
Mimoza Dajçi/
Pak ditë më parë tek selia “Shtëpia e Gjetheve” në Tiranë u promovua libri “Rrënjë që nuk Thyhen” i autores, ish të persekutuar politike dhe aktivistes së të drejtave të grave në Amerikë Znj. Floresha Selfo, libër që përbën një moment të rëndësishëm në dokumentimin e kujtesës kolektive dhe të qëndresës ndaj diktaturës komuniste në Shqipëri. Kam pasur rast të lexoj dorëshkrim dhe më ka impresionuar shumë, për mënyrën e të shprehurit dhe radhiturit të ngjarjeve që Znj. Flora Selfo ka përjetuar gjatë atij sundimi të egër në Shqipëri, ku nëpërmjet luftës së klasave ndau prindërit nga fëmijët, gruan nga burri e motrën nga vëllai. Libri të tërheq e të bën ta lexosh me një frymë, sidomos ne grave që brenda tij gjejmë diçka nga vetja për atë periudhë që goditi jetë e familje të tëra.
Duke u ndalur tek pikat kryesore të promovimit të kësaj vepre letrare, njihemi me dëshminë e gjallë të qëndresës së Znj. Flora Selfo gjatë viteve të regjimit komunist në Shqipëri. Kohë kur terrori dhe tortura ishin të pandara për këdo që do të ngrinte krye ndaj krimeve, diktatit e thundrës së diktatorit Hoxha e klikës së tij.
Kam shkruar edhe më herët për Znj. Flora Selfo dhe familjen e saj, mbi persekucionin e rëndë politik dhe ekonomik që pësoi kjo familje megjithëse i dha shumë kombit dhe popullit shqiptar, si në industri, ndërtime shkollsh, urash e ndihma të tjera humanitare, por që u shpërblye nga Enver Hoxha me vrasje, konfiskim pasurie dhe dëbim nga Kryeqyteti.
Libri sjell përvojën personale dhe familjare të Flora Selfos, duke ndriçuar vuajtjet, persekutimin politik, por mbi të gjitha forcën shpirtërore dhe dinjitetin e grave e familjeve që përballuan egërsinë e regjimit. Përmes këtij botimi, autorja kontribuon në pasurimin e literaturës mbi të përndjekurit politikë, duke shërbyer si një urë lidhëse mes të kaluarës së dhimbshme dhe brezave të rinj.
Kjo vepër mbetet një kontribut i vlefshëm për të mos lejuar harrimin e krimeve të komunizmit dhe për të nderuar sakrificën e atyre që nuk u përkulën. “Rrënjë që nuk Thyhen”, promovuar në Tiranë i autores Flora Selfo flet mbi qëndresën ndaj persekutimit, vuajtjet dhe dëshmitë e gjalla kundër harrimit. Ishte një takim sa sensitiv aq dhe emocional. Recensioni dhe promovimi i “Rrënjë që nuk Thyhen” u realizua tek selia “Shtëpia e Gjetheve” në Tiranë, ku dikur ishin zyrat sekrete të sigurimit të shtetit komunist, që arrestonin e torturonin intelektualët, antikomunistët, fshatarin e varfër, gruan intelektuale dhe studentin e ekselencës. Një zgjedhje kjo që e bën ngjarjen edhe më simbolike dhe më të fuqishme.
Kontrast ky i fortë historik, ku dikur aty shkatërroheshin jetët, sot pret dëshmitë e mbijetesës. Çfarë tregon se qëndresa mposhti torturën. Dëshmia e Flora Selfos flet qartë se aty ku dikur torturohej, sot nderohet dinjiteti, jepet triumfi i kujtesës mbi diktaturën. Libri u shtyp në shtypshkronjën “Media Print” në Tiranë me pronare Elda Vela dhe për redaktore ka publicisten e njohur Elmira Muja.
Aktiviteti i promovimit mblodhi studiues, gazetarë, ish-përndjekur politikë dhe aktivistë të shoqërisë civile, të cilët vlerësuan lart kurajën administrative e njerëzore për të hedhur në letër të vërtetat e persekutimit komunist në Shqipëri.