
(Reflektime historike mbi Kongresin e Manastirit dhe sfidat e shqiptarëve në kohën tonë)
Prof.dr.Skender ASANI/
Historia ka dëshmuar se momentet përcaktuese në jetën e kombeve nuk krijohen vetëm nga fuqia politike apo ushtarake, por, mbi të gjitha, nga aftësia e tyre për ta kuptuar kohën në të cilën jetojnë dhe për të vepruar përpara se mundësitë historike të humbasin. Një nga këto momente vendimtare ishte Kongresi i Manastirit, i mbajtur më 14-22 nëntor 1908, kur elita intelektuale dhe patriotike shqiptare dëshmoi një vetëdije të lartë për zhvillimet historike dhe rreziqet që kërcënonin të ardhmen e kombit. Në një Ballkan ku Perandoria Osmane po përjetonte procesin e shpërbërjes, Fuqitë e Mëdha po ripërcaktonin interesat e tyre strategjike, ndërsa shtetet fqinje po përgatiteshin për zgjerime territoriale, shqiptarët ndodheshin përballë një domosdoshmërie historike: të përcaktonin qartë jo vetëm identitetin e tyre kombëtar, por edhe orientimin historik, kulturor dhe qytetërues.
Që nga Kongresi i Berlinit i vitit 1878, çështja kombëtare shqiptare ishte përballur me kërcënimin e copëtimit territorial dhe mohimit të të drejtave kombëtare. Në diskursin politik dhe diplomatik të kohës, shqiptarët shpesh paraqiteshin përmes përkatësisë së tyre osmane ose fetare, duke lënë në hije individualitetin e tyre të veçantë etnik, historik dhe kulturor. Një paraqitje e tillë nuk ishte gjithmonë e rastësishme. Qarqe të caktuara politike të shteteve fqinje e shfrytëzonin këtë perceptim për të krijuar një alibi përpara diplomacisë evropiane, duke i paraqitur territoret e banuara nga shqiptarët si mbetje të sundimit osman dhe jo si hapësira historike të një kombi me identitet, gjuhë dhe aspirata të veta politike. Në këtë mënyrë, mohimi ose relativizimi i identitetit kombëtar shqiptar mund të shndërrohej në instrument për legjitimimin e pretendimeve territoriale dhe të politikave ekspansioniste.
Pikërisht në këtë kontekst, Kongresi i Manastirit fiton një domethënie që shkon shumë përtej njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Ai përfaqësonte një hap vendimtar drejt afirmimit të orientimit kulturor evropian të kombit shqiptar. Pranimi i alfabetit me bazë latine, krahas alfabetit të Stambollit në kuadër të kompromisit fillestar, nuk ishte vetëm një zgjidhje praktike e çështjes gjuhësore. Ishte një akt me rëndësi të veçantë kulturore dhe kombëtare, që krijonte mundësi më të gjera për komunikim me botën evropiane dhe ndihmonte në shkëputjen e identitetit kombëtar shqiptar nga identifikimi i njëanshëm me strukturat politike të Perandorisë Osmane. Shqiptarët duhej të dëshmonin se nuk ishin thjesht një popullsi e mbetur brenda një perandorie në shpërbërje, por një komb evropian me gjuhën, kulturën, historinë dhe aspiratat e veta për liri e mëvetësi.
Në Manastir, personalitete të shquara të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, si Mit’hat Frashëri, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Parashqevi Qiriazi dhe shumë veprimtarë të tjerë, arritën ta vendosnin interesin e përgjithshëm kombëtar mbi dallimet krahinore, fetare dhe politike. Ata e kishin kuptuar se përkatësia fetare nuk mund të shndërrohej në kufi të identitetit kombëtar dhe se diversiteti kulturor e shpirtëror i shqiptarëve nuk duhej të ishte pengesë për bashkimin e tyre. Përkundrazi, ky diversitet duhej të përbënte një pasuri të përbashkët, të mbështetur mbi gjuhën, kujtesën historike dhe vetëdijen kombëtare. Ishte pikërisht kjo frymë bashkimi që i dha një shtysë të re Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe, përmes zhvillimeve politike e kryengritjeve të mëvonshme, ndihmoi në përgatitjen e rrugës drejt Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912.
Por, më shumë se një shekull më vonë, lind një pyetje që duhet të na shqetësojë të gjithëve: a e kemi kuptuar ne, si shqiptarë, mesazhin e përhershëm historik të Manastirit?
Sot, shqiptarët ndodhen përballë një konfiguracioni të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare, ku rivalitetet gjeopolitike, krizat globale dhe ndryshimet e aleancave strategjike kërkojnë qartësi orientimi, përgjegjësi historike dhe aftësi për të menduar përtej interesave të çastit. Ndryshe nga viti 1908, sot shqiptarët kanë dy shtete, institucione kombëtare, universitete, përfaqësim diplomatik dhe një diasporë të fuqishme, e cila përbën një potencial të jashtëzakonshëm njerëzor, intelektual dhe ekonomik. Megjithatë, përkundër këtyre arritjeve, mbetet shqetësuese mungesa e një vizioni mjaftueshëm të bashkërenduar për interesat tona afatgjata kombëtare.
Në këtë kuadër, vëmendje të veçantë meriton dukuria e fragmentimit të identitetit kombëtar shqiptar përmes instrumentalizimit të përkatësive shtetërore, rajonale dhe fetare. Liria e besimit dhe përkatësia qytetare ndaj shteteve ku jetojnë shqiptarët janë realitete legjitime, që duhen respektuar pa asnjë rezervë. Problemi fillon atëherë kur këto përkatësi përdoren politikisht për ta relativizuar, zbehur ose mohuar vetëdijen e përbashkët kombëtare. Historia na mëson se dobësimi i lidhjeve identitare dhe kulturore të një kombi mund të krijojë hapësirë për ndikime të jashtme dhe, në rrethana të caktuara, për ambicie territoriale.
Përvoja historike shqiptare na obligon të jemi të vëmendshëm ndaj çdo përpjekjeje që synon ta zëvendësojë identitetin e përbashkët kombëtar me ndarje përjashtuese. Nëse në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX shqiptarët përballeshin me përpjekje për t’u identifikuar si mbetje të Perandorisë Osmane, në rrethanat bashkëkohore rreziku mund të marrë trajta të tjera, më të ndërlikuara dhe më pak të dukshme. Ai mund të shfaqet përmes nxitjes së dallimeve të brendshme, politizimit të përkatësive fetare, theksimit të identiteteve shtetërore si identitete përjashtuese, apo relativizimit të lidhjeve historike dhe kulturore ndërmjet shqiptarëve.
Kjo nuk do të thotë se çdo identitet qytetar, rajonal ose fetar përbën kërcënim për identitetin kombëtar. Përkundrazi, një shoqëri demokratike duhet t’i garantojë dhe t’i respektojë të gjitha këto përkatësi. Por kur dallimet shndërrohen në instrumente të përçarjes politike dhe të dobësimit të kohezionit kombëtar, ato kërkojnë vlerësim kritik, argumentim shkencor dhe përgjegjësi të lartë shoqërore.
Një tjetër shqetësim serioz i kohës sonë është fragmentimi i skajshëm i jetës politike shqiptare. Rivalitetet e vazhdueshme ndërmjet subjekteve politike, në vend që ta forcojnë demokracinë përmes pluralizmit, debatit dhe konkurrencës së ideve, shpesh e zhvendosin vëmendjen nga interesat strategjike drejt luftës së pandërprerë për pushtet. Në këto rrethana, politika rrezikon të humbasë dimensionin e saj shtetformues dhe kombëtar, duke u shndërruar në një arenë ku fitorja ndaj kundërshtarit vlerësohet më shumë sesa mirëqenia e shoqërisë.
Një proverb popullor shqiptar e përmbledh në mënyrë të goditur absurditetin e kësaj mendësie: “Për inat të vjehrrës, më vdektë djali!” Kjo shprehje, sado e rëndë në përmbajtjen e saj, pasqyron një realitet politik që nuk mund të shpërfillet. Kur rivaliteti politik arrin deri aty sa dëmtimi i kundërshtarit të konsiderohet më i rëndësishëm sesa mbrojtja e interesit të përbashkët, atëherë nuk rrezikohet vetëm një parti, një qeveri apo një mandat politik, por vetë perspektiva e brezave të ardhshëm.
Edhe më shqetësuese do të ishte nëse kjo përçarje do të krijonte rrethana në të cilat përfaqësues të caktuar politikë shqiptarë, në vend që përgjegjësinë dhe llogaridhënien ta orientonin ndaj qytetarëve dhe institucioneve të tyre, do ta zhvendosnin besnikërinë politike drejt qendrave të jashtme të vendimmarrjes. Ndikimet e tilla nuk mund të përgjithësohen pa fakte dhe duhen vlerësuar mbi bazën e veprimeve konkrete e të dëshmive të verifikueshme. Megjithatë, parimi mbetet i patjetërsueshëm: asnjë interes partiak, asnjë ambicie personale dhe asnjë varësi politike nuk mund të vendoset mbi sigurinë, dinjitetin dhe të ardhmen e një shoqërie.
Pikërisht këtu qëndron edhe aktualiteti i jashtëzakonshëm i Kongresit të Manastirit. Në vitin 1908 shqiptarët nuk kishin një shtet të pavarur, por kishin një elitë intelektuale dhe patriotike që dinte ta artikulonte një vizion të përbashkët. Sot kemi institucione shtetërore, por duhet të pyesim veten nëse kemi arritur të ndërtojmë një strategji të përbashkët që ngrihet mbi interesat e ngushta politike. Atëherë kërkohej një alfabet i përbashkët për të mbrojtur identitetin kombëtar; sot kërkohet një mendim strategjik i bashkërenduar për të mbrojtur të ardhmen. Atëherë shqiptarët duhej ta afirmonin identitetin e tyre evropian; sot këtë identitet duhet ta dëshmojnë përmes demokracisë funksionale, arsimit cilësor, përparimit shkencor, zhvillimit ekonomik dhe institucioneve të qëndrueshme.
Orientimi perëndimor i shqiptarëve nuk duhet kuptuar vetëm si përcaktim gjeopolitik apo si aspiratë për integrim në strukturat euroatlantike. Ai duhet të jetë, para së gjithash, një zgjedhje e vetëdijshme qytetëruese, e mbështetur mbi sundimin e ligjit, respektimin e dinjitetit njerëzor, lirinë individuale, pluralizmin demokratik dhe përgjegjësinë institucionale. Përkatësia evropiane nuk mund të mbetet thjesht një deklarim historik; ajo kërkon të dëshmohet çdo ditë përmes mënyrës se si ndërtojmë shtetin, si e kultivojmë dijen, si e trajtojmë tjetrin dhe si e mbrojmë interesin publik.
Prandaj, përkujtimi i Kongresit të Manastirit nuk duhet të reduktohet në një ceremoni përvjetori apo në një rikthim simbolik te ngjarjet e së kaluarës. Ai duhet të shndërrohet në një thirrje për zgjim intelektual, kombëtar dhe shoqëror. Ky zgjim duhet të fillojë nga institucionet akademike, universitetet, qendrat kërkimore dhe debati i përgjegjshëm publik, për të krijuar një vetëdije kombëtare që nuk mbetet peng i interesave të përkohshme politike.
Një komb që dëshiron ta ndërtojë të ardhmen e vet nuk mund të mbështetet vetëm në krenarinë për të kaluarën. Ai duhet të investojë në dije, në mendim kritik, në edukimin e brezave të rinj dhe në krijimin e një kulture politike që e vendos të mirën e përgjithshme mbi përfitimin individual. Pa këtë vetëdije, edhe trashëgimia më e ndritur historike rrezikon të shndërrohet në një kujtim pa ndikim në realitetin e sotëm.
Historia nuk përsëritet gjithmonë në të njëjtën formë, por shpesh i vendos kombet përballë dilemave të ngjashme. Në vitin 1908 shqiptarët duhej të vendosnin nëse do të mbeteshin brenda një rendi perandorak që po shpërbëhej, apo do ta ndërtonin vetë rrugën e tyre kombëtare. Sot sfida nuk është më e njëjtë në përmbajtje, por është po aq e rëndësishme në kuptimin historik: të mos mbetemi spektatorë pasivë të zhvillimeve globale, por të fitojmë aftësinë për të ndikuar në drejtimin e së ardhmes sonë.
Kombet që nuk arrijnë ta kuptojnë kohën në të cilën jetojnë, rrezikojnë të bëhen objekt i vendimeve të të tjerëve.
Ky është një nga mësimet më të rëndësishme që mund të nxjerrim nga përvoja historike e shqiptarëve. Nëse në fillim të shekullit XX mungesa e një orientimi të qartë kombëtar dhe politik mund të shfrytëzohej nga faktorë të jashtëm për të kontestuar të drejtat dhe aspiratat shqiptare, sot mungesa e një vizioni strategjik mund të krijojë forma të reja të varësisë politike, ekonomike dhe institucionale.
Manastiri na mësoi se uniteti nuk nënkupton mungesën e dallimeve, por vetëdijen se ekzistojnë qëllime që qëndrojnë mbi dallimet individuale, krahinore, fetare dhe partiake. Në vitin 1908, elita intelektuale shqiptare arriti të bashkërendonte simbolet e komunikimit kombëtar dhe të forconte orientimin historik e kulturor të shqiptarëve drejt Evropës. Sot na nevojitet e njëjta përgjegjësi historike për të bashkuar dijen, vullnetin politik dhe energjinë shoqërore rreth një vizioni të përbashkët për të ardhmen.
Në fund të fundit, madhështia e Kongresit të Manastirit nuk qëndron vetëm te vendimet që mori, por edhe te guximi i një brezi për ta vendosur të ardhmen e kombit mbi interesat dhe dallimet e kohës së vet. Ai brez e kuptoi se historia nuk i pret ata që ngurrojnë dhe se mundësitë e humbura shpesh shndërrohen në pasoja që i bartin brezat e mëvonshëm.
Në vitin 1908, në Manastir, shqiptarët vendosën se si do ta shkruanin gjuhën e tyre; sot duhet të vendosin se si do ta shkruajnë të ardhmen e tyre.