
Nga Mimoza Dajçi/
Nga qyteti i Mitrovicës ku u lind e u rrit, e deri te skenat më prestigjioze të Nju Jorkut, udhëtimi i Faton Maculës është historia e një talenti të jashtëzakonshëm që ushqehet me punë, përkushtim dhe dashuri për artin. I formuar si kitarist xhazi në Konservatorin e famshëm në Graz të Austrisë, ai sot përfaqëson një nga emrat më të spikatur të muzikës xhaz, pop dhe R&B në nivel ndërkombëtar.
Pasioni i tij për kitarën i kish lindur kur ishte vetëm 8 vjeç. “Kur isha ende fëmijë, babai më bleu dhuratë një kitarë për ditëlindje, dhe aty jam dashuruar me të – tha ai. Më pas shtoi, Para moshës 8 vjeç kam pasur një kitarë shumë të vogël, ku gjithmonë jam ndjerë mirë me atë kitarë si lojë sepse unë nuk kam luajtur me lojëra të tjera. Babai im ka qenë pianist në kategorinë e xhazit, një ndër të parët atëherë në Kosovë. Në moshën katër vjeç filloi dashuria ime për kitarën, por me seriozitet ka qenë kur babai më bleu një kitarë klasike profesionale”.
Muzika është traditë në familjen e tyre, e motra e tij, xhaxhai dhe djemtë e xhaxhait merreshin me muzikë.
I vendosur prej vitesh në Nju Jork, metropolin ku arti nuk fle kurrë, Fatoni ka arritur të ndërtojë një karrierë të bujshme duke bashkëpunuar me emra të mëdhenj të skenës muzikore amerikane, europiane dhe asaj shqiptare. Me një stil unik ku gërshetohen teknika e lartë klasike me shpirtin e lirë të xhazit, ai është kthyer në një pikë referimi për cilësinë dhe profesionalizmin në muzikë.
Por pas virtuozitetit në skenë qëndron një njeri me vlera të mëdha njerëzore. Për familjen e tij, Fatoni është një bashkëshort i përkushtuar dhe një prind shembullor, i cili mban të gjallë ngrohtësinë familjare mes ritmit të shpejtë të jetës në SHBA.
Atdhedhashuria është një tjetër dimension i rëndësishëm i figurës së tij. Si një patriot i heshtur por i fuqishëm në vepra, ai angazhohet me zemër në veprimtari të shumta patriotike të komunitetit shqiptar në Amerikë. Përmes artit ai nuk harron kurrë rrënjët nga Kosova, duke qenë një ambasador dinjitoz i kulturës dhe shpirtit shqiptar në botë.
Me kitarën e tij që flet në gjuhën universale të muzikës, Faton Macula vazhdon të mbetet një urë lidhëse mes kulturave, një artist i madh dhe një njeri me zemër të madhe.