

Prof. dr. Roland Gjini*/
Ky libër vjen pas një pune dyvjeçare timen, mbështetur në arshivën e Federatës VATRA dhe fondin e gazetës së saj Dielli.
Fillimish dua të shpreh falenderime për drejtuesin e “Vatrës”, z. Elmi Berisha dhe editorin e Diellit z. Sokol Paja, të cilët më krijuan kushtet e mundësitë pë realizimin e këtij punimi. Falenderime gjithashtu edhe për rektoratin e UE për mbështetjen e dhënë, si dhe për akademik Beqir Metën si redaktor shkencor i këtij studimi. Po ashtu, shpreh falenderime për dy recensentët: Dr. Florinka Gjevori dhe dr. Joana Kosho, për vlerësimet e bëra për këtë punim. Një konsideratë e veçantë edhe për stafin tepër profesional të shtëpisë botues Albas, që bënë të mundur botimin cilësor të këtij libri.
Ky libër si qëllim të tijin kryesor ka të evidentojë e të pasqyrojë drejt rolin e madh që luajti Federata Panshqiptae VATRA si dhe gazeta e saj Dielli e SHBA-së për sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar dhe, në mënyrë të veçantë atë amerikan, për drejtësinë e kauzës së popullit shqiptar të Kosovës në luftën e tij për të fituar lirinë e pavarësinë ngë pushtimi e sundimi i ashpër dhe i gjatë serb. Libri trajton Zhvillimin e situatës dhe të ngjarjeve në Kosovë për periudhën nga demostratat e pranverës së vitit 1981 e deri në shpalljen e pavarësisë në shkurt 2008 e, e pak vite më pas, deri në vitin 2012, kur filluan bisedimet Prishtinë-Beograd, parë nëpërmjet shkrimeve në gazetën Dielli.
Gjatë kësaj periudhe kjo gazetë u drejtua nga editorët Xhevat Kallajxhiu, Anton Çefa e deri te Dalip Greca, të cilët, paraprinin me artikujt e shkrimet e tyre editoriale.
Situatat e gjendjen në Kosovë gazeta Dielli i trajton gjithashtu nëpërmjet deklaratave e notave të protestës, fjalimeve të drejtuesve së Federatës VATRA, si dhe shkrimeve të ndryshme, si lajme, njoftime, artikuj analitikë, intervista, reportazhe, letra të lexuesve, deri te fjalime e qëndrime të pesonaliteteve të shtetit e politikës amerikane e më gjerë.
Ndër personalitetet e shumta që shkruan apo dhanë intervista për këtë gazetë përmendim profesorë e akademikë, klerikë e figura të tjera të luftës, politikës, shkencës, artit e kulturës, si Petër R. Prifti, Sami Repishti, Arshi Pipa, Rexhep Qosja, Mark Krasniqi, Atë Artur Liolin, Ismail Kadare, Sylë Ukshini, Adem Demaçi, Ibrahim Rugova, Pjetër Arbnori, Fatmir Sejdiu, Bujar Bukoshi, Alfred Moisiu, Sali Berisha, Besnik Mustafaj, Atifete Jahjaga, Idriz Ajeti, Agim Karagjozi, Marjan Cubi, Mal Berisha, Gjon Buçaj, Uran Butka, Anton Nikë Berisha, Agim Xh. Dishnica, Ermira Babamusta, etj.
Gjithashtu shkruan lajme, reportazhe e analiza si dhe ngritën shqetësime për gjendjen në Kosovë gazetarë si arbëreshët Vincenx Golletti Baffa e Fran Debelsi, Murat Blaku, Hys Shkreli, Lekë Drini, Mero Baze, Artur Kopani, Ilir Hashorva, Uran Kostreci, Kolë Berisha, Idriz Lamaj, Markensen Bungo, Besim Abazi, Besnik Bardhi, Diana Toska, Albana Lifschin, Sami Milloshi, Mimoza Dajçi, Bardhyl Ajeti, Ruben Avxhiu, Ndue Ukaj, Shefqet Hoxha, Beqir Sina, Arben Xhixho, Laura Konda, Sinan Kamberaj, Gjekë Gjonlekaj, Halil Mula, Ilir Ikonomi, e të tjerë.
Federata VATRA dhe gazeta Dielli arritën të sensibilizojnë opinionin ndërkombëtar, në mënyrë të vëçantë atë amerikan, për ta gjykuar si tepër shqetësuese situatën në Kosovës të krijuar nga pushtimi serb. Për këtë, jo vetëm u shprehën, por mbajtëm qëndrim si dhe lëshuan deklarata dhe rezoluta në mbrojte të popullit shqiptar mjaft personalitete politike të administratës amerikane, si presidenti Klinton, sekretarja e shtetit Ollbrajt, e më pas Hillëri Klinton e Condolezza Rice, kongresmenë e senatorë si Broomfield, Bob Dole, Akfons d’Amato, Peter Demenici, Joseph Diguardi, Eliot Engel, McCain. Gazeta Dielli pasqyroi dukshëm edhe punën e madhe të bërë në mbrojtje të kauzës kosovare nga diplomatët amerikane, apo ndërkombëtarë, si Hollbruk, Walker, Kristofer Hill, Soren Jesen Petersen, Frenk Wisner, Joachim Rucker, e mjaft personaliteteve të tjerë.
Si përfundim mund të them: Në se dëshiron të njohësh mirë historinë e Kosovës nga vitit 1981 deri në vitin 2008, mjafton të shohësh shkrimet dhe artikujt e gazetës Dielli në këtë periudhë. Mendoj që ky libër këtu e ka edhe rëndësinë e vet për çdo lexues. Këtu, më qartë se kudo, parashtrohet e analizohet rruga e gjatë nëpër të cilën eci Kosova drejt lirisë e pavarësisë së saj. Këtu shihet se si ecin paralel apo ballafaqohen rruga paqësore drejt lirisë e përfaqësuar nga I. Rugova dhe Lidhja Demokratike me rrugën e luftës së parfaqësuar nga UÇK-ja e PDK-ja, këtu shihen arritjet që nga viti 1981 e deri më 2008, si dhe sfidat, pengesat e situatat e trazuara që krijoheshin herë pas here nga qarqet serbe.
Prandaj, gjykoj që botimi i këtij libri do të ndikojë sadopak për t’i parë e vlerësuar ngjarjet e mëdha që ndodhën në proçesin e fitores së lirisë e pavarësisë së Kosovës me gjakftohtësi e në mënyrë objektive.
*Fjala e mbajtur gjatë promovimit të librit në Panairin e Librit Akademik në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.