridik ndërkombëtar.

Prandaj, çdo përpjekje për të relativizuar këtë realitet, qoftë përmes deklaratave, simboleve apo terminologjisë politike, duhet të marrë përgjigje të qartë diplomatike.

Dy standarde që nuk mund të pranohen

Është paradoksale që në marrëdhëniet shqiptaro-greke të flitet vazhdimisht për respektimin e të drejtave të minoritetit grek, ndërkohë që çështja e respektimit të plotë të sovranitetit shqiptar nuk duhet të lihet në hije.

Shqipëria duhet t’i garantojë komunitetit grek të gjitha të drejtat kombëtare, kulturore, gjuhësore dhe arsimore.

Por askush nuk duhet ta ngatërrojë mbrojtjen e minoritetit me pretendimet territoriale.

Minoriteti grek nuk është problem për Shqipërinë. Ai është pjesë e realitetit shoqëror dhe kulturor të vendit.

Problemi fillon kur çështjet e identitetit përdoren për të ushqyer narrativa që tejkalojnë të drejtat e minoritetit dhe prekin përkatësinë territoriale të shtetit shqiptar.

Dhe pikërisht këtu diplomacia greke duhet të tregojë përgjegjësi.

Një pyetje edhe për Tiranën zyrtare

Por përgjegjësia nuk përfundon në Athinë.

Ku është reagimi i institucioneve shqiptare?

A do të vazhdojë diplomacia shqiptare të kënaqet me formulat standarde të miqësisë, ndërkohë që deklarata të tilla kalojnë pa një sqarim të nevojshëm?

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme duhet ta trajtojë këtë çështje me seriozitet institucional.

Nuk kërkohet konflikt diplomatik. Kërkohet qartësi.

Një notë diplomatike për sqarimin e terminologjisë dhe konfirmimin e respektimit të integritetit territorial të Shqipërisë do të ishte një veprim i arsyeshëm dhe në përputhje me rëndësinë e çështjes. Shteti shqiptar nuk duhet të jetë agresiv, por as pasiv përballë çështjeve që lidhen me dinjitetin dhe sovranitetin e tij.

Përfundim: Miqësia po, paternalizmi dhe ekuivokët territorialë jo!

Greqia është fqinji ynë dhe një partner në NATO. Shqipëria synon integrimin evropian dhe marrëdhënie të qëndrueshme me Athinën.

Por partneriteti nuk nënkupton heshtje. Fqinjësia e mirë nuk nënkupton tolerim të paqartësive. Dhe miqësia nuk mund të ndërtohet mbi standarde të ndryshme respektimi.

Presidenti grek duhet të kuptojë peshën e fjalëve të tij. Ambasadorja greke duhet ta kuptojë përgjegjësinë e funksionit që ushtron në Tiranë. Ndërsa institucionet shqiptare duhet të kuptojnë se sovraniteti nuk mbrohet vetëm në dokumente, por edhe në qëndrime konkrete diplomatike. Shqipëria nuk ka nevojë për lejen e askujt për të qenë zot në territorin e vet.

Greqia le ta nderojë historinë e saj. Komuniteti grek le ta ruajë identitetin e vet. Por askush të mos e ngatërrojë të drejtën për të përkujtuar historinë me të drejtën për të relativizuar kufijtë e një shteti sovran.

Një shekull i ri, marrëdhënie të reja dhe një parim i panegociueshëm: Shqipëria nuk është «Vorio-Epir». Shqipëria është Shqipëri!

Dhe këtë duhet ta kuptojnë njësoj në Athinë, në Tiranë dhe kudo ku historia përdoret si argument politik.

Foto:

https://acp.al/…/sa-persona-jetojne-ne-nje-kilometer…

Filed Under: Rajon

Siguria e Kosovës, modernizimi i FSK-së, partneriteti dhe komunikimi strategjik me SHBA-në

October 28, 2026 by s p

Hisen Berisha/

Çështja e Javelinëve, test për vetë shtetin e Kosovës.

Javelinët janë jo vetëm çështje e furnizimi me armatim, por edhe test i besueshmërisë politike, institucionale dhe të sigurisë së Kosovës ndaj partnerëve strategjikë. Në qoftë se pyetja është nëse Javelinët amerikanë mund të arrijnë në Kosovë në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2027, do të isha i kujdesshëm për një datë të prerë. Ajo që dihet publikisht është se procesi nuk është më në fazën e një kërkese politike.

SHBA-ja e ka miratuar shitjen e mundshme të raketave Javelin dhe njësive të komandimit për Kosovën, në një marrëveshje të vlerësuar atëherë në disa milionë dollarë. Institucionet kosovare kanë deklaruar se procesi i kontraktimit është avancuar dhe se çështja e dorëzimit lidhet sipas versionit zyrtar të ministrisë së linjës, edhe me kapacitetet e prodhimit dhe planifikimin e furnizimeve.

Prandaj, fundviti 2026 ose fillimi i vitit 2027 mund të trajtohet si një dritare e mundshme kohore, bazuar edhe në atë që deklaroi Ministri i Mbrojtjes, por fakti se nuk ndodhi në mesin e këtij viti tregon se nuk është një datë zyrtare e konfirmuar publikisht nga pala amerikane. Pjesa më interesante e kësaj çështjeje është se Javelinët nuk duhet të shihen të izoluar nga procesi i përgjithshëm i transformimit të FSK-së.

Kosova po ndërton një forcë me kapacitete gjithnjë e më të avancuara dhe Javelinët janë pjesë e procesi të modernizimit të kapaciteteve antitank.

Në të njëjtën kohë, përveç kërkesës së lartë ndërkombëtare dhe nevojes për rritjen e kapaciteteve prodhuese nga industria amerikane e mbrojtjes, shqetësim është nëse kjo vonesë duhet interpretuar si sinjal politik ndaj Kosovës. Pra, përveç faktit se ekziston një dimension i qartë teknik, industrial dhe strategjik amerikan, ekziston edhe një dimension tjetër që nuk duhet anashkaluar.

Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO-s në Kopenhagë, më 18–19 shtator 2026, u zhvillua pikërisht në një moment kur Aleanca po e vendos theksin te kalimi nga zotimet dhe buxhetet te kapacitetet reale, gatishmëria, parandalimi dhe aftësitë e reja mbrojtëse. NATO theksoi gjithashtu nevojën për përshpejtimin e adoptimit të kapaciteteve të reja dhe për një industri mbrojtëse që mund të prodhojë me intenzitet në shkallë të gjërë.

Në këtë kontekst, modernizimi i FSK-së duhet parë në raport me mënyrën se si SHBA-ja dhe NATO-ja po e konceptojnë sigurinë, parandalimin e kërcënimeve dhe rreziqeve, si dhe ndërtimin e kapaciteteve mbrojtëse në Evropë.

Prandaj, situa do një lexim operativ e politik ndryshe.

Javelinët janë më shumë se një sistem armatimi.

Janë pjesë e një procesi të gjatë të ndërtimit të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe të marrëdhënies së saj të sigurisë me partnerët strategjikë. Por po aq e rëndësishme është që Kosova të ketë institucione funksionale, koordinim të qëndrueshëm dhe komunikim të besueshëm me partnerët. Modernizimi ushtarak nuk mund të ndahet nga besueshmëria institucionale dhe politike e shtetit.

Prandaj, në vend se të merremi vetëm me pyetjen, a vijnë Javelinët në dhjetor apo në janar, pyetja më e madhe është se, a po i ndërton Kosova kapacitetet e saja mbrojtëse në mënyrë të qëndrueshme, të koordinuar dhe të integruar me partnerët amerikanë dhe euroatlantikë?

Nëse përgjigjja institucionale është po, atëherë data konkrete e një pjese të furnizimit është çështje e procesit teknik dhe strategjik të furnizimit. Nëse jo, atëherë edhe sistemi më modern i armatimit nuk e zëvendëson mungesën e koordinimit institucional.

Këtu, qëndron pyetja më e ndjeshme që duhet ta shtrojmë. Nëse sistemet e avancuara të armatimit varen jo vetëm nga kontratat dhe kapacitetet prodhuese, por edhe nga niveli i besimit, koordinimit dhe vlerësimit politik e institucional të partnerëve strategjikë, çështja e Javelinëve bëhet edhe një test për vetë shtetin e Kosovës.

A është Kosova politikisht, institucionalisht dhe në aspektin e sigurisë mjaftueshëm e konsoliduar për t’u besuar dhe menaxhuar kapacitete strategjike të këtij niveli?Zhvillimet aktuale japin arsye që kjo çështje të shtrohet si pyetje serioze. Dhe nëse ky është problemi real, atëherë sfida e Kosovës nuk është vetëm të sigurojë Javelinët.

Sfida reale është të krijojë nivelin e pjekurisë politike, institucionale dhe të sigurisë që kërkohet për t’ua besuar kapacitetet e tilla. Në fund të fundit, nuk është vetëm pyetja nëse Amerika do t’ia japë Kosovës armën. Është edhe pyetja nëse Kosova po ndërton shtetin që partnerët strategjikë mund t’ia besojnë armën.

Duhet pasur në konsideratë po ashtu se, nga data 18 deri me 19 shtator 2026, u mbajt Konferenca e Komitetit Ushtarak të NATO-s në Kopenhagë, nga ku në raport me Kosovën u një vlerësim aktual, se modernizimi i FSK-së do të vijojë në mënyrë të kontrolluar dhe sipas objektivave nëpër faza të planifikuara. Prioritet pritet të kenë kapacitetet esenciale dhe konsolidimi i standardeve institucionale e operacionale, ndërsa sistemet e avancuara të armatimit do të varen jo vetëm nga proceset teknike të prokurimit, por edhe nga vlerësimi politik dhe institucional i partnerëve strategjikë. Në këtë kuadër, faktori vendimtar nuk është mungesa e vullnetit për modernizim, por niveli i besimit dhe koordinimit ndërinstitucional që kërkohet për një transformim të plotë të FSK-së.

Filed Under: Rajon

Vuçiqi iku, por a iku vuçiqizmi?

October 27, 2026 by s p

Analizë politike nga Rafael Floqi/

Rënia e Aleksandar Vuçiqit nga pushteti, pas zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit 2026, shënon një kthesë të rëndësishme në historinë politike të Serbisë. Por për shqiptarët, sidomos për Kosovën, pyetja nuk është thjesht kush do ta zëvendësojë Vuçiqin. Pyetja thelbësore është nëse Serbia do të ndryshojë vetëm udhëheqësit apo edhe filozofinë politike me të cilën ka trajtuar historikisht shqiptarët. Fitorja e Listës Studentore, me 139 nga 250 mandatet parlamentare, sipas rezultateve të raportuara, është fryt i një revolte qytetare kundër korrupsionit, kapjes së institucioneve dhe përqendrimit të pushtetit. Protestat, të nxitura nga tragjedia e Novi Sadit në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 njerëz, u shndërruan në një lëvizje që sfidoi një sistem politik të konsoliduar prej më shumë se një dekade.

Por largimi i një udhëheqësi nuk është domosdoshmërisht fundi i sistemit që ai përfaqëson.

Nga revolta studentore te prova e pushtetit

Studentët serbë arritën të bashkonin qytetarë të pakënaqur me korrupsionin dhe mungesën e përgjegjshmërisë institucionale. Ata shmangën krijimin e një figure të vetme udhëheqëse, duke e bërë lëvizjen më përfaqësuese dhe më të vështirë për t’u goditur politikisht.

Por protesta dhe qeverisja janë dy realitete të ndryshme

Një lëvizje që bashkohet për të rrëzuar një pushtet duhet tani të dëshmojë se mund të ndërtojë institucione, të administrojë ekonominë dhe të marrë vendime të vështira. Përbërja e saj heterogjene, nga profesorët te profesionistët dhe figurat publike, mund të jetë një burim përfaqësimi, por edhe mosmarrëveshjesh. Sfida kryesore do të jetë shndërrimi i energjisë protestuese në reforma të qëndrueshme.

Përvoja e Serbisë pas rrëzimit të Sllobodan Millosheviqit në vitin 2000 na kujton se ndryshimi i pushtetit nuk i zhduk menjëherë strukturat, interesat dhe mentalitetet politike të trashëguara. Demokraci për serbët, por çfarë për Kosovën? Këtu fillon paradoksi më i madh i ndryshimit politik në Beograd.

Lista Studentore premton demokraci, drejtësi, institucione të pavarura dhe respektimin e ligjit. Por programi i saj kundërshton njohjen e pavarësisë së Kosovës, mbështet qëndrimin kushtetues serb për Kosovën dhe parashikon rishqyrtimin e marrëveshjeve të arritura me Prishtinën.

Pra, një brez që kërkon çlirimin e institucioneve të veta nga kontrolli politik nuk ka paraqitur ende një alternativë që pranon sovranitetin e Kosovës. Kjo ngre një pyetje thelbësore: A mund të pretendojë një politikë se mbron plotësisht parimet demokratike, ndërkohë që nuk pranon të drejtën e një populli fqinj për të vendosur për shtetin e vet? Sigurisht, demokratizimi i brendshëm dhe politika e jashtme nuk ndryshojnë domosdoshmërisht me të njëjtin ritëm. Një qeveri mund të respektojë më shumë liritë qytetare brenda vendit dhe njëkohësisht të ruajë pretendime të vjetra territoriale.

Prandaj nuk duhet ngatërruar demokratizimi i Serbisë me një ndryshim automatik të qëndrimit ndaj Kosovës.

Për Prishtinën, testi i vërtetë do të jetë zbatimi i marrëveshjeve, siguria në veri, respektimi i institucioneve kosovare dhe gatishmëria për një dialog pa përshkallëzime.

Serbia mes Perëndimit dhe Rusisë

Një tjetër iluzion që duhet shmangur është ideja se largimi i Vuçiqit do ta kthejë automatikisht Serbinë drejt Perëndimit. Programi i Listës Studentore parashikon afrimin me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, por njëkohësisht ruajtjen e partneritetit me Rusinë dhe Kinën. Madje, lëvizja kundërshton vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës dhe mbështet vazhdimin e neutralitetit ushtarak.

Kjo tregon se politika e ekuilibrimit gjeopolitik, e ndjekur gjatë viteve të Vuçiqit, mund të vazhdojë edhe nën një qeveri tjetër.

Për Brukselin, kjo krijon një dilemë: sa mund të përparojë integrimi evropian i Serbisë pa harmonizimin e politikës së saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian? Për shqiptarët, rëndësi ka që afrimi i Beogradit me Perëndimin të mos interpretohet si zëvendësim i detyrimeve konkrete ndaj Kosovës.

Marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të maten me veprime, jo vetëm me deklarata diplomatike.

A ka përfunduar epoka e Vuçiqit?

Vuçiqi mund të ketë humbur pushtetin qeverisës, por ndikimi i tij politik nuk zhduket me një rezultat zgjedhor. Pas shumë vitesh qeverisjeje, lidhjet partiake me administratën, institucionet dhe grupet ekonomike nuk shpërbëhen brenda natës. Qeveria e re do të përballet me nevojën për reforma, por edhe me rezistencën e mundshme të strukturave të trashëguara.

Megjithatë, duhet dalluar trashëgimia institucionale e Vuçiqit nga vazhdimësia e politikës kombëtare serbe.

Qëndrimi ndaj Kosovës nuk lindi me Vuçiqin. Ai ka rrënjë më të hershme historike, politike dhe kushtetuese. Pikërisht për këtë arsye ndryshimi i një kryeministri nuk mjafton për ta ndryshuar.

Çfarë duhet të presim ne shqiptarët?

Për shqiptarët, zhvillimet në Serbi duhen ndjekur me realizëm politik, pa paragjykime kolektive, por edhe pa pritshmëri të pambështetura. Një Serbi me institucione më të pavarura mund të krijojë kushte për marrëdhënie më të parashikueshme rajonale. Por kjo mundësi nuk është e barabartë me njohjen e Kosovës. Programi i fituesve të rinj tregon se mosmarrëveshja themelore mbetet.

Prandaj duhet të shohim nëse Beogradi do të respektojë marrëveshjet ekzistuese, do të shmangë tensionet dhe do të pranojë bashkëpunimin praktik me Kosovën si shtet fqinj. Për ne, ndryshimi i retorikës nuk mund të jetë zëvendësim i ndryshimit të politikës.

Përfundim: Ndryshuan fytyrat, por a ndryshoi Serbia?

Në kujtesën historike shqiptare ka mbijetuar një shprehje e hidhur: “Edhe serbi i mirë është i keq.”

Kjo shprehje nuk duhet marrë si gjykim për një popull të tërë. Asnjë komb nuk mund të identifikohet me veprimet e udhëheqësve të vet. Por ajo pasqyron një mosbesim historik, të ushqyer nga luftërat, dëbimet, represioni dhe konfliktet e pazgjidhura. Pikërisht këtu qëndron dilema e Serbisë së re: studentët që kërkojnë liri për veten, ende nuk kanë paraqitur një politikë që pranon pavarësinë e Kosovës. Kjo nuk e mohon rëndësinë e revoltës së tyre demokratike. Por na kujton se demokracia e brendshme dhe respektimi i të drejtave të fqinjëve janë dy prova të veçanta.

Për shqiptarët, nuk ka arsye as për armiqësi ndaj një populli, as për besim të verbër ndaj një qeverie të re. Ka arsye për kujtesë historike, diplomaci të kujdesshme dhe gjykim mbi veprimet konkrete. Vuçiqi mund të jetë larguar nga pushteti. Por pyetja historike mbetet: a ka ndryshuar Serbia, apo vetëm njeriu që flet në emër të saj? Sepse, në fund, problemi i Kosovës nuk ka qenë kurrë vetëm kush e drejton Serbinë, por çfarë kërkon Serbia nga Kosova.

Dhe derisa kjo pyetje të marrë një përgjigje tjetër në politikën zyrtare të Beogradit, fundi i Vuçiqit nuk mund të konsiderohet automatikisht edhe fundi i vuçiqizmit.

Filed Under: Rajon

REVOLTA STUDENTORE E RINORE, KUR PUSHTETI DUHET TË MBAJË PËRGJEGJËSI

October 16, 2026 by s p

Dr. Paulin Marku/

Qeveria shqiptare, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, pas trembëdhjete vite pushtet ndodhet përballë një sprove të vështirë të legjitimitetit dhe të besimit publik pas shumë akuzave për korrupsion të zyrtarëve të qeverisë së tij. Skandalet e njëpasnjëshme, dënimi i disa ministrave për korrupsion, akuza të vazhdueshme për keqpërdorimin e fondeve publike dhe përfshirja e zyrtarëve të lartë në çështje që kërkojnë hetim të plotë e të pavarur kanë ngritur një pyetje themelore: kush mban përgjegjësi politike kur institucionet e qeverisë përballen me kriza të përsëritura të besimit publik dhe me krizë të madhe ekonomike e shoqërore?!

Shqipëria përballet me krizë mbi krizë, krizë shëndetësore, krizë arsimore, krizë ekonomike, krizë shoqërore dhe tashmë edhe krizë politike.

Shqiptarët protestuan në mënyrën më paqësore e demokratike për njëqind e tridhjete e pesë ditë kundër qeverisë me pjesëmarrës të të gjitha moshave, të moshuar, familjarë me fëmijët e tyre, të reja e të rinj që kërkonin të drejtat e tyre. Në protestë shpërndahej lule, kishte pankarta të shumta qytetare dhe disa prej tyre mbanin në dorë pankarta me flamingo që ishte edhe një simbol i rëndësishëm i protestës. Pas çdo proteste, qytetarët pastronin vendin dhe shpërndaheshin paqësisht. Ky model qytetarie ishte për t’u marrë shembull edhe në vendet më të emancipuara perëndimorë.

Qëndresa e tyre e palëkundur dhe as kërkesat e protestuesve nuk u morën në konsideratë, madje edhe u injoruan nga Kryemistri Rama, në vend që të jepte llogari publike për pronat e Rrjodhit, Zvernecin, vjedhjet e fondeve publike, si në rastin e inceratorëve, infrastrukturë rrugore, mungesën e investimeve në shëndetësi, arsim, energjetik e shumë skandale të denoncuara publikisht dhe hetuar nga drejtësia. Kryeministri, jo vetëm që nuk i dëgjoi ankesat e popullit dhe të mbante përgjegjësi publike për aferat qeverisëse por justifikohej me pretendimin se “kush han dardha pas shpine mban përgjegjësi individuale”. Një nga problemet më të mëdha të qeverisjes është përpjekja për ta paraqitur përgjegjësinë për skandalet si çështje individuale, pa sqaruar përgjegjësinë politike dhe institucionale të drejtuesve që kanë detyrimin të mbikëqyrin administratën shtetërore.

Natyrisht, çdo person duhet të përgjigjet për veprimet e veta, por përgjegjësia individuale nuk e përjashton përgjegjësinë e atyre që kanë emëruar në qeveri, mbikëqyrur ose administruar institucionet ku dyshohet se janë kryer abuzime, dhe për më tepër që kryeministri nuk ka dijeni, e as përgjegjësi për korrupsionin në vend. E njëjta llogaridhënie kërkohet për investimet në shëndetësi, arsim, energjetikë dhe infrastrukturë.

Nënvleftësimi ndaj protestës dhe mos mbajtje e përgjegjësisë ndaj qeverisë së korruptuar, udhëhequr prej Tij, ka shkaktuar pakënaqësi të madhe dhe zemërim në popull. Kur një qeveri përballet me skandale të përsëritura, me humbje të besimit publik dhe me protesta që kërkojnë llogaridhënie, nuk mjafton të pretendojë se gëzon mbështetje elektorale sepse mandati zgjedhor katër vjeçar është një përgjegjësi për të qeverisur vendin dhe jo një leje për të abuzuar me besimin qytetarë.

Revolta studentore, e mbështetur nga qytetarë të shumtë, ka nxjerrë në pah një realitet që pushteti nuk mund ta shpërfillë më: qytetarët nuk kërkojnë vetëm premtime të reja, por dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Protestat e ditëve të fundit, të karakterizuara nga pjesëmarrja e studentëve, të rinjve, të moshuarve, grave dhe familjeve shqiptare, dëshmuan se kundërshtimi ndaj qeverisë mund të shprehet me dinjitet dhe përgjegjësi qytetare që shpërtheu në Tiranë dhe u përhap në qytete të ndryshme. Zemërimin e popullin shqiptar nuk e ndalon më as gazi lotsjellës, as dhuna policore çnjerëzore e ushtruar ndaj protestuesve, veçanërisht ndaj studentëve dhe as arrestimet që janë mbushur komisariatet me të rinj e të reja.

Qytetarët protestojnë sepse duan një vend ku të mund të jetojnë të lirë e të sigurtë, të punojnë, të arsimohen dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre pa u detyruar të emigrojnë jashtë vendit. Ata kërkojnë që institucionet të funksionojnë në shërbim të qytetarëve dhe jo të kthehen në struktura që mbrojnë interesat e pushtetit të lidhur me krimin e organizuar. Pikërisht për këtë arsye, përgjigjja e kryeministrit duhet të ishte dialogu, transparenca dhe llogaridhënia qytetare për të mbrojtur interesin publik, dhe jo injorimi ndaj kërkesave të tyre dhe shpesh herë duke përdorur batuta e retorika boshe për të zhvendosur përgjegjësinë tek të tjerët.

Sot protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama, qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme. Unë mendoj se dorëheqja e kryeministrit Rama është një akt përgjegjësie për arsye se ka humbur besimin publik dhe një formë për të ndaluar përshkallëzimin e protestës nëpërmjet formave institucionale politike duke shmangur përplasjet fizike dhe gjakderdhjen midis protestuesve dhe policisë së shtetit.

Justifikimi i Tij se nuk largohet sepse është votuar nga një milion shqiptar dhe se është njeriu i duhur dhe i vetmi për të futur Shqipërinë në Bashkimin Evropian nuk është i mjaftueshëm për të drejtuar qeverinë shqiptare pas të gjithë atyre skandaleve të vazhdueshme përgjatë trembëdhjetë vite kryeministër. Premtimi për integrimi në Bashkimin Evropian nuk mund të jetë vetëm një premtim elektoral që përsëritet nga një mandat në tjetrin, ndërkohë që nga Shqipëria janë larguar një milion shqiptar.

Nëse kryeministri Edi Rama beson se ka mbështetjen e shumicës, rruga demokratike për ta provuar besueshmërinë me votë është të jap dorëheqjen, të krijohet qeveri teknike dhe të shkojë në zgjedhje të lira dhe demokratike pa patur nevojë të dhunojë protestuesit duke i gjakosur trotuareve për të mbajtur pushtetin me forca policore. Shteti shqiptar ka detyrim të ruaj rendin publik të kujdeset për protestuesit dhe për policët, për pronën publike e private dhe të garantojë lirinë e shprehjes dhe të tubimeve paqësore dhe jo të kërcënojë dhe të kap njërës nëpër sheshe e trotuare dhe t’i fusë në fugon nga persona pa uniformë policie, pa mjet identifikimi, të cilët i dhunonin në mënyrë mizore. Policia ka detyrim të veprojë brenda ligjit dhe të zbatojë të drejtat e qytetarëve për protestë dhe jo të dhunojë ata për të mbajtur në pushtet qeverinë socialiste.

Zgjidhja nuk është dhuna policore por dorëheqjen e Kryeministrit Rama dhe të qeverisë socialiste sepse nuk mund të mbajnë peng të ardhmen e një vendit për interesa partiake sikur të ishin pronarë të shtetit. Qytetarët meritojnë një Shqipëri të lirë e demokratike, ku përgjegjësia është reale, drejtësia e pavarur dhe pushteti i kontrollueshëm me institucione që japin llogari. Sot Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për siguri publike, për institucione të besueshme, luftë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit që nuk zgjidhen me retorikë politike.

Protesta studentore dhe qytetare duhet të dëgjohet dhe të respektohet kërkesa e tyre. Qeveria, me në krye kryeministrin Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen kohë më parë për skandalet e vazhdueshme, së paku jepeni dorëheqjen tani dhe çlirojeni popullin shqiptar nga pushteti autokrat.

Filed Under: Rajon

Shqipëria nuk mund të mbahet peng i karriges së një njeriu

October 15, 2026 by s p

Beti Njuma/

Me gjak kërkoi ta merrte më 21 janar të vitit 2011 dhe vetëm me gjak ka për ta lëshuar pushtetin. Edi Rama mund ta shkretojë vendin si në 97 dhe nuk e jep dorëheqjen. Qeverisja e tij e korruptuar, kriminale dhe mafioze nuk njeh standarde politike dhe as morale që përpara një revolte dhe zemërate masive popullore si kjo e ditëve të fundit të bëjë gjënë më normale: TË LARGOHET.

Pushtetin nuk e ka trashëgim nga Kristaqi dhe Aneta, ndaj të ikë përpara se gjendja të precipitojë. Të mos e fusë popullin në një përplasje absurde civile mes policisë dhe të rinjve. Shqipëria nuk mund të mbahet peng i karriges së një njeriu. Asnjë ambicie personale nuk vlen më shumë se jeta e fëmijëve tanë dhe paqja e Shqipërisë.

Nga Partia Socialiste, e mbushur me ushtarë duhet të dalin publikisht ca figura me standard moral dhe t’i kërkojnë dorëheqjen Edi Ramës. Ta vënë me shpatulla pas murit! Ta braktisin sa nuk është vonë. Mjaft e duruan. Të mos mbyten me Titanikun e tij! Besnikëria ndaj kryetarit nuk mund të qëndrojë mbi dashurinë për vendin dhe përgjegjësinë ndaj të rinjve që s’do ndalen më. Heshtja në një moment të tillë është zgjedhje politike dhe për të duhet mbajtur përgjegjësi.

EDIRAMA JEP DORËHEQJEN! IK NJË ORË E MË PARË! Largimi nga pushteti është shansi yt i fundit. Mos e barabit fatin e Shqipërisë me fatin e karriges tënde. Nëse do zvarritesh pas pushtetit historia do të të gjykojë shumë rëndë.

Filed Under: Rajon

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 220
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MOTRA JENA, SHOQE S’JENA!
  • Drita është pas derës së mbyllur. Çelësi i derës jemi ne!
  • BALTA QË DUHET TA DUAM
  • Arbëria Digital Fest 2026: Tri ditë takimesh për të ndërtuar të ardhmen e Arbërisë përmes kulturës, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar
  • FINAL COUNTDOWN
  • FILATELIA SHQIPTARE NË VITIN 2026: ARRITJE TEMATIKE DHE SFIDA NË ZBATIMIN E PROGRAMIT TË EMETIMEVE
  • Një shans ideal për Shqipërinë…
  • 3 nëntor 1443 – Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kthehet në atdhe për të rizgjuar Arbërinë dhe për ta rikthyer në historinë e Evropës
  • Çështja e Adriatikut: Qendrimi i Presidentit Wilson kur fati i Shqipërisë u bë pjesë e pazarit
  • U ZHVILLUA NË NEW YORK FESTIVALI XXXIV SHQIPTAR, DEDIKUAR GJUHËS SHQIPE
  • “Nën hijen e blinit”, u promovua në New York vepra poetike e studiuesit Hamid Alaj
  • I urge all Americans to go out there and exercise the most important democratic right: TO VOTE
  • VATRA, FAN NOLI, WOODROW WILSON DHE JOHN F. KENNEDY – MIQËSIA SHQIPTARO-AMERIKANE QË NDIKOI NË FATIN E SHQIPËRISË
  • Anglezi Sir John of Newport dhe Skënderbeu
  • Connecting Campuses, Communities and Generations – Dr. Albina Balidemaj on RIT Kosovo’s Future

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT