
Drejtuar Princave arbërorë dhe Rektorëve venedikas/
Përktheu: Luket Hasaj/
Kuvendi i Lezhës u mbajt në Katedralen e Shën Kollit më 2 mars 1444, nën drejtimin e Gjergj Kastriotit, me pjesëmarrjen e fisnikëve: Andrea Topia, Tanush Topia, Gjergj Arianiti, Gjergj Stres Balsha, Gjon Balsha dhe Gojko Balsha, Lekë Dushmani, Lekë Zaharia, Pal Dukagjini dhe Nikollë Dukagjini, Pjetër Spani, Teodor Korona Muzaka, Shtjefen Gjurashi (Stefan Cërnojeviqi), dhe qenë të pranishëm edhe Rektorët venedikas në Arbëri. Po paraqesim të përkthyer fjalimin që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u drejtoi në kuvend Fisnikëve arbërorë dhe Rektorëve venedikas, të gjetur në Arkivin Sekret të Vatikanit në një broshurë anonime:
Fjalimi i Zotit Gjergj Skënderbeu, Princi i Arbërisë,
drejtuar Zotërve arbërorë dhe Rektorëve venedikas,
i mbajtur në Lezhë qytet i Arbërisë që në atë kohë
ishte nën Zotërimin e Venedikut.
“Të përndritur Zotërinj dhe Etër fort të nderuar. Nuk dyshoj që Ju e dini mirë se me sa armiqësi dhe urrejtje turqit e përndjekin Fenë tonë të shenjtë të Krishterë si dhe sa armiqësorë janë kundër çdo virtyti dhe veçanërisht se ata nuk e mbajnë kurrë besën e dhënë dhe po të kishin mundësi do t’i shkonin në teh të shpatës të gjithë Princat e Krishterë, siç ka treguar ndonjëherë përvoja kur Perëndia i ka lejuar për shkak të mëkateve tona. Megjithatë, me hirin e Zotit të vërtetë e të gjithëpushtetshëm i dëbova uzurpuesit e shtetit të tim eti dhe i bëra copë-copë të gjithë turqit që u përpoqën të më kundërshtonin dhe pastaj mora edhe gjithçka që zotëronte Sulltani turk në Arbëri siç e dini të gjithë. Prandaj, Shkëlqesitë Tuaja duhet të keni parasysh se me siguri ai Qen i tërbuar do të përpiqet të përdorë tërë fuqinë e tij kundër meje dhe shpejt do të sulet mbi mua; dhe nëse rastësisht, gjë të cilën mos e dhëntë Zoti, do të më mposhtë, fill pas do të vijë kundër jush.
Për këtë arsye Ju nxis dhe Ju lus që në emër të Zotit dhe të Fesë sonë të shenjtë, si dhe për çdo obligim ndaj dashurisë, të denjoheni t’i bashkoni forcat tuaja me mua, dhe nëse nuk ju duket e drejtë ta bëni këtë për të qenë kështu në paqe me turqit, ju lutem shumë që t’ju pëlqejë të qëndroni mënjanë, duke mos i ndihmuar turqit, dhe as mua të mos më bëheni pengesë, dhe për këtë të denjoheni të më jepni përgjigje pozitive, sepse shpresoj me çdo mënyrë të mbrohem me të djathtën e Madhërisë Hyjnore nga një Tiran kaq i madh.” […]