
Akademik Aleks Buda lindi më 7 shtator të vitit 1911, në një familje fisnike dhe patriote të Elbasanit. I ati, Dhimitër Buda, farmacist i njohur, kontribuoi si delegat në Kongresin e Manastirit dhe si një nga financuesit e Shkollës Normale të Elbasanit, duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e arsimit shqiptar.
Shkollimin fillor e kreu në Leçe të Italisë, të mesmen në Zalcburg të Austrisë, ndërsa studimet e larta në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Vjenës. Në vitet 1939–1943 punoi si mësues në Liceun e Tiranës dhe të Korçës. Mori pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe më 1944 u zgjodh nënkryetar i Këshillit ANÇ të qarkut të Elbasanit.
Në vitet 1945–1946 drejtoi Bibliotekën Kombëtare, ku dha një ndihmesë të çmuar në organizimin e fondit të saj. Më pas ishte një ndër organizatorët e Institutit të Shkencave, ku themeloi sektorin e historisë dhe sociologjisë, duke kontribuar në ngritjen e sektorëve të arkeologjisë, historisë së lashtë, mesjetës, kohës së re, artit mesjetar dhe etnografisë. Me formimin e Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë më 1955, Buda hodhi bazat e medievistikës shqiptare, duke e vendosur këtë fushë në themelet e saj shkencore.
Me ngritjen e Universitetit të Tiranës, ai u bë një ndër themeluesit e katedrës së historisë së Shqipërisë dhe të kursit të historisë së Shqipërisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë. Punoi me përkushtim për përgatitjen e historianëve të rinj, sidomos në fushën e historisë mesjetare, duke formuar breza të tërë studiuesish.
I zgjedhur si kryetar i parë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, që në themelimin e saj në vitin 1972, akad. Aleks Buda, ka luajtur një rol themelor në konsolidimin e institucionit dhe në orientimin e kërkimit shkencor shqiptar drejt standardeve bashkëkohore. Ai u dallua për vizionin e tij në organizimin e strukturave akademike, për mbështetjen e studimeve në fushën e historisë, gjuhësisë dhe kulturës kombëtare, si dhe për përpjekjen e vazhdueshme për ta vendosur Akademinë në një raport të denjë me institucionet shkencore ndërkombëtare. Kontributi i tij mbetet një pikë referimi për zhvillimin e shkencës shqiptare dhe për rolin e Akademisë si qendër e dijes dhe e autoritetit shkencor.
Akademik Aleks Buda u nda nga jeta më 7 korrik 1993, në Tiranë, duke lënë pas një trashëgimi të pasur që e vendos ndër figurat më të ndritura të historiografisë shqiptare dhe të jetës akademike të vendit.