
Më 3 maj 1877, në Transilvani, atëherë pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze, lindi studiuesi hungarez Franz Nopcsa, në një familje aristokrate me prejardhje rumune. Me rekomandimin e ungjit dhe kumbarit të tij, baroni Nopcsa, kryemjeshtër i oborrit të Mbretëreshës Elisabeta të Austrisë, studioi në liceun vjenez “Maria-Theresianum”.
Nopcsa u shqua si një nga figurat më të rëndësishme të shkencës europiane në fundin e shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX. Ai ishte paleontolog i njohur dhe gjeolog i Ballkanit, duke dhënë kontribute të spikatura në themelimin e paleofiziologjisë, si dhe në albanologji dhe studimet mbi Europën Juglindore.
Udhëtimet e tij në zonat më të thella të Shqipërisë Veriore, ku asnjë i huaj nuk kishte shkelur më parë, e bënë atë një ekspert të shquar të gjuhës, zakoneve dhe kulturës shqiptare. Gjatë qëndrimeve të shumta në Shqipëri, ai kreu kërkime të gjera në etnologji, gjeografi, gjeologji dhe paleontologji, duke lënë pas një corpus të rëndësishëm shkencor mbi shoqërinë dhe territorin shqiptar të asaj kohe.
Trashëgimia e tij dorëshkruese, e njohur si “Ditarët e Nopcsa-s”, përmban përshkrime të detajuara nga ekspeditat në Shqipëri dhe Ballkan, të shoqëruara me harta, skica dhe ilustrime origjinale. Një pjesë e madhe e tyre i kushtohet Shqipërisë, duke dokumentuar strukturën shoqërore, të drejtën zakonore, kulturën materiale dhe shpirtërore.
Bibliografia e Nopsca-s përfshin mbi 186 punime shkencore, kryesisht në paleontologji, gjeologji dhe albanologji, prej të cilave një numër i konsiderueshëm i kushtohet Shqipërisë. Trashëgimia e tij shkencore në paleontologji iu dhurua Muzeut Britanik në Londër, ndërsa materiali albanologjik iu besua albanologut Norbert Jokl në Vjenë, pjesë e të cilit sot ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë.
Ndër dorëshkrimet më të rëndësishme përmenden studimet mbi fiset e malësisë së Veriut dhe të drejtën e tyre zakonore, një vepër e gjerë mbi besimet dhe zakonet shqiptare, shënime dialektologjike mbi gegërishten veriperëndimore, si dhe kujtimet e tij mbi udhëtimet në Ballkan.
Nopcsa nuk u kufizua vetëm në studime: ai u përfshi edhe në politikën e kohës dhe në vitin 1913 ofroi veten si kandidat për fronin e Shqipërisë. Megjithatë, jeta e tij përfundoi në mënyrë tragjike në vitin 1933, kur vrau sekretarin e tij shqiptar dhe më pas kreu vetëvrasje.