• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Drita është pas derës së mbyllur. Çelësi i derës jemi ne!

November 3, 2026 by s p

Ambasador Flamur Gashi/

Shqipëria dhe Kosova po qëndrojnë para një dere që duhet hapur. Sot dëgjohen protesta, akuza e përplasje. Zëra të shumtë, por ende jo drejtimi që meritojmë. Megjithatë, përmes vrimës së çelësit shihet drita. Prandaj nuk ka vend për dorëzim! Protesta është e drejtë, pakënaqësia duhet dëgjuar, por zemërimi duhet të shndërrohet në përgjegjësi, kundërshtimi në ide dhe energjia qytetare në ndryshim.

Çelësi nuk është te nostalgjia për të shkuarën dhe as te ndasitë e së sotmes. Çelësi është te besimi në njëri-tjetrin, te bashkimi, te studentetë dhe te rinia jonë! Te brezi që kërkon arsim, drejtësi, meritokraci dhe punë me dinjitet. Te të rinjtë që nuk trashëgojnë armiqësi, por ndërtojnë ura, që nuk presin t’u hapet rruga, por e krijojnë vetë të ardhmen.

Rinia nuk është vetëm e ardhmja. Është e sotmja! Ajo duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes dhe e përgjegjësisë për fatin tonë të përbashkët. Ne shqiptarët kemi kaluar shumë sprova historike. Sot nuk na duhet të jemi më të fortë se të tjerët, por të kemi guximin të jemi të barabartë me të gjithë popujt e Evropës: me dinjitet, dije, drejtësi, mirëqenie dhe institucione që u shërbejnë qytetarëve.

Shqipëria dhe Kosova, duke respektuar veçantinë dhe përgjegjësitë e tyre, duhet ta ndërtojnë të ardhmen mbi bashkëpunimin, respektin dhe interesin e përbashkët kombëtar.

Ta hapim derën sa më parë!

Le të depërtojnë rrezet e diellit dhe të dritës mbi trojet tona dhe mbi mbarë kombin shqiptar…

Shpresa na bashkon, besimi na jep forcë dhe guximi na çon përpara.

Vetëm duke besuar te njëri-tjetri dhe duke qëndruar të bashkuar do të dalim faqebardhë përballë historisë dhe brezave që vijnë!

Çelësi është në duart tona.

Drita na pret.

Le ta hapim së bashku derën e së ardhmes!

Filed Under: Fejton

CILËT UDHËHEQËS LARGOHEN DHE CILËT KAPEN PAS PUSHTETIT?

October 28, 2026 by s p

Analizë psikologjike, psikopatologjike dhe politike.

Nga Rafael Floqi

Psikologjia e pushtetit nuk zbulohet vetëm nga mënyra se si një njeri e fiton atë, por edhe nga aftësia për ta lëshuar. Sepse pushteti që nuk mund të dorëzohet, rrezikon të shndërrohet nga përgjegjësi në varësi.

Dorëheqja nuk është vetëm akt politik. Ajo është edhe një provë e marrëdhënies së njeriut me pushtetin, me egon, me përgjegjësinë dhe me frikën e humbjes.

Më 31 janar 2018, ministri britanik Michael Bates mbërriti disa minuta me vonesë në Dhomën e Lordëve. Ai kërkoi falje dhe ofroi menjëherë dorëheqjen, sepse mendonte se kishte cenuar respektin ndaj Parlamentit. Kryeministrja Theresa May nuk ia pranoi dorëheqjen.

Kjo histori mund të shërbejë si kontrast satirik për Edi Ramën:

Në Angli, një ministër dha dorëheqjen sepse u vonua disa minuta në Parlament. Në Shqipëri, një kryeministër mund të vonojë me vite për të marrë përgjegjësi, por gjithmonë gjen kohë për të shpjeguar pse duhet të qëndrojë.

Psikologjia politike na ndihmon të kuptojmë pse dy udhëheqës, të përballur me të njëjtën krizë, mund të veprojnë krejt ndryshe: njëri largohet për të mbrojtur institucionin, ndërsa tjetri këmbëngul të qëndrojë, duke e konsideruar vazhdimësinë e mandatit detyrim politik.

Por duhet bërë një dallim i rëndësishëm: sjellja autoritare, narcisizmi si tipar personaliteti dhe çrregullimi narcisist i personalitetit nuk janë e njëjta gjë. Asnjë diagnozë psikopatologjike për Edi Ramën apo një politikan tjetër nuk mund të nxirret nga fjalimet, polemikat ose vendimet e tij publike.

Mund të analizohen, megjithatë, mekanizmat psikologjikë të pushtetit dhe sjelljet politike që lidhen me dorëheqjen.

Shtatë profilet psikologjike të udhëheqësit përballë dorëheqjes:

1. Udhëheqësi me ndërgjegje institucionale

Ky tip e dallon veten nga funksioni. Ai nuk e përjeton largimin nga detyra si shkatërrim të identitetit personal. Mund të japë dorëheqje për një dështim të rëndë të institucionit që drejton, edhe kur nuk ka kryer personalisht një shkelje.

Shembull është Lord Carrington, ministri i Jashtëm britanik që dha dorëheqje më 1982, duke marrë përgjegjësi për dështimin e parashikimit të pushtimit argjentinas të Falklandeve.

2. Udhëheqësi pragmatist

Ai e sheh dorëheqjen si pjesë të llogaritjes politike. Qëndron për sa kohë ka mbështetje dhe largohet kur humbja e aleatëve, shumicës apo autoritetit e bën qeverisjen të paqëndrueshme.

Ky profil nuk është domosdoshmërisht as altruist, as egoist. Vendimin e përcakton kostoja politike.

3. Udhëheqësi me tipare të theksuara narcisiste

Në psikologjinë e personalitetit, narcisizmi mund të shfaqet si nevojë e madhe për admirim, ndjenjë superioriteti dhe vështirësi në pranimin e kritikës. Kur këto tipare janë të theksuara, humbja e pushtetit mund të perceptohet si cenim i rëndë i imazhit personal.

Studimet tregojnë se rivaliteti narcisist te drejtuesit lidhet me përkeqësimin e vlerësimit të efektivitetit të tyre me kalimin e kohës. Kjo nuk do të thotë se çdo udhëheqës narcisist refuzon dorëheqjen, apo se çdo politikan që nuk dorëhiqet është narcisist.

4. Udhëheqësi autoritar dhe kontrollues

Për këtë profil, ruajtja e kontrollit ka përparësi të veçantë. Kundërshtimi politik mund të interpretohet si kërcënim ndaj autoritetit, ndërsa kompromisi si humbje pozite.

Dallimi thelbësor është midis udhëheqësit që mbron institucionet demokratike dhe atij që kërkon t’i nënshtrojë ato vullnetit të vet.

5. Udhëheqësi i frikësuar nga humbja e pushtetit

Frika nga largimi mund të lidhet me humbjen e statusit, të ndikimit, të mbështetjes së aleatëve apo të privilegjeve. Një studim i vitit 2026 mbi drejtuesit organizativë gjeti lidhje midis frikës së humbjes së pushtetit dhe sjelljeve abuzive drejtuese, sidomos kur bashkëshoqërohej me prirje të forta makiaveliste. Rezultatet nuk mund të transferohen automatikisht te një kryeministër.

6. Udhëheqësi me mendësi mesianike

Ky profil karakterizohet nga bindja se misioni personal është i pazëvendësueshëm: se vetëm ai mund ta shpëtojë vendin, ta përfundojë reformën ose ta mbrojë shtetin nga kundërshtarët.

Mendësia mesianike është një përshkrim politik dhe psikologjik, jo diagnozë klinike. Rreziku lind kur identifikimi i udhëheqësit me fatin e kombit dobëson mundësinë e alternimit demokratik.

7. Udhëheqësi demokratik rezistent

Ky tip nuk jep dorëheqje thjesht për shkak të presionit, protestave ose sulmeve politike. Ai mund të qëndrojë, duke mbrojtur mandatin, por pranon kontrollin parlamentar, hetimin e pavarur, lirinë e protestës dhe mundësinë e humbjes së pushtetit.

Këmbëngulja e tij dallon nga kapja pas pushtetit pikërisht sepse pranon kufijtë institucionalë.

Kur qëndrimi në pushtet merr përmasa patologjike?

Termi patologjik duhet përdorur me kujdes. Në kuptimin klinik, kërkon vlerësim profesional. Në analizën politike, mund të flasim për një dinamikë jofunksionale të pushtetit, pa diagnostikuar individin.

Psikanalisti dhe studiuesi i lidershipit Manfred Kets de Vries ka analizuar mënyrën si vetmia e komandimit, frika, nevoja për admirim dhe marrëdhëniet e varësisë midis udhëheqësit dhe ndjekësve mund të prodhojnë drejtim jofunksional.

Në këtë kuptim, pesë shenja meritojnë vëmendje: personalizimi i institucioneve, mospranimi sistematik i gabimeve, trajtimi i kritikëve si armiq, nxitja e besnikërisë personale mbi profesionalizmin dhe refuzimi i çdo mekanizmi real kontrolli.

Asnjëra prej tyre, e marrë veçmas, nuk provon një çrregullim psikik. Por kur shfaqen së bashku dhe në mënyrë të vazhdueshme, ato mund të tregojnë një problem serioz të kulturës politike dhe të qeverisjes.

Paradoksi politik: Kush jep dorëheqje dhe kush jo?

Ekziston një paradoks: dorëheqja nuk ndodh gjithmonë atje ku përgjegjësia është më e madhe.

Një studim i 133 çështjeve të dorëheqjeve ministrore në Gjermani, gjatë viteve 1949–2009, tregoi se lidhja midis përgjegjësisë ministrore dhe largimit real nga detyra ishte shumë më pak e drejtpërdrejtë sesa supozohet zakonisht. Prandaj, nuk mjafton të pyesim se çfarë karakteri ka udhëheqësi. Duhet të pyesim edhe sa të forta janë parlamenti, drejtësia, media, opozita dhe mekanizmat e përgjegjshmërisë.

Një politikan mund të jetë personalisht i gatshëm të japë dorëheqje, por të përballet me presionin e partisë për të qëndruar. Një tjetër mund të dëshirojë të qëndrojë, por të largohet pasi humbet mbështetjen parlamentare.

Pyetja për Edi Ramën

Në rastin e Edi Ramës, analiza më e dobishme nuk është t’i vendosim një etiketë psikologjike, por të shqyrtojmë sjelljen e tij përballë përgjegjësisë.

A pranon ai se një mandat elektoral nuk e përjashton përgjegjësinë midis dy zgjedhjeve? A u përgjigjet kritikave me argumente dhe politika konkrete? A e respekton pavarësinë e institucioneve kur vendimet e tyre janë të pafavorshme për qeverinë? A krijon hapësirë për korrigjim brenda shumicës së tij?

Po aq e rëndësishme është të pyetet nëse kërkesat për dorëheqje mbështeten në përgjegjësi të dokumentuara dhe në rrugë kushtetuese, apo vetëm në kundërshtimin politik.

Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve kërkojnë analizë të vendimeve, deklaratave dhe veprimeve konkrete, jo hamendësime për personalitetin e tij.

Dorëheqja si pasqyrë e marrëdhënies me pushtetin

Dorëheqja mund të jetë akt ndërgjegjeje, llogaritjeje, përgjegjësie ose domosdoshmërie politike. Mosdorëheqja mund të shprehë qëndrueshmëri demokratike, por edhe frikë nga humbja e kontrollit. Motivi nuk përcaktohet vetëm nga akti.

Dallimi vendimtar nuk është nëse një udhëheqës largohet apo qëndron, por nëse ai pranon se pushteti ka kufij dhe se këta kufij vlejnë edhe për të.

Biografi Joseph J. Ellis, Founding Brothers, duke iu referuar George Washingtonit shkrua :

«Ai u bë shembulli më i lartë i udhëheqësit të cilit mund t’i besohej pushteti, pikërisht sepse ishte aq i gatshëm të hiqte dorë prej tij.»

Në një demokraci të shëndetshme, asnjë kryeministër nuk duhet të konsiderohet i pazëvendësueshëm. Por asnjë kryeministër nuk duhet të detyrohet të largohet jashtë mekanizmave demokratikë vetëm sepse kundërshtarët e kërkojnë. Dorëheqja është dera nga e cila del politikani që ka ndërgjegje. Për atë që e ngatërron shtetin me pronën personale, ajo derë nuk ekziston: ka vetëm hyrje në pushtet, por kurrë dalje vullnetare. Pushteti është mandat, jo identitet. Dhe pjekuria politike provohet si në aftësinë për të qëndruar me përgjegjësi, ashtu edhe në aftësinë për t’u larguar kur këtë e kërkojnë rregullat dhe përgjegjësia institucionale.

Filed Under: Fejton

MIJËRA KILOMETRA LARG, POR NË TË NJËJTËN ANË TË HISTORISË/ MONTREALI NUK HESHT PËR TIRANËN!

October 27, 2026 by s p

Albanian Montreal Press/

Ka një lidhje që as koha, as largësia dhe as oqeani nuk mund ta këpusin: lidhjen e njeriut me atdheun.

Sot, në sheshin Nënë Tereza në Montreal, takimi i komunitetit shqiptar në solidaritet me protestat civile në Tiranë mbart një mesazh që shkon përtej kufijve gjeografikë. Është shprehje e një ndërgjegjeje qytetare që nuk hesht vetëm sepse jeton larg vendlindjes.

Prej muajsh, protestat civile në Tiranë kanë ngritur pyetje që meritojnë përgjigje. Pyetje për demokracinë, përgjegjshmërinë e institucioneve, të drejtat e qytetarëve dhe të ardhmen e brezit të ri.

Pamjet dhe dëshmitë e tensioneve, përplasjeve dhe incidenteve të raportuara gjatë protestave ngrejnë shqetësime serioze. Ato kërkojnë transparencë, verifikim të pavarur dhe përgjegjësi ligjore për çdo shkelje të mundshme.

Sepse një shoqëri demokratike nuk matet vetëm nga mënyra se si organizon zgjedhjet, por edhe nga mënyra se si trajton qytetarin që ngre zërin kundër saj.

E drejta për të protestuar paqësisht nuk është privilegj që jepet nga pushteti. Është një e drejtë themelore e qytetarit.

Dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e takimit të sotëm në Montreal.

Nuk është çështja se sa njerëz mblidhen në një shesh. Është çështja se çfarë përfaqëson prania e tyre.

Nuk është çështja e një partie politike, e një emri apo e një pushteti të caktuar. Është çështja e dinjitetit njerëzor dhe e një parimi që duhet të vlejë për çdo qeveri: qytetari ka të drejtë të kërkojë llogari, ndërsa shteti ka detyrimin ta dëgjojë dhe ta mbrojë.

Ne jetojmë në Kanada, në një vend ku kemi ndërtuar jetë të reja, kemi krijuar familje dhe kemi gjetur mundësi. Por përvoja jonë si emigrantë na kujton edhe çmimin njerëzor të largimit.

Filed Under: Fejton

Congressman Mike Lawler: “I urge the Albanian government to immediately de-escalate tensions and end the use of force against peaceful protesters”

October 26, 2026 by s p

“I have heard from my Albanian-American constituents in the NY-17 who are deeply concerned about the ongoing protests in Albania and what this means for the future of democracy in the country. I stand with my constituents and with the Albanian people.

Every government, especially democracies and NATO allies must respect the right of its people to peacefully protest and express their views. I urge the Albanian government to immediately de-escalate tensions and end the use of force against peaceful protesters”.

Filed Under: Fejton

2500 euro për të ruajtur përbindëshin: Rama, Frankenstein- i dhe shpresa e një populli

October 21, 2026 by s p

Artan Nati/

Ka çaste në historinë e një vendi kur një shumë parash pushon së qeni thjesht para dhe kthehet në simbol. Dy mijë e pesëqind euro mund të jenë një shpërblim i merituar për një punonjës policie, por, nëse vendosen në sfondin e përplasjes mes pushtetit dhe protestuesve, ato shndërrohen në një pyetje që rëndon mbi ndërgjegjen e shoqërisë: kush po mbron këtu dhe nga kush? Paratë janë të popullit. Janë paratë e studentit që ëndërron një të ardhme dinjitoze, të punëtorit që numëron ditët deri në fund të muajit dhe të biznesmenit të vogël që paguan taksat, qiranë e faturat, ndërsa përpiqet të mbajë dyert hapur. Janë paratë e njerëzve që nuk kanë vila, makina me shoferë dhe zyra ku vendosen fatet e mijëra të tjerëve. Janë paratë e atyre që, me punën e tyre, mbajnë gjallë shtetin dhe shpresën tonë.

Policia meriton paga të drejta, kushte të mira pune dhe shpërblime për shërbimin profesional. Por asnjë shpërblim nuk duhet të krijojë dyshimin se paratë publike po përdoren për të mbrojtur një pushtet nga qytetarët që kërkojnë llogari. Policia duhet të mbrojë ligjin dhe njerëzit, jo të bëhet mburojë personale e atyre që qeverisin.

Dhe këtu fillon tragjedia e Frankenstein-it shqiptar.

Mary Shelley na tregoi historinë e një krijuesi,Frankenstein-it, që solli në jetë një krijesë, por nuk arriti të marrë përgjegjësinë për të. Krijesa, e braktisur dhe e keqkuptuar, u kthye kundër krijuesit të vet. Në politikë, kjo metaforë merr një kuptim edhe më të frikshëm: një popull krijon pushtetin për të organizuar jetën e përbashkët, për të mbrojtur të drejtat, por edhe për të garantuar drejtësinë. Por kur pushteti harron kufijtë e mandatit të vet, ai mund të fillojë ta shohë vetë popullin si kërcënim. Atëherë, krijuesi përfundon përballë krijesës së tij. Dhe krijesa, në vend që të pyesë se ku gaboi, i drejtohet krijuesit me arrogancën e një monstre që ka harruar origjinën:

Ju më sollët këtu! Ju më votuat! Ju më dhatë pushtetin! Çfarë kërkoni tani? Po, zoti Kryeministër, populli të dha pushtetin. Por nuk ta dha Shqipërinë si pronë private. Nuk të dha çelësat e përjetshëm të shtetit. Nuk të bëri pronar të institucioneve, të policisë, të drejtësisë dhe as të së ardhmes së rinisë.

Populli të krijoi për t’i shërbyer, jo për t’i kërkuar llogari pse nuk të bindet. Ne nuk të sollëm në krye që të ndërtoje kopështin e Ed(en)it personal, ku ti të luaje rolin e Adamit, ndërsa të tjerët të hynin e të dilnin sipas vullnetit të kopshtarit. Të dhamë një mandat për të administruar kopshtin e përbashkët, jo për të ndryshuar pronësinë e tij. Por, në këtë version shqiptar të Biblës politike, Edeni duket sikur është shndërruar në Ed(en)i, pronë e një njeriu që rrezikon të ngatërrojë pushtetin e përkohshëm me të drejtën e përhershme për të sunduar.

Në këtë kopësht, disa banorë përballen me drejtësinë për frutat që dyshohet se kanë marrë. Eva, apo Bela ose Agasi etj siç quhen ne politikën tonë, sipas personazheve të kësaj tragjikomedie politike, nuk duhet të jenë as te paprekshëm dhe as të dënuar paraprakisht. Nëse kanë shkelur ligjin, drejtësia duhet të vendosë mbi bazën e provave. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.

Por atëherë lind pyetja që e trondit kopshtarin: nëse banorët e tjerë duhet të japin llogari për mollët dhe dardhat, kush kontrollon atë që administron gjithë pemishten? Kush numëron frutat që dalin nga arka publike? Dhe kush vendos nëse shpërblimi i rojeve është një politikë normale pagash apo një vendim që, në rrethanat e protestave, rrezikon të shihet si përpjekje për të forcuar mbrojtjen e pushtetit?

Nuk është vetë shuma prej 2 500 eurosh që e bën tragjedinë. Tragjedia qëndron te simbolika e saj, te mënyra si përjetohet nga një shoqëri që kërkon drejtësi dhe te frika se, në vend që të dëgjojë qytetarët, pushteti po përqendrohet te mbrojtja e vet.

Dhe jashtë portave të Ed(en)it nuk qëndrojnë vetëm kundërshtarë politikë. Qëndrojnë studentë, të rinj, punëtorë dhe qytetarë që duan të besojnë se ky vend mund të ndryshojë. Janë flamingot e shpresës shqiptare, të brishtë në pamje, por të vendosur të mos pranojnë se largimi nga vendi është e vetmja rrugë drejt një jete dinjitoze.

Ata nuk kërkojnë një fron, por kërkojnë një të ardhme. Ne nuk kërkojmë të bëhemi pronarë të shtetit, por kërkojnë një shtet që nuk ka pronar. Ne nuk kërkojmë të përmbysin ligjin, por kërkojmë që ligji të mos përkulet para pushtetit. Dhe çfarë u ofron politika kur besimi i tyre lëkundet? Nëse përgjigjja që ata perceptojnë është më shumë forcë, më shumë mburoja dhe më shumë para për të ruajtur qetësinë e pushtetit, atëherë hendeku mes qeverisjes dhe shoqërisë rrezikon të bëhet humnerë.

Zoti Kryeministër, a ia vlen egoja e një njeriu të peshojë më shumë se shpresa e një populli?

A ia vlen të mbahesh pas karriges, kur çdo ditë e më shumë qytetarë humbasin besimin se mund të ndërtojnë një jetë të mirë në vendin e tyre? A ia vlen të hysh në histori si njeriu që e shndërroi mandatin në një kështjellë dhe policinë në simbol të distancës mes qeverisë dhe të qeverisurve? Apo ndoshta është më e mençur të tregosh se e kupton kufirin mes pushtetit dhe pronësisë? Të largohesh me vullnetin tënd, kur besimi politik është konsumuar, nuk është domosdoshmërisht humbje. Në një demokraci funksionale, dorëheqja mund të jetë një akt përgjegjësie, një mënyrë për të ulur tensionet dhe për t’i dhënë shoqërisë mundësinë të rifillojë pa e kthyer çdo konflikt në luftë për mbijetesën e pushtetit.

Evropa nuk ndërtohet vetëm duke firmosur dokumente me komisionerët europianë, duke numëruar kapitujt e negociatave apo duke përsëritur fjalën integrim në konferenca shtypi. Ajo ndërtohet duke respektuar institucionet, duke pranuar kufijtë e pushtetit, duke garantuar të drejtën e protestës dhe duke kuptuar se qeveria nuk është pronare e shtetit. Dokumentet mund të firmosen brenda një dite; kultura e llogaridhënies kërkon vite dhe prova konkrete.

Ndoshta prova më e vështirë për një kryeministër nuk është sa gjatë mund të qëndrojë në pushtet, por nëse mund të pranojë se vendi është më i madh se ai vetë.

Prandaj, zoti Rama, hape rrugën nëse bindja jote është se nuk mund ta qeverisësh më vendin me besimin e nevojshëm. Lëre popullin të vendosë përmes mekanizmave demokratikë, jo përmes përplasjes dhe frikës. Lëre policinë të jetë policia e ligjit, jo personazh në një tragjedi ku krijesa duhet të mbrohet nga krijuesi i vet.

Mos lejo që 2 500 eurot të bëhen epitafi politik i një mandati. Mos lejo që shuma e një bonusi të mbetet më e kujtueshme se çdo premtim për drejtësi, zhvillim dhe integrim europian dhe mos e ngatërro largimin nga pushteti me largimin nga historia: ndonjëherë, pikërisht mënyra se si një njeri largohet përcakton se si do të kujtohet.

Ta dish se historia nuk pyet vetëm kush erdhi në pushtet. Ajo pyet edhe çfarë bëri me pushtetin, çfarë la pas dhe nëse pati guximin të ndalej përpara se të shndërronte institucionet në mure rreth vetes.

Zoti Kryeministër, populli nuk të kërkon të bëhesh hero. Të kërkon të mos e trajtosh si armik. Nuk të kërkon të jesh i përjetshëm. Të kërkon të kuptosh se mandati ka një kufi dhe se dinjiteti i një vendi nuk matet me forcën e rojeve që ruajnë pushtetin.

Dhe diçka tjetër, pyetja nuk është nëse Frankenstein-i mund ta mundë krijuesin e vet. Pyetja është nëse krijuesi do ta kuptojë, para se të jetë tepër vonë, se përbindëshi nuk është fati i pashmangshëm i demokracisë. Është paralajmërimi se pushteti, kur harron se kujt i përket, mund të kthehet kundër vetë shoqërisë që e krijoi.

Dhe atëherë, 2 500 eurot nuk do të jenë më thjesht një bonus. Do të mbeten si simbol i një pyetjeje të hidhur: sa kushton ruajtja e një pushteti dhe sa më shtrenjtë paguan një popull kur humbet shpresën?

Filed Under: Fejton

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 125
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • A Congratulatory Message to Governor Hochul from Vatra President Elmi Berisha
  • FADIL BERISHA NDEROHET NË VATIKAN
  • BBC: Five reasons why Republicans lost so badly
  • Katër vepra filozofike të filozofit të shquar shqiptar, Isuf Luzaj
  • Militantët dhe ekstremistët…
  • Pendimi dhe kërkimfalja…
  • FESTIVALI I 34-TË SHQIPTAR NË NEW YORK – TRASHËGIMIA KOMBËTARE, BASHKIMI KULTUROR DHE KONTRIBUTI I DOM PJETËR POPAJT
  • Peter Lang boton studimin e ri të historianit Romeo Gurakuqi mbi mbijetesën dhe rindërtimin e shtetit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore
  • PAVLLO POPA SHQIPTARI – MALAZEZ, TITAN I  SPAÇIT, DO TË NGELET PISHTAR I LIRISË ANTIKOMUNISTE!
  • MOTRA JENA, SHOQE S’JENA!
  • Drita është pas derës së mbyllur. Çelësi i derës jemi ne!
  • BALTA QË DUHET TA DUAM
  • Arbëria Digital Fest 2026: Tri ditë takimesh për të ndërtuar të ardhmen e Arbërisë përmes kulturës, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar
  • FINAL COUNTDOWN
  • FILATELIA SHQIPTARE NË VITIN 2026: ARRITJE TEMATIKE DHE SFIDA NË ZBATIMIN E PROGRAMIT TË EMETIMEVE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT