
Mësuese Blerina Kosta: “Gjuha shqipe është rrënja e tokës mëmë. Gjuha që u mësojmë fëmijëve është një dhuratë që ata e mbajnë me vete gjatë gjithë jetës”.
Intervistoi: Sokol Paja
1. E nderuar Blerina cili është historiku i Shkollës Shqipe në Wuppertal, Gjermani?
Shkolla Shqipe në Wuppertal ka një histori të bukur dhe të gjatë, e ndërtuar ndër vite falë përkushtimit të mësuesve, prindërve dhe komunitetit shqiptar.
Mësuesi që lidhet me fillimet dhe zhvillimin e mësimit të gjuhës shqipe në Wuppertal është Sami Thaçi, i cili rreth vitit 1987 filloi punën si mësues i gjuhës shqipe në Wuppertal. Me përkushtimin dhe dashurinë e tij ,ndihmoi në konsolidimin dhe zgjerimin e mësimit të gjuhës shqipe, duke e bërë Wuppertalin një nga qendrat e rëndësishme të arsimit shqip në këtë pjesë të Gjermanisë. Dua të përmend me shumë respekt mësuesen Kaltrina Shabani, e cila ka punuar si mësuese e gjuhës shqipe në Wuppertal. Ajo është një mësuese shumë e mirë, e përkushtuar dhe e dashur për nxënësit, dhe mbetet një pjesë e rëndësishme e këtij historiku. Sot ndihem e privilegjuar që këtë histori ta vazhdoj unë.
Për mua kjo nuk është thjesht një punë por është një përgjegjësi dhe një vazhdimësi e një tradite të bukur që është ndërtuar me shumë dashuri dhe përkushtim.
Këshilli i Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” –
Një tjetër moment i rëndësishëm në historinë e arsimit shqip në Gjermani ishte krijimi i Këshillit të Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri”. Ky organizim luajti një rol të rëndësishëm në bashkëpunimin ndërmjet mësuesve shqiptarë dhe në forcimin e organizimit të mësimit të gjuhës shqipe edhe në Wuppertal. Përmes punës së përbashkët të mësuesve, prindërve dhe komunitetit, shkolla shqipe vazhdoi të zhvillohej dhe të bëhej një pjesë e rëndësishme e jetës së komunitetit shqiptar.
2. Çfarë kurrikule mësimore përdorni dhe cila është thirrja juaj për prindërit shqiptarë?
Mësimi i gjuhës shqipe në Nordrhein-Westfalen zhvillohet në kuadër të Herkunftssprachlicher Unterricht – HSU, pra mësimit në gjuhën e prejardhjes. Ai bazohet në planet mësimore të landit Nordrhein-Westfalen dhe synon zhvillimin e aftësive të nxënësve në gjuhën e tyre të prejardhjes, në të folur, në të shkruar, në lexim dhe në komunikim. Fëmijët nuk mësojnë vetëm gjuhën, por njihen edhe me letërsinë, historinë, kulturën dhe traditat shqiptare. Për prindërit do të kisha vetëm një thirrje : T’u krijojmë fëmijëve mundësinë ta njohin dhe ta duan gjuhën e amtare.
Sepse gjuha që u mësojmë fëmijëve është një dhuratë që ata e mbajnë me vete gjatë gjithë jetës.
3. Shkolla shqipe, a gjykoni se luan rolin e qendrës komunitare që bashkon, promovon dhe lidh më shumë shqiptarët?
Po, dhe mendoj se ky është një nga dimensionet më të bukura të shkollës shqipe. Shkolla bashkon fëmijët, prindërit dhe komunitetin. Kur një prind sjell fëmijën në shkollën shqipe, ai nuk sjell vetëm një nxënës në një orë mësimi, por bëhet pjesë e një komuniteti. Aktivitetet kulturore, festat, librat, recitimet, këngët, projektet dhe takimet mes familjeve krijojnë ura komunikimi. Fëmijët krijojnë miqësi dhe ndajnë një gjuhë, një kulturë dhe një pjesë të përbashkët të trashëgimisë së tyre. Prandaj unë e shoh shkollën shqipe si një urë që lidh gjeneratat: fëmijët me prindërit, familjet me komunitetin dhe komunitetin me kulturën shqiptare.
4. Si ka ndihmuar mësimi i gjuhës shqipe si formë e ruajtjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve në Gjermani?
Fëmijët tanë rriten në Gjermani dhe është shumë e rëndësishme që ata të jenë pjesë aktive dhe e suksesshme e shoqërisë ku jetojnë. Në të njëjtën kohë, është po aq e rëndësishme që ata të dinë kush janë, nga vijnë dhe cila është gjuha e familjes së tyre.
Për mua, gjuha është një nga shtyllat kryesore të identitetit. Kur një fëmijë di të flasë, të lexojë dhe të shkruajë shqip, ai mund të komunikojë më thellë me gjyshërit, të lexojë libra në gjuhën e familjes dhe të njohë më mirë historinë dhe kulturën e tij. Shkolla shqipe u jep fëmijëve mundësinë të ruajnë rrënjët e tyre dhe t’i mbajnë ato gjallë në vendin ku jetojnë.
5. Si reagon shoqëria gjermane, si pritet shkolla shqipe, si pritet mësimi shqip?
E vlerësoj shumë pozitivisht faktin që në Gjermani ekziston kjo hapësirë institucionale për mësimin e gjuhëve të prejardhjes. Kjo tregon se shumëgjuhësia vlerësohet si një pasuri. Edhe në Nordrhein-Westfalen, HSU-ja synon ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës së prejardhjes, si dhe forcimin e kompetencave ndërkulturore dhe të shumëgjuhësisë. Nga përvoja ime, kur shkolla shqipe është e organizuar mirë, kur mësuesi punon me profesionalizëm dhe përkushtim dhe kur prindërit bashkëpunojnë me shkollën, ajo fiton respekt dhe vlerësim. Ne duam fëmijë të integruar, të arsimuar, shumëgjuhësh dhe krenarë për kulturën e tyre.
6. Cilat janë vështirësitë në mësimdhënie për fëmijët me dy gjuhësi dhe projektet e zhvillimit të shkollës shqipe?
Fëmijët dygjuhësh janë një pasuri, por mësimdhënia me ta ka edhe sfidat e veta. Fëmijët nuk kanë të gjithë të njëjtin nivel në gjuhën shqipe. Disa e flasin shumë mirë në familje, por kanë vështirësi në lexim dhe shkrim. Të tjerë lexojnë mirë, por kanë një fjalor më të kufizuar. Ka edhe fëmijë që e kuptojnë shqipen, por e kanë më të lehtë të përgjigjen në gjermanisht.
Prandaj mësuesi duhet të ketë durim, kreativitet, fleksibilitet dhe shumë dashuri për fëmijët.
Unë nuk dua që një fëmijë të hyjë në klasën time duke menduar: “Unë nuk di të flas shqip.” Dua të hyjë duke menduar: “Unë do ta mësoj gjuhën shqipe.” Dhe pikërisht këtu fillon puna jonë si mësues: ta bëjmë gjuhën shqipe të dashur, të afërt dhe të bukur për çdo fëmijë.
7. Mësimi shqip, çfarë efekti ka pasur te fëmijët shqiptarë në rritjen e patriotizmit?
Mendoj se ndikimi është i madh, por për mua patriotizmi fillon nga gjërat e thjeshta: ta duash gjuhën, të respektosh kulturën dhe të njohësh historinë tënde.
Kur një fëmijë mëson një poezi shqip, lexon një autor shqiptar apo mëson për historinë dhe kulturën tonë, ai krijon një lidhje emocionale me origjinën e familjes së tij. Unë dua një patriotizëm të bukur dhe pozitiv: një fëmijë që e do Shqipërinë dhe Kosovën, respekton rrënjët e veta dhe njëkohësisht respekton vendin dhe kulturën ku jeton. Ky është, për mua, patriotizmi në diasporë.
8. Kush është mësuese Blerina Kosta?
Jam mësuese dhe profesioniste e arsimit, me më shumë se 18 vite përvojë në fushën e arsimit në Shqipëri dhe këtu në Gjermani. Kam përfunduar studimet Universitare për Mësuese dhe më pas Masterin Shkencor në Tiranë për “Drejtim, Menaxhim dhe Politika në Arsim”. Formimi im akademik është njohur edhe në Gjermani. Në Tiranë kam punuar për shumë vite si mësuese dhe më pas mora detyrën detyrën Drejtore e shkollës (9-vjeçare) Mihal Grameno në Tiranë. Arsimi për mua nuk është thjesht një profesion,por është një pjesë shumë e rëndësishme e jetës sime. Në Gjermani prej tre vite e gjysëm punoj në sistemin arsimor gjerman, duke vazhduar të zhvilloj përvojën time profesionale dhe të kontribuoj në edukimin e fëmijëve. Jam e nderuar që kam mundësinë të jem mësuese e gjuhës shqipe në Wuppertal. Për mua, kjo është një nga format më të bukura të atdhedashurisë. Nuk mjafton vetëm të thuash se e do vendin tënd por duhet të bësh diçka që do të jetojë dhe të përcillet ndër breza. Për mua, sot, kjo do të thotë të ulem përballë fëmijeve në Wuppertal dhe t’ju them: “Ejani të mësojmë së bashkë gjuhën e bukur shqipe!” Sepse dua që Gjuha shqipe të mos mbetet vetëm një kujtim i prindërve, por të bëhet një pasuri e çmuar e fëmijëve tanë. Dhe kur shoh kaq shumë fëmijë në Wuppertal që mësojnë shqip, ndihem jo vetëm mësuese, por edhe pjesë e një historie që është shumë më e madhe. “Gjuha shqipe është Rrënja e tokës mëmë” – Mësuese e gjuhës shqipe, diasporë gjermani.