• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Poeti i vështirë Lasgush Poradeci”, një shqyrtim i rëndësishëm estetik nga Dr. Luan Topçiu

October 1, 2026 by s p

Arben Iliazi/

Përfundova së lexuari librin “Poeti i vështirë Lasgush Poradeci (tekstualizëm dhe stil)”, Onufri, Tiranë 2024, një studim polisemantik letrar i tekstit dhe shenjave letrare, me një shumëllojshmëri kuptimesh, shtresash dhe mesazhesh në të njëjtën kohë, shkruar nga studiuesi dhe shkrimtari i njohur, Luan Topçiu, një dishepull i shquar i Lasgushit.

Lasgush Poradeci është, padyshim, një poet kanonik, një figurë klasike e letërsisë shqipe, i cili konsiderohet si një nga shtyllat e identitetit kulturor kombëtar, veprat e të cilit, për turpin e autorëve që hartojnë kurrikulat, nuk studiohen sa duhet nëpër shkolla e universitete.

Poezia e Poradecit dallohet për një stil unik, që ndërthur traditën gojore popullore me mjeshtërinë e lartë letrare, duke refuzuar rregullat e ngurta të kohës. Ky zgjedhim gjuhësor i dha poezisë së tij një autenticitet emocional dhe një ngrohtësi të drejtpërdrejtë.

Lasgushi himnizon lirinë, barazinë dhe vëllazërinë universale, duke e zhveshur poezinë nga pompoziteti dhe duke e futur në rrjedhat e letërsisë universale.

Në studimin e tij, Dr. Luan Topçiu e sheh Lasgushin si një figurë që qëndron në pragun e modernitetit tonë, me një ngashnjim poetik gati profetik, që i afrohet së vërtetës me një përpjekje transhedente. Duke bërë urën lidhëse midis rregullit klasik, ndjeshmërisë romantike dhe fillimeve të modernitetit, Lasgushi konsiderohet si “babai” i modernitetit poetik, që shkroi me një frymë dhe disiplinë klasike, si Sharl Bodler apo Paul Valeri në Francë.

Moderniteti romantik i Poradecit ushqehet nga romantizmi (melankolia, panteizmi, kulti i natyrës, idealizimi i dashurisë, dëshpërimi, kulti i së bukurës), por i transformon këto përmes simbolizmit dhe misticizmit modern, duke u fokusuar te filozofia e ekzistencës.

Pavarësisht temave mistike, dashurore dhe moderne, forma e tij poetike mbeti e përsosur, simetrike dhe rigoroze, besnike ndaj metrikës klasike. Lasgush Poradeci njihet për një disiplinë të jashtëzakonshme formale. Ai e gdhendte vargun me saktësi prej argjendari, duke ruajtur rregullat e rrepta të rimës, ritmit dhe muzikalitetit, çka i jep lirikës së tij një strukturë të pastër klasike.

Në këtë shqyrtim të rëndësishëm estetik ontologjik, Dr. Luan Topçiu synon të eksplorojë lidhjen e thellë midis qenies dhe estetikës te poeti, duke marrë në konsideratë individualizimin e topikëve sipas nevojave, interesave dhe aftësive unike të çdo lexuesi në ditët e sotme.

Në studimin e Dr. Topçiut nuk kemi të bëjmë me një vështrim estetik sakral, me prirjen për ta konsideruar bukurinë e vargut lasgushian si një shfaqje të hyjnores, të mbinatyrshmes ose të shenjtës, por vepra e Lasgushit na shfaqet në një horizont të plleshëm, mes filozofisë së ekzistencializmit, me një qasje filozofike dhe artistike, në një korpus poetik mitik, me hapësira të pafundme lirike.

Studimi “Poeti i vështirë Lasgush Poradeci (tekstualizëm dhe stil)” përmban disa kapituj si: “Poezia, vlera, interpretimi”, “Vështrim hermeneutik mbi poezinë filozofike”, “Paradigmat e pulsioneve të jetës”, “Vizioni poetik i vdekjes”, “Poeti dhe piktura”, “Paradigma e mallit” dhe “Vlera stilistike e fjalës”, “Lasgush Poradeci dhe ligjërimi modern i poezisë”.

Si dhe nënkapitujt: “Simbolika e shenjave të sistemit” dhe “Sistemi dhe përkatësia tekstuale”.

Mes kapitujve vërehet një bashkëlidhje strukturale, për të përpunuar një metodologji të vetën të analizës tekstuale, në nivel të thellë strukturor. Përmes një tipologjie semiotike (një procedurë analitike cilësore që studion shenjat, simbolet dhe mënyrën se si ato prodhojnë kuptim), autori nuk na jep vetëm tregues të ligjërimit poetik, por çmitizon mitin strukturalist të tekstit, duke “shkatërruar” idenë e pragmatizmit të pastër të leximit, që shpesh e ka konsideruar tekstin letrar të Lasgushit si të vjetër e të perënduar.

Semiotika bazohet në parimin se çdo gjë funksionon si një “shenjë” që mbart një mesazh të fshehur ose të hapur. Kjo metodë zbërthen strukturën e thellë për të kuptuar pse dhe si transmetohet ai kuptim. Dr. Topçiu është më shumë i interesuar të analizojë valencën estezike, pra perceptive, të përvojës estetike, duke depërtuar në kodet e poetit, metaforicitetin e brendshëm, strukturat poetike sipas efekteve të muzikalitetit, që krijojnë zona komplekse kuptimi dhe që përbëjnë një strukturë hierarkike shumë komplekse.

Përmes risive shenjuese të hapësirave të tekstit estetik, Topçiu krijon një subjekt diskursi analitik, të kompetencializuar, dhe flet për mundësi të pafundme leximi dhe rileximi të traditës poetike lasgushiane, në sintoni të plotë me artin poetik modern, jo vetëm atë shqiptar. Ky reflektim priret të shumëfishojë ligjërimet, duke pohuar sensibilitetin dhe raportin ndjesor me epokën, që tekstet lasgushiane vazhdojnë të prodhojnë edhe sot.

Analiza e Dr. Luan Topçiut, duke u përpjekur të rindërtojë një aksiologji etetike, tregon se përvoja estetike ka një moment që i mundëson lexuesit hyrjen tek e vërteta e Lasgushit.

Duke analizuar gjerësisht stadin estetik të Poradecit, L. Topçiu futet thellë në unin e thellë të poetit, atje ku ai vendos lirinë dhe shpirtin krijues dhe prej këndej analizon përmbajtjen filozofike, thellësinë e mesazhit lirik, rezonancën e brendshme muzikore dhe pastërtinë e vargut.

Duke u marrë gjerësisht me tekstin dhe stilin e Poradecit, në këtë studim është shumë e fortë ndjeshmëria ndaj aspekteve ndërsubjektive të ligjërimit lasgushian, ku autori analizon një korrelacion subjektivitetesh dhe ku gjuha shihet si instrument veprimi, jo thjesht një kod i antropologjisë poetike, për të transmetuar informacion, por mjeti kryesor që zbulon, dokumenton dhe rindërton përvojën ekzistenciale, shpirtërore dhe kulturore të poetit. Ajo shërben si një urë lidhëse midis vëzhgimit shkencor të kulturave (antropologjisë) dhe fuqisë shprehëse të artit (poetikës).

Studiuesi Luan Topçiu ka meritën se nuk e vlerëson Lasgushin me kritere thjesht akademike apo logjike, por me shkallën e emocionit shpirtëror që ai zgjon, përtej çdo përfytyrimi konkret, dhe me rezonancën ndërkulturore, që kapërcen kufijtë kombëtarë dhe gjuhësorë, duke krijuar një dialog shpirtëror dhe estetik midis kulturave të ndryshme në kontekstin evropian.

Krijimtaria e Poradecit ka arritur një status të padiskutueshëm për ta pranuar, pse jo dhe botërisht, si model i shkëlqimit estetik, duke u bërë pjesë e korpusit të veprave dhe autorëve themeltarë të letërsisë së shekullit të XX.

Filed Under: LETERSI

TEODOR LAÇO, RREFIMTARI E PROTAGONISTI I LETRAVE E POLITIKES SHQIPTARE

September 26, 2026 by s p

KRISTAQ BALLI

In Memory 

Me rastin e 90 Vjetorit të Lindjes dhe 10 Vjetorit të ndarjes nga jeta

Më 29 Shtator, Teodor Laço, një prej figurave të shquara intelektuale e krijuese shqiptarë do të mbushte 90 vjeç. Ai u nda nga jeta më 15 Tetor 2016, pra 10 vjet më parë  Dy  përvjetorë  që ne e  përjetojmë   nëpërmjet angazhimit të tij të gjerë e të ngjeshur poliedrik në disa skena të rëndësishme të jetës kulturore, artistike, shoqërore, politike në kontekst me shoqërinë dhe kohën ku dhe kur ai jetoi, por edhe me një rreze largpamësie, vizioni e reflektimi që e bën atë një vegimtar e protagonist të pararojës së shndrrimeve e progresit të jetës e shoqërisë shqiptare. 

Ai mbetet, së pari, një lëvrues i suksesshëm, ndofta nga më elokuentët  e letërsisë shqiptare në disa gjini, që për më se 50 vjet i dhuroi asaj, më shumë se 50 vepra, njëra më e bukur se tjetra dhe shumica e të cilave mbeten në fondin e letrave dhe historisë së artit shqiptar si shembuj pozitivë të një talenti gjenuin dhe të një nivelit të veçantë artistik e mjeshtëror. Prodhimtaria e lartë, mjeshtëria dhe niveli vetiak origjinal artistik mbeten tiparet kryesore të krijimtarisë së tij artistike. Ai mbetet një talent autentik qysh me tregimet e tij të hershme të sprovës që do ta impenjonin më tej në një prej gjinive më “konkuruese” të asaj periudhe, por edhe gjatë gjithë jetës së tij.

Tregimi e novela e shkurtër, kryesisht klasike, apo neorealiste shpërfaqin intuitën dhe finesën e rikrijimit të situatës apo ngjarjes spontane e të zakonshme në një zgjidhje letrare befasuse, të gdhendjes së personazheve e sidomos të momentit të tyre psikologjik, të lakonizmit, lirizmit e stilit të admirueshëm narrativ. Midis tyre vëllimet me prozë të shkurtër si “Rruga e Bardhë”, “Një natë shiu”, “Ajri i Ftohtë i Mesnatës”, “Portat e Dashurisë”, “Pylli në Vjeshtë”, “Vdekja e Nëpunësit X”, etj., mbeten modele krahasuese e referuse në prozën e shkurtër shqiptare. 

Romanet, si një prej impenjimeve dhe prurjeve të shumta në krijimtarinë e tij letrare mbeten pjesa më përfaqësuese e prozatorit të kultivuar tashmë me kulturë e veti të thella artistike e estetike. Jnë tablo të mëdha e të rëndësishme të jetës shqiptare në periudha e sfonde specifike historike, ekonomike e sociale me një konotacion të spikatur rikrijues, të një mesazheri artistik me vetëdijë, qartësi, thellësi analize, fantazie e meditimi profesional, si dhe i stilit elokuent narrativ e gjuhës së bukur letrare. “Tokë e Ashpër”(1971), “Pëballimi”(1975), “Lëndina e Lotëve”, “Të gjithë lumenjtë rrjedhin” (1985), “Pushimet e Kolonelit” (1990), “Një vit i hidhur” (1995), “Gropas 67”, “Mjegull” (2009), etj. pasqyrojnë jo vetëm “rendimentin” dhe rrëshqitjen e shfrenuar të penës së tij në prozë, por po ashtu edhe popullaritetin e tyre artistik tek audienca intelektuale dhe lexuesit. Pjesë integrale e krijimtarisë letrare të tij kanë qenë dramat dhe komeditë e shumta dhe po aq të suksesshme. Krahas të tjerash, veçori e tyre mbetet krijimi artistik i intrigës dramatike, progresive e kulmore, i situatave  së zhdërvjellëta të mizansenës, i zgidhjeve artistike jo artificiale dhe larmisë së pafundme të karaktereve e personazheve të këndshëm, disa prej të cilëve kanë ngelur emblematikë. Të tilla drama e komedi si “Shtëpia në rrugicë”, “Një nuse për Stasin”, “Gjëmimi i atij dimri”, “Qyteti i akuzuar”, “Shi në plazh”, “etj. kanë lënë gjurmët e tyre në repertorin klasik të spektakleve dramaturgjke shqiptare.

Në lëmin e kinematografisë, Teodor Laço cilësohet si një prurës autoritar i disa prej skenarëve artistikë, mbi të cilët u realizuan një sërë filma me prirje të reja regjisoriale e artistike. Ato i dallon imagjinata, aksioni i rrjedhshëm dhe intensiteti dramaturgjik, aftësia e përzgjedhjes dhe origjinalitetit e shumëllojshmërisë së personazheve, psikoanaliza e tyre, gjuha e shkathët dhe e larme e, si rrjedhim, uniteti i tyre artistik me preferencat e suksesshme regjisoriale. Duke veçuar filmat “Përballimi”, “Dhe vjen një ditë”, “Flutura në kabinën time”, “Vitet e pritjes” mund të konstatosh se suksesi i tyre në publik u garantua së pari nga skenarët e tyre me vlera potenciale. 

Nuk mund ta konsiderosh të ezauruar veprimtarinë krijuese të T.Laços pa përmendur edhe publicistikën e tij kulturore, politike e sociale. Përveç dhjetra e dhjetra artikujve të këtyre gjinive, disa libra voluminozë me publicistikë reflektive social-politike e diplomatike cilësojnë atë si një vëzhgues, përjetues dhe analizues të kthjellët të realiteteve historike kombëtare e ndërkombëtare. Mids tyre libri “Një dritare në Kremlin” është pa dyshim pasqyrë e angazhimit të tij serioz në realitete të reja të zhvillimeve politike të Shqipërisë postkomuniste.

Shumë prej veprave të tij kanë fituar çmime e vlerësime të rëndësishme kombëtare letrare, ndërkohë që një pjesë e tyre janë përkthyer e botuar në antologji në Francë, Britani, Itali, Rusi, SHBA, Turqi, Greqi, Bullgari, Rumani, Kosovë, etj

Një kapitull të rëndësishëm të veprimtarisë intelektuale të T.Laços përbën angazhimimi i tij në politikë e shtetari në kuadrin e shpërbërjes të sistemit politik të Shqipërisë gjatë dhe pas viteve ’90 të shekullit të kaluar. Si një prej intelektualëve antikonformistë, që paraprinë me krijimtarinë e tyre vizionin për nevojën e ndryshimeve politike e shoqërore kah demokratizimit të vendit, ai u përfshi në proceset e krijimit të pluripartitizmit në krahun liberal demokrat, fillimisht si një prej themeluesve e drejtuesve të partisë Social-Demokrate dhe më pas si krijues e drejtues për 10 vjet i partisë Bashkimi Liberal Demokrat. Gjatë kësaj kohe (1997-2005) ai zgjidhet deputet i parlamentit shqiptar. Midis viteve 1994-1997 emërohet minister i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe më pas, 2006-2008 e gjejmë si ambasador të Shqipërisë në Federatën Ruse. Si politikan, ministër dhe diplomat T.Laço dallohet për pjekurinë, kapacitetin, përvojën e pasur jetësore, përkushtimin, konsekuencën, përfaqësimin, pasionin dhe punën e përpjekjet e palodhura për kontribut ndaj shoqërisë shqiptare, urtësinë dhe përqasjen progresive ndaj fenomeve shqiptare. Ai u largua nga politika me vullnet dhe i sukseshëm, kontribues dhe sidomos i vetëdijshëm se qarkullimi i brezave dhe elitave intelektuale e politike është e vetmja mendësi e mundësi për të shpejtuar ritmin e zhvillimit dhe progresit të vendit drejt integrimit evropian.

Teodor Laço ka lindur 90 vjet më parë në fshatin e bukur Dardhë të Korçës, të cilën ai e ka cilësuar si margaritar të natyrës dhe humanizmit. Ajo mbetej për të ende vendbanimi  i tij i preferuar, jo vetëm sepse e lidhte me origjinën dhe përkatësinë e tij familjare, por edhe sepse ai ka qenë vendi i inspirimit shpirtëror, punës dhe realizimit të një numuri të madh të veprave të tij, ku vetë ajo, pra Dardha ndjehet shumë herë si skenografi apo arenë e zhvillimit të tyre. 

Për kontributin e tij intelektual, krijues e veprimtar Teodor Laço mban “Urdhërin Naim Frashëri të Klasit të Parë”, “Çmimin e Republikës” si dhe emblemën “Qytetar Nderi” i Qarkut të Korçës.

Së fundmi, në rafshin human, natyra dhe jeta ishte treguar tepër dorëlëshuar. Ai mbetet njeriu me veti të rralla shpirtërore; mençuria, dashuria, zemërmirësia, thjeshtësia, humori, dëlirësia, çiltërsia, mbështetja, solidariteti, toleranca, bujaria e mbi të gjitha fisnikëria e tij pasqyrojnë  atribute të një vetëdijeje e kapaciteti të rrallë njerëzor e intelektual të rrahur me përvojat më ekstreme të jetës  personale, familjare e shoqërore.

Eshtë rasti që në këtë përvjetor ta kujtojmë dhe nderojmë atë për kontributet e tij prej një personaliteti të shquar shqiptar!

Filed Under: LETERSI

LETRA E GJERGJ KASTRIOTIT drejtuar Giovanni Antonio Orsini-t

September 19, 2026 by s p

Përktheu: Luket Hasaj/

Kjo është letra që Skënderbeu i dërgoi si përgjigje Princit të Tarantos, Giovanni Antonio Orsini-t, të cilën po e sjellim këtu me një përkthim të ri nga teksti latin që gjendet tek “Illyricum Sacrum” VII, fq. 424, Episcopi Crojenses – Antonius Episc. Crojensis V. (Ipeshkvijt e Krujës – Antoni Ipeshkvi i pestë i Krujës), të cilën autori e ka marrë nga lib. 6 i “Commentarii” të Piut II:

“Gjergji, zot i Arbërisë, i dërgon përshëndetje Giovanni Antonio-s

princit të Tarantos.

Pasi arrita një armëpushim me armikun e fesë [krishterimit], nuk desha që miku im të mashtrohej për ndihmën time. Alfonsi shpeshherë, kur isha në rrezik, më dërgonte ndihmë kundër turqve. Do të isha mosmirënjohës nëse s’do t’ia shpërbleja të birit. Po të kujtoj se ai ishte mbreti yt. E pse për ty biri nuk ia zë vendin të atit? Ti e ke adhuruar atin e tij dhe tash kërkon ta rrëzosh të birin? Nga të vjen ky autoritet? Kujt i takon të caktojë mbretërit e Siçilisë, ty apo Papës së Romës? Kam ardhur të ndihmoj birin e mbretit, Ferdinandin, të shpallur mbret nga Selia Apostolike, kundër pabesisë sate dhe tradhtive të panumërta të parisë së kësaj mbretërie. Do ta paguash besën e shkelur dhe nuk do t’i thyesh betë gjithmonë pa u ndëshkuar.

Ky është shkaku i luftës sime me ty. Në këtë rast nuk jam më pak i denjë sesa kur i sulmoj turqit, sepse ti nuk je më i mirë se turqit; dhe ka prej atyre që mendojnë me të drejtë se nuk i përket asnjë sekti. Ti më vë përballë frankët dhe emrat e galëve që bënë luftëra të mëdha për fenë; nuk dua të diskutoj me ty për ngjarje të moçme, të cilat ndoshta ishin shumë më të vogla se zëri i tyre që mori dhenë.

Një gjë është e sigurt: në kohën tonë flota aragoneze i ka rënë shpesh kryq e tërthor detit Egje, ka shkretuar brigjet turke dhe ka marrë shumë plaçkë nga armiku. Turqit dikur i patën frikë aragonezët; dhe Troja, në gojë të armiqve, mbrohet edhe sot e kësaj dite me armët e aragonezëve. Pse më kujton gjërat e vjetra dhe lë mënjanë të rejat? Zakonet e familjeve ndërrojnë dhe bujqit bëhen mbretër e mbretërit bujq; dhe as nuk mund të gjesh fisnikëri që zgjat më shumë se virtyti. E di se ti ke qenë dikur armiku më i tërbuar i galëve (francezëve), sepse Alfonsi i dëboi ata kryesisht me ndihmën tënde. S’e di se ç’burrëri e re ka dalë në dritë. Mos ndoshta ke admiruar ndonjë yll të ri që ka veguar ndërmjet galëve? Pastaj ti e përbuz fisin tonë dhe arbrit i quan dele. Siç e ke zakon, ti flet me përbuzje dhe duket se nuk e njeh origjinën e fisit tonë.

Të parët tanë ishin epirotët, prej të cilëve doli ai Pirroja, sulmin e të cilit romakët mezi mundën ta përballonin dhe i cili pushtoi me armë Taranton e shumë vende të tjera të Italisë. Nuk mund të vësh përballë epirotëve, burra trima, tarantinët, këtë soj të qullosur njerëzish, të lindur vetëm për të zënë peshq të vegjël. Nëse thua se Arbëria është pjesë e Maqedonisë, e pranon se të parët tanë ishin shumë më fisnikë, të cilët nën Aleksandrin [e Madh] mbërritën deri në Indi, duke i mposhtur gjithë popujt që u dilnin përpara me sukses të paparë.

Prej atyre e kanë origjinën këta njerëz që ti i quan dele. Nëse jemi dele dhe natyra e gjërave s’ka ndryshuar, pse ju njerëz ikni para bagëtive? Ditët e fundit është provuar shumë herë a kanë qenë arbërorët apo puljezët bagëti; dhe ende s’kam takuar ndonjë [ushtar tëndin] që të mund të durojë fytyrën time. Kam parë për bukuri sa të armatosura janë shpinat e ushtarëve të tu, por ende s’kam mundur të shoh asnjë parzëm dhe as që ia njoh fytyrën ndonjërit, përveç atyre që i kam lidhur me pranga. Unë s’po kërkoj atdheun tënd, se më mjafton i imi. Por, duke parë se shpeshherë i ke përzënë bujarët fqinjë nga pronat e tyre, po përpiqem që ti të mos mund të dëbosh mbretin dhe siç të është mbushur mendja me të padrejtë, të shtiesh në dorë mbretërinë.

Në qoftë se vdes e varrosem në këtë punë, siç parathua ti, prapëseprapë shpirti im do të marrë shpërblimin nga Zoti, Sunduesi i të gjitha sendeve, për veprën fisnike që kam menduar dhe ndërmarrë, edhe sikur të mos kryhet plotësisht. Qofsh shëndoshë”.

Filed Under: LETERSI

Xhelko Maksuti, historiani, studiuesi dhe veprimtari i shqiptarëve në Rumani

September 18, 2026 by s p

Xhelko Maksuti ishte një nga figurat e rëndësishme të jetës kulturore, historiografike dhe organizative të shqiptarëve në Rumani.

I lindur më 8 mars 1931 në Ploiești, ai u formua në mjedisin arsimor dhe intelektual rumun, duke përfunduar Fakultetin e Historisë në Universitetin e Bukureshtit më 1956. Më vonë, në vitin 1980, mbrojti doktoraturën në shkencat historike, duke u përkushtuar veçanërisht studimit të historisë së shqiptarëve dhe marrëdhënieve shqiptaro-rumune.

Kontributi i tij nuk u kufizua vetëm në historiografi. Xhelko Maksuti ishte edhe publicist, studiues i diasporës shqiptare dhe organizator i jetës kulturore të shqiptarëve në Rumani.

Një moment i rëndësishëm i veprimtarisë së tij ishte 24 maji 1990, kur u themelua dhe u zyrtarizua Unioni Kulturor i Shqiptarëve në Rumani, ndërsa Xhelko Maksuti u zgjodh president i tij.

Në veprën e tij historiografike një vend të rëndësishëm zë historia e shqiptarëve në Rumani. Ndër botimet e tij të dokumentuara është libri “Istoria albanezilor din România”, botuar në Bukuresht më 2003.

Por, përtej veprës së tij shkencore, Xhelko Maksuti mbeti i lidhur fort edhe me rrënjët familjare shqiptare.

Familja e tij kishte prejardhje nga fshati Novosellë i Kërçovës. Në kujtimet e tij autobiografike ai e përmend gjyshen e tij, Selime Maksuti, si bijë të Novosellës dhe ruan kujtime për familjen, njerëzit dhe lidhjet e saj me Kërçovën.

Kështu, jeta e Xhelko Maksutit përbën një udhëtim të veçantë:

Nga Novoselli i Kërçovës në Ploiești të Bukureshtit dhe historia e shqiptarëve në Rumani.

Ai jetoi larg vendit të prejardhjes së të parëve, por Novoselli dhe Kërçova mbetën pjesë e kujtesës së tij familjare dhe identitare.

Xhelko Maksuti i përket atij brezi intelektualësh të diasporës që përmes studimit, shkrimit, dokumentimit dhe organizimit kulturor, kontribuan në ruajtjen e kujtesës historike shqiptare përtej kufijve të atdheut.

Trashëgimia e tij meriton të studiohet, dokumentohet dhe të përcillet te brezat e rinj.

🖋️ Dr. Kujtim Kasami

Filed Under: LETERSI

Fushata për ribotimin e Lahutës së Malësisë

September 16, 2026 by s p

Në bashkëpunim me Provincialin Françeskan të Shkodrës Patër Pashko Gojçaj, bashkëatdhetarët, dhe diasporen. Lidhja Miqtë e At Gjergj Fishtës në Diaspor ka filluar projektin për ribotimin e kryeveprës së At Gjergj Fishtës – Lahuta e Malcis.

Lahuta e Malcis është epika kombëtare e popullit Shqiptar që bashkon dhe lavdëron mozaikun tonë ndërfetar dhe kombëtar. At Gjergj Fishta punoi më shumë se tre dekada për ta përfunduar dhe në vitin 1937 u nominua për Çmimin Nobel në Letërsi, duke ia forcuar vendin në historinë ndërkombëtare të letërsisë.

Për shkak të rëndësisë së Lahutës së Malcis në zgjimin e shpirtit liridashës dhe kombëtar të popullit Shqiptar, libri u ndalua si në Shqipërinë komuniste ashtu edhe në ish Jugosllavinë. At Danjel Gjeçaj, Frati Françeskan i mërguar në Itali, e ruajti dhe e përsosi këtë kryevepër me botimin 1958 në Romë.

Ribotimi Luksoz Përkujtimor Edicioni 1958 përkujton sakrificën e popullit Shqiptar për liri, dhe njëkohësisht kujton kontributin e Françeskanëve në ruajtjen e letersisë dhe të historisë tonë të lavdishme gjatë gjithë kohërave.

Shpresojmë që do të jetë një projekt i suksesshëm që do të fyrmëzoj ruajtjen e këtij thesarit letrar dhe të vetëdijes kombëtare Shqiptare për brezat që vijnë. Jemi të vetëdijshëm për bamirësinë e miqve dhe bashkatdhetarëve tanë dhe shpresojmë që ata të na bashkohen për këtë projekt të rëndësishëm. Falenderojmë dhe nderojmë të gjithë donatorët.

Të gjitha kostot e projektit së bashku me donacionet do të llogariten në mënyrë transparente.

Parametrat e Projektit:

Numëri që do të Shtypet: 5,000 copë

Shtëpia Botues: Olymp në Prishtinë me pronar Liridon Zekaj dhe me sugjerim të Këshilltat Ministrit të Republikës së Kosovës në Londër Bejtullah Destani.

Kostoja e Projektit: €66,230 (përafërsisht $80,000) + transporti që do të llogaritet para ngarkimit me mas dhe pesh.

Përfundimi i Projektit: Dhjetor 2026

Linku per GoFundMe:

https://www.gofundme.com/…/fushat-per-ribotimin-e…

With Appreciation,

Nicholas Sinishtaj

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 319
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Albanian Eagles Dance sjell traditën dhe krenarinë shqiptare në Punta Gorda International CultureFest
  • Mentor (Hamdi) Çoku –Ohri (1914–1996), “Partia ime është Lidhja e Prizrenit”
  • Flora Brovina, ikona që na pamundëson kornizën
  • SHQIPËRIA NË HARTAT HISTORIKE TË SHEKULLIT XIX: DËSHMI HARTOGRAFIKE E IDENTITETIT GJEOGRAFIK DHE ETNIK NË BALLKAN
  • KUR HISTORIA NA KTHEN TE RRËNJËT…
  • Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në “Nutley Historical Museum” përmes artit të piktorit Dashamir Gurabardhi
  • “Botë të përthyera kadareane”
  • Edgar Allan Poe, gjeniu vizionar, pena që na magjepsi me makthet dhe frikën
  • KOSOVA DUHET TA MBROJË SOVRANITETIN
  • SHKOLLA SHQIPE NË FIRENCE, MIRËNJOHJE PËR ATA QË NUK E LËNË SHQIPEN TË MBETET VETËM NJË KUJTIM NË MËRGIM
  • Skulptorja Prof. Armida Laçej: “Trashëgimia kulturore është një nga rrënjët më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar”
  • VATRA PROMOVOI KOLANËN “ILLYRICUM SACRUM”, DËSHMI E AUTOKTONISË DHE VAZHDIMËSISË ILIRO-SHQIPTARE
  • “Kosova asht e jona”
  • Juristja dhe mbrojtësja e njohur e të drejtave të njeriut, Navi Pillay fiton Çmimin Nobel për Paqen 2026
  • NDERIMI I PERSONALITETEVE KOMBETARE NE FILATELI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT