
Nga Julika Prifti/
Në mbrëmjen e 29 shtatorit, 2026, Holli Koncertor i TKOB ishte mbushur si kurrë më parë për Koncert Portret Isak Shehu. Publiku erdhi për të shijuar pjesë të veprave të kompozitorit, dirigjentit dhe instrumentistit të mirënjohur, Isak Shehu. Ai e tejkaloi kapacitenin e sallës e shumë spektatorë qendruan në këmbë në anë të sallës të ulur në shkallët që lidhin katin e dytë me të tretin. Publiku përbëhej nga miq, shokë, të afërm nga Dibra, qyteti i tij i lindjes dhe artdashës nga anë të ndryshme të atdheut, pa prani ministrash apo autoritetesh zyrtare të larta, çka e bëri mbrëmjen një dëshmi të drejtpërdrejtë të interesit për muzikën shqiptare. Në skenë u ngjitën Orkestra e Harqeve, Ansambli vokal Ndërkombëtar “Bujart” i përgatitur e i drejtuar nga Bujar Alliu si edhe instrumentiste e soliste të njohur.
Xhovana Marku (Obo), Jona Ferrari në violincel e soprano Eriana, Dragoicea, dhe Ardita Meni, tenorët e shquar Josif Gjipali dhe Kastriot Tusha.
Ky koncert solli një ndërlidhje të ndjeshme të tingujve instrumentalë të frymëzuar nga rrënjët e muzikës sonë kombëtare dhe të shkollës shqiptare të kompozicionit, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë e festive.
Në “Variacione dibrane”, Shehu nuk sjell vetëm tingujt e vendlindjes, por edhe shpirtin e saj. Përveç një gjuhe të pasur kompozicionale, ai ndërthur motivet tradicionale me një përpunim artistik që pasqyron mentalitetin, kulturën dhe historinë e Dibrës. Prandaj vepra komunikon edhe me ata që nuk janë dibranë: ajo e kthen kujtesën dhe identitetin e një krahine në një përjetim muzikor.
Duartrokitjet e gjata dëshmuan suksesin e saj. Gjatë shfaqjes Shehu foli disa herë jo vetëm për të prezantuar një pjesë a për të sjellë një kujtim apo shpjegim për të apo për të shoqëruar në skenë interpretuesit e saj, por edhe për falenderime të ndryshme. Ai falenderoi TKOB per mundesimin e kesaj nate ne ambientet e tij. Në një rast tjetër falenderoi bashkëshorten e 4 vajzat e tij për mbështetjen e vazhdueshme gjatë gjithë kësaj rruge të gjatë.
Me humor e shumë dashuri i falenderoi edhe për durimin që kanë treguar ndër vite ndaj jetës së një artisti të përkushtuar ndaj muzikës.
Në një gjest me vlere të veçantë për kulturën dhe edukimin, kompozitori u dhuroi disa shkollave e institucioneve kulturore një paketë me 8 libra, ku përfshihen vepra dhe botime të realizuara në vite. Ishte një mënyrë për të bërë krijimtarinë e tij të arritshme edhe për brezat e rinj edhe për institucione që merren me edukim dhe kulturë. Korri i grave që interpretoi dy këngë te njohura, por me një arranxhim te ri nga Shehu u bë pjesë e momenteve të bukura të mbrëmjes. Isak Shehu i dhuroi secilës një buqete të vogël me lule.
Gjithsesi momenti më i ëmbël i kësaj nate ishte kur mbesa e tij 4-5 vjeçare i dhuroi një buqetë me lule shumëngjyrëshe. Një gjest i thjeshtë, por shumë emocionues.
Ky koncert është dëshmi e lidhjes që publiku mund të krijojë me muzikën dhe autorin e saj. Nga pjesa e parë deri deri tek e fundit, spektatorët e shumtë e ndoqën me vëmendje programin dhe shoqëruan interpretimet me duartrokitje entuziaste. Prania e instrumentistëve, këngëtarëve, korit, krijuan një mozaik artistik, ndërsa repertori i Isak Shehut solli në të njëjtën kohë shumë histori, traditë, kujtesë dhe emocione.
Kjo ishte një mbrëmje e veçantë në Hollin Koncertor të TKOB të mbushur përtej kapacitetit, nga një publik muzikdashēs dhe një kompozitor, që pas një rrugë të gjatë krijuese, ndan me të shumë pjesë të botës së tij artistike të krijuar ndër vite. Do presim me padurim koncertin tjetër të Isak Shehut!