• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

2500 euro për të ruajtur përbindëshin: Rama, Frankenstein- i dhe shpresa e një populli

October 21, 2026 by s p

Artan Nati/

Ka çaste në historinë e një vendi kur një shumë parash pushon së qeni thjesht para dhe kthehet në simbol. Dy mijë e pesëqind euro mund të jenë një shpërblim i merituar për një punonjës policie, por, nëse vendosen në sfondin e përplasjes mes pushtetit dhe protestuesve, ato shndërrohen në një pyetje që rëndon mbi ndërgjegjen e shoqërisë: kush po mbron këtu dhe nga kush? Paratë janë të popullit. Janë paratë e studentit që ëndërron një të ardhme dinjitoze, të punëtorit që numëron ditët deri në fund të muajit dhe të biznesmenit të vogël që paguan taksat, qiranë e faturat, ndërsa përpiqet të mbajë dyert hapur. Janë paratë e njerëzve që nuk kanë vila, makina me shoferë dhe zyra ku vendosen fatet e mijëra të tjerëve. Janë paratë e atyre që, me punën e tyre, mbajnë gjallë shtetin dhe shpresën tonë.

Policia meriton paga të drejta, kushte të mira pune dhe shpërblime për shërbimin profesional. Por asnjë shpërblim nuk duhet të krijojë dyshimin se paratë publike po përdoren për të mbrojtur një pushtet nga qytetarët që kërkojnë llogari. Policia duhet të mbrojë ligjin dhe njerëzit, jo të bëhet mburojë personale e atyre që qeverisin.

Dhe këtu fillon tragjedia e Frankenstein-it shqiptar.

Mary Shelley na tregoi historinë e një krijuesi,Frankenstein-it, që solli në jetë një krijesë, por nuk arriti të marrë përgjegjësinë për të. Krijesa, e braktisur dhe e keqkuptuar, u kthye kundër krijuesit të vet. Në politikë, kjo metaforë merr një kuptim edhe më të frikshëm: një popull krijon pushtetin për të organizuar jetën e përbashkët, për të mbrojtur të drejtat, por edhe për të garantuar drejtësinë. Por kur pushteti harron kufijtë e mandatit të vet, ai mund të fillojë ta shohë vetë popullin si kërcënim. Atëherë, krijuesi përfundon përballë krijesës së tij. Dhe krijesa, në vend që të pyesë se ku gaboi, i drejtohet krijuesit me arrogancën e një monstre që ka harruar origjinën:

Ju më sollët këtu! Ju më votuat! Ju më dhatë pushtetin! Çfarë kërkoni tani? Po, zoti Kryeministër, populli të dha pushtetin. Por nuk ta dha Shqipërinë si pronë private. Nuk të dha çelësat e përjetshëm të shtetit. Nuk të bëri pronar të institucioneve, të policisë, të drejtësisë dhe as të së ardhmes së rinisë.

Populli të krijoi për t’i shërbyer, jo për t’i kërkuar llogari pse nuk të bindet. Ne nuk të sollëm në krye që të ndërtoje kopështin e Ed(en)it personal, ku ti të luaje rolin e Adamit, ndërsa të tjerët të hynin e të dilnin sipas vullnetit të kopshtarit. Të dhamë një mandat për të administruar kopshtin e përbashkët, jo për të ndryshuar pronësinë e tij. Por, në këtë version shqiptar të Biblës politike, Edeni duket sikur është shndërruar në Ed(en)i, pronë e një njeriu që rrezikon të ngatërrojë pushtetin e përkohshëm me të drejtën e përhershme për të sunduar.

Në këtë kopësht, disa banorë përballen me drejtësinë për frutat që dyshohet se kanë marrë. Eva, apo Bela ose Agasi etj siç quhen ne politikën tonë, sipas personazheve të kësaj tragjikomedie politike, nuk duhet të jenë as te paprekshëm dhe as të dënuar paraprakisht. Nëse kanë shkelur ligjin, drejtësia duhet të vendosë mbi bazën e provave. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.

Por atëherë lind pyetja që e trondit kopshtarin: nëse banorët e tjerë duhet të japin llogari për mollët dhe dardhat, kush kontrollon atë që administron gjithë pemishten? Kush numëron frutat që dalin nga arka publike? Dhe kush vendos nëse shpërblimi i rojeve është një politikë normale pagash apo një vendim që, në rrethanat e protestave, rrezikon të shihet si përpjekje për të forcuar mbrojtjen e pushtetit?

Nuk është vetë shuma prej 2 500 eurosh që e bën tragjedinë. Tragjedia qëndron te simbolika e saj, te mënyra si përjetohet nga një shoqëri që kërkon drejtësi dhe te frika se, në vend që të dëgjojë qytetarët, pushteti po përqendrohet te mbrojtja e vet.

Dhe jashtë portave të Ed(en)it nuk qëndrojnë vetëm kundërshtarë politikë. Qëndrojnë studentë, të rinj, punëtorë dhe qytetarë që duan të besojnë se ky vend mund të ndryshojë. Janë flamingot e shpresës shqiptare, të brishtë në pamje, por të vendosur të mos pranojnë se largimi nga vendi është e vetmja rrugë drejt një jete dinjitoze.

Ata nuk kërkojnë një fron, por kërkojnë një të ardhme. Ne nuk kërkojmë të bëhemi pronarë të shtetit, por kërkojnë një shtet që nuk ka pronar. Ne nuk kërkojmë të përmbysin ligjin, por kërkojmë që ligji të mos përkulet para pushtetit. Dhe çfarë u ofron politika kur besimi i tyre lëkundet? Nëse përgjigjja që ata perceptojnë është më shumë forcë, më shumë mburoja dhe më shumë para për të ruajtur qetësinë e pushtetit, atëherë hendeku mes qeverisjes dhe shoqërisë rrezikon të bëhet humnerë.

Zoti Kryeministër, a ia vlen egoja e një njeriu të peshojë më shumë se shpresa e një populli?

A ia vlen të mbahesh pas karriges, kur çdo ditë e më shumë qytetarë humbasin besimin se mund të ndërtojnë një jetë të mirë në vendin e tyre? A ia vlen të hysh në histori si njeriu që e shndërroi mandatin në një kështjellë dhe policinë në simbol të distancës mes qeverisë dhe të qeverisurve? Apo ndoshta është më e mençur të tregosh se e kupton kufirin mes pushtetit dhe pronësisë? Të largohesh me vullnetin tënd, kur besimi politik është konsumuar, nuk është domosdoshmërisht humbje. Në një demokraci funksionale, dorëheqja mund të jetë një akt përgjegjësie, një mënyrë për të ulur tensionet dhe për t’i dhënë shoqërisë mundësinë të rifillojë pa e kthyer çdo konflikt në luftë për mbijetesën e pushtetit.

Evropa nuk ndërtohet vetëm duke firmosur dokumente me komisionerët europianë, duke numëruar kapitujt e negociatave apo duke përsëritur fjalën integrim në konferenca shtypi. Ajo ndërtohet duke respektuar institucionet, duke pranuar kufijtë e pushtetit, duke garantuar të drejtën e protestës dhe duke kuptuar se qeveria nuk është pronare e shtetit. Dokumentet mund të firmosen brenda një dite; kultura e llogaridhënies kërkon vite dhe prova konkrete.

Ndoshta prova më e vështirë për një kryeministër nuk është sa gjatë mund të qëndrojë në pushtet, por nëse mund të pranojë se vendi është më i madh se ai vetë.

Prandaj, zoti Rama, hape rrugën nëse bindja jote është se nuk mund ta qeverisësh më vendin me besimin e nevojshëm. Lëre popullin të vendosë përmes mekanizmave demokratikë, jo përmes përplasjes dhe frikës. Lëre policinë të jetë policia e ligjit, jo personazh në një tragjedi ku krijesa duhet të mbrohet nga krijuesi i vet.

Mos lejo që 2 500 eurot të bëhen epitafi politik i një mandati. Mos lejo që shuma e një bonusi të mbetet më e kujtueshme se çdo premtim për drejtësi, zhvillim dhe integrim europian dhe mos e ngatërro largimin nga pushteti me largimin nga historia: ndonjëherë, pikërisht mënyra se si një njeri largohet përcakton se si do të kujtohet.

Ta dish se historia nuk pyet vetëm kush erdhi në pushtet. Ajo pyet edhe çfarë bëri me pushtetin, çfarë la pas dhe nëse pati guximin të ndalej përpara se të shndërronte institucionet në mure rreth vetes.

Zoti Kryeministër, populli nuk të kërkon të bëhesh hero. Të kërkon të mos e trajtosh si armik. Nuk të kërkon të jesh i përjetshëm. Të kërkon të kuptosh se mandati ka një kufi dhe se dinjiteti i një vendi nuk matet me forcën e rojeve që ruajnë pushtetin.

Dhe diçka tjetër, pyetja nuk është nëse Frankenstein-i mund ta mundë krijuesin e vet. Pyetja është nëse krijuesi do ta kuptojë, para se të jetë tepër vonë, se përbindëshi nuk është fati i pashmangshëm i demokracisë. Është paralajmërimi se pushteti, kur harron se kujt i përket, mund të kthehet kundër vetë shoqërisë që e krijoi.

Dhe atëherë, 2 500 eurot nuk do të jenë më thjesht një bonus. Do të mbeten si simbol i një pyetjeje të hidhur: sa kushton ruajtja e një pushteti dhe sa më shtrenjtë paguan një popull kur humbet shpresën?

Filed Under: Fejton

KARRIGET E PUSHTETIT DHE LIRIA E POPULLIT

October 20, 2026 by s p

Atëherë, njerëzit duhej të mësonin se ishin të lirë. Sot, pushteti duhet të mësojë se njerëzit janë të lirë.

Nga Kolec Ndoja

Bashkëthemelues i Partisë Demokratike të Shqipërisë (1990)

Dje, në një letër të hapun drejtuar Kryeministrit Edi Rama, i bana thirrje të dilte përballë qytetarëve që e kundërshtojnë, t’i dëgjonte dhe të pranonte përgjegjësinë që i takon si Kryeministër i të gjithë shqiptarëve.

Sot, më 20 tetor, një skenë domethanëse u zhvillue përpara Kryeministrisë.

Në pamjet filmike të përshkrueme nga kjo ngjarje, Edi Rama shfaqet personalisht në mëngjes, bashkë me ndihmësit e tij, duke përgatitë rreth dhjetë karrige me kartela që mbanin emnat e anëtarëve të kabinetit qeveritar. Nga kjo përgatitje kuptohej synimi që Kryeministri dhe ministrat të dilnin përballë protestuesve për dialog.

Por studentët nuk e pranuen atë organizim. Ata erdhën, i përmbysën karriget dhe vazhduen protestën, ndërsa takimi i parashikuem nuk u zhvillue.

Duhet ta pranojmë përpjekjen e Kryeministrit për atë që ishte: një hap drejt përballjes me qytetarët, të cilën ia kërkova edhe në letrën e djeshme.

Nuk e di nëse ai e ka lexue letrën time. Dhe kjo nuk ka rëndësi.

Rëndësi ka pyetja që lind prej kësaj ngjarjeje:

Pse një përpjekje për dialog, që dikur mund të bashkonte njerëz të gatshëm për t’u përleshë, sot nuk arrin as t’i ulë ata në të njëjtën tavolinë?

Përgjigjja nuk gjendet te karriget.

Gjendet te liria, besimi dhe qëllimi për të cilin një njeri kërkon të flasë me një tjetër.

Kur dialogu lind prej dashnisë për njeriun

Në ditët e para të demokracisë, kur dilja në fshatrat dhe qytetet e Shkodrës për të folë për lirinë e fjalës, të besimit dhe të ndërgjegjes, shpesh përballesha me dy grupe njerëzish që ishin gati të përlesheshin.

Komunistë e demokratë, të rritun në një shoqni ku mendimi ndryshe ishte trajtue për dekada si armik.

Unë nuk shkoja atje për t’i përça.

Nuk shkoja për të kërkue pushtet për veten.

Nuk kisha asnjë interes personal për të mbrojtë dhe asnjë përfitim për të nxjerrë prej përplasjes së tyne.

Shkoja sepse besoja se ata njerëz meritonin të ishin të lirë, ashtu siç ndihesha unë.

Dhe nuk mjaftonte t’u thosha se ishin të lirë.

Ata duhej ta kuptonin vetë lirinë, përpara se të vendosnin se çfarë donin të banin me të.

Prandaj i ftoja të gjithë të më dëgjonin, përfshi edhe ata që më kundërshtonin.

Nuk u kërkoja të më besonin pa më dëgjue.

Nuk u kërkoja të bashkoheshin me partinë time.

Nuk u kërkoja të votonin për mue.

U kërkoja vetëm të mendonin, të pyesnin, të kundërshtonin dhe pastaj të vendosnin me vullnetin e tyne të lirë.

Kur tensionet rriteshin, u thosha:

“Nëse doni të goditni dikë, më goditni mue. Unë ju fal. Por mos u përleshni me njëni-tjetrin në praninë time dhe mos më bani mue shkak të përleshjes suaj.”

Nuk ishte trimni për t’u dukë.

Ishte bindja ime se asnjë shqiptar nuk duhej të lëndohej për shkak të fjalës sime.

Në zemër të asaj bindjeje ishte edhe një mësim i thellë shpirtëror:

“Fali, o Atë, se nuk dinë çka bajnë.”

Jo si gjykim ndaj njerëzve, por si thirrje për mirëkuptim, falje dhe dashni edhe ndaj atyne që nuk të kuptojnë.

Unë nuk doja t’i fitoja njerëzit për vete.

Doja që ata të fitonin veten e tyne.

Të çliroheshin prej frikës.

Të çliroheshin prej urrejtjes.

Të çliroheshin prej bindjes se një shqiptar me mendim tjetër ishte armiku i tyne.

Dhe, vetëm atëherë, të vendosnin vetë.

Kjo ishte demokracia për të cilën besoja se ia vlente të luftonim paqësisht.

Sot, problemi asht krejt tjetër

Studentët që protestojnë sot nuk janë njerëz që presin prej Kryeministrit t’u shpjegojë çfarë asht liria.

Ata e dinë se kanë të drejtë të flasin.

E dinë se kanë të drejtë të protestojnë.

E dinë se kanë të drejtë të kërkojnë dorëheqjen e qeverisë.

Dhe, mbi të gjitha, kanë të drejtë të vendosin vetë se kujt ia japin besimin.

Kjo asht arsyeja pse një ftesë për dialog mund të mos mjaftojë.

Në vitet e para të demokracisë, unë kërkoja t’u hapja njerëzve një derë që diktatura ua kishte mbajtë të mbyllun.

Sot, studentët po kërkojnë që ata që mbajnë pushtetin të mos ua mbyllin përsëri atë derë.

Atëherë, njerëzit duhej të mësonin se ishin të lirë. Sot, pushteti duhet të mësojë se njerëzit janë të lirë.

Ky asht dallimi vendimtar.

Nuk asht vetëm Rama

Do të ishte gabim i madh ta reduktonim këtë krizë në një përplasje ndërmjet Edi Ramës dhe kundërshtarëve të tij tradicionalë.

Sepse problemi i Shqipnisë nuk fillon dhe nuk mbaron me një emën.

Për tridhjetë e pesë vjet, vendi ka përjetue një rivalitet pothuejse të pandërpremë ndërmjet elitave politike që kanë pretendue se përfaqësojnë popullin, ndërsa shumë qytetarë i shohin si gjithnjë e ma të shkëputuna prej jetës dhe nevojave të tyne.

Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta dhe figura të tjera të këtij tranzicioni mbajnë secili përgjegjësinë e vet politike për mënyrën si asht ushtrue pushteti në Shqipni.

Nuk janë të njëjtë në çdo veprim dhe përgjegjësitë e tyne nuk duhen ngatërrue. Por asnjeni nuk duhet të konsiderohet i pazëvendësueshëm dhe asnjeni nuk mund të pretendojë pronësinë mbi vullnetin e qytetarëve.

Për shumë shqiptarë, beteja politike ka ngja tepër shpesh me një luftë ndërmjet elitave për pjesën ma të madhe të pasunisë, ndikimit dhe privilegjeve që sjell pushteti.

Ndërkohë, qytetari ka mbetë spektator i një loje që zhvillohet në emnin e tij.

Prandaj, nëse studentët kërkojnë një Shqipni tjetër, nuk duhet të supozojmë se ata po kërkojnë thjesht rikthimin e një udhëheqësi të vjetër.

Largimi i Ramës nuk duhet të shndërrohet në të drejtën automatike të Berishës, Metës apo kujtdo tjetër për ta trashëgue pushtetin.

Kjo do të ishte vetëm ndërrim i emnave në krye të të njëjtit sistem.

Dhe Shqipnia nuk ka nevojë për një tjetër rrotullim të pushtetit ndërmjet të njëjtave duar.

Ka nevojë që qytetari të mos jetë ma peng i tyne.

Pse u përmbysën karriget e pushtetit?

Rama tentoi të organizonte një përballje publike me studentët. Këtë nuk duhet ta mohojmë.

Por ai e përgatiti takimin sipas një formati të përcaktuem prej qeverisë: karrige për anëtarët e kabinetit, me emnat e tyne të vendosun përpara protestuesve.

Studentët nuk kishin marrë pjesë në përcaktimin e atij formati.

Ata e refuzuen.

Nuk mund t’i dimë të gjitha arsyet e refuzimit pa i dëgjue drejtpërdrejt prej studentëve. Por kjo ngjarje na lejon të shtrojmë një pyetje të rëndësishme:

A mund të ndërtohet besimi përmes një dialogu, kushtet e të cilit i ka përcaktue vetëm pala që mban pushtetin?

Përgjigjja nuk mund të jetë thjesht vendosja e disa karrigeve.

Dialogu nuk matet me numrin e karrigeve përpara një ndërtese qeveritare.

Matet me atë që je i gatshëm të dëgjosh dhe të pranosh prej atij që të kundërshton.

Nëse një Kryeministër i fton studentët të flasin, por e përjashton që në fillim mundësinë që kërkesa e tyne për largimin e tij të jetë legjitime, atëherë dialogu ka një kufi të vendosun prej pushtetit.

Ai mund të dëgjojë pakënaqësitë, por jo domosdoshmërisht të pranojë pasojat politike të tyne.

Dhe qytetarët e lirë kanë të drejtë të mos e pranojnë një dialog të tillë.

Kjo nuk do të thotë se çdo takim me qeverinë asht i pavlefshëm, apo se dorëheqja mund të imponohet jashtë rendit kushtetues.

Do të thotë se dialogu duhet të jetë i sinqertë, pa kushte që e zbrazin prej kuptimit dhe pa u përdorë si mjet për të fitue kohë.

Dhe sinqeriteti i dialogut ka një provë vendimtare:

Rama duhet të tregojë se asht i gatshëm të heqë dorë edhe nga pushteti, nëse kjo asht e nevojshme për t’i hapë rrugë një zgjidhjeje paqësore dhe kushtetuese.

Sepse ai që e vendos qëndrimin e vet në pushtet mbi çdo zgjidhje tjetër, nuk po hyn në dialog për të dëgjue vullnetin e qytetarëve, por për t’i bindë ata ta pranojnë vullnetin e tij.

Guximi i vërtetë i një udhëheqësi nuk asht vetëm të dalë përballë popullit, por të pranojë se populli mund të zgjedhë një të ardhme pa të.

Liria nuk ka nevojë për një pronar të ri

Kjo asht ajo që mësova në fillimet e demokracisë dhe që e besoj edhe sot.

Liria nuk asht dhuratë e një udhëheqësi.

Nuk asht pronë e një partie.

Nuk asht shpërblim që pushteti ua jep qytetarëve kur ata sillen sipas dëshirës së tij.

Liria u përket njerëzve.

Ata mund të zgjedhin drejt ose gabim. Mund të besojnë, të dyshojnë, të kundërshtojnë dhe të ndryshojnë mendim.

Por vendimi duhet të jetë i tyne.

Një udhëheqës që i don vërtet njerëzit, nuk kërkon t’i bajë ata të varun prej tij. Ai dëshiron që ata të jenë aq të lirë, sa të mund ta refuzojnë edhe atë vetë.

Ky ishte qëllimi im atëherë.

Dhe ky duhet të jetë standardi i çdo udhëheqësi sot.

Zoti Rama, nëse studentët nuk ulen në karriget që u ofroni, mos e shihni domosdoshmërisht si mungesë respekti.

Mund të jetë shprehja ma e qartë e një të vërtete demokratike:

Ata nuk kanë nevojë për lejen tuaj për të qenë të lirë.

Dhe nëse besimi i tyne nuk mund të rikthehet, detyra juaj nuk asht t’i bindni me çdo kusht të pranojnë udhëheqjen tuaj.

Detyra juaj asht të respektoni të drejtat e tyne dhe të ndihmoni që institucionet të gjejnë një zgjidhje paqësore, kushtetuese dhe të besueshme.

Pa dhunë.

Pa hakmarrje.

Pa një tjetër marrëveshje të mbyllun ndërmjet elitave për ndarjen e pushtetit.

Dhe pa e zëvendësue një njeri të pazëvendësueshëm me një tjetër.

Në vitin 1990, ne kërkuem t’ia kthenim lirinë qytetarit.

Në vitin 2026, qytetari duhet të jetë i lirë ta ushtrojë atë, pa iu nënshtrue asnjë udhëheqësi.

Sepse sovrani nuk asht ai që ulet në karrigen e Kryeministrit.

Sovrani asht populli.

Dhe karrigia e pushtetit i përket vetëm përkohësisht atij që populli ia beson.

Nuk mjafton të jesh i gatshëm të lëshosh karrigen për të bisedue. Duhet të jesh i gatshëm të lëshosh edhe pushtetin, nëse interesi i vendit e kërkon.

Kolec Ndoja

Bashkëthemelues i Partisë Demokratike të Shqipërisë (1990)

THE CHAIRS OF POWER AND THE FREEDOM OF THE PEOPLE

Then, people needed to learn that they were free. Today, those in power must learn that the people are free.

By Kolec Ndoja

Co-founder of the Democratic Party of Albania (1990)

Yesterday, in an open letter to Prime Minister Edi Rama, I called upon him to face the citizens who oppose him, listen to them, and accept the responsibilities that come with being prime minister of all Albanians.

Today, October 20, a revealing scene unfolded outside the Prime Minister’s Office.

In video footage described from the event, Edi Rama appeared personally in the morning, accompanied by his aides, preparing approximately ten chairs with name cards identifying members of his cabinet. The preparations suggested an intention for the prime minister and his ministers to appear before the protesters for dialogue.

But the students rejected the arrangement. They arrived, overturned the chairs, and continued their protest. The planned meeting did not take place.

We should acknowledge the prime minister’s effort for what it was: a step toward facing the citizens, precisely what I had called upon him to do in yesterday’s letter.

I do not know whether he read my letter. And that is not important.

What matters is the question this event raises:

Why can an attempt at dialogue, which once might have brought together people ready to fight one another, now fail even to bring them to the same table?

The answer is not found in the chairs.

It is found in freedom, trust, and the purpose for which one human being seeks to speak with another.

When Dialogue Comes from Love for Others

In the earliest days of democracy, when I traveled through the villages and towns of Shkodra to speak about freedom of speech, religion, and conscience, I often encountered two groups of people ready to confront one another.

Communists and democrats, raised in a society where disagreement had been treated as an enemy for decades.

I did not go there to divide them.

I did not go there to seek power for myself.

I had no personal interest to protect and nothing to gain from their confrontation.

I went because I believed those people deserved to be free, just as I felt free myself.

And it was not enough to tell them they were free.

They needed to understand freedom for themselves before deciding what they wished to do with it.

That is why I invited everyone to listen, including those who opposed me.

I did not ask them to trust me without hearing me.

I did not ask them to join my party.

I did not ask them to vote for me.

I asked only that they think, question, disagree, and then decide according to their own free will.

When tensions rose, I would tell them:

“If you must strike someone, strike me. I will forgive you. But do not fight one another in my presence, and do not make me the reason for your fight.”

It was not courage performed for an audience.

It was my conviction that no Albanian should be harmed because of my words.

At the heart of that conviction was also a profound spiritual teaching:

“Father, forgive them, for they know not what they do.”

Not as a judgment against others, but as a call for understanding, forgiveness, and love even toward those who do not understand you.

I did not want to win people over for myself.

I wanted them to reclaim themselves.

To free themselves from fear.

To free themselves from hatred.

To free themselves from the belief that another Albanian with a different opinion was their enemy.

And only then, to decide for themselves.

That was the democracy I believed was worth pursuing peacefully.

Today, the Problem Is Entirely Different

The students protesting today are not waiting for the prime minister to explain what freedom means.

They know they have the right to speak.

They know they have the right to protest.

They know they have the right to demand the government’s resignation.

And, above all, they have the right to decide for themselves whom they trust.

That is why an invitation to dialogue may no longer be enough.

In the early years of democracy, I was trying to open a door that dictatorship had kept closed.

Today, students are demanding that those in power not close that door again.

Then, people needed to learn that they were free. Today, those in power need to learn that the people are free.

That is the decisive difference.

It Is Not Only About Rama

It would be a grave mistake to reduce this crisis to a confrontation between Edi Rama and his traditional political opponents.

Albania’s problem does not begin or end with one name.

For thirty-five years, the country has experienced an almost continuous rivalry among political elites who claim to represent the people, while many citizens see them as increasingly disconnected from their lives and needs.

Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta, and other figures of Albania’s transition each bear their own political responsibility for how power has been exercised.

They are not identical in every action, and their responsibilities should not be conflated. But none should be regarded as indispensable, and none can claim ownership of the citizens’ will.

For many Albanians, political competition has too often resembled a struggle among elites for the largest share of the wealth, influence, and privileges that accompany power.

Meanwhile, the citizen has remained a spectator in a game conducted in his name.

Therefore, if students are demanding a different Albania, we should not assume they are simply asking for the return of an old political leader.

Rama’s departure must not automatically become Berisha’s, Meta’s, or anyone else’s entitlement to inherit power.

That would merely change the names at the top of the same system.

Albania does not need another rotation of power among the same hands.

It needs citizens who are no longer held hostage by them.

Why Were the Chairs of Power Overturned?

Rama attempted to organize a public encounter with the students. We should not deny that.

But he prepared the meeting according to a format established by the government: chairs for cabinet members, with their names displayed before the protesters.

The students had not participated in determining that format.

They rejected it.

We cannot know every reason for their refusal without hearing directly from the students themselves. But the event allows us to ask an important question:

Can trust be built through a dialogue whose conditions have been determined solely by the side that holds power?

The answer cannot simply be the placement of a few chairs.

Dialogue is not measured by the number of chairs outside a government building.

It is measured by what you are willing to hear and accept from those who oppose you.

If a prime minister invites students to speak but rules out from the beginning the possibility that their demand for his departure is legitimate, then the dialogue has a boundary imposed by those in power.

He may listen to their grievances without necessarily accepting their political consequences.

And free citizens have the right to decline such a dialogue.

This does not mean every meeting with the government is worthless, or that resignation can be imposed outside the constitutional order.

It means that dialogue must be sincere, free of conditions that empty it of meaning, and not used merely to buy time.

And the sincerity of dialogue faces one decisive test:

Rama must demonstrate that he is willing even to relinquish power if doing so is necessary to open the way toward a peaceful and constitutional resolution.

For a leader who places his continued hold on power above every other solution is not entering dialogue to hear the will of the citizens, but to persuade them to accept his own.

The true courage of a leader is not merely to stand before the people, but to accept that the people may choose a future without him.

Freedom Does Not Need a New Owner

This is what I learned at the beginning of democracy, and what I continue to believe today.

Freedom is not a gift from a leader.

It is not the property of a political party.

It is not a reward that those in power grant citizens when they behave as expected.

Freedom belongs to human beings.

They may choose wisely or unwisely. They may believe, doubt, disagree, and change their minds.

But the decision must be theirs.

A leader who genuinely loves the people does not seek to make them dependent upon him. He wants them to be so free that they can reject even him.

That was my purpose then.

And that must be the standard for every leader today.

Mr. Rama, if the students do not sit in the chairs you offer them, do not necessarily interpret that as disrespect.

It may be the clearest expression of a democratic truth:

They do not need your permission to be free.

And if their trust cannot be restored, your duty is not to persuade them at any cost to accept your leadership.

Your duty is to respect their rights and help the institutions find a peaceful, constitutional, and credible solution.

Without violence.

Without revenge.

Without another closed-door agreement among political elites to divide power.

And without replacing one supposedly indispensable man with another.

In 1990, we sought to restore freedom to the citizen.

In 2026, the citizen must be free to exercise it without submitting to any leader.

Because the sovereign is not the person sitting in the prime minister’s chair.

The sovereign is the people.

And the chair of power belongs only temporarily to the person entrusted with it.

It is not enough to be willing to leave your chair to engage in dialogue. You must also be willing to relinquish power if the country’s interests require it.

Kolec Ndoja

Co-founder of the Democratic Party of Albania (1990)

Filed Under: Fejton

KUSH PO E GJYKON SHKOLLËN, KUR SHOQËRIA KA HARRUAR TË DËGJOJË MËSUESIN?

October 19, 2026 by s p

Emirjana Fili/

Kur të rinjtë dalin në rrugë dhe protestojnë, është e natyrshme të pyesim se çfarë po ndodh me ta. Por unë, si mësuese, do të shtroja edhe një pyetje tjetër: çfarë po ndodh me shoqërinë tonë, kur për çdo problem kërkojmë një fajtor, por rrallëherë pranojmë përgjegjësinë tonë?

Pse protestojnë të rinjtë në Evropë? Pse protestojnë në Shqipëri? Rrethanat nuk janë të njëjta, por në thelb ka një kërkesë që i bashkon: duan të dëgjohen, të kenë mundësi dhe të besojnë se zëri i tyre mund të sjellë ndryshim. Në Shqipëri, kësaj kërkese i shtohet edhe zhgënjimi nga institucionet dhe mungesa e besimit se gjërat mund të ndryshojnë.

Protesta është e drejtë. Të rinjtë kanë të drejtë të kundërshtojnë dhe të kërkojnë llogari. Por edhe shoqëria ka detyrimin t’i dëgjojë, policia të ruajë qetësinë dhe institucionet të përgjigjen me përgjegjësi. Dhuna nuk duhet të jetë as gjuha e protestës, as përgjigjja ndaj saj.

Në këtë debat, shpesh gishti drejtohet nga shkolla. Thuhet se arsimi nuk ka edukuar, se mësuesi nuk ka formuar qytetarë të përgjegjshëm. Por a mund ta gjykojmë shkollën pa parë se çfarë ndodh jashtë saj?

Shkolla nuk është një ishull. Fëmijët nuk e ndërtojnë botëkuptimin vetëm në klasë. Ata shohin familjen, dëgjojnë gjuhën e të rriturve, vëzhgojnë politikën dhe mënyrën se si institucionet i trajtojnë qytetarët. Të gjitha këto i edukojnë, ndonjëherë më shumë se një orë mësimi.

Dewey e lidhte edukimin me përvojën demokratike, ndërsa Hannah Arendt na kujton përgjegjësinë e të rriturve për botën që u lënë të rinjve. Kjo përgjegjësi nuk mund të mbetet vetëm mbi supet e mësuesit.

Prej vitesh, mësuesit u janë përshtatur reformave, metodave të reja, teknologjisë, platformave dhe dokumentacionit. Kanë marrë përsipër gjithnjë e më shumë detyra. Por edukimi nuk matet me numrin e dokumenteve të plotësuara dhe as cilësia e shkollës nuk garantohet vetëm nga digjitalizimi. Mësuesi ka nevojë edhe për besim, autonomi profesionale dhe autoritetin që i lejon të bëjë punën e tij me përgjegjësi.

Nuk po them se shkolla nuk ka probleme. Ka, dhe duhen diskutuar. Por një gjë është të kërkosh përmirësim, e tjetër ta bësh shkollën përgjegjëse për çdo dështim të shoqërisë.

Më duket e padrejtë të kërkojmë nga mësuesi të formojë të rinj që respektojnë rregullat, kur shembujt që ata shohin jashtë shkollës nuk e përforcojnë gjithmonë këtë mësim. T’i kërkojmë të edukojë me demokraci, ndërkohë që nuk i japim gjithmonë hapësirën dhe respektin që meriton, është një kundërthënie që duhet ta pranojmë.

Prandaj, përpara se ta vendosim shkollën në bankën e të akuzuarve, le të pyesim edhe familjen, institucionet dhe politikën se çfarë përgjegjësie kanë. Sepse një brez nuk edukohet vetëm nga ajo që i thuhet në klasë, por edhe nga ajo që sheh dhe përjeton çdo ditë.

Shkolla duhet të mbajë përgjegjësinë e saj, por nuk mund të mbajë përgjegjësinë e të gjithëve. Nëse duam të rinj që mendojnë, kundërshtojnë dhe marrin përgjegjësi, duhet t’u japim mundësinë të flasin dhe t’i dëgjojmë seriozisht. Dhe nëse duam mësues që edukojnë qytetarë të përgjegjshëm, duhet t’u japim besimin, autoritetin dhe dinjitetin që ky mision kërkon.

Në fund, pyetja nuk është vetëm çfarë nuk po bën shkolla. Pyetja është edhe çfarë nuk po bëjmë ne si shoqëri.

Filed Under: Fejton

Grushti institucional

October 18, 2026 by s p

Prof. Dr. Romeo Gurakuqi/

Vendi asht praktikisht pa Parlament, sepse Kryeministri nuk lejon funksionimin normal dhe mbledhjen e tij. Ndërkohë, Kryetari i Parlamentit nuk kryen detyrat e tij kushtetuese për mbledhjen e organit sovran, sipas kalendarit të aprovuem.

Vendi, prej 5 ditësh asht edhe pa një Këshill Ministrash, që si rregull ushtron përgjegjësi kolegjiale, ndërsa Prokurori i Përgjithshëm dhe Ministri i Drejtësisë heshtin përballë nji krize që po prek themelet e rendit kushtetues, të drejtat e liritë qytetare.

Presidenti i Republikës nuk po ushtron as ato funksione kushtetuese mbetëse, pas reduktimit të vazhdueshëm të kompetencave të tij: nuk asht në gjendje të thërrasë as tryezen e partive politike dhe nuk ngucet moralisht as për thirrjen e nji mbledhjeje konsultative me intelektualët aktivë në jetën publike, për të gjetur rrugëdaljet nga kriza.

Opozita parlamentare, ndërkaq, për arsye të pakuptueshme, asht vënë në pamundësi reale për të përdorë mjetet institucionale që Kushtetuta dhe sistemi parlamentar ia njohin, për thirrjen në seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit.

Duket se të gjithë janë komodë me heshtjen, ose, thanun ndryshe, askush nuk guxon t’ia prishë heshtjen dhe dramën e panikut që ka përfshi KM, në bunkerin e tij, që nuk e dimë ku ndodhet.

Kemi mbërritë në një pikë ku mekanizmat e kontrollit, balancimit dhe përgjegjësisë institucionale janë paralizue pothuajse njëkohësisht dhe tanësisht.

Kur institucionet pengohen, paralizohen ose heshtin, shteti pushon së funksionuari si republikë kushtetuese dhe rrezikon të reduktohet në vullnetin e nji njeriu, që i fshihet publikut. Sonte ngjante se Prime Minister Office komandohej nga analfabeti i ndritun Skender Hitaj. Çfarë fatkeqësie për Shqipninë! (Për të mos u harruar hyrja triumfale e këtij tipit në ndërtesën e Këshillit të Ministrave: me çfarë lehtësie ! me çfarë tagri kryepolici hyn vetë, si zot shpije, në zyrën kryesore ekzekutive?!)

Jo vetëm pas nji situatë të tillë, por që kur ky tipi e shndërroi oborrin e ministrisë së dijes në burg ku lidheshin me zinxhirë studentët, SPAK duhej së paku të kishte nisë, kryesisht dhe pa asnjë vonesë, verifikimin e veprimeve të dyshuara si të paligjshme të drejtuesve të Policisë së Shtetit, si dhe të mosveprimeve të mundshme të Ministrit të Brendshëm, lidhur me lejimin, tolerimin ose mosparandalimin e shkeljeve procedurale dhe të të drejtave kushtetuese të qytetarëve gjatë ndërhyrjeve policore.

Në nji shtet të së drejtës, askush nuk mund të jetë jashtë kontrollit të ligjit dhe asnjë zinxhir komandues nuk mund të mbetet i paprekshëm nga hetimi kur ngrihen dyshime serioze për cenimin e lirive dhe garancive kushtetuese.

Edhe Avokati i Popullit, institucioni që pikërisht në momente të tilla duhet të jetë ndër zërat e parë në mbrojtje të qytetarëve dhe të të drejtave të tyne, duket sikur asht zhdukë nga qarkullimi publik.

Nji shkallë e tillë e bllokimit institucional, nuk asht pa as në dimnin e madh të viteve 1990–1991, kur Shqipnia po dilte nga diktatura. Vërshimi i milicisë patronazhiste me armë ndër rrugicat e Tiranës ka ndodhur për herë të fundit natën e 4 shkurtit 1944.

Paradoksi i natës së 17 tetorit 2026 asht edhe ma i randë: institucionet ekzistojnë formalisht, Kushtetuta ekziston, ligjet ekzistojnë, por nji pjesë thelbësore e mekanizmave që duhet t’i vëndosin ato në lëvizje, ose nuk funksionojnë, ose heshtin, ose pengohen të ushtrojnë kompetencat e veta.

Kjo nuk asht ma vetëm krizë politike. Asht krizë e funksionimit të vetë rendit kushtetues, asht nji grusht shteti, asht pragu i fundit drejt kaosit.

Pyetja qe të gjithë ia dimë përgjegjen asht kjo: kush asht autori i grushtit kundër funksionimit të institucioneve të shtetit demokratik?

Filed Under: Fejton

Atdheu im, ti ke një uri të çuditshme për heronj

October 14, 2026 by s p

Irena Dragoti/

Tre dekada në udhë, Atdhe, por ti pa lëvizur nga vendi.

Atdhe, sa herë duhet të dalim në rrugë për të të kërkuar atë që duhej të na e kishe dhënë si të drejtë, jo si mëshirë? Sa herë duhet të ngremë zërin që të na dëgjosh, pa u bërë borizanë që ia prish qetësinë pushtetit? Kanë kaluar më shumë se tri dekada dhe ne ende kthehemi te të njëjtat sheshe, me të njëjtat ankesa, me të njëjtat shpresa të plagosura, sikur historia të ketë ngecur në një rreth vicioz.

Kohët kanë ndryshuar, Atdhe, por ti ke mbetur peng i vetvetes.

Kanë ndryshuar brezat, teknologjia, lëvizja e lirë dhe mënyra si komunikon bota. Janë hapur dyer që dikur dukeshin të pakapërcyeshme. Kemi ndërtuar jetë të reja, me të cilat të krahasojmë e kthejmë sytë nga ti, me pyetje të vjetra.

Ku është drejtësia, dinjiteti apo ai shteti që nuk të detyron të lutesh për atë që të takon?

Pse qytetari duhet të bëhet protestues i përhershëm si kusht për të jetuar me ndershmëri në vendin e vet?

Dhe kështu, pas më shumë se tridhjetë vitesh, jemi përsëri në rrugë. Në rrugë babai im, në rrugë unë e tani në rrugë fëmija im. Jo sepse besojmë se dikush do të na dëgjojë, por sepse heshtja rrezikon të na bëjë bashkëfajtorë.

Pushteti na ofron shpjegime për dështimet e veta e kur i kërkojmë të ardhmen na përgjigjet me të kaluarën e dhunshme. Kërkojmë përgjegjësi dhe na servirin emra të rinj, të cilët, sapo ulen në karriget e vjetra, fillojnë të ngjajnë çuditërisht me ata që zëvendësuan.

Atdhe, ti ke një uri të çuditshme për heronj.

Prej dekadash nuk po ngopesh së kërkuari shpëtimtarë. Heronj të rinj për të zgjidhur plagët e vjetra, për të na çliruar nga dobësia e institucioneve, për të mbuluar vogëlsinë e një sistemi që nuk ka mësuar ende t’i shërbejë njeriut.

Por një vend që ka nevojë për heronj çdo mëngjes duhet të pyesë veten a ekziston???

Dhe ndërsa ti kërkon heronj, ndodh paradoksi që do të duhej të na turpëronte të gjithëve. Ata që duhet të ishin ende duke studiuar, duke lexuar, apo duke u formuar janë në rrugë të vendosin për fatin e etërve.

Ata nuk e falin padrejtësinë edhe kur ju leverdis, që të mos habiten kur ajo u troket në derë.

Atdhe, çfarë fytyre kemi para teje kur nuk kërkojmë lavdi, por një jetë të ndershme, drejtësi të barabartë dhe mundësinë për të mos u larguar nga vendi që duam???

Pse duhet të bëhemi heronj për të fituar të drejtën tonë?

Mbi tri dekada, Atdhe, që dalim në rrugë për të zgjidhur hallet tua, që në të vërtetë janë hallet tona. Kemi pritur që të ndryshosh, kemi ndërruar stinët e historisë, por nuk e di sa dekada të tjera do të na duhen për ta kuptuar se një atdhe nuk bëhet nga numri i heronjve që nxjerr, por nga numri i qytetarëve që duan të jetojnë me dinjitet.

E ndjej se shumë shpejt ti do të pushosh së kërkuari heronj për të kërkuar llogari. Do të pushosh së duartrokituri premtimet pa prekur veprat. Nuk do të matesh madhështinë e një njeriu nga sa njerëz e ndjekin, por nga sa të lirë mbeten ata që nuk e ndjekin.

Atdhe nënkupton cilësi jete që u ofron njerëzve të vet, drejtësia që u garanton, dinjiteti që ua mbron dhe e ardhmja që u jep arsye të qëndrojnë.

Dhe nëse, pas më shumë se tri dekadash, ne ende duhet të dalim në rrugë për të kërkuar këto, atëherë ndoshta pyetja më e dhimbshme nuk është pse nuk kemi arritur të ndryshojmë atdheun, por mos vallë kemi lënë vetëm heronjtë??

Mbi tri dekada në rrugë, Atdhe, pa mundur të të bëjmë vendin ku dashuria për ty të mos na kushtojë kaq shtrenjtë.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 126
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kjo është Demokracia Amerikane
  • PATRIOTI HASAN HYSO ORMENI, KOMANDANTI TRIM I VELÇËS QË SFIDOI PUSHKËT DHE REGJIMET PËR SHQIPËRINË DEMOKRATIKE
  • Pse Lidhja e Lezhës dhe Skënderbeu nuk e morën dot qytetin e Danjës?
  • Elis Hyshmeri: “Skulptura, arti që komunikon përmes formës, simbolikës dhe emocionit, pavarësisht gjuhës apo kulturës”
  • Përtej ndryshimeve politike në Uashington: Pse partneriteti shqiptaro-amerikan do të mbetet i palëkundur
  • “Lost in Translation”: The “Ghost” of Institutional Memory in the Albanian Education System
  • DEMOKRATI AT GJON SHLLAKU
  • INTEGRIMI EVROPIAN NUK MUND TË JETË ALIBI PËR KORRUPSIONIN DHE KAPJEN E SHTETIT!
  • LAHUTA E FAMILJES SHKRELI – NGA LUKË TOMA SHKRELI TE VASEL GJERGJ SHKRELI
  • Absurdi gazetaresk dhe Il Duce
  • FEDERATA VATRA URON VEDAT GASHIN PËR RIZGJEDHJEN NË BORDIN E LEGJISLATORËVE TË WESTCHESTER COUNTY
  • VATRA URON JOE HOXHA PËR RIFITIMIN E MANDATIT NË CONNECTICUT
  • GAZETA DIELLI NJOFTON VATRANËT, ABONENTËT DHE KOMUNITETIN PËR DIELLIN E FLAMURIT KOMBËTAR
  • A Congratulatory Message to Governor Hochul from Vatra President Elmi Berisha
  • FADIL BERISHA NDEROHET NË VATIKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT