
Prof. Afrim Krasniqi/
Gjatë shek. XX ka pasur raste kur elitat akademike dhe publike të investohen për të legjitimuar politika raciste, luftënxitëse, diskriminuese dhe me pasoja dramatike për të Tjerët. LIIB është një prej rasteve tipike në Europë, në Ballkan – projekti i memorandumit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (SANU) (1986) është gjithashtu i ngjashëm. Dokumenti sugjeronte masa represive ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në funksion të projektit të një bote serbe dominuese, – politika dhe më pas struktura shtetërore, përfshirë ajo ushtarake, e përvetësoi dhe e bëri program shtetëror. Pasojat dihen, përfshirë edhe për Kosovën.
Në kontekstin historik dhe të sotëm merr vlerë analiza sesi elitat keqpërdoren nga regjimet për të legjitimuar aktet e tyre ideologjike dhe luftërat dramatike, sesi elitat pranojnë të shërbejnë dhe ushqejnë konfliktin ndaj Tjetrit, sesi një shoqëri ushqehet me gjuhën e konfliktit dhe urrejtjes ndaj Tjetrit dhe sesi një shtet e shoqëri përgjegjës për luftërat me pasoja tragjike nuk gjejnë forcë e kurajo të pranojnë gabimet dhe të reflektojnë për to, por në të kundërt, kërkojnë mjete të reja për të ndjekur të njëjtat koncepte e projekte të gabuara.
Cili ishte roli e elitave akademike dhe kurba e sjelljes së tyre ndaj projektit të SANU 1986? Si u përdor koncepti i tyre për të legjitimuar konfliktet dhe platformat shtetërore kundër etnive të tjera? Raporti midis përgjegjësisë individuale dhe kolektive; dallimet midis qasjeve strategjike për interesa shtetërore të vendeve me platforma me natyrë shoviniste dhe përjashtuese; debati midis miratimit formal dhe shndërrimit de facto të një platforme në strategji e program shtetëror; vlerësimi nga perspektiva e Shqipërisë (shteti dhe elitat para dhe pas ’90); Kosova e sotme si shtet, një tregues edhe i dështimit të memorandumit SANU 1986, dhe reflektimet/mësimet drejt të ardhmes.
Këto ishin disa nga elementët debatues në ndërhyrjen time me cilësinë e kërkuesit shkencor në Institutin e Historisë/Akademia e Shkencave në Tiranë, në tryezën shkencore të zhvilluar në Prishtinë me ekspertë/kolegë të historisë, filozofisë dhe politikës “Memorandumi i SANU-së dhe projekti serbomadh: Doktrina ideologjike, luftërat shkatërruese dhe çështja e Kosovës”. Aktiviteti u organizua nga Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri” (IH), pjesëmarrës e kontribuues në debat edhe kryeministri Albin Kurti.
See less
May be an image of one or more people and text
