• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHOWBIZ APO SHOWPIS?

October 5, 2026 by s p

Fejton nga  Rafael Floqi

Turpi është më i vjetër se ligji, më i vjetër se gjykata dhe ndoshta më i vjetër edhe se shteti. Ai lindi kur njeriu kuptoi se nuk jetonte vetëm, se veprimet e tij kishin një kufi dhe se përtej atij kufiri fillonte gjykimi i tjetrit, por edhe gjykimi i ndërgjegjes së vet. Njeriu i turpëruar ul sytë, mbulon fytyrën, dëshiron të fshihet. Jo vetëm sepse e panë, por sepse e di se ka diçka që nuk do të donte të ishte parë.

Romakët kishin fjalën turpis: diçka të shëmtuar, të pahijshme, të ulët, moralisht të dënueshme. Prej së njëjtës familje vinte turpitudo, shëmtia morale. Pra turpi nuk lindi me internetin, as me telefonin celular dhe as me videot erotike që sot kalojnë nga një ekran shqiptar në tjetrin. Turpi lindi bashkë me kufirin moral.

Edhe shqipja e ka një fjalë edhe më therëse: i pacipë.

Cipa është ajo shtresë e hollë që ndan atë që mund ta bësh nga ajo që, megjithëse mundesh, nuk duhet ta bësh. I paturpi mund të ketë humbur ndjenjën e turpit; i pacipi ka shkuar një hap më tej: nuk skuqet më. E kalon kufirin dhe sillet sikur kufiri nuk ka ekzistuar kurrë.

Dhe pikërisht këtu fillon debati shqiptar i këtyre ditëve.

Na thanë se fajin e ka publiku. Publiku qenka vuajerist. Publiku kërkon linkun. Publiku fut hundët në jetën private. Publiku qenka i sëmurë.

Mirëpo, ngadalë.

Njerëzit nuk janë të gjithë vuajeristë 

.Njeriu që dëgjon se ka shpërthyer një skandal në majën e showbizit dhe pyet se çfarë ka ndodhur nuk është medoemos një pervers me dylbi pas perdes. Mund të jetë një qytetar që pyet:

— Deri këtu paskemi mbërritur?

Vuajerizmi klasik kërkonte fshehtësi: një perde, një vrimë çelësi, një dritare gjysmë të hapur. Sot kemi shpikur diçka tjetër: vitrinën. Shko në Bruksel, në zemër të Evropës, dhe në disa rrugë të lagjes së dritave të kuqe erotika është vendosur fizikisht pas xhamit. Nuk ke nevojë të përgjosh; vitrina është pjesë e biznesit. Shko në njё Peep show.

Edhe showbizi modern, në një kuptim tjetër, ka adoptuar prej kohësh logjikën e vitrinës:

Shikomë! Klikomë! Ndiqmë! Shiko pushimet e mia, trupin tim, të dashurin tim, ndarjen time, pajtimin tim, dasmën time, divorcin tim! 

Dhe emrat e tyre bëhen më tërheqës, eskorta, vajzat e show bizit apo influenciere por këto emra janë njё lustër e “zanatit më të vjetër në botë”. 

Pastaj, kur vitrina çahet:

— Çfarë kërkoni këtu, vuajeristë?!

Po prit. Na solle vetë deri te vitrina.

Çfarë është, në fund të fundit, një pjesë e reality TV, nëse jo Vuajerizmi i institucionalizuar? Big Brother e ka kthyer shikimin e jetës së të tjerëve në spektakël kombëtar: kamera në mëngjes, kamera në darkë, kamera kur ha, kur grindesh, kur dashurohesh. Një lloj turbo-vuajerizëm masiv, por i paketuar si argëtim.

Kjo nuk do të thotë se dikush fiton të drejtën të publikojë materialet intime të tjetrit pa leje. Jo. Privatësia mbrohet nga ligji dhe duhet mbrojtur. Nëse dikush regjistron fshehurazi një partner, nëse kjo provohet, ka përgjegjësi të rëndë morale dhe ligjore. Nëse dikush e publikon materialin pa pëlqim, përgjegjësia vazhdon.

Por këtu bëhet një dredhi tjetër: nga e drejta për privatësi po përpiqemi të kalojmë te ideja se sjellja private nuk mund të gjykohet kurrë moralisht.

Pse?

Nëse një burrë me një angazhim sentimental tradhton partneren me vetëdije, është tradhti. Nëse një grua tradhton burrin ose partnerin, është po ashtu tradhti. Barazia nuk mund të nënkuptojë se morali vlen vetëm për njërën gjini.

Dhe nëse marrëdhënia intime përdoret për favore, karrierë, rol, këngë apo famë — nëse kjo provohet — atëherë nuk kemi më thjesht seks. Kemi pazar.

Po kompozitori?

Sigurisht që përgjegjësia morale nuk mund t’u faturohet vetëm grave. Mos vallë turpi ka gjini? Nëse ai ka qenë pjesë e marrëdhënieve të tilla, përgjegjësia është edhe e tij. Nuk mund të kemi emancipim në skenë dhe patriarkalizëm në faturën e turpit.

Prandaj pyetja “Kush duhet të ketë turp?” nuk ka vetëm një përgjigje.

Në krijimtarinë popullore shqiptare, turpi dhe nderi shihen si shtyllat kryesore të karakterit të njeriut. Format më të shpeshta për t’iu referuar dikujt që nuk ka turp janë shprehjet se ai “ka ngrënë turpin me bukë”

Turp mund të jetë të tradhtosh. Turp mund të jetë të mashtrosh. Turp mund të jetë të përdorësh seksin për interes. Turp mund të jetë të regjistrosh pa dijeni. Turp mund të jetë të publikosh intimitetin e tjetrit. Turp mund të jetë ta përdorësh atë për shantazh.

Dhe po, edhe shpërndarja ka përgjegjësi.

Por mos e përdorni fjalën vuajerist si detergjent moral për të larë gjithë pjesën tjetër të historisë. Ai që pyet “çfarë ndodhi?” nuk është automatikisht pervers. Dikush mund të kërkojë linkun nga epshi; një tjetër nga kurioziteti; një tjetër sepse nuk beson atë që dëgjon; një tjetër sepse kërkon të kuptojë deri ku ka shkuar pacipësia e një pjese të botës së spektaklit.

Kurioziteti nuk të jep të drejtën ta shpërndash intimitetin e tjetrit. Por as privatësia nuk duhet përdorur si gomë për të fshirë pyetjet morale.

Përndryshe mbërrijmë në absurd:

Ai që tradhton — viktimë.

Ai që përdor seksin për interes — viktimë.

Ai që mund të ketë regjistruar pa leje — viktimë.

Ai që mund ta ketë shpërndarë — viktimë.

Dhe në fund mbetet vetëm një fajtor: budallai që pyeti çfarë kishte ndodhur.

Por historia shqiptare e videove ka edhe një kat më sipër. Atje ku mbaron showbizi dhe fillon politika.

Sepse Shqipëria ka zhvilluar një aftësi të jashtëzakonshme: sa herë politika bëhet shumë e pistë, ekrani bëhet papritur shumë rozë.

Një tender? Prit.

Një aferë? Prit.

Një dosje? Prit.

Një skandal korrupsioni? Prit edhe pak.

Dhe pastaj:

BAM!

Një histori seksi.

Republika harron buxhetin, korrupsionin, institucionet, SHISH-in dhe fillon të numërojë çarçafët.

Këtu gazetaria duhet të bëjë disa pyetje shumë më pak erotike: Kush i kishte materialet? Prej kur? Kush dinte për to? Pse dolën pikërisht tani? Dhe cili skandal u largua nga faqja e parë në çastin kur ato dolën?

Këto pyetje nuk provojnë se qeveria i kishte apo i përdori materialet. Por janë pyetje legjitime. Nëse një ditë do të provohej se struktura shtetërore ose politike kishin dijeni për materiale komprometuese dhe i ruanin për momentin e përshtatshëm, atëherë nuk do të kishim më një skandal showbizi.

Do të kishim kompromat.

Dhe kompromati është shumë më i rrezikshëm se pornografia.

Pornografia kërkon spektator.

Kompromati kërkon pushtet.

Politikani e njeh mirë një sekret të vjetër: një krevat kuptohet për pesë sekonda; një koncesion kërkon pesëdhjetë faqe. Një video intime përhapet në mijëra telefona brenda një ore; një kontratë publike prej miliona eurosh mund të mos lexohet as nga një mijë njerëz.

Prandaj historia rozë është perde e mrekullueshme.

Ndërsa Shqipëria pyet:

— Me kë fjeti?

dikush duhet të vazhdojë të pyesë:

— Po milionat ku shkuan?

Ndërsa portalet numërojnë videot, gazetari duhet të numërojë kontratat. Ndërsa studioja diskuton moralin e këngëtares, dikush duhet të diskutojë moralin e ministrit. Sepse mund të ketë turp në një dhomë gjumi, por mund të ketë një mijë herë më shumë turp në një zyrë shteti.

Asgjë nga kjo nuk është krejt e re. Oborret mbretërore kishin dashnore, kabaretë kishin yje, artistët kishin aventura dhe politikanët skandale. Seksi, fama, pushteti dhe interesi kanë fjetur në të njëjtin krevat shumë kohë përpara shpikjes së smartfonit. E re është teknologjia. Dikur sekreti pëshpëritej në kafene; sot ngarkohet në server. Dikur skandali udhëtonte me tren; sot mbërrin me WhatsApp para se burri të ketë mbaruar kafenë.

Dhe pastaj dalin moralistët:

— Mos gjykoni!

Dakord. Por pse ju na gjykoni ne?

Pse ai që pyet është menjëherë vuajerist, ndërsa personazhi publik duhet të jetë përtej çdo gjykimi moral? Pse publiku duhet të ketë turp nga kurioziteti, ndërsa nga fjalori duhet të zhdukim fjalët besnikëri, përgjegjësi, karakter, kufi dhe turp?

Jo.

Ligji duhet të mbrojë privatësinë. Shoqëria duhet të mbrojë dinjitetin. Por as ligji, as emancipimi dhe as moderniteti nuk e kanë shfuqizuar ndërgjegjen.

“Turpi është pasqyra e ndërgjegjes: dhemb jo sepse të panë të tjerët, por sepse, më në fund, e pe veten.” 

Sepse turpi nuk është vetëm të të shohin.

Turp mund të jetë ajo që bën.
Turp mund të jetë të tradhtosh.
Turp mund të jetë të filmosh fshehurazi.
Turp mund të jetë të publikosh.
Turp mund të jetë të shesësh intimitetin për interes.
Turp mund të jetë të përdorësh intimitetin e tjetrit për pushtet.

Dhe pacipësia fillon pikërisht atëherë kur, pasi i ke bërë këto, ngrihesh për t’i shpjeguar shoqërisë se ajo duhet të ketë turp.

Në fund, ky është paradoksi shqiptar: kemi turp nga krevati, por jo gjithmonë nga korrupsioni; na skuq faqen seksi, por jo tenderi; diskutojmë me ditë se kush hyri në dhomën e kujt dhe harrojmë të pyesim kush futi dorën në arkën e shtetit.

Prandaj mos na quani të gjithëve voyeuristë vetëm që të na mbyllni sytë.

Në Bruksel vuajerizmi ka dalë në vitrinë.De ndërsa Shqipëria vazhdon të pyesë:

“Kush shkoi me kë?”  Gazetaria duhet të vazhdojë të bëjë pyetjen që nuk ka as seks, as muzikë, as çarçafë:

“KUSH VODHI ÇFARË?”

Sepse showbizi mund të jetë bërë pis.

Por pisllëku më i kushtueshëm është ai që paguhet me paratë e publikut.

Dhe kompozitorit, me gjithë haremin e vet  pasi të mbarojë kjo histori, mund t’i mbetet të shkruajë vetëm një operetë të re: “Për Porno dhe orkestër.” 

Ai në intimitet i pat thënë njё miku: “Pёr mua seksi është si çelësi i solit, pa të nuk nis muzika.”

Ndërsa kori, nga fundi i skenës, mund t’ia kthejë:  “Të dija të vogël t’i më qenke 60 vjet, 

 Lëri nazet, se s’të kanë lezet.”

Filed Under: Fejton

Ah, ky telefoni! Dashuri apo tradhti?

September 25, 2026 by s p

Fejton nga Rafael Floqi

Në Shqipëri telefoni është bërë sendi më besnik i njeriut. E merr me vete në zyrë, në makinë, në darkë dhe në gjumë. I beson bisedat që nuk do t’ia thuash askujt. Pastaj vjen dita kur atë e marrin hetuesit dhe telefoni tregon kujt i ke shkruar, kur i ke shkruar dhe çfarë ke ruajtur. Ah, ky telefoni! Nuk di të mbajë anë.

Sipas raportimit, telefonat e sekuestruar pas arrestimit të Ergys Agasit dhe Uljan Shpatarakut kanë hapur pista hetimi që shkojnë përtej dy njerëzve në një makinë. Mes tyre është edhe dyshimi më tronditës: që drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, mund t’i ketë dhënë informacione sekrete Agasit gjatë kohës kur ai kërkohej nga drejtësia. Prokuroria e Posaçme ka konfirmuar se Hyseni është nën hetim dhe se gjykata ka vendosur ndaj saj arrest në shtëpi dhe pezullim nga detyra. Përgjegjësia e saj penale mbetet për t’u provuar.

Le të ndalemi një çast këtu. Shërbimi sekret ekziston që të mbrojë shtetin nga rreziqet. Nëse vërtetohet se njeriu në krye të tij i ka përcjellë informacion të mbrojtur një personi civil nën hetim, i cili kërkohej nga drejtësia, atëherë kemi të bëjmë me një përmbysje të detyrës së institucionit. Sekreti që qytetari ia beson shtetit për sigurinë e përbashkët mund të ketë përfunduar në duart e atij prej të cilit shteti duhej ta ruante.

Në Shqipëri telefoni është bërë sendi më besnik i njeriut. E merr me vete në zyrë, në makinë, në darkë, madje edhe në gjumë. I beson fjalët që nuk do t’ia thoje askujt. Pastaj vjen dita kur telefoni përfundon në duart e hetuesve dhe kujtesa e tij del më e fortë se kujtesa e të gjithëve.

Ah, ky telefoni! Nuk di të mbajë anë.

Në mesazhet që mediat thonë se janë administruar në dosjen ndaj ish-drejtueses së SHISH-it, Vlora Hyseni, dhe Ergys Agasit, lexohen fjalë të ngrohta: “zemër”, “shpirt”, “halli jot”. Por çështja që duhet të sqarojë drejtësia fillon aty ku një hall vetjak duket se kthehet në hall të përbashkët. Një nga mesazhet e publikuara thotë: “Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot… Të gjithë ne.” 

Kush janë “ne”? Kjo është pyetja që telefoni ia lë hetimit. Sepse drejtuesja e shërbimit sekret mund të ketë një jetë private, por detyra e saj publike kërkon një kufi të qartë: informacioni i shtetit nuk mund të bëhet pjesë e hallit të një personi nën hetim.

Sipas raportimeve për dosjen, Hyseni i tregonte Agasit edhe për takimet e saj, përfshirë ato me kryeministrin. Kjo nuk provon se kryeministri dinte për bisedat apo ishte i përfshirë në ndonjë veprim të paligjshëm. Por e bën pyetjen edhe më të mprehtë: përse axhenda e drejtueses së SHISH-it duhej t’i shkonte një personi që kërkohej nga drejtësia? 

Pastaj del shprehja që tingëllon si refreni i këtij fejtoni: “Do t’ia hedhim.” Kujt do t’ia hidhnin? Kohës, hetimit, apo frikës së tyre? Telefoni e ruan fjalinë; kuptimin e saj duhet ta përcaktojnë provat. Edhe masa e arrestit në shtëpi ndaj Hysenit është masë sigurie, jo vendim fajësie.)

Agasi është përmendur në hetimet për një grup të strukturuar kriminal të lidhur me tenderët e AKSHI-t. Kjo është arsyeja pse dyshimi për rrjedhje informacioni nga SHISH-i ka peshë tjetër nga një bisedë e papërshtatshme mes të njohurish. Çfarë informacioni mund të ketë marrë ai? Kur mund ta ketë marrë? A e ndihmoi të shmangte arrestimin? Kush tjetër kishte dijeni? Këto pyetje kërkojnë përgjigje nga provat dhe nga drejtësia, sepse përmbajtja e plotë e komunikimeve nuk është bërë publike. 

Imagjinojeni skenën, nëse dyshimi provohet: një zyrë ku ruhen sekretet e shtetit, një person në kërkim jashtë saj dhe, midis tyre, një telefon. Shteti i thotë qytetarit «na besoni», ndërsa hetuesit përpiqen të zbulojnë nëse besimi ka rrjedhur nga maja e institucionit. Çfarë sigurie mund të ndiejë polici që ndjek një të kërkuar, nëse informacioni për punën e tij mund t’i mbërrijë më parë të kërkuarit?

Ah, ky telefoni! Për vite me radhë na thanë se shteti i kishte veshët kudo. Tani presim të mësojmë kujt i flisnin ata veshë.

Dhe pyetja e madhe mbetet: a kemi përpara veprimet e disa individëve, apo shenjat e një shteti të korruptuar në rrënjë? 

Apo tradhti. Po pse me aplikacionin signal? Asnjë telefon, sado mesazhe të mbajë, nuk mund ta shpallë fajtor një shtet të tërë. Por nëse vërtetohet se një person në kërkim merrte mbrojtje, strehë dhe njoftime nga brenda institucioneve që duhej ta gjenin, atëherë rrënjët e problemit shkojnë më thellë se një dosje.

Në një mesazh Vlora Hyseni i thoshte Ergys Agasit “Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot. Të gjithë ne. Do përfundojmë keq, shpirt”, thonë burime ekskluzive për Report Tv.

Në një mesazh 4 ditë para arrestimit Vlora Hyseni i shkruante Ergys Agasit: “Na kanë bërë shumë gjëra o shpirt…do ia hedhim…problemi është koha.”

Ne zakonisht e pyesim telefonin sa për qind bateri i ka mbetur. Këtë herë, pyetja është sa besim u ka mbetur qytetarëve te institucionet. Përgjigjja kërkon prova, gjykim dhe përgjegjësi. 

Telefoni mund të tregojë ku të gërmohet; drejtësia duhet të tregojë çfarë ka vërtet nën tokë.

Kaq për telefonin e Agasit. Por çdo nxjerrë ai i Vlorës ?

Apo krim pasioni? 

Njё telefon rozë.

Filed Under: Fejton

SHTETI NËN THUNDRËN E KRIMIT

September 23, 2026 by s p

Shqipëria po përballet me skandale të njëpasnjëshme e një krizë të thellë institucionale. Shteti është gjunjëzuar para krimit të organizuar e bandave që kanë kontroll të plotë mbi institucionet dhe territorin e vendit. 

Hetimet intensive të SPAK dhe masat e sigurisë GJKKO-së ndaj drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, si dhe kontrollet ndaj ish-kreut të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, përveç skandalit ngrenë pikëpyetje serioze mbi sigurinë kombëtare të Republikës dhe funksionimin e strukturave shtetërore e ligjzbatuese në Shqipëri. Proda i policisë dhe Vlora e shërbimit sekret janë treguesit e degradimit dhe shkërmoqjes së institucioneve të sigurisë kombëtare në Shqipëri. 

Cenimi i sekreteve shtetërore, raportimi te bandat, mbrojtja e të kërkuarve të drejtësisë, përkrahja e të inkriminuarve, pazari me informacionin e klasifikuar, përfshirë informacionin e ndjeshëm të lidhur me NATO-n, nëse provohet nga hetimet, do të përbënte një alarm të jashtëzakonshëm për sigurinë e vendit dhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë të Shqipërisë. Si pasojë e keqqeverisjes 13 vjeçare, publiku, institucionet dhe qytetarët shqiptarë vuajnë arrogancën, korrupsionin, patronazhimin dhe njësimin e shtetit me krimin. Krimi i organizuar në Shqipëri përcakton ministra e drejtorë drejtorish. 

Nga nivelet më të larta të qeverisjes qëndrore, lokale e deri te administrata në çdo rang vendi, korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin po rëndojnë mbi qytetarët e thjeshtë, shtetin shqiptar dhe po dëmtojnë besimin e qytetarëve te funksionalizmi i institucioneve në interes dhe shërbim të qytetarëve. Qytetari shqiptar është lënë në harresë, qeveria ka prioritet bashkëpunimin me krimin. Një realitet i tillë poshtërues nuk mund të mos ketë pasoja edhe për procesin e integrimit europian të Shqipërisë ku faturën e paguajnë qytetarët shqiptarë dhe institucionet e brishta. 

Kur institucionet dobësohen, kur llogaridhënia e transparenca nuk ekzistojnë, kur përgjegjësia politike mungon dhe kur krimi fiton hapësirë mbi shtetin, kolonat e demokracisë fillojnë të shemben. Fatkeqësisht shteti shqiptar si pasojë e keqqeverisjes së Ramës, ngjan me një gërmadhë, çdo kolonë është shembur prej lidhjeve okulte qeveri-banda. Agasi është fenomeni politik e kriminal i zhytjes së shtetit në krim.

Shqipëria e sotme është kapur për fyti prej krimit të organizuar dhe lidhjeve qeveritare me eksponentë të rrezikshëm. Shqipëria sot më shumë se kurrë ka nevojë për institucione të forta, drejtësi të pavarur dhe përgjegjësi në çdo nivel të pushtetit. Skandalet shtetërore nuk mund të kthehen në normalitet. Shkelësit duhen ndëshkuar dhe dënuar. Krimi dhe shteti nuk mund të jenë simbiozë. Për një shtet që synon të jetë europian, skandalet janë një turp kombëtar dhe një kambanë alarmi për funksionimin e shtetit dhe për të ardhmen e vendit. Shqipëria meriton shtet, vlera, meritokraci dhe dinjitet.

Sokol Paja 

Filed Under: Fejton

Is AI, the Apocalypse Now?

September 21, 2026 by s p

By Rafael Floqi/

The narrowing artificial-intelligence gap between the United States and China is no longer merely a contest between technology companies. It is becoming a struggle over economic power, national security, military advantage and global influence. As increasingly capable models appear in rapid succession, humanity faces an uncomfortable question: Are we building the most useful instrument in history—or accelerating toward a danger we may be unable to control? The United States remains a leader in advanced models, research and high-performance chips, but China is rapidly closing the distance. Chinese companies such as DeepSeek, Moonshot AI, Z.ai and Alibaba have demonstrated that powerful systems can be developed despite American restrictions on access to cutting-edge semiconductors. According to the Associated Press, experts now describe the American advantage as narrow and potentially fragile.

President Donald Trump summarized the competitive mentality in four words: “Whoever wins AI, wins.” His administration’s AI strategy similarly declares that the United States must prevail in the global race. The White House AI Action Plan presents artificial intelligence as a foundation of economic competitiveness, national security and American technological leadership. China sees the contest in similarly strategic terms. Beijing is pursuing technological self-reliance while warning that AI can be used for cyberattacks, data theft, political manipulation and deepfake propaganda. Both governments therefore recognize the danger, but neither wants to slow down while the other continues racing ahead.

This creates what might be called the AI security trap. If Washington pauses, it fears Beijing will take the lead. If Beijing exercises restraint, it fears permanent dependence on American technology. When both sides believe caution benefits the opponent, speed becomes a measure of survival. Safety testing, transparency and public oversight may then be treated as delays instead of necessities.

The greatest immediate dangers are already visible. AI can produce convincing false photographs, voices and videos within seconds. It can imitate public officials, manipulate voters, generate propaganda and overwhelm social media with fabricated events. It can assist hackers in identifying software vulnerabilities, automate surveillance and make fraud cheaper and more convincing. It may also eliminate or transform millions of jobs before governments, schools and workers have time to adapt.

These threats do not require a conscious or evil machine. They require only powerful systems placed in irresponsible human hands. The longer-term danger is more disturbing. Developers are building “agentic” systems capable of planning and executing complicated tasks with decreasing human supervision. An AI does not need emotions, hatred or a desire for domination to cause catastrophic harm. It needs only a badly defined objective, access to important systems and enough autonomy to pursue its instructions in ways its creators did not anticipate.

The leaders of the AI industry have themselves acknowledged this possibility. Sam Altman of OpenAI, Demis Hassabis of Google DeepMind and Dario Amodei of Anthropic signed a declaration stating: “Mitigating the risk of extinction from AI should be a global priority.” The Center for AI Safety published the statement alongside signatures from hundreds of researchers and public figures.

OpenAI has also warned that superintelligence “could lead to the disempowerment of humanity or even human extinction.” Its statement on controlling superintelligent systems acknowledged that existing methods may not be sufficient to supervise machines significantly more capable than their human overseers. These warnings should be taken seriously, but not transformed into theatrical certainty. There is no evidence that today’s AI systems possess consciousness, independent ambition or a secret intention to destroy humanity. They generate outputs by processing enormous quantities of data and identifying patterns. They can make remarkable discoveries, but they can also fabricate facts, misunderstand instructions and reproduce human prejudice.

Therefore, “Apocalypse Now” is not a description of present reality. It is a warning about a possible future created by political rivalry, corporate competition and weak safeguards. Panic can be as dangerous as complacency. Exaggerated predictions may convince the public that catastrophe is inevitable and that ordinary people have no role in shaping the future. They may also distract attention from harms already occurring: discrimination by automated systems, loss of privacy, deepfake fraud, intellectual-property disputes, concentration of power and the displacement of workers.

At the same time, dismissing every warning as science fiction would be irresponsible. Humanity has repeatedly introduced transformative technologies before fully understanding their consequences. Nuclear weapons created destructive power capable of ending civilization, yet international agreements, monitoring systems and communication between rivals reduced some of the risks. AI requires a comparable seriousness, although its software can spread more easily than nuclear material and is far more difficult to contain.

The United States and China do not need to trust one another completely to recognize shared interests. Neither country benefits from uncontrolled autonomous weapons, AI-assisted biological attacks, attacks on hospitals and electrical grids, or machines making irreversible military decisions without meaningful human authorization. Agreements on testing, incident reporting, cybersecurity and human control over nuclear systems could reduce common dangers without ending technological competition.

AI companies must also accept responsibilities proportional to their power. Independent safety evaluations should occur before exceptionally capable systems are widely released. Developers should report serious failures, protect training systems from theft and explain what their models can and cannot reliably do. Governments, meanwhile, must avoid both extremes: regulation so rigid that it freezes legitimate innovation, and regulation so weak that corporations effectively police themselves.

Artificial intelligence could accelerate medical research, improve education, help scientists understand climate systems and give people powerful new creative tools. It could also strengthen dictatorships, industrialize deception and place weapons or infrastructure under inadequate human control. The technology does not guarantee either future. Human decisions will determine which becomes more likely.

The central question is therefore not whether America or China will win the AI race. It is whether humanity can prevent the race from eliminating every meaningful brake on innovation. The apocalypse is not here. But the warning lights are visible. If intelligence advances faster than wisdom, law and international cooperation, the final failure may not come from a machine that rebels against humanity. It may come from humanity becoming so frightened of losing the race that it forgets why the race was being run.

Foto: https://ekofin.al

Filed Under: Fejton

PSE, PAS ÇDO KONFLIKTI, DËNOHEN SHQIPTARËT?

September 17, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

Ka një pyetje që historia shqiptare e ka përsëritur, në forma të ndryshme, për më shumë se një shekull: Pse, pas konflikteve që nuk i kanë shkaktuar, shqiptarët shpesh gjenden përsëri përballë faturës së historisë? Është një pyetje që nuk lind vetëm nga politika. Lind nga kujtesa.

Nga kujtesa e një populli që ka jetuar në një nga hapësirat më të trazuara të Evropës, aty ku perandoritë janë përplasur, kufijtë janë vizatuar e rishikuar, ushtritë kanë kaluar dhe popullsitë civile kanë mbetur pas tyre, duke mbledhur copat e jetës.

Shqiptarët nuk kanë pasur luksin e një historie të qetë.

Në shumë prej konflikteve të mëdha ballkanike, shqiptari i zakonshëm nuk ka qenë ai që ka shpallur luftën. Ka qenë ai që ka ikur nga shtëpia, ai që ka humbur tokën, ai që ka parë familjen të shpërndahet, ai që ka kaluar kufirin me pak plaçka në duar.

Historia e Ballkanit është shkruar shpesh me emrat e gjeneralëve, por është jetuar nga njerëzit e zakonshëm.

Dhe ndër këta njerëz kanë qenë edhe shqiptarët.

NJË POPULL MIDIS PERANDORIVE

Për shekuj, shqiptarët kanë jetuar nën sundime të ndryshme politike dhe brenda hapësirave ku vendimet merreshin larg tyre.

Në fundin e shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX, kur nacionalizmat ballkanike u shndërruan në projekte shtetformuese dhe kur Perandoria Osmane po shpërbëhej, çështja shqiptare u bë pjesë e një loje shumë më të madhe se vetë shqiptarët.

Kufijtë e rinj nuk përputheshin gjithmonë me përbërjen e popullsive.

Konferencat diplomatike vendosnin në harta atë që njerëzit do të duhej të jetonin në terren.

Dhe pas vijave të lapsit vinin shpërnguljet, refugjatët, humbja e pronës dhe ndarja e familjeve.

Kjo është një nga tragjeditë më të mëdha të historisë shqiptare: shpesh vendimi merrej diku tjetër, por pasojat jetoheshin këtu.

KUR HISTORIA E MADHE HARRON NJERIUN E VOGËL

Luftërat kanë një paradoks të tmerrshëm.

Ato fillojnë zakonisht me deklarata politike, interesa shtetërore dhe ambicie strategjike.

Por përfundojnë në shtëpitë e njerëzve.

Një politikan mund të nënshkruajë një marrëveshje. Një gjeneral mund të japë një urdhër. Një diplomat mund të vizatojë një vijë në hartë.

Por një nënë është ajo që duhet të marrë fëmijën për dore dhe të largohet. Një baba është ai që lë pas shtëpinë.

Një plak është ai që nuk e di nëse do ta shohë më vendlindjen.

Në këtë kuptim, viktima e vërtetë e konfliktit nuk është vetëm ai që vritet.

Është edhe ai që dëbohet. Ai që humbet shtëpinë.

Ai që humbet varrin e të parëve. Ai që humbet gjuhën dhe kujtimet e vendit ku ka lindur.

SHQIPTARËT DHE TRAGJEDITË E BALLKANIT

Historia shqiptare e shekullit XX është e mbushur me këto plagë.

Luftërat Ballkanike sollën dhunë dhe shpërngulje masive.

Lufta e Parë Botërore e shndërroi përsëri territorin shqiptar në hapësirë kalimi dhe përplasjeje të ushtrive.

Lufta e Dytë Botërore e vendosi Shqipërinë nën pushtim dhe më pas në një prej regjimeve më të izoluara të Evropës.

Në Kosovë, konflikti i fundit i madh i shekullit XX solli një tjetër tragjedi të jashtëzakonshme njerëzore: qindra mijëra shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre gjatë luftës së Kosovës, ndërsa shumë familje humbën njerëz të dashur.

Dhe këtu qëndron një dallim që nuk duhet harruar:të jesh pjesë e një territori ku zhvillohet një konflikt nuk do të thotë të jesh shkaktar i tij.

Popullsia civile nuk duhet të barazohet me strukturat politike, ushtarake apo kriminale që marrin vendimet për luftën.

Ky parim vlen për çdo popull.

Dhe duhet të vlejë edhe për shqiptarët.

POR PSE NDJENJËN E “DËNIMIT”?

Ndoshta sepse historia nuk është gjithmonë një gjykatë e drejtë.

Në politikën ndërkombëtare, fuqia ka luajtur shpesh një rol vendimtar.

Shtetet e mëdha kanë pasur më shumë mundësi për të përcaktuar rendin ndërkombëtar sesa popujt e vegjël.

Shqiptarët, për një kohë të gjatë, kanë qenë një komb me pak fuqi shtetërore, i ndarë në disa hapësira politike dhe i varur nga vendimet e fuqive të tjera.

Prandaj tragjedia shqiptare nuk është vetëm historia e viktimës.

Është edhe historia e një populli të vogël që është përpjekur të mbijetojë në një hapësirë ku të tjerët kanë qenë shumë më të fuqishëm se ai.

Por ka edhe një rrezik tjetër: përgjithësimi.

Kur një konflikt përfundon, shpesh fajësia kolektive bëhet më e lehtë se drejtësia individuale.

Është më e lehtë të thuash “populli”, sesa të kërkosh:

Kush urdhëroi? Kush organizoi? Kush vrau?

Kush dëboi? Kush grabiti? Kush përfitoi?

Dhe kush ishte thjesht një njeri i zakonshëm që përpiqej të mbijetonte?

Drejtësia fillon pikërisht kur këto pyetje bëhen të dallueshme.

SHQIPTARI SI REFUGJAT

Ka një figurë që përsëritet në historinë shqiptare: refugjati.

Ai shfaqet në fotografitë e vjetra me një valixhe.

Në dokumentet e arkivave me një emër të shkruar gabim.

Në kujtimet familjare si “ai që iku nga Kosova”. “Ajo që erdhi nga Çamëria.” “Ata që u larguan nga vendi.”

“Familja që humbi gjithçka.” Pas çdo statistikë refugjatësh ka një jetë.

Pas çdo shifre ka një shtëpi. Pas çdo kolonë njerëzish ka një histori.

Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse kujtesa shqiptare është kaq e ndjeshme ndaj padrejtësisë.

Sepse ajo nuk është vetëm kujtesë historike.

Është kujtesë familjare.

VIKTIMË, POR JO PËRJETËSISHT VIKTIMË

Megjithatë, ka diçka që duhet thënë me shumë kujdes.

Të pranosh se shqiptarët kanë qenë viktima të shumë konflikteve nuk do të thotë të mohosh përgjegjësitë e individëve shqiptarë kur ato ekzistojnë.

Asnjë komb nuk është moralisht i përkryer.

Në çdo shoqëri mund të ketë njerëz që kryejnë krime, njerëz që abuzojnë me pushtetin dhe njerëz që bëhen pjesë e dhunës.

Por përgjegjësia duhet të jetë personale dhe konkrete.

Nuk mund të jetë përgjegjësi etnike.

Nuk mund të dënohet një popull për krimet e individëve.

Ky është një nga mësimet më të rëndësishme që duhet të nxjerrim nga historia moderne.

Krimi ka autor. Viktima ka emër. Drejtësia duhet të ketë prova.

DHE NDOSHTA KJO ËSHTË PLAGA MË E MADHE

Plaga më e madhe nuk është vetëm ajo që ka ndodhur.

Është frika se ajo mund të harrohet.

Një popull që humbet kujtesën humbet një pjesë të identitetit të tij. Por edhe kujtesa duhet të jetë e drejtë.

Ne nuk duhet të kujtojmë vetëm vuajtjen shqiptare.

Duhet të kujtojmë edhe vuajtjen e tjetrit.

Sepse dhimbja nuk bëhet më e vogël kur pranojmë dhimbjen e fqinjit.

Përkundrazi. Ajo bëhet më njerëzore.

Shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë që viktimat shqiptare të mos harrohen.

Por po aq të drejtë kanë edhe popujt e tjerë të kërkojnë që viktimat e tyre të mos harrohen.

Kujtesa nuk duhet të jetë hakmarrje. Duhet të jetë dëshmi.

NJË POPULL QË DO TË JETOJË, JO TË HAKMERRET

Ndoshta përgjigjja e pyetjes “pse pas çdo konflikti dënohen shqiptarët?” nuk mund të jetë një përgjigje e vetme.

Ka pasur periudha kur shqiptarët kanë qenë viktima të qarta të politikave dhe konflikteve të të tjerëve.

Ka pasur raste kur individë shqiptarë kanë mbajtur përgjegjësi për veprimet e tyre.

Ka pasur edhe momente kur politika ndërkombëtare ka prodhuar vendime që shqiptarët i kanë përjetuar si të padrejta.

Historia është më e ndërlikuar se një fjali.

Por një gjë duhet të jetë e thjeshtë: një popull nuk duhet të dënohet për përkatësinë e tij.

As shqiptarët. As serbët. As grekët. As boshnjakët.

As kroatët. Asnjë popull.

Dënimi duhet të ndjekë krimin, jo kombin.

Përgjegjësia duhet të ndjekë autorin, jo pasardhësin.

Dhe drejtësia duhet të dallojë gjithmonë midis atij që urdhëroi, atij që kreu krimin dhe atij që thjesht u përpoq të shpëtonte jetën.

Në fund, ndoshta historia shqiptare nuk është vetëm historia e një populli që është dëmtuar nga konfliktet.

Është historia e një populli që, megjithë luftërat, shpërnguljet, varfërinë, izolimin dhe padrejtësitë, ka mbijetuar.

Dhe kjo është një formë e heshtur fitoreje.

Sepse ka popuj që kanë fituar shumë luftëra dhe kanë humbur kujtesën.

Ka të tjerë që kanë humbur shumë beteja, por kanë ruajtur gjuhën, emrin, familjen dhe dëshirën për të jetuar si ne shqiptarë.

Prandaj sot, kur shohim pas në shekullin e trazuar të Ballkanit, ndoshta nuk duhet të kërkojmë vetëm se kush fitoi dhe kush humbi.

Duhet të pyesim:

Kush vuajti? Kush u dëbua?

Kush u vra? Kush mbeti pa shtëpi?

Kush i humbi të afërmit? Dhe kush e filloi konfliktin?

Vetëm kur këto pyetje të kenë përgjigje të sakta, historia mund të fillojë të bëhet drejtësi.

Dhe vetëm atëherë një fëmijë shqiptar, serb, boshnjak, kroat apo grek mund ta lexojë historinë e të parëve të tij jo për të trashëguar urrejtjen, por për të kuptuar pse nuk duhet ta përsërisë më atë histori.

HAGA DUHET TI BESONTE LOTEVE…

DHE LOTET JANE DESHMITARET ME TE NDERSHEM QE AS BLIHEN DHE AS SHITEN.

LOTET PASQYROJNE PAFAJSINE E SHQIPTAREVE.

HAGA TREGOI QE NUK U BESON LOTEVE…

TURP!

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 126
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kjo është Demokracia Amerikane
  • PATRIOTI HASAN HYSO ORMENI, KOMANDANTI TRIM I VELÇËS QË SFIDOI PUSHKËT DHE REGJIMET PËR SHQIPËRINË DEMOKRATIKE
  • Pse Lidhja e Lezhës dhe Skënderbeu nuk e morën dot qytetin e Danjës?
  • Elis Hyshmeri: “Skulptura, arti që komunikon përmes formës, simbolikës dhe emocionit, pavarësisht gjuhës apo kulturës”
  • Përtej ndryshimeve politike në Uashington: Pse partneriteti shqiptaro-amerikan do të mbetet i palëkundur
  • “Lost in Translation”: The “Ghost” of Institutional Memory in the Albanian Education System
  • DEMOKRATI AT GJON SHLLAKU
  • INTEGRIMI EVROPIAN NUK MUND TË JETË ALIBI PËR KORRUPSIONIN DHE KAPJEN E SHTETIT!
  • LAHUTA E FAMILJES SHKRELI – NGA LUKË TOMA SHKRELI TE VASEL GJERGJ SHKRELI
  • Absurdi gazetaresk dhe Il Duce
  • FEDERATA VATRA URON VEDAT GASHIN PËR RIZGJEDHJEN NË BORDIN E LEGJISLATORËVE TË WESTCHESTER COUNTY
  • VATRA URON JOE HOXHA PËR RIFITIMIN E MANDATIT NË CONNECTICUT
  • GAZETA DIELLI NJOFTON VATRANËT, ABONENTËT DHE KOMUNITETIN PËR DIELLIN E FLAMURIT KOMBËTAR
  • A Congratulatory Message to Governor Hochul from Vatra President Elmi Berisha
  • FADIL BERISHA NDEROHET NË VATIKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT