• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA ZGJODHI PRESIDENTEN – TANI DUHET TË ZGJEDHË RRUGËN

October 8, 2026 by s p

Nga Frank Shkreli/

Më në fund, Kuvendi i Kosovës bëri atë që duhej të kishte bërë prej kohësh: zgjodhi Presidenten e Republikës. Justina Shiroka-Pula mori 81 vota dhe, me këtë votim, Kosova shmangu një tjetër përplasje institucionale dhe një tjetër cikël krize dhe pasigurie politike. Por zgjedhja e Presidentes nuk duhet të interpretohet si fund i krizës. Përkundrazi, ajo duhet të jetë fillimi i një prove të re për klasën politike të Kosovës.

Pyetja tani nuk është vetëm kush do të jetë Presidente. Pyetja është: a do të vazhdojë Kosova të qeveriset nga logjika e përplasjes partiake, apo më në fund do të fillojë të sillet si një shtet që e di se cilat janë interesat e tij strategjike? Sepse Kosova nuk ka më kohë për të humbur. 81 vota nuk mjaftojnë për të ndryshuar politikën. Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës ishte rezultat i një kompromisi politik. Dhe kompromisi, në një demokraci, nuk është turp. Përkundrazi, është pjesë e kulturës demokratike. Por Kosova ka parë mjaft marrëveshje që zgjasin vetëm deri në momentin kur partitë marrin atë që duan. Prandaj, 81 votat e Kuvendit duhet të kenë një kuptim më të madh se zgjedhja e një Presidenteje. Ato duhet të shënojnë fundin e një kulture politike ku partia vendoset mbi shtetin, lideri mbi institucionin dhe interesi elektoral mbi interesin kombëtar. Kjo vlen veçanërisht për forcën politike që ka dominuar politikën kosovare vitet e fundit.

Albin Kurti dhe Vetëvendosje kanë marrë përgjegjësi të mëdha për drejtimin e Kosovës. Është e drejtë që të vlerësohen për ato që kanë bërë, por është po aq e drejtë që të kritikohen për ato që nuk kanë bërë. Një qeveri nuk gjykohet vetëm nga mbështetja që merr nga votuesit. Frank Shkreli: Një apel për politikën shqiptare që të shohë veten në pasqyrën e demokracisë | Gazeta Telegraf. Ajo gjykohet edhe nga aftësia për të ruajtur aleancat, për të forcuar institucionet dhe për të kuptuar kufijtë midis interesit partiak dhe interesit shtetëror. Dhe këtu Kosova ka ende shumë punë për të bërë. Washingtoni zyrtar nuk është kundërshtar i Prishtinës. Një nga gabimet më të rrezikshme të politikës kosovare do të ishte krijimi i përshtypjes se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara mund të trajtohen si një çështje e zakonshme diplomatike. Nuk janë! Për Kosovën, marrëdhënia me SHBA-në është strategjike, historike dhe ekzistenciale.

Shqiptarët dhe gjithë bota e di se Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë një spektator i historisë së Kosovës. Kanë qenë ndër aktorët kryesorë që ndihmuan në çlirimin e saj dhe në krijimin e rrethanave që çuan drejt pavarësisë. Prandaj, çdo qeveri në Prishtinë ka detyrimin moral dhe kombëtar të ruajë këtë marrëdhënie. Kjo nuk do të thotë se Kosova duhet të heqë dorë nga interesat e veta. Jo, por do të thotë se duhet të ketë zotësi dhe mençuri diplomatiko-strategjike për t’i mbrojtur ato interesa në bashkëpunim me aleatët perëndimorë. Një shtet i vogël duhet dhe mund të ketë dinjitet dhe mund dhe duhet të ketë edhe qëndrime të forta në interes të vet. Por nuk mund të ketë luksin të humbasë aleatët.

Me të drejtë është thënë shpesh gjatë këtij procesi se Presidenti/ja e re duhet të jetë mbi partitë. Në këtë pikë, përgjegjësia e Justina Shiroka-Pulës bëhet veçanërisht e madhe. Ajo duhet të tregojë se Presidenca nuk do të jetë një tjetër zyrë e luftës së brendshme politike. Duhet të jetë institucioni që bashkon atë që politika partiake shpesh e ndan. Presidentja e re, në fjalën e parë drejtuar qytetarëve të Republikës së Kosovës deklaroi se do të jetë Presidente e të gjithë qytetarëve dhe se orientimi euroatlantik i Kosovës mbetet themelor. Fjalimi i Presidentes Justina Shiroka Pula në Kuvendin e Republikës së Kosovës – Presidente e Republikës së Kosovës. Kjo duhet të jetë më shumë se një deklaratë ceremoniale. Kosova duhet ta kthejë orientimin euroatlantik në një doktrinë të politikës së saj shtetërore, ashtu siç duhet të bëjë edhe Shqipëria e mbarë trojet shqiptare. Dhe kjo do të thotë shumë më tepër sesa flamujt amerikanë dhe evropianë vendosur në zyrat dhe në ceremonitë zyrtare.

Orientimi euro-atlantik – siç e kam thënë shpeshherë nuk është një botë e përsosur, por kryesisht dhe në përgjithësi do të thotë demokraci funksionale. Do të thotë sundim ligji. Do të thotë luftë kundër korrupsionit. Do të thotë ekonomi konkurruese. Do të thotë media të lira. Do të thotë respekt për institucionet. Dhe mbi të gjitha, do të thotë besueshmëri ndaj miqve dhe aleatëve. “Me të vërtetë, është thënë se demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, përveç të gjitha atyre formave të tjera që janë provuar…”, e që kanë dështuar, është shprehur dikurë Winston Churchilli.

Me këtë rast, të gjithë që ia duam të mirën Kosovës, urojmë që me zgjedhjen e Presidentes së re, Kosova të dalë nga politika e përhershme e krizës. Nuk është normale që një shtet i pavarur të kalojë vazhdimisht nga një krizë institucionale në tjetrën. As nuk është normale që zgjedhja e Presidentit të rrezikonte të kthehej në një krizë kushtetuese. Nuk është normale as që partitë politike të shpenzojnë energjinë e vendit në përplasje të pafundme politike , ndërkohë që Kosova përballet me sfida shumë më të mëdha. Njohjet ndërkombëtare ende nuk janë aty ku duhet të jenë. Kosova ende nuk është pjesë e plotë e arkitekturës euroatlantike. Dialogu me Serbinë mbetet i vështirë. Qytetarët vazhdojnë të përballen me probleme ekonomike dhe sociale. Dhe një pjesë e konsiderueshme e rinisë vazhdon të shohë emigrimin si të vetmen alternativë. Përballë këtyre problemeve, politika nuk mund të vazhdojë të sillet sikur beteja kryesore është se kush e fiton konferencën e radhës për shtyp. Beteja e vërtetë është për shtetin. Edhe Shqipëria duhet ta kuptojë përgjegjësinë e saj. Kjo nuk është vetëm çështje e Prishtinës. Është edhe një provë për Tiranën.

Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të ndryshme dhe duhet të respektojnë sovranitetin dhe institucionet e njëra-tjetrës. Por kanë një interes strategjik të përbashkët: të jenë pjesë e pandashme e botës perëndimore. Prandaj, politika shqiptare në të dy anët e kufirit duhet të ketë më shumë shtetësi dhe më pak protagonizëm. Më shumë koordinim dhe më pak retorikë. Më shumë Washington dhe Bruksel si partnerë strategjikë dhe më pak përdorim të marrëdhënieve ndërkombëtare për konsum politik të brendshëm. Frank Shkreli: Nga Washingtoni në Bruksel, Shqipëria ka përpara një mundësi që kërkon vendim, jo më shumë justifikime | Gazeta Telegraf, Shqiptarët kanë bërë zgjedhjen e tyre historike. Është Perëndimi, bota eeuro-atlantike. Kjo zgjedhje e shqiptarëve nuk duhet të vihet në pikëpyetje nga asnjë qeveri, parti apo lider. Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës mund të jetë një mundësi për një fillim të ri. Por vetëm nëse politika e Prishtinës zyrtare kupton se kompromisi që solli Presidenten duhet të pasohet nga një kompromis më i madh për shtetin. Kosova nuk ka nevojë për një luftë tjetër politike. Ka nevojë për një marrëveshje kombëtare për demokracinë, për aleancën me SHBA-në, për integrimin evropian, për sundimin e ligjit dhe për forcimin e shtetit.

Presidentja e re duhet të jetë një nga zërat kryesorë të kësaj marrëveshjeje. Qeveria duhet ta mbështesë. Opozita duhet të kontribuojë. Shoqëria civile dhe media duhet ta kërkojnë. Dhe qytetarët duhet ta imponojnë me votën e tyre. Sepse Kosova ka kaluar shumë për të mbetur peng i konflikteve politike të ditës. Ajo u krijua si shtet me një sakrificë të jashtëzakonshme dhe me mbështetjen e një aleance historike me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën. Prandaj, nuk ka kuptim të fitohet liria dhe të humbet drejtimi. Zgjedhja e Presidentes është bërë. Tani duhet të bëhet zgjedhja më e rëndësishme: Kosova duhet të zgjedhë shtetin mbi partinë, aleancën mbi izolimin, demokracinë mbi populizmin dhe Perëndimin mbi çdo aventurë politike. Ky është momenti që politika e Kosovës të dëshmojë se ka mësuar nga krizat e saj. Sepse historia nuk i fal kombet që kanë mundësi për të ecur përpara dhe zgjedhin të humbin kohën duke u grindur me njëri-tjetrin. Kosova nuk duhet ta humbasë këtë mundësi. As Shqipëria. As shqiptarët. Në këtë ditë të rëndësishme për Republikën e Kosovës, urimi im i sinqert shkon për Presidenten e re, Justina Shiroka-Pula, i uroj suksese në detyrën e lartë dhe të vështirë që sapo ka marrë përsipër. Uroj që Presidenca e saj të jetë një institucion i unitetit, i dialogut dhe i forcimit të shtetit — mbi ndarjet dhe interesat partiake. Republikës së Kosovës i uroj që kjo ditë të shënojë një fillim të ri me më shumë stabilitet, më shumë demokraci, më shumë bashkëpunim institucional dhe një orientim të palëkundur drejt familjes së madhe euroatlantike.

Filed Under: Rajon

Gjelosh Gjokaj – arti që kapërcen kufijtë

October 7, 2026 by s p

Shtëpia e Kulturës në Tuz organizoi ekspozitën **“Një dekadë, një gjurmë e përjetshme”**, në nderim të piktorit të njohur nga **Mileshi i Malësisë, Gjelosh Gjokaj**, me rastin e 10-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta.

Ekspozitën e shpalli të hapur **Sead Gjokaj**, i cili theksoi se, ndonëse Gjelosh Gjokaj jetoi, krijoi dhe ekspozoi në vende të ndryshme të botës, **mendimi, arti dhe kujtimi i tij mbetën gjithmonë të lidhura me vendlindjen**. Në fund, ai iu kthye aty ku i kishin fillesat rrënjët e tij artistike dhe shpirtërore.

Pikturat e Gjelosh Gjokajt dallohen për **stilin e veçantë, ngjyrat, simbolikën dhe një ndjenjë të thellë misteri**. Në artin e tij, realiteti ndërthuret me imagjinatën, ndërsa figurat dhe format marrin kuptime përtej asaj që shihet në pamje të parë. Përmes vijës, ngjyrës, kontrastit dhe kompozimit, ai krijoi një gjuhë të tijën artistike, të dallueshme dhe universale.

Ekspozitat e veprave të tij në Tuz janë edhe një **rikthim simbolik i artistit te vendi i tij**, te Malësia që e frymëzoi dhe që mbeti një pjesë e rëndësishme e botës së tij krijuese. Në veprat e Gjokajt ndihet prania e vendlindjes, kujtesës, njeriut dhe shpirtit të Malësisë.

**Gjelosh Gjokaj, piktori i njohur në botë nga vendi i Bacë Kurtit, e ngriti emrin e vendlindjes përtej kufijve.** Arti i tij dëshmon se një artist mund të udhëtojë nëpër botë, por rrënjët dhe kujtimet e vendlindjes mbeten gjithmonë pjesë e tij.

**Mesazhi i artit të Gjelosh Gjokajt është i fuqishëm dhe i përjetshëm: të mos harrojmë rrënjët, identitetin dhe vendin prej nga vijmë. Pikturat e tij nuk janë vetëm vepra arti, por edhe një kujtesë e gjallë e Malësisë, e shndërruar në gjuhën universale të artit.**

**Valbona Gojçaj Gjokaj**

Filed Under: Rajon

Kur betonizimi shitet si zhvillim

October 3, 2026 by s p

Prof.dr. Pal Nikolli/

Çfarë zhvillimi është ky që ndërton gjithnjë e më shumë dhe na lë gjithnjë e më pak vend për të jetuar? Çfarë modernizimi është ky që ngre kulla, ndërsa pakëson hapësirat që e bëjnë qytetin të jetueshëm? Dhe çfarë “smart city” mund të jetë një Tiranë ku teknologjia shtohet, por hapësira për njerëzit zvogëlohet?

Këto nuk janë pyetje nostalgjie. Janë pyetje për modelin e zhvillimit të qytetit. Sepse një qytet nuk matet vetëm me sa ndërtesa ngrihen, sa metra katrorë ndërtohen apo sa investime regjistrohen. Matet edhe me atë që qytetarët fitojnë në jetën e përditshme: gjelbërim, ajër, hije, trotuare, parqe, sheshe dhe hapësira ku mund të qëndrojnë pa qenë të detyruar të konsumojnë.

Nëse ndërtojmë më shumë, por jetojmë më keq, atëherë duhet të pyesim nëse kemi zhvillim apo thjesht dendësim ndërtimi.

I. TIRANA NUK ËSHTË NJË PARCELË NDËRTIMI

Në Tiranë, hapësira e lirë rrezikon të shihet gjithnjë e më shumë si hapësirë që pret të zhvillohet. Një shesh mund të rikonceptohet. Një hapësirë e gjelbër mund të “modernizohet”. Një truall publik mund të kthehet në projekt.

Por një hapësirë publike nuk është tokë bosh. Ajo ka vlerë pikërisht sepse nuk është ndërtuar.

Parku, sheshi dhe gjelbërimi janë pjesë e infrastrukturës së qytetit, njësoj si rrugët dhe sistemet e transportit. Ato prodhojnë hije, ajër, mundësi rekreacioni, ndërveprim social dhe cilësi jete.

Prandaj pyetja nuk duhet të jetë vetëm: “Sa vlen kjo tokë nëse ndërtohet?” Duhet të jetë edhe: “Sa vlen për qytetin nëse nuk ndërtohet?” Ky është ndryshimi midis një parcele dhe një hapësire publike.

II. PARKU RINIA: NJË TEST PËR MODELlN E QYTETIT

Debati për Parkun Rinia nuk është thjesht debat për disa pemë apo disa metra katrorë. Është një test për mënyrën se si e konceptojmë Tiranën.

Një park qendror ka një funksion që një kullë, hotel apo kompleks zyrash nuk mund ta zëvendësojë. Është një nga hapësirat ku qytetari mund të qëndrojë pa paguar, ku fëmija mund të luajë, ku i moshuari mund të ulet dhe ku njerëzit mund të takohen pa qenë konsumatorë.

Kjo është vlerë publike. Dhe vlera publike nuk mund të llogaritet vetëm me çmimin e truallit. Mund të ndërtohet një ndërtesë e re. Mund të krijohet një hapësirë e re e gjelbër. Por nuk mund të rikrijohet menjëherë historia sociale e një hapësire që ka qenë pjesë e jetës së qytetit për dekada. Pemët mund të mbillen përsëri. Koha jo. Kujtesa jo.

III. PROBLEMI NUK ËSHTË NDËRTIMI. ËSHTË MODELl I ZHVILLIMIT

Tirana ka nevojë për zhvillim. Ka nevojë për investime, banesa, transport, ekonomi dhe infrastrukturë moderne. Problemi fillon kur zhvillimi matet kryesisht me atë që mund të ndërtohet.

Një qytet mund të ndërtojë më shumë dhe, në të njëjtën kohë, të humbasë cilësinë e jetës. Nëse një projekt shton ndërtesa, por shton edhe trafikun; nëse rrit sipërfaqen e ndërtuar, por pakëson gjelbërimin; nëse rrit aktivitetin ekonomik, por redukton hapësirën publike, atëherë përfitimet dhe kostot duhet të llogariten bashkë.

Nuk mjafton të pyesim sa fiton projekti. Duhet të pyesim edhe sa kushton qytetit.

IV. KUSH E PAGUAN KOSTON?

Kur humbet një hapësirë publike, kostoja shpërndahet te të gjithë.

Kush paguan për më pak hije dhe më shumë nxehtësi? Kush paguan për trafikun shtesë? Kush paguan për humbjen e gjelbërimit? Kush paguan për mungesën e vendeve ku fëmijët mund të luajnë? Kush paguan për humbjen e hapësirave ku njerëzit mund të takohen pa konsumuar?

Këto kosto rrallë shfaqen në tabelën e një investimi, por ato shfaqen në jetën e qytetit. Fitimi i një projekti mund të jetë privat; kostoja urbane mund të jetë publike.

Prandaj hapësira publike duhet të trajtohet si pasuri strategjike, jo si rezervë toke që pret të monetizohet.

V. “SMART CITY” DUHET TË MATET NGA POSHTË

Një qytet mund të ketë kamera, sensorë, aplikacione dhe sisteme dixhitale dhe përsëri të mos jetë i mirë për të jetuar. Teknologjia mund ta bëjë qytetin më efikas, por nuk mund ta zëvendësojë hapësirën publike.

Një qytet inteligjent është ai që përdor teknologjinë për t’u shërbyer njerëzve, jo ai që përdor teknologjinë për të fshehur mungesën e hapësirës për njerëzit.

Testi është i thjeshtë: A mund të ecë këmbësori? A ka ku të luajë fëmija? A ka ku të ulet i moshuari? A mund të lëvizë personi me aftësi të kufizuara? A ka hapësirë qytetari që nuk ka makinë dhe nuk dëshiron të konsumojë? Nëse përgjigjja është jo, atëherë një mjet modern nuk e zgjidh problemin.

VI. KUSH VENDOS PËR QYTETIN?

Çështja e hapësirës publike është edhe çështje demokracie urbane. Kur ndryshohet destinacioni i një hapësire, kur propozohet një projekt i madh apo kur një park riformulohet, qytetarët duhet të kenë mundësi reale të ndikojnë në vendim, përpara se vendimi të jetë marrë, jo vetëm pasi projekti është përfunduar në letër.

Konsultimi publik nuk duhet të jetë procedurë formale për të legjitimuar një vendim të marrë më parë. Qytetarët nuk duhet të ftohen vetëm për të parë projektin. Duhet të kenë mundësi të ndikojnë në të. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur bëhet fjalë për pasuri publike dhe hapësira që nuk mund të rikrijohen lehtë.

VII. NJË QYTET NUK ËSHTË PRONË E NJË BREZI

Tirana nuk është pronë e qeverisë së radhës, e bashkisë, e investitorëve apo e brezit të sotëm. Është trashëgimi e përbashkët. Kjo do të thotë se vendimet urbane duhet të shihen edhe nga perspektiva e atyre që do të jetojnë këtu pas 20, 30 apo 50 vitesh. Ata nuk do të na pyesin vetëm sa ndërtesa ndërtuam. Do të na pyesin: Sa hapësirë u lamë atyre? Sepse ajo që ndërtohet mund të zgjerohet përsëri. Ajo që humbet përgjithmonë është shumë më e vështirë të rikthehet.

VIII. MOS E SHITNI HUMBJEN SI PËRPARIM

Ka ardhur koha të ndahet qartë zhvillimi nga betonizimi.

Jo çdo kullë është përparim. Jo çdo projekt është zhvillim. Jo çdo sipërfaqe e ndërtuar është vlerë e shtuar për qytetin.

Zhvillimi urban duhet të matet edhe me atë që ruajmë. Me pemët që mbeten. Me parqet që mbrohen. Me trotuaret që fitojnë hapësirë. Me transportin publik që funksionon. Me hapësirat ku fëmijët luajnë. Me vendet ku qytetarët mund të qëndrojnë pa paguar. Dhe mbi të gjitha, me cilësinë e jetës që mbetet pasi përfundon projekti.

Mençuria urbane nuk është vetëm të dish çfarë të ndërtosh. Është të dish edhe çfarë të mos ndërtosh.

IX. MOS E VRISNI QYTETIN DUKE E NDËRTUAR

Tirana nuk ka nevojë të ndalet së zhvilluari. Ka nevojë të mos e ngatërrojë zhvillimin me betonizimin. Ka nevojë për një parim të thjeshtë: Jo çdo hapësirë publike duhet të shndërrohet në hapësirë ndërtimi.

Parku Rinia duhet të vlerësohet jo si një pengesë ndaj zhvillimit, por si pjesë e vetë infrastrukturës së qytetit. Sepse nëse çdo kullë kërkon një pjesë të hapësirës publike, çdo projekt kërkon një pjesë të gjelbërimit dhe çdo investim justifikohet me humbjen e një pjese tjetër të qytetit, atëherë rrezikojmë të ndërtojmë një Tiranë që bëhet më e madhe në metra katrorë dhe më e vogël në hapësirën ku jetohet.

Ky është paradoksi që duhet shmangur: të ndërtojmë aq shumë sa të humbasim atë që e bën qytetin të vlefshëm.

Sepse qyteti nuk është vetëm betoni. Qyteti është hapësira mes ndërtesave. Është gjelbërimi. Është jeta publike. Është kujtesa. Dhe, mbi të gjitha, janë njerëzit. Nëse i konsumojmë këto në emër të zhvillimit, nuk po ndërtojmë një qytet më modern. Po ndërtojmë një qytet që po humbet.

Filed Under: Rajon

SHQIPTARËT NË MAQEDONINË E VERIUT

October 1, 2026 by s p

Shumicë e ndarë, fuqi e humbur

Isuf B.Bajrami

Ka një paradoks që prej vitesh e përcjell politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut: shqiptarët janë faktor i rëndësishëm politik në vend, por ende nuk kanë arritur ta shndërrojnë këtë peshë në një forcë të qëndrueshme dhe të bashkërenduar. Kanë parti, shoqata, organizata joqeveritare, intelektualë, profesionistë, biznese, media dhe struktura fetare e shoqërore. Kanë njerëz, kanë vota dhe kanë përvojë politike. Ajo që duket se u mungon është një gjuhë e përbashkët për çështjet që e tejkalojnë një parti, një mandat apo një interes të ngushtë.

Pikërisht kjo është ajo që duhet të na shqetësojë më shumë.

Jo fakti nëse ekzistojnë shumë parti shqiptare. Demokracia nuk kërkon një parti të vetme dhe as një mendim të vetëm.

Përkundrazi, pluralizmi është pjesë e natyrshme e një shoqërie demokratike. Problemi nis atëherë kur pluralizmi shndërrohet në fragmentim dhe fragmentimi në pamundësi për të vepruar bashkë aty ku interesat janë të përbashkëta.

Sepse, në politikë, nuk mjafton të kesh peshë. Duhet të dish edhe ta organizosh atë.

Zgjedhjet janë momenti kur kjo bëhet më e dukshme. Në jetën e përditshme mund të ekzistojnë dhjetëra dallime ndërmjet njerëzve, partive, shoqatave apo grupeve të interesit. Por në ditën e zgjedhjeve, çdo dallim merr një vlerë konkrete politike. Votat numërohen, mandatet ndahen dhe pesha e secilit subjekt përcaktohet nga mënyra se si është organizuar gara.

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2024 e treguan qartë këtë realitet. Në garën shqiptare u paraqitën, ndër të tjera, “Fronti Evropian” dhe “VLEN” si dy subjekte të veçanta zgjedhore.[1] Pas zgjedhjeve, konfigurimi politik ndryshoi dhe VLEN u bë pjesë e shumicës qeverisëse. Ky zhvillim është pjesë e demokracisë parlamentare dhe nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në faktin se partitë konkurrojnë dhe më pas ndërtojnë koalicione. Por ai e rikthen në tavolinë një pyetje më të gjerë: çfarë do të ndodhte me peshën politike shqiptare sikur, përtej dallimeve partiake, të ekzistonte një marrëveshje e përbashkët për mënyrën e përfaqësimit?

Kjo pyetje nuk është thirrje për shkrirjen e partive, as për krijimin e një partie të vetme shqiptare dhe, aq më pak, për zhdukjen e dallimeve politike. Është pyetje për një kulturë tjetër bashkëpunimi.

Partitë mund të vazhdojnë të garojnë. Mund të kenë programe të ndryshme, bindje të ndryshme dhe mënyra të ndryshme për ta parë shtetin. Mund të kritikojnë njëra-tjetrën dhe të kërkojnë votën e qytetarëve. Por a nuk mund të përcaktojnë, përpara zgjedhjeve, disa objektiva që i konsiderojnë të përbashkëta? A nuk mund të arrijnë një marrëveshje për çështjet që nuk duhet të varen nga fakti se kush është në pushtet dhe kush në opozitë?

Kjo do të ishte një shenjë pjekurie politike. Sepse nuk është e nevojshme që të gjithë të mendojnë njësoj për të vepruar bashkë. Përkundrazi, bashkëpunimi ka vlerë pikërisht kur ndërtohet mes njerëzve dhe subjekteve që kanë dallime, por arrijnë të gjejnë një minimum të përbashkët.

Në këtë pikë, ideja e një liste të përbashkët shqiptare meriton të trajtohet seriozisht, jo si slogan elektoral dhe as si marrëveshje e minutës së fundit, por si një mundësi politike që duhet të diskutohet hapur.

Një listë e përbashkët nuk do të duhej të ishte thjesht një bashkim mekanik i emrave të partive. Nëse do të kishte kuptim, ajo do të duhej të mbështetej mbi një marrëveshje të qartë politike dhe programore: çfarë kërkohet në Kuvend, cilat janë objektivat kryesore, cilat janë parimet që nuk negociohen dhe çfarë përgjegjësie marrin kandidatët përpara qytetarëve.

Përndryshe, do të ndryshonte vetëm ambalazhi. Sepse problemi nuk është vetëm se sa lista ka në fletën e votimit. Problemi është nëse, pas asaj vote, ekziston një projekt politik që i bashkon njerëzit që kanë marrë mandatin.

Dhe pikërisht këtu historia e politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut duhet të shikohet me më shumë qetësi dhe më pak emocione.

Pas konfliktit të vitit 2001, Marrëveshja Kornizë e Ohrit krijoi një kornizë të re për marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve dhe për pjesëmarrjen e tyre në jetën politike e institucionale.[2] Përfaqësimi i drejtë, decentralizimi, përdorimi i gjuhëve dhe parimet e mosdiskriminimit u bënë pjesë e një rendi të ri politik. Por, pas kaq vitesh, sfida nuk mund të mbetet vetëm te pyetja se sa shqiptarë janë të përfaqësuar në institucione dhe sa poste mbajnë.

Pyetja duhet të jetë se çfarë bëjnë me atë përfaqësim.

Nëse një ministër është shqiptar, kjo në vetvete nuk është politikë publike. Nëse një drejtor është shqiptar, kjo nuk është automatikisht reformë. Nëse një deputet është shqiptar, kjo nuk do të thotë se interesat e qytetarëve janë realizuar.

Përfaqësimi ka rëndësi, por përfaqësimi duhet të prodhojë rezultat.

Në fund, qytetari nuk pyet vetëm se kush është ulur në zyrën e ministrit. Pyet nëse institucioni funksionon. Pyet nëse fëmija i tij merr arsim të mirë. Pyet nëse ka punë. Pyet nëse gjykata i jep drejtësi. Pyet nëse komuna zhvillohet. Pyet nëse gjuha e tij respektohet. Pyet nëse ai ndihet qytetar i barabartë.

Pikërisht për këtë arsye, politika shqiptare duhet të dalë nga logjika e ngushtë e ndarjes së posteve dhe të hyjë në logjikën e ndërtimit të institucioneve.

Por, për ta bërë këtë, duhet fillimisht të kapërcehet një problem tjetër: fragmentimi shoqëror.

Partitë politike janë vetëm një pjesë e kësaj historie. Shqiptarët janë të organizuar në dhjetëra e qindra forma të tjera. Ka shoqata kulturore, organizata joqeveritare, shoqata profesionale, organizime të të rinjve, organizime të grave, grupe biznesi, struktura lokale, media dhe rrethe të ndryshme intelektuale. Secila prej tyre mund të ketë një rol të dobishëm. Secila mund të ketë një mision të veçantë.

Por një shoqëri mund të jetë shumë e organizuar dhe, megjithatë, të jetë politikisht e paorganizuar.

Kjo është ajo që duhet të shqyrtohet.

Kur secila shoqatë flet vetëm për veten, kur secila organizatë kërkon të jetë qendra e vetme e ndikimit dhe kur secili grup e sheh tjetrin si rival, atëherë energjia shoqërore shpërndahet. Në vend që të krijohet një forcë e madhe nga shumë forca të vogla, krijohen shumë qendra të vogla që shpesh nuk komunikojnë.

E njëjta gjë vlen edhe për dimensionin fetar.

Brenda shoqërisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut ekziston një larushi e dukshme fetare dhe identitare. Ka shqiptarë myslimanë të traditave të ndryshme, bektashinj, katolikë, ortodoksë, protestantë dhe qytetarë të tjerë me bindje të ndryshme fetare ose jofetare. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut njeh komunitetet dhe grupet fetare dhe garanton lirinë e besimit dhe barazinë e tyre para ligjit.[3]

Kjo larushi nuk është dhe nuk duhet të jetë pengesë për bashkëpunim.

Një shqiptar nuk bëhet më pak shqiptar sepse i përket një tradite tjetër fetare. Dhe një qytetar nuk duhet të pyetet për besimin e tij përpara se të konsiderohet bashkëpunëtor në një çështje që ka të bëjë me arsimin, zhvillimin, drejtësinë, ekonominë apo të ardhmen e të rinjve.

Feja është çështje e bindjes dhe e ndërgjegjes. Politika, kur është demokratike, duhet të jetë hapësira ku njerëzit me bindje të ndryshme mund të bashkëpunojnë për të mirën e përbashkët.

Prandaj, edhe këtu duhet bërë dallimi ndërmjet identitetit dhe përkatësisë politike.

Nuk është problem që një shqiptar është mysliman dhe një tjetër katolik. Nuk është problem që njëri është bektashi e tjetri protestant. Nuk është problem as që dikush nuk është besimtar. Problemi do të ishte që këto dallime të përdoren për të ndërtuar mure politike.

Sepse, në momentin kur ndodh kjo, politika fillon ta copëtojë shoqërinë pikërisht aty ku ajo ka nevojë për bashkëpunim.

E njëjta gjë ndodh edhe me partitë.

Nuk është problem që ekzistojnë disa parti shqiptare. Problem është nëse ato nuk janë në gjendje të gjejnë asnjë pikë takimi.

Mund të ketë dallime të majta e të djathta. Mund të ketë qasje të ndryshme ndaj ekonomisë. Mund të ketë qëndrime të ndryshme për koalicionet. Mund të ketë debate të forta mbi mënyrën e qeverisjes. Të gjitha këto janë pjesë e politikës.

Por ekzistojnë çështje që mund të jenë mbi këtë garë: arsimi cilësor, zhvillimi ekonomik, përfaqësimi i drejtë, sundimi i ligjit, zbatimi i të drejtave gjuhësore, zhvillimi i komunave, lufta kundër korrupsionit, mundësitë për të rinjtë, integrimi evropian dhe funksionimi i institucioneve.

Për këto çështje nuk kërkohet një parti e vetme.

Kërkohet një marrëveshje.

Dhe këtu do të duhej të fillonte një politikë e re shqiptare: jo me pyetjen se kush është më i fortë se tjetri, por me pyetjen se çfarë mund të bëjnë së bashku.

Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse një listë e përbashkët do të duhej të shihej si rezultat i një procesi dhe jo si pikënisje. Fillimisht duhet të gjendet gjuha e përbashkët. Pastaj objektivat. Më pas rregullat. Dhe në fund, njerëzit që do ta përfaqësojnë atë marrëveshje.

Nëse bëhet në këtë mënyrë, lista e përbashkët mund të ketë kuptim.

Nëse bëhet vetëm për të mbledhur vota, pa një marrëveshje të vërtetë politike, ajo rrezikon të mbetet një koalicion teknik.

Dhe shqiptarët nuk kanë nevojë vetëm për një koalicion teknik. Kanë nevojë për një kulturë bashkëpunimi.

Kjo kulturë nuk mund të ndërtohet vetëm në zyrat e partive. Ajo duhet të jetë më e gjerë. Në një tavolinë të tillë duhet të ketë vend për partitë, por edhe për intelektualët, profesionistët, akademinë, biznesin, të rinjtë, gratë, shoqërinë civile dhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare.

Jo që të gjithë të vendosin për gjithçka, por që askush të mos mund ta pretendojë se përfaqëson i vetëm të gjithë shqiptarët.

Sepse askush nuk i përfaqëson të gjithë: asnjë parti, asnjë kryetar, asnjë shoqatë, asnjë institucion fetar, asnjë grup interesi.

Përfaqësimi politik buron nga qytetari dhe rinovohet përmes votës.

Prandaj, në fund të fundit, është qytetari ai që duhet të vendosë nëse një marrëveshje e tillë e bind dhe nëse kandidatët e saj meritojnë mbështetjen.

Por politika ka detyrimin t’i japë qytetarit mundësi për të zgjedhur edhe mes projekteve, jo vetëm mes konflikteve.

Këtu qëndron edhe përgjegjësia e partive.

Nëse partitë shqiptare vazhdojnë të hyjnë në çdo zgjedhje me logjikën se humbja e tjetrit është fitorja ime, atëherë edhe pas zgjedhjeve do të mbetet e njëjta pyetje: sa fuqi u humb për shkak të ndarjes?

Sepse vota e ndarë nuk bashkohet vetvetiu pas zgjedhjeve. Ajo duhet të bashkohet përpara tyre.

Dhe bashkimi nuk duhet të jetë detyrim. Duhet të jetë rezultat i një bindjeje politike: bindjes se ka raste kur një komunitet fiton më shumë duke bashkëpunuar sesa duke garuar pa kufi brenda vetes.

Kjo nuk do të thotë se duhet të zhduken dallimet. Përkundrazi, dallimet duhet të mbeten. Një demokraci pa dallime është një demokraci pa debat.

Por dallimi dhe përçarja nuk janë e njëjta gjë. Mund të mendosh ndryshe dhe të bashkëpunosh. Mund të kritikosh dhe të bashkëpunosh. Mund të jesh në opozitë dhe të kesh një marrëveshje për çështje kombëtare dhe shtetërore. Mund të kesh bindje fetare të ndryshme dhe të punosh për të njëjtin qytetar. Mund të kesh ideologji të ndryshme dhe të kërkosh të njëjtën drejtësi.

Kjo është demokracia që shqiptarët duhet ta kërkojnë edhe brenda vetes.

Sepse sfida e ardhshme nuk është vetëm se kush do ta fitojë një palë zgjedhje. Sfida është se çfarë do të bëhet me fuqinë që fitohet.

Nëse një listë e përbashkët do të krijohej vetëm për të marrë më shumë mandate, por pas zgjedhjeve secili do të kthehej te interesi i vet, atëherë do të kishim fituar matematikën dhe do të kishim humbur politikën.

Prandaj, një marrëveshje e përbashkët duhet të ketë edhe një pjesë paszgjedhore: objektiva të qarta, përgjegjësi të qarta dhe transparencë përpara qytetarëve.

Në këtë mënyrë, vota nuk do të ishte vetëm një numër. Do të ishte mandat. Dhe mandati do të kishte përmbajtje.

Kjo është rruga për të kaluar nga politika e përfaqësimit simbolik te politika e rezultateve: nga “sa ministra shqiptarë kemi?” te “çfarë kanë bërë ministrat?”, nga “sa deputetë kemi?” te “çfarë kanë votuar deputetët?”, nga “sa drejtori kemi?” te “si funksionojnë institucionet?” dhe, mbi të gjitha, nga “kush i përfaqëson shqiptarët?” te “çfarë të ardhmeje po ndërtohet për shqiptarët?”.

Kjo është pyetja që duhet të jetë në qendër të debatit.

Sepse shqiptarët nuk vuajnë nga mungesa e njerëzve që mund të flasin. Ndoshta vuajnë nga mungesa e një mekanizmi që i bën këta njerëz të flasin në të njëjtën kohë për të njëjtat interesa.

Nuk u mungojnë zërat. U mungon harmonizimi i zërave.

Nuk u mungojnë organizatat. U mungon bashkërendimi.

Nuk u mungojnë partitë. U mungon një minimum i përbashkët politik.

Dhe nuk u mungon potenciali për të qenë faktor vendimtar. U mungon mënyra për ta shndërruar këtë potencial në një forcë të organizuar.

Prandaj, ndoshta pyetja që duhet t’i bëhet sot politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut nuk është: “Cila parti do të dalë e para?” Pyetja është shumë më e rëndësishme: “Çfarë mund të fitojnë shqiptarët nëse, për një herë, arrijnë të flasin me një gjuhë të përbashkët?”

Nëse përgjigjja është serioze, atëherë rruga është e qartë: dialog, marrëveshje, platformë, bashkëpunim dhe, kur krijohen kushtet, edhe një përfaqësim i përbashkët në zgjedhje.

Jo sepse shqiptarët duhet të bëhen një, por sepse, duke qenë të ndryshëm, duhet të mësojnë të bashkëpunojnë.

Në fund të fundit, një shoqëri nuk bëhet e fuqishme duke i zhdukur dallimet e veta. Bëhet e fuqishme kur mëson t’i vendosë dallimet në një rend ku ato nuk e shkatërrojnë të përbashkëtën.

Kjo është ajo që mungon më shumë: jo zëri, jo numri, jo potenciali, por gjuha e përbashkët.

Dhe nëse ajo gjuhë gjendet para zgjedhjeve, atëherë edhe vota mund të bëhet më e fuqishme. Nëse nuk gjendet, shqiptarët do të vazhdojnë të hyjnë në zgjedhje me shumë zëra dhe të dalin prej tyre duke pyetur veten pse pesha e tyre politike nuk është aq e madhe sa mendojnë se duhet të jetë.

Ndoshta përgjigjja nuk gjendet te të tjerët. Ndoshta duhet kërkuar brenda nesh.

S

Filed Under: Rajon

Në besnikërinë ndaj Shqipnisë…

September 23, 2026 by s p

Prof. Romeo Gurakuqi/

Shqipnia e ka pasë gjithmonë të vështirë me i vendosë në krye të punëve shtetnore dhe të institucioneve të veta ma të randësishme, njerëzit e duhun: patriotët, profesionistët, të spikatunit, ata që, për shkak të genit, traditës familjare, shkollimit/ formimit, kulturës së besnikërisë shtetnore dhe integritetit të tyne, nuk mund ta tradhtojnë e as ta shesin Atdheun dhe interesat e tij madhore publike. Janë pikërisht ato interesa që u përkufizuen qysh në Aktin Themeltar të Vlonës të vitit 1912 dhe në marrëveshjen themelore ndërshqiptare për ndërtimin e një shteti kushtetues, të lirë, të pavarun dhe europian.

Për fat të keq, punët shqiptare vazhdojnë shpesh të mbeten në duart e atyne që duket sikur kanë për program “me zhgulë ullinin e me vu shelgun” ( thanie e nji shkodrani të urtë: Ndrekë Kaçulinit) në çdo pllambë të tokës sonë publike: me zëvendësue atë që ka shkollim, rranjë, traditë dhe profesionalizëm, me improvizimin, përkohshmëninë dhe rastësorët, diletantët, rioshët e kakareçë pa nji libër të lexuem në jetë, shkëmbyesit, çibanët e së keqës. Dhe kjo shfaqet pothuajse gjithandej, në çdo qelizë të drejtimit të shtetit, deri te fusha ma jetike: siguria kombëtare.

Pikërisht këtu lind nji pyetje themelore: a ekziston sot nji përkufizim i kjartë, bashkëkohor dhe detyrues shtetnor i interesit dhe i sigurisë kombëtare shqiptare? A kena na nji doktrinë që të përcaktojë vijat e pakalueshme të shtetit, të jetë mbi individët, partitë dhe mandatet politike dhe që të mos i lejojë askujt, pavarësisht pozitës që ka, të devijojë kur asht në detyrë, prej interesave themelore të Republikës dhe të kombit shqiptar, në rasën e emnimeve?

Si asht e mundun që njerëzit pozitivë, punëtorë, të përkushtuem të ktij vendi, që përpiqen për të mirë, në vend që me iu ba krah, menjiherë gjindet mënyra të rrethohen me llom të pafund, me atmosferë plot helm, me matrapazë, që fillojnë me i sabotue dhe me i zhgatërrue?!

A do të vijë, ma në fund, dita kur shteti shqiptar të pushojë së mbjelluni shelgje aty ku ka nevojë për, ullinj e lisa; kur njerëzit të mos vendosen në krye të punëve për bindje, lidhje e shërbime të rastit, por për peshën e dijes, të karakterit, të veprës dhe të përgjegjësisë së provueme ndaj vendit, interesit publik, sigurisë nacionale dhe qytetare, progresit arsimor, kulturorë e shkencorë?

Kam gjetë raste për t’u marrë shembull në vitet e Mbretnisë së Dytë, kur i Pari vendit, për institucionin ma të randësishëm të sigurisë, pat vendosun njerëz të sprovuem, që nuk ishin prej besnikëve të tij, por ata ishin të sprovuem në besnikerinë ndaj Shqipnisë: Spiridon Kacarosi ishte njëni nga ata.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 219
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Përkujtojmë në ditën e ndarjes nga jeta, klerikun françeskan dhe albanologun e shquar shqiptar At Shtjefën Gjeçovin
  • Struktura burokratike, partiake dhe korruptive…
  • OSE NDRYSHIM RRËNJËSOR, OSE VALIXHET GATI PËR RRUGËT E BOTËS!
  • GJERGJ ADHAMIDHI, PROFESORI HERRON DHE PRESIDENTI WILSON
  • THE WESTERN BALKANS: WAITING FOR GODOT
  • Atdheu im, ti ke një uri të çuditshme për heronj
  • Dritëro Agolli, fjalimi i tij dhe llogaria që politika shqiptare ende duhet të japë
  • Drita që asnjë fron s’mund ta bëjë të vetin
  • Dioqezat arbërore të Arbënit, Balecit, Budvës, Shasit, Ulqinit dhe Krajës sipas Illyricum Sacrum
  • SHQIPËRIA NUK ËSHTË PRONË E NJË REGJIMI, NDËRSA POLICIA E SHTETIT NUK MUND TË JETË GARDA E TIJ POLITIKE!
  • Kur dhunohet rinia, qan Shqipëria!
  • KOSOVA SOVRANE SI EKSTERRITOR AMERIKAN PËRSA I PËRKET SIGURISË
  • Join AAWO “Motrat Qiriazi,” AAGA, and Psychiatry by Valbona for Mental Wellness and Gut Wellbeing, an afternoon exploring the connection between mind and body
  • Paradoksi i reformës territoriale: Bashki më të mëdha, Shqipëri më e zbrazët
  • ARTIZANATI I STOLISJES ILIRO-ARBËRORE NË EMISIONIN FILATELIK “EUROPA 2025”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT