
Zef Pergega/
Mbrëmë në “Pallazo Grade” në Detroit ka qenë një biznesmen i fuqishëm amerikan, të cilin pata rastin ta takoj në takimin e presidentit Trump gjatë fushatës së tij për në Shtëpinë e Bardhë në Detroit, i cili deklaroi se emri i prokurorit shqiptaro-amerikan Robert Lulgjuraj është tani i vlerësuar shumë nga autoritete të larta amerikane në shtetin ku jeton, po aq më shumë nga Zyra Ovale dhe presidenti aktual i Amerikës, Trump.
Ky nuk është një optimizëm gazetaresk, por një realitet. Mbrëmë, ku ishin rreth 500 veta shqiptarë, por shumë më shumë amerikanë, biznesmenë edhe me origjinë nga Ballkani, sidomos nga Bosnja, që mbështesin kandidimin dhe udhën e suksesit të Robert Lulgjuraj. Mbrëmë folën edhe gjashtë personalitete që janë në garën për në Kongres dhe Senat nga partia republikane që mbështesin Robert Lulgjuraj. Ishin shumë të rinj e të reja, se ata si Roberti janë shpresa. Foli me superlativa edhe kandidati republikan për guvernator i Michiganit, z. Ralch Rebrandt. Interes nga mediat e Detroitit, sidomos “Detroit News”.
Fushata elektorale e Robertit udhëhiqet nga një staf profesional si Xheni Roe dhe i palodhuri aktivisti Mak Gjokaj.
Edhe pak hapa kanë mbetur për ta parë Robert Lulgjuraj në Shtëpinë e Bardhë si krenaria e kombit shqiptar. Do të jetë rasti i dytë në historinë katërqindvjeçare të shqiptarëve të Amerikës që, pas DioGuardit, një malësor shqiptar të na përfaqësojë me dinjitetin më të madh, falë përgatitjes së tij, elokuencës, dashnisë për njerëzit, sa tha: Zyra ime do të jetë zyra juaj.
Është një suport sa mahnitesh kur e përjeton këtë ngjarje, sa mbrëmë mu duk se është vulosur fitorja e tij. Urime Roberti me përzemërsi dhe jemi me ty në këtë rrugëtim të lumtur, të themi: Bac u krye!
Diçka për komunitetin shqiptar. Pak hapa kanë mbetur për t’u realizuar kjo ëndërr shqiptare. Ne kemi qenë të lumtur kur kemi pasur kujt me ia lënë fajin. Por tani përgjegjësia është e jona, e gjithsecilit. Kërkohet as më shumë dhe as më pak të shkojmë në votime masivisht dhe të tregojmë atdhedashuri e përfaqësim për Robertin, njeriun tonë. Të mendojmë njëherë për vete, se boll kemi sponsorizuar të tjerët. Përfaqësimi i Robertit në Olimpin e demokracisë amerikane është i merituar dhe e kemi shansin për të mbetur në histori.
Kandidimin e Robert Lulgjurajt e kanë mbështetur edhe autoritete në Malësi e në Lezhë, si kryetari i Bashkisë, Pjerin Ndreu, si dhe shumë intelektualë e gazetarë në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje e në Maqedoni. Ai do të jetë për të gjitha trojet shqiptare përfaqësuesi ynë. Qoftë e bekueme udha e tij, se është udha jonë e dinjitetit.
Është e turpshme që media apo patronazhistë, në rolin e gazetarit apo të analistit që i thonë vetes se janë shqiptarë, por që çirren në televizionet shqiptare duke mbrojtur Iranin dhe sharë deri në rrënjë e kockë Amerikën, të cilës i hanë bukën dhe ia përmbysin kupën, as nuk marrin pjesë në këto takime historike për të mirën e kombit shqiptar, por nuk e thonë asnjë fjalë. Vjen dita e gjithkujt, se një ditë u mbarohen dollarët dhe u mbetet portofoli thatë, siç e kanë shpirtin!