


Rafaela Prifti/
29 prill, 1960, ora 18:00, Tiranë. Imazhi i parë në ekranin bardhezi ishte folësja Stoli Beli (1935-2026). Në ditën e parë të transmetimit nga Qendra Eksperimentale e Televizionit shqiptar, pas përshëndetjes së saj u shfaq një film për fëmijë, një dokumentar, një koncert dhe në fund një film artistik. Edicioni parë i lajmeve u transmetua në 1963, ndërsa dy vjet më vonë, kamera e vetme e TVSH-së u vendos në stadium për të transmetuar një ndeshje futbolli. Si nga ana teknike, ashtu edhe profesionale, Televizioni u ngrit nga kapacitetet e Radio Tiranës, themeluar në 28 nëntor 1938. Me kalimin nga faza eksperimentale në programe të rregullta ditore, një numër i madh i punonjësve teknikë erdhën nga Instituti i Lartë i Arteve. Ndërtesa e re e televizionit mundësoi shtimin e orëve të transmetimit, nga ora 18 deri në orën 22.30. Në ato vite telekronistët e televizionit si Alfons Gurashi dhe Agron Çobani, spikerët si Kiço Fotjashi, Virgjil Kule, Çlirim Poro, Amalia Dhamo, Tefta (Dobi) Radi, Violeta Kongo, e të tjerë, të cilët hynin në shtëpitë tona nga ekrani i TV-së kishin një lloj statusi të veçantë. Madje edhe operatorët televizivë si Beqir Derhemi, Stefan Gajo, Pali Kuke, Gazmir Shtino, Engjel Strazimiri, Bujar Kore, Valter Qarri, Sazan Mane, Bujar Kokonozi, Gasper Shllaku, Besnik Shima e të tjerë ishin emra të respektuar nga kolegët e tyre, si edhe në publik.
Më “të padukshmit” mbase ishin ndihmës-operatorët, operatorët e zërit, ndriçuesit, dizenjatorët, inxhinierët, montazhierët dhe qindra e qindra profesionistë dhe punëtorë shërbimi, të cilët, në shumë raste, ia kushtuan gjithë jetën e tyre punës në Televizion, për të cilën meritojnë mirënjohje si bashkëndërtues të transmetuesit publik.
Në shenjë respekti sot shkruaj pak rreshta për Beqir Derhemin “kameramani i parë i punësuar prej RTSH-së në pranverë 1960,” shkruhet në rezymenë e tij, që ma nisi vajza e tij e madhe. Eda Derhemi është edhe ish-profesoresha ime në Fakultetin Histori Filologji, në Tiranë. Rastisi të shoh postimin e Edës natën e 29 prillit 2026 në faqen e Facebook-ut dhe fotot bardhezi të ruajtura prej të atit, Beqir Derhemit. “Mbrëmë paska qene 66 vjetori i transmetimit të parë televiziv shqiptar prej 29 prillit 1960. Babi është personi në të djathtë në foton e parë, marrë në studion eksperimentale që realizoi atë debut.” Befasia ime e përzier me ngazëllimin që shkaktojnë fotot bardhezi u tulat nga mungesa e një mirënjohjeje të denjë për gur-vënësit e transmetimit të parë televiziv shqiptar. Brezat nga Shqipëria të moshës mbi 50 e 60 vjeçare, që sot i gjen nga Amerika në Australi, e kanë pasur TV thuajse program jashtëshkollor të çdo pasditeje. Thuajse i vetmi medium i vendit që dhuronte një farë informacioni dhe argëtimi të përditshëm. Me gjithë orët e reduktuara të programit të RTSH (ose shkurt “televizorit”) nga 18 deri në 22:30, me përjashtim të së dielës kur kishte program për fëmijë nga orët e mëngjesit, ekrani ishte një “qendër bote”që na çonte larg nga dhomat tona të ndjenjës, atëherë kur nuk kishim celularë, faqe Facebook-u, media sociale, Instagram, Tik-Tok e plot si këto.
“Sa i kujdesshëm dhe largpamës babi që i ka ruajtur fotot,” i shkruajta në koment. Nga kureshtja, e pyeta për disa kujtime Edën, e cila është profesoreshë në Katedrën e Italishtes dhe Frëngjishtes në Universitetin e Illinois-it (UIUC). “Fotoja ime e parë e bërë në një ambient realist (jo studio fotografike) ka qenë në Radio Tiranën e Vjetër, tek Rruga e Kavajës. Sapo kisha shpëtuar gjallë për mrekulli pasi më pat “shkelur autobusi”, dhe atë mbrëmje, si për festë, babi dhe mami më morën me vete në punën e babit që punonte edhe gjatë darkave në Radion e Vjetër. Në foto kemi dalë të tre para një monitori, që tani duket i stërvjetër, dhe unë kam një gërvishtje në ballë. Jam tre vjeç,” shkruan Eda. Ajo sqaron se fotoja përbën për të një copëz të historikut të TV, i cili në fillimet e veta ishte tek Radioja e Vjetër. “Lëvizja drejt ndërtesës që ende ekziston sot ndodhi në 1963,” dhe koha e fotos përkon me kohën e shtrirjes së njërës tek tjetra.
E rritur në ndërtesën e Televizionit të ri, Eda e vogël e ndiente sa të ndryshme ishin grupimet shumëtipëshe në RTSH-në e atyre viteve: disnivele dhe variacione sjelljeje dhe kreativiteti. Por të gjithë bashkë, si kolektiv, kujton ajo, formonin “një kombinim të përsosur energjie që për mua ishte si model ardhmërie,” pavarësisht nga produkti propagandistik që TV detyrohej të nxirrte. Eda është kujdesur të mbledhë biografinë e të atit, ku vendosen piketat kryesore të karrierës së tij, që nis me një specializim disamujor në Kinostudion Shqipëria e Re në tetor 1958, me përvojën në filmin “Furtuna” që ishte shkolla e tij televizive, vazhdon me punësimin në Radio Tiranën e Vjetër në studion televizive në pranverë 1960, dhe pastaj me kalimin e plotë në TV e ri në 1963-64. Për një dekadë të tërë, 1964-1974, Beqir Derhemi është kamera kryesore e Radio Televizionit. Ishte koha e ritmeve të jashtëzakonshme dhe e krijimit të gjinive televizive nga kronika e reportazhe tek kongrese, koncerte, festivale dhe ndeshje sportive. Pasioni i tij ishin “kamerat televizive të thjeshta apo të komplikuara të asaj kohe, që vinin së pari në duart e tij, direkt nga Kina si fillim, Franca, Polonia, dhe më pas, edhe Gjermania,” vëren me adhurim e bija. “Ishte koha”, shton ajo, “kur punohej me kamera të teknologjisë së vjetër, shumica nga Kina, që papritur ndodhte të merrnin flakë gjatë xhirimit në studio ose në stadiume.”
Ngazëllimi popullor për Festivalin e 11-të kishte në qendër TV ku gjuha e re vizuale ishte kamera e Derhemit, që ishte lejuar të lëvizte në skenë e jo të mbetej statike, siç ishte praktika. Pas Festivalit ai u dërgua në një specializim disa-mujor në Itali. Por, sapo kthehet në 1973, Beqir Derhemi dërgohet për riedukim si punëtor ngarkim-shkarkimi lënde druri (trungjesh) në Stacionin e trenit. Atje, gjatë punës, pëson dëmtim të shtyllës kurrizore dhe mbetet pa punë për dy vjet. Nga 1976-1993 punon në Institutin e Lartë Bujqësor si prodhues i filmit didaktik shkencor për Institutin, ku krijon shumë filma dokumentarë dhe ndërton arkivin filmik të Institutit. Tani në moshën 89 vjeçare tiranasi i mëhallës së derhemve është ende në shtëpinë e tij në Tiranën e Vjetër, me bashkëshorten kolonjare, “zyshën legjendare të rusishtes” tek Shkolla e Kuqe, Dhimitra Derhemin. Të ruajtura me kujdes prej tij, fotot bardhezi mund të jenë zverdhur paksa nga koha, por Beqir Derhemi mbetet një emër i shkrirë me vetë themelet e Televizionit Shqiptar.