
Ambasador Flamur Gashi/
Kemi një zakon jo të mirë ndër ne, për njerëzit tanë të shquar shpesh i gjejmë fjalët më të bukura vetëm atëherë kur ata nuk janë më mes nesh për t’i dëgjuar. Prandaj sot dua të shkruaj për një njeri që është mes nesh. Për një profesor, kompozitor, interpretues e pedagog që një jetë ia ka kushtuar muzikës shqiptare, për Prof. Dr. Isak Shehun.
Sonte, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, krijimtaria e tij vjen para publikut në një “Koncert Portret”. Më shumë se një koncert, kjo mbrëmje është një akt mirënjohjeje ndaj një krijuesi dhe një jete të tërë në shërbim të kulturës sonë. Prof. Isak Shehu i përket atij brezi artistësh që u formuan mbi themelet e ngritura nga mjeshtrit e muzikës shqiptare dhe që më pas, ndërtuan vetë mbi to.
Në formimin e tij qëndron edhe lidhja e drejtpërdrejtë me Çesk Zadenë, profesorin e tij të kompozicionit dhe një nga themeluesit e shkollës shqiptare të kompozicionit.
Dhe kur flasim për rrënjët e muzikës sonë, nuk mund të mos kujtojmë Prof. Ramadan Sokolin, etnomuzikologun e shquar, që një jetë ia kushtoi kërkimit, dokumentimit, studimit dhe mbrojtjes së pasurisë muzikore shqiptare dhe bashkë me të, brezat e kompozitorëve, interpretuesve, studiuesve e pedagogëve që e kthyen këtë trashëgimi në shkollë, institucion dhe kulturë kombëtare.
Në këtë vazhdimësi e shoh edhe krijimtarinë e Prof. Isak Shehut.
Sepse tek ai burimorja shqiptare nuk është dekor.
Është rrënjë.
Nga simfonia “Ilirët”, poema vokalo-simfonike “Atdheu”, koncertet për trombë e orkestër, Sonata për trombë e piano, te “Variacione mbi një temë dibrane” dhe përpunimet e këngëve popullore qytetare, gjejmë një krijues që e njeh gjuhën muzikore europiane, por që nuk e humbet tingullin e vendit të vet.
Edhe si interpretues, Prof. Shehu ka hapur një udhë të veçantë për trombën në skenën shqiptare.
Si pedagog dhe drejtues i arsimit të lartë artistik, përfshirë përgjegjësinë si Dekan i Fakultetit të Muzikës, ka dhënë kontribut në formimin e brezave të muzikantëve.
Këtu qëndron një nga trashëgimitë më të bukura të një profesori, kur vepra e tij vazhdon të jetojë edhe përmes nxënësve të tij.
Sonte, mirënjohja u takon edhe artistëve që do t’i japin jetë muzikës së Profesor Shehut: Orkestrës së Harqeve dhe Kuintetit të Tunxhit të TKOB; Eriona Dragoiçeas, Xhovana Markut dhe Jona Çegranit; Ansamblit Koral Ndërkombëtar “BujArt”, të përgatitur nga Bujar Alliu; si dhe Josif Gjipalit, Kastriot Tushas dhe Ardita Menit.
Partitura ruan mendimin e kompozitorit, interpretuesi i jep atij frymë, zë dhe emocion përpara publikut.
Prandaj, faleminderit secilit prej tyre që sonte bëhet pjesë e këtij nderimi.
Për ne që kemi kënaqësinë dhe privilegjin që Profesor Shehun e kemi mik dhe sonte do të jemi pranë tij është kënaqësi e dyfisht.
Jo vetëm për të dëgjuar muzikën e tij, por edhe për t’i thënë atë fjalë që duhet t’ua themi më shpesh njerëzve tanë me vlerë:
Faleminderit, Profesor!
Për muzikën.
Për studentët.
Për dijen.
Për tingullin shqiptar që ke ruajtur, kultivuar dhe pasuruar.
Njerëzit e kulturës duhet t’i nderojmë sa janë mes nesh.
T’ua njohim veprën kur mund ta dëgjojnë mirënjohjen tonë.
T’ua shtrëngojmë dorën.
T’u themi se ajo që kanë bërë nuk ka kaluar pa u vënë re.
Kujtesa kombëtare nuk ndërtohet vetëm duke nderuar ata që ikën.
Ajo ndërtohet edhe duke ditur të çmojmë ata që kemi mes nesh.
Sonte, 29 shtator, ora 20:00, në TKOB, është mbrëmja e muzikës së Prof. Isak Shehut.
Ta gëzosh këtë mbrëmje, Profesor dhe mik i dashur, mes familjes, kolegëve, studentëve, miqve dhe publikut që do të dëgjojë muzikën tënde!
Mirënjohje dhe respekt!