
Memisha Gjonzeneli/
FEJZIU – Të nderuar dashamirësit e mi, të nderuar lexues të shkrimeve të mia. Jam 86 vjeç. Jetë e gjatë. Gjatë rrugës sime kam takuar plot njerëz që më kanë mbështetur, sa të them të vërtetën nuk i mbaj mend, aq shumë janë. Po u lutem atyre që të më falin, e them me shpirt, po besoj se jam përpjekur t’ua shlyej në një formë a në një tjetër. Po ia lë Zotit në dorë, që të më ndihmojë t’i shlyejë ai pjesën që ka mbetur. Por sot do të shkruaj dy fjalë për të fundit dashamires, që unë nuk mund ta harroj kurrë.
Me Fejziun u njoha në Itali në vitin 1990, kur unë me gjithë familje dhe dy vëllezërit shkuam atje me një adresë që na ndihmoi të merrnim vizën. Është e kotë të përshkruaj vuajtjet dhe vështirësitë që na dolën përpara. Unë kisha gruan dhe dy fëmijë, një vajzë 8 vjeçe dhe një djalë 4 vjeç. Vuajtjet po thuaj se mbaruan kur vajtëm në legatën Amerikane. Ata, jo vetëm që na dhanë vizën, por dhe na dërguan në një fshat që ishte në anë të detit, tamam sikur të ishim në Skelë. Atje na strehuan në një kishë që ishte në patronazh të SHBA-s, ku na ndihmonin edhe me ushqime. Atje gjeta edhe punë për saldator, bile ai italiani nuk besoi kur unë i thashë se isha saldator dhe më provoi. Ai u kënaq dhe më tha që të nesërmen të filloja punë afër shtëpisë, në një park. Kur vajtëm në Trovanika, na erdhi edhe kushëriri ynë, Jaup Xhezo, icili jetonte në Çikago me gjithë një shok, që e quanin Fejzi Sulejmani. Jaupi dhe Fejziu ishin miq edhe në Çikago. Jaupi erdhi me familjen të banonte aty ku qemë edhe ne. Fejziu kishte ardhur të merrte nënën dhe vëllain, që priste t’i vinin nga Shqipëria, kështu që u mblodhëm bashkë, sidomos në darkë. Aty u pamë për herë të parë me Fejziun dhe shumë shpejt u miqësuam me të. Ai ishte një burrë me trup mesatar e të lidhur dhe ishte shumë i dashur. Mbante dhe një palë mustaqe që e bënin më burrëror. Ai doli i njohur me gruan time se qenë të dy nga Sinanajt e Tepelenës. Fejziu ishte arratisur nga ushtria dhe kishte shkuar në Greqi dhe, nga Greqia kishte vajtur në Çikago. Në Çikago u martua me një vajzë të mrekullueshme, me babain e së cilës unë kisha qenë në burg. Para se të largohesha nga Italia, një ditë i thashë Fejziut:
-Fejzo, do të kërkoj një nder, po s’më pëlqeu Arizona, mund të vij në Çikago? Ai qeshi dhe më tha se shtëpinë e kisha gati, hajde kur të duash. M’u bë zemra mal. U gëzova shumë. “Paska akoma njerëz të mrekullueshëm”,-thashë me vete.
Mbas një jave fluturuam për në Arizona, mbasi aty kishim vëllain e madh që na priste. Vëllai kishte ikur me not në Korfuz në 15 korrik të vitit 1958 dhe u takuam të katër në 27 nëntor 1990. Arizona ishte shtet shumë i bukur dhe shumë i pasur. Atje 12 muaj viti nuk kishte dimër, vetëm behar. Aty vinin pleq që të kalonin fundin e pleqërisë. Punë nuk kishte, kështu që mbas pak kohe unë i fola Fejziut që mund të më ndihmonte. Ai prap m’u përgjegj me të njëjta fjalë që më kishte thënë, “hajde se po të pres”. Mbas një jave u nisa me autobus për në Çikago. Fejziu po na priste me të ëmën në stacion. Kur zbritem ishim më shumë se të lodhur. Pasi u qetësuam, Fejziu na prezantoi me të ëmën, Alimen, rahmet pastë, dhe që atëhere deri sa ndërroi jetë, unë i flisja nënë Alime. Fejziu na futi në një mekdanos dhe na bleu nga një cizburger për të ngrënë. Kurrë nuk kam ngrënë më si ai cizburger, aq shumë më shijoi. Ishim të raskapitur, dy ditë dhe dy netë udhëtim me autobus. Fejziu na çoi te pallati i tij dhe na dha një hyrje. Hyrja kishe një krevat dopjo dhe dy kolltuqe. Sa u shtrimë, na kapi një gjumë i thellë. Të nesërmen erdhi Fejziu na zgjoi. Kështu filloi jeta në Çikago. Që të nesërme dola të kërkoja punë, po më parë doja të mësoja rrugët. Mbas dy ditëve shkuam për vizitë te Fejziu. Ai kishte në shtëpi gruan, që e quanin Qamile, dhe dy djem të mrekullueshëm. Pastaj u takuam prapë me nënë Alimen, që na pritën gjithë mirësi. Ajo ishte tamam si gratë e Labërisë, fjalëmbël dhe me pak humor. Djemtë quheshin, i madhi Mexhit dhe i vogli Aris. Që të dy tepër të zgjuar. Mbas pak kohe unë gjeta punë për saldator tek një grek dhe fillova të punoja 6 ditë në javë, nga 12 orë në dite. Ndonjë të dielë shkonim për vizit tek Fejziu. Ata çdo herë na prisnin me respekt dhe dashuri. Fejziu merrej me banesat, ndërsa fëmijët vinin në shkollë. Mbasi kalova dy-tre vite vetëm punë dhe gjumë, dhe nuk interesohesha për asgjë tjetër, një të dielë vjen Fejziu dhe më thotë ka ardhur Rugova, prandaj hajde të shkojmë ta takojmë. Që atëhere cilido që vinte nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, unë dhe Fejziu ishim të parët që vinim për t’I takuar. Mbas ca kohe formuam komunitetin me shumë shokë nga trojet shqiptare, kështu që çdo veprim komandohej nga komuniteti. Mua dhe Fejziun na zgjodhën në kryesi, që e dorëzova kur dola në pension. Fejziu që në fillim ishte shumë aktiv dhe i gatshëm të mbështeste me gjithë të nderuarin e të paharruarin Edi Bregu, nga ana materiale. Që të dy dhanë dhe plotësonin nevojat e komunitetit. Ata bënë që komuniteti ynë të ishte i dyti ose i treti në Amerikë për ndihmat e pandërprera që dërgonim në Kosovë. Fejziu është njeri i veçantë, në të gjithë kohën ka ndihmuar çdo shqiptar, që ka kërkuar ndihmë. Dera e Fejziut kurrë nuk është mbyllur. Fejziu kurrë nuk ka pyetur se në çfarë ane politike është, për të mjafton të jetë shqiptar. Fejziu të dy djemtë i ka martuar në Shqipëri, në familje të nderuara. Vetë familja e Fejziut është nga më të nderuarat në Çikago. Të dy djemtë e Fejziut, sa mbaruan shkollën i vunë shpatullat punës dhe çdo gjë shkoi më së miri. Fejziu ka dhe diçka të veçantë nga shqiptarët e tjerë: sa herë që ka ndonjë festë në shtëpi, ai fton në lokal 300-400 vetë, kështu që na jep mundësinë të shohim njëri-tjetrin dhe ta kalojmë me këngë e valle shqiptare. Është fat për ne që e kemi. Kontributi i Fejziut në komunitet është i paçmuar. Fejziu është i ftuari sa herë që mblidhet kryesia dhe i dëgjohet fjala. Fejziu është i vetmi që në çdo përvjetor të ngritjes së flamurit shqiptar në sheshin e Çikagos, me gjithë familjen është në qendër, të gjithë të veshur me rrobat më të mira.
Për gjithë këto që thashë më lart, do t’i lutem Presidentit të Republikës së Shqipërisë, ose atyre që kanë në dorë, që Fejzi Sulejmanit t’i mundësohet ndonjë shpërblim moral, kjo do të na gëzojë pa masë, si komunitetin edhe mua personalisht do të më bëhet qejfi. Për një njeri që e ka filluar jetën me një karro dore duke shitur hadog dhe tani është radhitur me dinjitet në kolltukun e milionerit, mendoj ta merrni në konsideratë lutjen time…
LAVDI FEJZIUT!
ÇIKAGO, 3 shkurt 2026