
Përktheu: Luket Hasaj/
Humanisti i shquar dalmat dhe bashkëkohësi i Skënderbeut Martin Segoni nga Novobërda, Ipeshkëv i Ulqinit, i cili më parë ishte kanonik i kishës së Shën Marisë në Novobërdë, shkroi biografinë e parë të Gjergj Kastriotit aty nga viti 1480, pasi kishin kaluar rreth 12 vjet pas kalimit të tij në amshim, të cilën po e paraqesim të përkthyer nga dorëshkrimi i Serafino Razzi-t, domenikan dhe shkrimtar fiorentin: “Narrazione di Giorgio Castriotto, da i Turchi nella lingua loro chiamato Scander beg, cioe Alessandro Magno.”
Tregim mbi Gjergj Kastriotin, nga turqit në gjuhën e tyre i quajtur Skander beg, domethënë Aleksandër i Madh.
“Gjergj Kastrioti, zot i Arbërisë, e cila ishte pjesë e Maqedonisë në detin Adriatik, lindi nga Gjoni. Ky zotëri, Gjoni, duke mos mundur t’u bënte qëndresë ushtrive turke, bëri paqe me Muratin me disa kushte, një prej të cilave ishte që ai t’ia jepte djemtë e tij peng, e njëri ndër këta ishte Skënderbeu. Ky, i rritur në oborrin e Turkut (Sulltanit) dhe i mësuar në kulturën turke dhe në ushtrimin e armëve, përfitoi kaq shumë saqë në moshën 19-vjeçare u bë sanxhakbej, domethënë udhëheqës i një reparti kalorësish. Meqë kishte një pamje fytyre të denjë për një mbret, u pëlqye shumë nga Murati, i cili në fillim e dërgoi në Azi (Anadoll) kundër mbretit të Cilicisë apo Kilikisë, luftë në të cilën fitoi nam të madh duke luftuar trup më trup me një tartar të shquar të cilin e vrau dhe po ashtu me një kalorës pers.
Pas kësaj, Murati e bëri zakon të thoshte botërisht se Skënderbeu ishte krahu i tij, syri i tij i djathtë, si dhe mbrojtës i pashoq i shtetit të tij. Ndërkaq, pasi i erdhi vdekja të atit, Gjonit, ushtritë turke e pushtuan atë mbretëri, gjë për të cilën Skënderbeu u ankua, por u ngushëllua nga Murati duke i dhënë shpresë se së shpejti do t’ia jepte atë personit të tij. Por pastaj duke mos e bërë këtë, madje duke bërë që vëllezërit e tjerë të tij të vdisnin të helmuar, Skënderbeu me shkathtësi dhe letra të falsifikuara u kthye në Arbëri dhe u bë zot i disa kështjellave kryesore. Dhe mandej, pasi u mblodhën në kuvend popujt e provincës së sipërpërmendur dhe gjithë Maqedonisë, u njoh prej tyre si Princ i ligjshëm dhe njëzëri me brohoritje u zgjodh Mbret. Pas kësaj, i bëri copë-copë ata turq që s’donin të pagëzoheshin dhe më pas korri fitore të lavdishme kundër Muratit dhe të birit, Mehmetit. Mposhti shtatë pashallarë. I shkoi në ndihmë si prijës i ushtrisë arbërore Mbretit të Napolit, Ferdinandit, i cili ishte i sulmuar nga anzhuinët, dhe me vullnetin e tij, duke i shpartalluar francezët, e shpëtoi atë mbretëri.
Mehmeti, pasi shtiu në dorë Perandorinë e Trebizondit dhe atë të Konstandinopojës, u orvat të pushtonte Krujën, por duke e mbrojtur Gjergj Skënderbeu të gjitha përpjekjet e tij qenë të kota.
Më vonë u thirr nga Piu i dytë në Itali, për ta bërë Kryekapedan (Kryekomandant) në fushatën që Shenjtëria e tij po planifikonte kundër turqve. Por me vdekjen e Papës së lartpërmendur, tjetri s’e vazhdoi.
Ndërkohë u kthye në Arbëri, dhe ndërsa në Lezhë, buzë lumit Drin, po këshillohej me proveditorin venedikas rreth çështjeve të luftës, e zunë ethet ngjitëse dhe ndërroi jetë në vitin e Zotit tonë 1467 [1468], në moshën 63-vjeçare, duke ia pasë besuar më parë Gjonin, të birin, ende djalë i ri, me krejt shtetin e tij, Sinjorisë së shkëlqyeshme të Venedikut.
Skënderbeu mbante kurdoherë me vete, me dashuri dhe bujari të madhe një grup të zgjedhur ushtarësh veteranë, për të cilët e kishte zakon të thoshte se me ta fitoret arriheshin më lehtë sesa me një mori ushtarësh të rinj. Nuk iku asnjëherë gjatë betejave me armiqtë, por gjithmonë luftoi trimërisht. Nuk u plagos kurrë prej tyre, veç një herë lehtë nga një shigjetë, kaq me fat dhe kaq mirë i armatosur ishte. Kështu, në tërë jetën dhe personin e tij, kishte kaq shumë gazmend në sy dhe gojtari kaq të gjallë, saqë kur dilte i armatosur para të gjithëve (apo ushtrisë së tij), i ndizte flakë shpirtrat e ushtarëve, të cilët jo vetëm bëheshin trima kur luftonin, por edhe përbuzës të egër të armikut. Qe gjithmonë ndër të parët që hynte në beteja dhe ndër të fundit që tërhiqej. I njihte emër për emër të gjithë oficerët e tij, kaq kujtesë të mirë kishte.
Vrau me dorën e vet, në shumë beteja, më se 2000 turq, duke përdorur shpatën e tij, me të cilën me një të rënë të vetme, e ndante demin dysh. Mehmeti II, kur mori vesh për shpatën e lartpërmendur, çoi dikë për t’ia kërkuar dhe e mori nga Gjergji; dhe në praninë e tij e provoi një tartar, të cilin e çmonte si tejet të fuqishëm, por kot. Ia ktheu [Gjergjit] dhe e kuptoi se ai i kishte dërguar shpatën e vërtetë, por jo krahun e tij që e përdorte. Kështu Mehmeti, duke mos iu dukur me vend që ta linte një kapedan kaq të shquar pa një armë kaq fisnike, ia ktheu me disa dhurata të çmuara, pasi çoi dikë tek ai për herë të dytë.
Për vdekjen e këtij Kalorësi të madh vajtuan jo vetëm gjithë Greqia, por edhe gjithë princat e Evropës, madje dhe vetë turqit, të cilët, pas vdekjes së tij, duke u bërë zotër të gjithë Arbërisë, mbasi gjetën trupin e tij në kishën e Shën Kollit, katedrale e qytetit të Lezhës, e nderuan me devocion. Dhe sipas besëtytnisë së tyre i nxorën eshtrat fatlume nga varri me respekt të madh dhe i grabitën, duke besuar secili se do të ishte i sigurt në beteja, po të mbante të lidhur me vete një grimë sado të vogël eshtre të një kapedani kaq të pamposhtur.”