

Nga Mimoza Dajçi/
Nju Jork, Nëntor 2026. Mbrëmjet kulturore në metropolin amerikan kanë marrë një dimension tjetër falë angazhimit të vazhdueshëm të Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Nju Jork, Z. Blerim Reka, i cili së fundmi organizoi shfaqjen e veprës më të re kinematografike kosovare, filmit “Dua”, nën regji të kineastes së mirënjohur Blerta Basholli. Ngjarja mblodhi personalitete të artit, diplomatë, dashamirës të filmit dhe përfaqësues të diasporës shqiptare, duke u shndërruar në një festë të vërtetë të kulturës dhe identitetit kombëtar.
Filmi “Dua”, i cili përfaqëson Kosovën si kandidat zyrtar për çmimin prestigjioz “Oscar” në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar, për edicionin e 99-të të Akademisë, ka tërhequr vëmendjen e kritikës që nga premiera e tij botërore në Festivalin e Kanës, ku u kurorëzua me çmimin e rëndësishëm SACD Award.
Vepra sjell në fokus historinë e ndjeshme të një 13-vjeçareje, Dua, interpretuar nga Pinea Matoshi, e cila rritet në Prishtinën e viteve të vona të ‘90-të, në prag të tensioneve dhe ndryshimeve të mëdha politike. Përmes syve të një fëmije, regjisorja Basholli sjell një qasje unike se si në rrethanat e konfliktit pasiguria përthithet në heshtje nga brezi i ri, duke ndërtuar një dramë njerëzore që flet fuqishëm.
Për regjisoren Basholli, kjo është hera e dytë që futet fuqishëm në garën drejt “Oscars”, pas suksesit historik ndërkombëtar me filmin “Zgjoi”. Regjisorja dhe skenaristja Blerta Basholli ka realizuar edhe disa projekte të tjera ndër vite, duke përfshirë filma me metrazh të gjatë dhe dokumentarë. Gjithashtu, ajo ka dhënë kontribut edhe në produksion, por edhe si bashkëproducente në filma të ndryshëm.
Gjatë sekuencave të filmit, ndërsa Dua kërkon vendin e saj mes bashkëmoshatarëve, shkollës dhe dëshirave tipike të moshës, atmosfera e qytetit ngarkohet nga frika, pasiguria, ndryshimi i rrugëve të përditshme për shkak të rreziqeve dhe largimi i vazhdueshëm i njerëzve që ikin nga vendi.
Pas një incidenti që trondit komunitetin e tyre, vetë Dua bëhet objektiv dhe hyn në shënjestër. Në këtë periudhë të vështirë, ajo lidh një miqësi të ngushtë me Makin, një vajzë më e guximshme, e cila e tërheq drejt formave të ndryshme të rezistencës dhe sfidës ndaj realitetit shtypës.
Filmi trajton me shumë ndjeshmëri mënyrën se si familjet përpiqen të ruajnë normalitetin, të mbrojnë fëmijët dhe të mbijetojnë në një mjedis ku dhuna dhe kërcënimi i dëbimit apo emigrimit bëhen të pashmangshme. Nëpërmjet këtij filmi, Basholli sjell një qasje shumë intime dhe personale të përjetimit të konfliktit përmes syve të një fëmije që detyrohet të rritet para kohe.
Organizimi i kësaj shfaqjeje nga Ambasadori Reka dhe Konsullata e Kosovës në Nju Jork dëshmon rëndësinë e diplomacisë kulturore si një urë lidhëse mes Kosovës dhe qendrave më të mëdha të artit në botë. Për komunitetin shqiptar në Amerikë, mbrëmje të tilla nuk janë thjesht ngjarje argëtuese, por një mundësi krenarie dhe dëshmi e gjallë se kinematografia e Kosovës vazhdon të prodhojë vlera të larta që krahasohen me ato botërore.
Në një kohë kur artit kosovar po i hapen dyert e skenave më të mëdha globale, ngjarje të tilla në Nju Jork konfirmojnë se tregimet tona, sado lokale dhe intime të duken në fillim, përcjellin mesazhe që meritojnë të dëgjohen nga i gjithë njerëzimi. Gara drejt “Oscar”-it qëndron e hapur, ndërsa mbështetja nga diaspora dhe institucionet tona mbetet shtylla kryesore e këtij suksesi të përbashkët.