
Prof. Romeo Gurakuqi/
Shqipnia e ka pasë gjithmonë të vështirë me i vendosë në krye të punëve shtetnore dhe të institucioneve të veta ma të randësishme, njerëzit e duhun: patriotët, profesionistët, të spikatunit, ata që, për shkak të genit, traditës familjare, shkollimit/ formimit, kulturës së besnikërisë shtetnore dhe integritetit të tyne, nuk mund ta tradhtojnë e as ta shesin Atdheun dhe interesat e tij madhore publike. Janë pikërisht ato interesa që u përkufizuen qysh në Aktin Themeltar të Vlonës të vitit 1912 dhe në marrëveshjen themelore ndërshqiptare për ndërtimin e një shteti kushtetues, të lirë, të pavarun dhe europian.
Për fat të keq, punët shqiptare vazhdojnë shpesh të mbeten në duart e atyne që duket sikur kanë për program “me zhgulë ullinin e me vu shelgun” ( thanie e nji shkodrani të urtë: Ndrekë Kaçulinit) në çdo pllambë të tokës sonë publike: me zëvendësue atë që ka shkollim, rranjë, traditë dhe profesionalizëm, me improvizimin, përkohshmëninë dhe rastësorët, diletantët, rioshët e kakareçë pa nji libër të lexuem në jetë, shkëmbyesit, çibanët e së keqës. Dhe kjo shfaqet pothuajse gjithandej, në çdo qelizë të drejtimit të shtetit, deri te fusha ma jetike: siguria kombëtare.
Pikërisht këtu lind nji pyetje themelore: a ekziston sot nji përkufizim i kjartë, bashkëkohor dhe detyrues shtetnor i interesit dhe i sigurisë kombëtare shqiptare? A kena na nji doktrinë që të përcaktojë vijat e pakalueshme të shtetit, të jetë mbi individët, partitë dhe mandatet politike dhe që të mos i lejojë askujt, pavarësisht pozitës që ka, të devijojë kur asht në detyrë, prej interesave themelore të Republikës dhe të kombit shqiptar, në rasën e emnimeve?
Si asht e mundun që njerëzit pozitivë, punëtorë, të përkushtuem të ktij vendi, që përpiqen për të mirë, në vend që me iu ba krah, menjiherë gjindet mënyra të rrethohen me llom të pafund, me atmosferë plot helm, me matrapazë, që fillojnë me i sabotue dhe me i zhgatërrue?!
A do të vijë, ma në fund, dita kur shteti shqiptar të pushojë së mbjelluni shelgje aty ku ka nevojë për, ullinj e lisa; kur njerëzit të mos vendosen në krye të punëve për bindje, lidhje e shërbime të rastit, por për peshën e dijes, të karakterit, të veprës dhe të përgjegjësisë së provueme ndaj vendit, interesit publik, sigurisë nacionale dhe qytetare, progresit arsimor, kulturorë e shkencorë?
Kam gjetë raste për t’u marrë shembull në vitet e Mbretnisë së Dytë, kur i Pari vendit, për institucionin ma të randësishëm të sigurisë, pat vendosun njerëz të sprovuem, që nuk ishin prej besnikëve të tij, por ata ishin të sprovuem në besnikerinë ndaj Shqipnisë: Spiridon Kacarosi ishte njëni nga ata.