
Prof. Afrim Krasniqi/
Politika dhe as qeverisja nuk janë çështje numrash, por vlerash, vizioni, integriteti dhe përgjegjësie. Politika nuk është lojë, është akt publik, është aktivitet profesional & moral, është mekanizmi më i avancuar për ndikimi në vendimmarrje dhe përmes saj, në ndryshimin (pozitiv) të jetës për qytetarët dhe cilësisë funksionale të demokracisë/shtetit të së drejtës.
Kështu u premtua kur nisi. Pastaj lindi patronazhizmi, dhe në rrethin vicioz të krijuar fillimisht iku i brendshmi, I lidhur me krimin. Pastaj ai i mjedisit, pastaj ai i shëndetësisë, pastaj mbi 25 ministra e zyrtarë të lartë të shkarkuar për paaftësi, pastaj një duzinë kryetarësh bashkish dhe deputetësh me dekriminalizimin apo skandale korruptive, pastaj 5D dhe i përzgjedhuri në krye të Tiranës, pastaj arratiset zv/kryeministri, pastaj pezullohet/hetohet zv/kryeministri tjetër, pastaj pezullohet/hetohet drejtoresha e SHISH, ish drejtori i përgjithshëm i policisë, etj, etj. Janë mbi 500 zyrtarë të niveleve të ndryshme, nga kryeministria në bashkitë dhe drejtoritë periferike, të gjithë të emëruar për shkak të lidhjeve/meritave politike, të gjithë në raporte personale me shefin e partisë/qeverisë/mazhorancës. Një histori e gjatë dhe komplekse e lidhjeve formale/informale të politikës me krimin, skandale korruptive dhe abuzim me postin dhe përgjegjësinë publike.
Ne e kemi deja vu alibinë, – kur pas 27 vitesh në detyrë kryeministri “kreu vetëvrasje“ partia zbuloi se ai ishte agjent që në rininë e tij, dhe vetë shefi i tij shkroi ekspozenë akuzuese që lexuan më pas prokurori e gjykatësi, duke marrë rolin e heroit, – e shpëtoi vendin, socializmin dhe komunizmin nga një armik i përbetuar, armiku pushkatohet por Partia del më e fortë! Jetojmë në kohë/sistem tjetër, por alibia dhe kultura e deformuar politike mbetet e njëjtë, – shefi nuk ka faj, as përgjegjësi, as dijeni; Partia del më e fortë nga arrestimet VIP dhe ai madje kërkon edhe meritën!
Imagjinoni një trajner ekipi, pas çdo skandali apo problematike del në konferencë, mban përgjegjësi, në varësi nga problematika jep edhe dorëheqje. Kjo ndodh në sport. Në politikë rregullat e “lojës“ ndryshojnë, trajneri aty nuk ka faj, ai jo vetëm mbijeton, por ndryshon gjithë ekipin, përzgjedh stadiumin, gjyqtarin, spektatorët, median raportuese dhe vëzhguesin, – dhe nëse ka nevojë, ndryshon/emëron edhe ekipet konkurruese, madje bën ndeshje dhe feston fitoren edhe pa pasur ekip tjetër përballë në fushë!
Një histori e trishtë tranzicioni. U premtua se sistemi është përgjegjës, ky sistem korrupton edhe “gjermanin“ thoshte në fushatë 2013, ndaj ishte jetike që sistemi vetë duhet ndryshuar, jo thjesht njerëzit në sistem. Pastaj kur erdhi në krye të sistemit jo vetëm nuk e ndryshoi, por e perfeksionoi, e personalizoi, e nënkontraktoi. Produkti dihet. KÇK. Dhe “nuk keni parë gjë akoma”!