



Sokol Paja/
New Jersey, 6 shtator 2026 – Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Prof. Dr. Sali Berisha zhvilloi një takim entuziast me shqiptarët e Amerikës. I shoqëruar nga deputetët Fatmir Mediu, Belind Këlliçi e Klevis Balliu, Prof.Dr. Sali Berisha u prit përzemërsisht prej qindra shqiptarëve të Amerikës e veçanërisht prej mbështetësve të tij besnik prej 35 vitesh në rrugëtimin historiko-politik të Dr. Berishës e vetë Partisë Demokratike. Prof. Dr. Sali Berisha e filloi fjalimin e tij duke falenderuar diasporën shqiptaro-amerikane për kontributin e çmuar në shembjen e komunizmit Shqipëri dhe kontributin e jashtëzakonshëm për çështjen e Kosovës. “Diaspora shqiptare në Amerikë është fati i bardhë, fati i mirë i kombit shqiptar” theksoi Dr. Berisha. Përgjatë fjalimit të tij z.Berisha falënderoi shqiptarët që e mbështetën në ditët më të vështira dhe u ndal të mirënjohja ndaj administratës Trump dhe Sekretarit të Shtetit Amerikan Rubio. Në betejë me të keqen në pushtet, Dr. Berisha theksoi se shqiptarët qëndrojnë të pamposhtur për dinjitetin, familjen, lirinë dhe kombin, të pamundurën e bëjnë të mundur. Përgjatë fjalës së tij lideri historik i PD, shpjegoi se pse iu ndalua hyrja në SHBA nga agjenda të errëta e antiliri të quajtura si presidenti Trump, si extremi i majtë.
Kryetari i PD, Dr. Berisha u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve anembanë botës se atdheu ynë Shqipëria, po rrokulliset në ditët më të këqija prej qeverisë së majtë, të shartuar me krimin dhe kartelet. Dr. Berisha akuzoi qeverisjen e majtë se rrënoi arsimin, shëndetësinë, shkatërroi drejtësinë, bllokoi imunitetin e Ballukut dhe liroi nga burgu eksponentët e Partisë Socialiste. Narkoshteti i Ramës, theksoi Berisha po shpopullon e zbrazë Shqipërisë ku prej më shumë se 1 milion shqiptarë janë dëbuar prej qeverisë. Dr. Berisha e akuzoi Ramën se kontrollon mediat kombëtare, bashkëpunon me padronin Vuçiç, armik i egër i Kosovës dhe kombit shqiptar. Dr. Berisha përgjatë fjalës së tij uroi që luftëtarët e çlirimtarët e UÇK në Hagë të shpallen të lirë e të pafajshëm.
Ardhjen në Amerikë dhe takimin me shqiptarët Dr. Berisha e cilësoi ditë dinjiteti dhe triumfi, ditë e betejës për shpëtimin e Shqipërisë. Duke larguar Ramën, tha Berisha u bëjmë nder shqiptarëve dhe shteteve mike. Lideri historik i demokratëve theksoi se kërkon ndihmën dhe mbështetjen e SHBA ashtu si në mars 1991 për të shembur diktaturën në Shqipëri pasi vendi ka nevojë për ringritje dhe kthimin e vlerave më të mira shqiptare. Në fjalën e tij Dr. Berisha sulmoi Sorosin dhe ekstremin e majtë në Shqipëri për shkatërrimin e vlerave njerëzore dhe familjes, ndaj ripërtëritja e Shqipërisë është kusht për shpëtimin e Shqipërisë. Dr. Berisha tha se PD ka në plan ripopullimin e Shqipërisë dhe krijimin e kushteve për kthimin në Shqipëri të mërgatës për të gëzuar resurset dhe pasuritë e begata të Shqipërisë.
Dr. Berisha u ndal dhe te Revolucioni i Flamingove të cilët kërkojnë mbrojtjen e pasurive publike dhe largimin e qeverisë së korruptuar. Dr. Berisha i bëri thirrje diasporës që ti bashkohet protestës në Tiranë dhe e cilësoi si lëvizjen më të fuqishme pas viteve 90-të në Shqipëri. Në fund të fjalës së tij, Prof. Dr. Sali Berisha theksoi se është me rëndësi jetike kthimi i marrëdhënieve të shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat kanë rëndësi specifike prej më shumë se një shekulli në lirinë dhe ekzistencën e kombit shqiptar. Pas fjalimit zyrtar Dr. Berisha zhvilloi një bashkëbisedim me të pranishmit mbi çështje që shqetësojnë mërgatën dhe shtetin shqiptar.
Për të ardhur në pushtet, sfidë për Partinë Demokratike mbetet krijimi i një alternativë të fuqishme dhe të besueshme për të ardhmen e Shqipërisë e shqiptarëve: ripërtëritjen e ekipit drejtues me njerëz të rinj, hapjen e partisë ndaj intelektualëve, njerëzve dinjitozë e të dinjitetshëm, profesionistëve e ekspertëve të spikatur, përfshirje dhe hapësirë për shqiptarët e diasporës, bashkim të opozitës, organizim kapilar në çdo degë, të krijojë dhe të shpalosë një program konkret e bashkëkohor për ekonominë, punësimin, sigurinë, shëndetësinë, arsimin, drejtësinë, infrastrukturën dhe mirëqenien e familjeve shqiptare.
Partia Demokratike duhet të ngjallë shpresë, besim, siguri dhe garanci para shqiptarëve me qëllim përmbysjen e klasës sunduese në pushtet që qeveris prej katër mandatesh mes skandaleve të korrupsionit, keqqeverisjes, abuzimeve, akuzave direkte për vjedhje e shpërdorim të fondeve publike dhe integritetit në rënie të qeverisë. Si pasojë e shpopullimit të Shqipërisë, diaspora shqiptare përbën fuqi elektorale për Partinë Demokratike dhe përfshirja e elementeve të spikatur të diasporës në institucione dhe politikën aktive jo vetëm që garanton cilësi e gjithëpërfshirje por siguron zgjidhjen e problematikave që kanë shqiptarët në diasporë. Vizita e Prof.Dr. Sali Berishës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se sfumon narrativën e “non gratës” dhe hap një kapitull të ri politik për opozitën në Shqipëri.