


Rafaela Prifti/
Ka rrëfimtarë të fjalës siç ka dhe rrëfimtarë të penelit. Vittore Carpaccio ishte mjeshtër i pikturës veneciane i njohur si piktori i rrëfimtarisë së Rilindjes së Venedikut. Arti i tij vlerësohet për thellësinë e perspektivës dhe detajeve arkitekturale, por prejardhja e tij debatohet një faktor i ndihmuar nga pakësia e vëllimeve monografike për të. Qëmtimi i origjinës së tij për të provuar prejardhjen shqiptare është në qendër të materialeve filmike të serisë Panteoni i Harruar me ide dhe skenar të Gëzim Gjyrezit, gazetarit me shumë kredenciale të TV shqiptar, i cili jeton në Amerikë prej vitesh. Pasditen e së shtunës, më 2 maj në Producers Club në Nju Jork, për gati një orë, dokumentari piketoi opusin e pasur të Vittore Carpaccio-s që nga veprat e hershme dhe pikturat në vaj si Virgjëresha dhe Fëmija tek panelet e altarëve në seritë si Legjenda e Shën Ursulës për Scuola Dalmata di San Giorgio degli Schiavoni dhe cikli i pikturave Jeta e Virgjëreshës e të tjera në koleksionin kushtuar Scuola degli Albanesi. Vëllazëritë venedikase të shekullit 15 siç ishte Shkolla Shqiptare kishin funksione fetare, sociale dhe bamirëse.
Në kërkim të zbulimit të origjinës së Carpaccio-s, autori i dokumentarit ndjek pikturat dhe restaurimet e disa punimeve në muzeume dhe qendra muzeale në Evropë nga Italia në Slloveni e Kroaci (“pretendentët e qytetarisë së tij”) deri në muzeun e madh të artit Metropolitan (MET) në Nju Jork. Në dokumentar zbulohen fakte interesante të autorësisë së rikthyer çka do të thotë se në varësi të kohës kur mund të keni vizituar pavijonin e Rilindjes evropiane ka të ngjarë të keni parë pikturën e Carpaccio-s të prezantuar gabimisht nën emrin e Albrecht Dürer, siç është rasti i pikturës së vitit 1510 Portreti i një Mbreti, ekspozuar në Madrid. Paralelisht me rikthimin e emrit të Carpaccios në pikturat e restauruara, materialet filmike intervistojnë historianë të artit figurativ si piktori italian i shekullit 19 Pompeo Molmenti, autor i monografisë së vitit 1906, Patricia Fortini Brown, dhe studiues shqiptarë, ndër të cilët, Profesor Shyqri Nimani, Prof. Koçollari që përforcojnë tezën e prejardhjes shqiptare të piktorit rilindës.
Gëzim Gjyrezi e ndërton tablonë e origjinës së Carpaccio-s duke nisur nga hamendësia e vitit të lindjes (rreth 1460 – 1465) dhe vdekjes 1525-1526 tek evidentime të tjera jetësore përfshirë studimin e vitit 1648 nga një biograf i hershëm Carlo Ridolifu, ku shfaqet emri Carpaccio. Ky është fakt me rëndësi duke qenë se vetë mjeshtri ka vënë nënshkrimin Vetore Scharpaço dhe më vonë Vetor Scarpazo në dy piktura të ruajtura në Museo Correr në Venecia.
Saktësia e arkitekturës veneciane dhe vërtetësia e jetës së qytetarëve në pikturën e Carpaccio-s i kanë dhënë historianëve të kohës sonë pasqyrën më reale të kulturës së Venedikut në shekujt 15-16. Në hyrje të viteve 1500 piktori kompletoi dhe e pasuroi ciklin narrativ të tre shenjtëve mbrojtës Shën Gjergji, Shën Xherome dhe Shën Trifoni si edhe serinë e Virgjëreshës. E kuqja e spikatur e Carpaccio-s madje ka dhënë edhe frymëzime gastronomike. Në vitet e fundit ai përfundoi veprën Martirizimi i të Dhjetëmijërave (1515) dhe pikturoi për komunitete dhe mjedise modeste deri sa ndërroi jetë në rajonin e Kapodistria-s të Republikës venedikase, në territorin e Sllovenisë së sotme. Ekspozita e parë retrospektive jashtë Italisë me 45 piktura dhe 30 vizatime të restauruara të Carpaccio-s u hap në Galerinë Kombëtare të Arteve në Uashington DC nëntor 2022 – shkurt 2023, shoqëruar me një katalog dhe botim ilustrues, një legjitimim i vendit të tij në artin e pikturës së Rilindjes dhe influencës tek pasardhësit.
Premiera filmike në Nju Jork e serisë Panteoni i Harruar me ideator dhe skenarist Gëzim Gjyrezi dhe ekipin e tij realizator kushtuar Carpaccio-s u vlerësua nga audienca me përgëzime dhe inkurajim për autorin dhe me mirënjohje të veçantë për bashkëshorten e tij, Mira Gjyrezi. Në sallë kishte miq dhe të ftuar nga larg e afër që nga Kanadaja, Pensilvania, Nju Xhersi dhe Long Island. Zëri “emblemë” i gazetarit autoritar të TV, dhe më pas diplomatit dhe studiuesit Virgjil Kule në dokumentar u cilësua si një “vlerë me peshë” për projektin filmik, i cili ka një shtrirje kohore mbi trevjeçare. Në vazhdim krijuesi i serisë do sjellë mbështetje shtesë për prejardhjen shqiptare të mjeshtërve të mëdhenj si Vittore Carpaccio e të tjerë.
Foto: Gëzim Gjyrezi, Jorgji Muzakado