
Shqipëria po përballet me skandale të njëpasnjëshme e një krizë të thellë institucionale. Shteti është gjunjëzuar para krimit të organizuar e bandave që kanë kontroll të plotë mbi institucionet dhe territorin e vendit.
Hetimet intensive të SPAK dhe masat e sigurisë GJKKO-së ndaj drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, si dhe kontrollet ndaj ish-kreut të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, përveç skandalit ngrenë pikëpyetje serioze mbi sigurinë kombëtare të Republikës dhe funksionimin e strukturave shtetërore e ligjzbatuese në Shqipëri. Proda i policisë dhe Vlora e shërbimit sekret janë treguesit e degradimit dhe shkërmoqjes së institucioneve të sigurisë kombëtare në Shqipëri.
Cenimi i sekreteve shtetërore, raportimi te bandat, mbrojtja e të kërkuarve të drejtësisë, përkrahja e të inkriminuarve, pazari me informacionin e klasifikuar, përfshirë informacionin e ndjeshëm të lidhur me NATO-n, nëse provohet nga hetimet, do të përbënte një alarm të jashtëzakonshëm për sigurinë e vendit dhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë të Shqipërisë. Si pasojë e keqqeverisjes 13 vjeçare, publiku, institucionet dhe qytetarët shqiptarë vuajnë arrogancën, korrupsionin, patronazhimin dhe njësimin e shtetit me krimin. Krimi i organizuar në Shqipëri përcakton ministra e drejtorë drejtorish.
Nga nivelet më të larta të qeverisjes qëndrore, lokale e deri te administrata në çdo rang vendi, korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin po rëndojnë mbi qytetarët e thjeshtë, shtetin shqiptar dhe po dëmtojnë besimin e qytetarëve te funksionalizmi i institucioneve në interes dhe shërbim të qytetarëve. Qytetari shqiptar është lënë në harresë, qeveria ka prioritet bashkëpunimin me krimin. Një realitet i tillë poshtërues nuk mund të mos ketë pasoja edhe për procesin e integrimit europian të Shqipërisë ku faturën e paguajnë qytetarët shqiptarë dhe institucionet e brishta.
Kur institucionet dobësohen, kur llogaridhënia e transparenca nuk ekzistojnë, kur përgjegjësia politike mungon dhe kur krimi fiton hapësirë mbi shtetin, kolonat e demokracisë fillojnë të shemben. Fatkeqësisht shteti shqiptar si pasojë e keqqeverisjes së Ramës, ngjan me një gërmadhë, çdo kolonë është shembur prej lidhjeve okulte qeveri-banda. Agasi është fenomeni politik e kriminal i zhytjes së shtetit në krim.
Shqipëria e sotme është kapur për fyti prej krimit të organizuar dhe lidhjeve qeveritare me eksponentë të rrezikshëm. Shqipëria sot më shumë se kurrë ka nevojë për institucione të forta, drejtësi të pavarur dhe përgjegjësi në çdo nivel të pushtetit. Skandalet shtetërore nuk mund të kthehen në normalitet. Shkelësit duhen ndëshkuar dhe dënuar. Krimi dhe shteti nuk mund të jenë simbiozë. Për një shtet që synon të jetë europian, skandalet janë një turp kombëtar dhe një kambanë alarmi për funksionimin e shtetit dhe për të ardhmen e vendit. Shqipëria meriton shtet, vlera, meritokraci dhe dinjitet.
Sokol Paja