
Dr. Ervin Kujtila/
Trashëgimia arkeologjike përbën një aset strategjik për zhvillimin e qëndrueshëm rajonal, veçanërisht kur integrohet në modele inovative të turizmit kulturor. Lugina e Shkumbinit, e njohur si një korridor historik dhe kulturor që nga antikiteti, përfaqëson një hapësirë me potencial të lartë arkeologjik, të lidhur ngushtë me rrjetet e komunikimit iliro-romake dhe mesjetare, por që fillesat i ka që nga prehistoria. Kjo zonë ka luajtur një rol të rëndësishëm në shkëmbimet ekonomike, kulturore dhe sociale ndër shekuj.
Qëllimi i studimit është të analizojë potencialin e trashëgimisë arkeologjike të Luginës së Shkumbinit në funksion të zhvillimit të turizmit kulturor, përmes një qasjeje të bazuar në kërkimin e aplikuar. Studimi synon të vlerësojë mekanizmat përmes të cilëve asetet arkeologjike mund të transformohen në burime zhvillimi socio-ekonomik, duke garantuar njëkohësisht ruajtjen e integritetit të tyre kulturor dhe historik.
Metodologjia mbështetet në analizën e literaturës shkencore bashkëkohore, vlerësimin konceptual të aseteve kulturore dhe identifikimin e modeleve inovative të menaxhimit dhe interpretimit të trashëgimisë kulturore. Vëmendje e veçantë i kushtohet rolit të teknologjive digjitale, përfshirjes së komunitetit lokal dhe zhvillimit të produkteve turistike kulturore të qëndrueshme si faktorë kyç për rritjen ekonomike afatgjatë.
Rezultatet e studimit sugjerojnë se integrimi i trashëgimisë arkeologjike në strategjitë e zhvillimit rajonal kontribuon jo vetëm në ruajtjen e identitetit kulturor, por edhe në nxitjen e inovacionit, krijimin e vendeve të punës dhe diversifikimin ekonomik. Në këtë kuadër, hulumtimi ofron rekomandime praktike për politikëbërësit, institucionet kulturore dhe aktorët e sektorit të turizmit, me synim promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm përmes qasjeve të integruara dhe inovative.