
Im memoriam , me rastin e 36- vjetorit të shkuarjes në amshim.
Nga Rafael Floqi
Ka poetë që e shohin natyrën si një peizazh dhe ka poetë që e shndërrojnë peizazhin në një gjendje të shpirtit. Ka poetë që pikturojnë me fjalë dhe të tjerë që përpiqen t’i japin ngjyrës tingull, dritës kujtesë dhe heshtjes një ritëm të brendshëm. Lasgush Poradeci i përket kësaj race të rrallë krijuesish, për të cilët poezia nuk është thjesht një mënyrë e të shprehurit, por një mënyrë e të parit dhe e të ndierit të botës. Në vargjet e tij, liqeni nuk është vetëm ujë, mali nuk është vetëm gur dhe ylli nuk është vetëm një pikë drite në qiell. Gjithçka merr pjesë në një dramë të heshtur, ku njeriu dhe natyra duket sikur shkëmbejnë shpirtin me njëri-tjetrin.
Që nga Horaci, me formulën ut pictura poesis, marrëdhënia midis poezisë dhe pikturës ka qenë një nga problemet themelore të estetikës. Më vonë, Gotthold Ephraim Lessing, në veprën Laokoonti, do të dallonte artet e hapësirës nga artet e kohës, duke theksuar se piktura i paraqet objektet në bashkëjetesën e tyre hapësinore, ndërsa poezia zhvillon veprimet në vijimësi kohore. Por poezia moderne i ka sfiduar vazhdimisht këta kufij. Ajo ka kërkuar të bëhet njëkohësisht pikturë, muzikë dhe përvojë shpirtërore.
Në letërsinë shqipe, Lasgush Poradeci është një nga realizimet më të larta të kësaj sinteze. Ai e ndërton vargun si një kompozim ngjyrash, ku çdo tingull ka vendin e vet dhe çdo figurë natyrore bart një kuptim përtej pamjes së jashtme. Prandaj nuk mjafton ta quajmë poet të liqenit apo të dashurisë. Lasgushi është një arkitekt i figurës poetike, një piktor që punon me tinguj dhe një muzikant që kompozon me dritë.
Liqeni i Lasgushit: nga peizazhi në impresionizëm
Në poezinë “Dremit liqeri”, Lasgushi krijon një nga tablotë më të bukura të natyrës shqiptare:
Mi zall të pyllit vjeshtarak Dremit liqeri pa kufi, Ay ndaj fundesh u përflak Posi me zjarr e me flori.
Këto katër vargje përmbajnë një kompozim të tërë piktorik. Në plan të parë qëndron zalli i pyllit vjeshtarak; më tej shtrihet sipërfaqja e liqenit, ndërsa në horizont drita e perëndimit e përflak ujin me ngjyrat e zjarrit dhe të arit. Kjo nuk është një fotografi e natyrës, sepse fotografia e ndalon çastin, ndërsa Lasgushi e bën çastin të lëvizë. Liqeni fillimisht dremit, pastaj përflaket, më vonë errësohet dhe në fund i dorëzohet natës.
Kjo mënyrë e përshkrimit na kujton impresionistët francezë, veçanërisht Claude Monet-në, i cili kërkonte të kapte ndryshimin e dritës mbi të njëjtin peizazh. Në ciklet e tij të pikturave, uji nuk ka një ngjyrë të përhershme; ai merr ngjyrën e qiellit, të reve dhe të çastit. Po kështu, liqeni i Lasgushit nuk është një sipërfaqe e palëvizshme blu. Ai është një organizëm që ndryshon vazhdimisht nën veprimin e dritës.
Por këtu fillon edhe dallimi midis poetit dhe piktorit. Monet-ja e kërkon të vërtetën estetike te përshtypja pamore, ndërsa Lasgushi e përdor përshtypjen pamore për të zbuluar një gjendje të brendshme. Kur liqeni përflaket, nuk ndryshon vetëm ngjyra e ujit; ndryshon edhe intensiteti emocional i poezisë.
Në strofën përmbyllëse të së njëjtës poezi, peizazhi shndërrohet në vetëdije krijuese. Poeti nuk është më vetëm spektator i natyrës. Ai kupton se bukuria e perëndimit i zgjon një frymëzim të ri. Kështu, piktura e jashtme bëhet burim i poezisë së brendshme. Ky është çasti kur peizazhi pushon së qeni objekt dhe bëhet subjekt i krijimit.
Eqrem Çabej: zbulimi i një stili të ri
Kur Eqrem Çabej shkroi më 1929 studimin e tij “Mbi poezinë e Lasgush Poradecit”, ai kuptoi se në letërsinë shqipe po shfaqej një dukuri e re. Nuk ishte fjala thjesht për një poet që shkruante bukur për natyrën, por për një autor që po ndryshonte vetë mënyrën e organizimit të përvojës poetike.
Çabej e përshëndeti Lasgushin si një poet origjinal, që sillte një stil të panjohur më parë në poezinë shqiptare. Për të shpjeguar dallimin e tij nga Naim Frashëri, ai përdori një analogji muzikore me Beethovenin dhe Mozartin. Krahasimi është domethënës: Çabej nuk kërkonte ta përcaktonte Lasgushin vetëm përmes temave, por përmes formës, ritmit dhe karakterit të shprehjes.
Kjo është pikërisht ajo që e bën poezinë e Lasgushit të ngjashme me pikturën. Ai nuk mjaftohet me përshkrimin e objektit, por krijon një organizim të ri estetik të tij. Liqeni i Pogradecit ekzistonte përpara Lasgushit, por liqeni poetik i Lasgushit është një krijim i ri, i ndërtuar nga gjuha.
Çabej e dalloi këtë origjinalitet përpara se poeti të botonte dy përmbledhjet e tij madhore, “Vallja e yjve” dhe “Ylli i zemrës”. Në këtë kuptim, kritiku ishte ndër të parët që e pa Lasgushin jo si vazhdues të thjeshtë të romantizmit shqiptar, por si një zë të modernitetit evropian.
“Poradeci”: një nokturn i pikturuar me fjalë
Në poezinë “Poradeci”, Lasgushi e hap tablonë me një perëndim të vagëlluar mbi liqen. Drita nuk shuhet menjëherë, por shpërndahet ngadalë, si një pluhur i hollë që zbret mbi male, lëndina dhe fshat. Peizazhi humbet konturet e qarta, ndërsa errësira fillon të zotërojë hapësirën.
Kjo është një teknikë që në pikturë lidhet me kalimet tonale dhe me shpërndarjen atmosferike të dritës. Në vend të vijave të forta, Lasgushi përdor mjegullimin. Në vend të kontrasteve të menjëhershme, ai krijon kalime graduale.
Por poezia përmban edhe një element tjetër: tingullin. Në heshtjen e mbrëmjes dëgjohet kërcitja e një porte dhe pushimi i një lopate mbi ujë. Këto janë tinguj të vegjël, pothuajse të parëndësishëm në jetën e përditshme, por në kompozimin poetik marrin një funksion të jashtëzakonshëm. Ata e bëjnë heshtjen më të thellë.
Këtu Lasgushi i afrohet nokturnit muzikor. Ashtu si Chopin-i, i cili ndërtonte atmosferën e natës përmes një melodie të brendshme dhe ndryshimeve të holla të intensitetit, poeti shqiptar krijon një muzikë të qetë, ku heshtja dhe tingulli plotësojnë njëri-tjetrin.
Edhe fundi i poezisë është i jashtëzakonshëm. Pas qetësisë së liqenit, shfaqet Drini, i vjetër dhe i përrallshëm, që nis udhëtimin e tij nëpër Shqipëri. Peizazhi i mbyllur i Pogradecit hapet papritur drejt një hapësire kombëtare. Uji i liqenit bëhet lumë, ndërsa përvoja intime e poetit shndërrohet në një udhëtim të gjerë gjeografik dhe shpirtëror.
Në studimin tim te Dielli, këtë përfundim e kam interpretuar si një akord të thellë muzikor që mbyll simfoninë e natës. Kjo figurë na ndihmon të kuptojmë se Lasgushi nuk e organizon poezinë vetëm në mënyrë pamore, por edhe sipas një logjike muzikore.
Mitrush Kuteli: poezia si arkitekturë e tingullit
Mitrush Kuteli, një nga njohësit më të thellë të Lasgushit, e trajtoi poezinë e tij si një sistem artistik ku forma dhe përmbajtja nuk mund të ndahen. Në librin “Poeti Lasgush Poradeci”, botuar në Bukuresht më 1937, Kuteli nuk u kufizua në admirimin e bukurisë së vargjeve, por kërkoi të shpjegonte mekanizmin e krijimit poetik.
Për Kutelin, rëndësia e Lasgushit qëndronte edhe te mënyra se si ai e ngrinte gjuhën shqipe në një shkallë të re përpunimi artistik. Fjala nuk ishte vetëm bartëse e kuptimit, por pjesë e një arkitekture tingullore. Zanorja, bashkëtingëllorja, theksi dhe ritmi bashkëpunonin për të krijuar një përvojë estetike të pandashme.
Kjo qasje e Kutelit është veçanërisht e dobishme për të kuptuar marrëdhënien midis poezisë dhe pikturës. Në një tablo, asnjë ngjyrë nuk qëndron krejtësisht e pavarur nga ngjyrat e tjera. Vlera e saj përcaktohet nga marrëdhëniet me tërësinë. Po kështu, te Lasgushi, një fjalë fiton forcë jo vetëm nga kuptimi, por edhe nga tingëllimi dhe vendi që zë në varg.
Studiuesi Kujtim M. Shala, duke analizuar kritikën e Kutelit, vëren se ai e kërkonte modernitetin e Lasgushit pikërisht në formën dhe në gjuhën poetike, duke kaluar nga tingujt te sistemi i përgjithshëm i poezisë. Kjo e bën Kutelin jo vetëm një admirues, por edhe një nga interpretuesit themelorë të modernitetit lasgushian.
Lasgushi dhe Eminesku: liqeni përballë kozmosit
Liqeni – hapësira intime e Lasgushit
Kozmosi – horizonti metafizik i Emineskut
Marrëdhënia e Lasgush Poradecit me Mihai Emineskun është një nga kapitujt më interesantë të formimit të tij intelektual. Poeti shqiptar nuk e njohu Emineskun vetëm si lexues. Ai iu kushtua studimit të tij shkencor, duke mbrojtur më 1933 doktoraturën mbi marrëdhënien e poetit rumun me filozofinë popullore.
Ky fakt ka rëndësi të veçantë, sepse tregon se Lasgushi ishte i interesuar jo vetëm për bukurinë formale të poezisë së Emineskut, por edhe për burimet filozofike dhe shpirtërore të saj.
Në studimin tim te Dielli, kam theksuar se Eminesku e zgjeron peizazhin drejt pafundësisë kozmike, ndërsa Lasgushi e përqendron atë në një hapësirë konkrete, në liqen, mal, fushë dhe katund. Megjithatë, të dy poetët e shndërrojnë natyrën në një gjuhë të përjetësisë.
Te “Lacul” e Emineskut, liqeni është hapësira e një takimi të dëshiruar. Natyra përgatit skenën e dashurisë, por dashuria mbetet një ëndërr e papërmbushur. Te “Dremit liqeri”, Lasgushi nuk ndërton një skenë të ngjashme narrative. Ai e zhvendos dramën nga ngjarja te atmosfera. Nuk ka nevojë për një personazh të dytë, sepse vetë peizazhi bëhet bashkëbiseduesi i poetit.
Në “Luceafărul”, Eminesku e kthen yllin në figurë të një konflikti midis përjetësisë dhe ekzistencës njerëzore. Te “Vallja e yjve”, Lasgushi e shndërron qiellin në një hapësirë harmonike, ku lëvizja kozmike merr cilësitë e një vallëzimi.
Prandaj dallimi midis tyre nuk është thjesht gjeografik. Ai është edhe estetik. Eminesku e dramatizon pafundësinë; Lasgushi e muzikalizon atë. Eminesku e ngre njeriun drejt kozmosit; Lasgushi e zbret kozmosin në pasqyrën e liqenit.
Kjo është arsyeja pse formula e përdorur në studimin tim, “Lasgushi është Eminesku i Liqerit, ndërsa Eminesku është Lasgushi i Yjeve”, shpreh një afri të thellë, por edhe një ndryshim thelbësor midis dy botëve poetike.
Sabri Hamiti: nga natyra konkrete te simboli universal
Një perspektivë tjetër ofron Sabri Hamiti, i cili e ka shqyrtuar poezinë e Lasgushit si një sistem të ndërlikuar figurash dhe kuptimesh. Në leximin e Hamitit, një pikë e rëndësishme është marrëdhënia midis konkretes dhe abstraktes. Poezia e Lasgushit niset nga bota e prekshme, nga realiteti dhe nga përvoja, për të krijuar një univers simbolik.
Ky interpretim është veçanërisht i dobishëm për analizën e poezisë si pikturë. Lasgushi nuk e fillon krijimin nga një ide filozofike që kërkon ta ilustrojë me natyrën. Përkundrazi, ai niset nga një pamje konkrete: liqeni, perëndimi, një zog në fluturim, një portë që kërcet. Më pas, këto detaje fitojnë një kuptim që e tejkalon praninë e tyre fizike.
Hamiti ka theksuar edhe prirjen e poezisë lasgushiane për ta humanizuar kozmosin. Ky këndvështrim na lejon ta shohim figurën poetike jo vetëm si zbukurim, por si një mënyrë për ta afruar universin me përvojën njerëzore.
Në këtë pikë, mund të shtojmë se piktura e Lasgushit është njëkohësisht reale dhe metafizike. Ajo nis nga natyra e dukshme, por nuk përfundon aty. Një liqen mbetet liqen, ndërsa bëhet edhe figurë e pafundësisë. Një yll mbetet trup qiellor, ndërsa shndërrohet në shenjë të një ideali.
“Mbarim vjeshte”: një tablo e humbjes dhe e kujtesës
Në poezinë “Mbarim vjeshte”, Lasgushi ndërton një kompozim të fuqishëm me elemente që i përkasin një peizazhi të ftohtë dhe të zhveshur. Shtërgu largohet, toka ngrin, pylli thahet dhe veriu fryn me zemërim. Nuk kemi më ngjyrat e arta të perëndimit, por tonet e zbehta të një natyre që po përgatitet për dimër.
Në qendër të kësaj tabloje qëndron shtërgu, i cili nuk është vetëm një shpend shtegtar. Ai bëhet figurë e largimit, e fisnikërisë dhe e mallit.
Lasgushi e përshkruan me një dinjitet pothuajse njerëzor. Ecja e tij krahasohet me atë të një dhëndri, ndërsa krilla fiton hijeshinë e një nuseje. Në këtë mënyrë, poeti krijon një skenë ku bota e shpendëve dhe ajo njerëzore bashkohen në një figuracion të vetëm.
Piktorikisht, kompozimi mbështetet mbi kontrastin midis lëvizjes dhe palëvizshmërisë. Shtërgu fluturon, ndërsa toka mbetet e ngrirë. Ai largohet, ndërsa peizazhi zhytet në heshtje. Kjo kundërvënie e bën lëvizjen e zogut edhe më dramatike.
Në interpretimin tim, shtërgu mund të lexohet si një figurë e vetë poetit: një qenie që kërkon hapësirë, që nuk mund të pajtohet me kufijtë e një bote të mbyllur. Kjo nuk është domosdoshmërisht një alegori biografike e drejtpërdrejtë, por një mundësi që buron nga organizimi simbolik i poezisë.
Këtu mund të afrohemi edhe me leximet e Fatos Arapit, i cili e ka trajtuar lirikën e Lasgushit në kompleksitetin e saj, pa e reduktuar në një poezi thjesht idilike. Përtej harmonisë së jashtme, në shumë poezi të Lasgushit veprojnë kundërshti të thella: jeta dhe vdekja, afërsia dhe largësia, dashuria dhe vetmia, çasti dhe përjetësia.
Rexhep Qosja dhe shumëkuptimësia e Lasgushit
Rexhep Qosja e ka trajtuar Lasgushin në kuadrin e zhvillimit të letërsisë moderne shqiptare, duke e vendosur në marrëdhënie me romantizmin, simbolizmin dhe prirjet e tjera estetike evropiane.
Kjo shumësi përkatësish është një nga karakteristikat më interesante të poetit. Lasgushi është romantik në adhurimin e natyrës, simbolist në mënyrën se si objektet fitojnë kuptime të fshehta, impresionist në ndjeshmërinë ndaj dritës dhe klasicist në disiplinën e formës.
Por asnjëra prej këtyre etiketave nuk e shpjegon plotësisht
Nëse e quajmë vetëm romantik, humbasim finesën e tij moderne. Nëse e quajmë vetëm simbolist, nënvlerësojmë lidhjen me peizazhin konkret shqiptar. Nëse e quajmë vetëm impresionist, rrezikojmë ta reduktojmë në një poet të përshtypjeve pamore.
Lasgushi i përthith këto përvoja estetike dhe i shndërron në një gjuhë origjinale.
Kjo shpjegon pse studiues të ndryshëm kanë dhënë përcaktime të ndryshme për të. Në një studim të botuar në revistën Palimpsest, ku paraqitet edhe një pjesë e punës së Andrea Varfit, renditen interpretime që e shohin Lasgushin si poet romantik, simbolist, hermetik, lirik dhe postromantik. Vetë shumëllojshmëria e këtyre vlerësimeve dëshmon pasurinë e veprës së tij.
Muzika e Lasgushit dhe rrënjët e këngës popullore
Një dimension që nuk duhet lënë jashtë kësaj analize është marrëdhënia e Lasgushit me muzikën popullore shqiptare. Studiuesi dhe muzikologu Vasil S. Tole, në studimin “Lasgush Poradeci si etnograf i muzikës”, ka vënë në dukje lidhjen e poetit me traditën e këngëve dhe të vajtimeve të vendlindjes, si edhe interesimin e tij për folklorin.
Kjo na ndihmon të kuptojmë se muzikaliteti i Lasgushit nuk është vetëm produkt i ndikimeve evropiane. Ai ka rrënjë edhe në traditën gojore shqiptare, në ritmet e këngës popullore dhe në mënyrën se si gjuha shqipe organizon tingullin dhe emocionin.
Në poezinë e tij, muzika nuk është një element i shtuar mbi kuptimin. Ajo është pjesë e vetë strukturës së tij. Vargu i gjatë mund të krijojë përshtypjen e një vale që shtrihet, ndërsa një ndërprerje e papritur mund të shënojë një ndryshim emocional.
Në këtë kuptim, Lasgushi është njëkohësisht poet modern dhe trashëgimtar i një tradite të vjetër muzikore. Ai e shndërron këngën e vendlindjes në një gjuhë të rafinuar artistike.
Panteizmi dhe trinia qiell–tokë–njeri
Një tjetër qasje e rëndësishme vjen nga studiuesja Merita Gjokutaj-Shehu, e cila e ka analizuar poezinë e Lasgushit përmes marrëdhënies midis qiellit, tokës dhe njeriut. Ky interpretim e vendos krijimtarinë e poetit në një sistem ku elementet natyrore nuk ekzistojnë të shkëputura, por ndërtojnë një tërësi kuptimore.
Kjo trini është veçanërisht e dukshme në poezitë e liqenit. Qielli pasqyrohet në ujë, toka përcakton horizontin, ndërsa njeriu i përjeton të dyja përmes ndjenjës. Kështu krijohet një marrëdhënie e trefishtë: hapësira kozmike, peizazhi tokësor dhe vetëdija njerëzore.
Në këtë perspektivë, panteizmi i Lasgushit nuk duhet kuptuar thjesht si një doktrinë filozofike. Ai është mbi të gjitha një mënyrë poetike për të shprehur unitetin e ekzistencës. Natyra duket sikur zotëron një jetë të brendshme, ndërsa njeriu bëhet pjesë e ritmeve të saj.
Në studimin tim mbi Lasgushin dhe Emineskun, kam argumentuar se ky unitet e shndërron peizazhin në një ikonë poetike. Liqeni, mali dhe qielli nuk janë vetëm objekte të përshkrimit; ato bëhen simbole të shpirtit dhe të pafundësisë.
Këtu qëndron edhe një nga afritë më të thella midis Lasgushit dhe Emineskut. Të dy e shohin natyrën si një hapësirë ku njeriu mund të zbulojë kuptimin e ekzistencës së vet. Por ndërsa Eminesku shpesh e dramatizon këtë marrëdhënie në përmasa kozmike, Lasgushi e përqendron në një peizazh që mbetet intim edhe kur fiton përmasa universale.
Përtej impresionizmit: Lasgushi dhe arti i së padukshmes
Nëse do ta përmblidhnim estetikën e Lasgushit vetëm me termin impresionizëm, do t’i bënim një padrejtësi kompleksitetit të tij. Impresionizmi na ndihmon të kuptojmë dritën dhe ngjyrën, por nuk shpjegon plotësisht simbolikën e yjeve, marrëdhënien midis jetës dhe vdekjes apo kërkimin e përjetësisë.
Lasgushi është më shumë se një piktor i peizazhit. Ai është një poet që përdor peizazhin për të hyrë në botën e padukshme.
Në këtë kuptim, ai mund të vendoset në dialog estetik me Rainer Maria Rilke-n, te i cili objekti i dukshëm shpesh shndërrohet në një përvojë të thellë ekzistenciale. Po kështu, te John Keats-i, sidomos në poezinë “Ode on a Grecian Urn”, vepra pamore bëhet pikënisje për meditimin mbi bukurinë, kohën dhe përjetësinë.
Por Lasgushi ndjek rrugën e tij. Ai nuk ka nevojë për një urnë antike apo për një skulpturë klasike. Mjafton liqeni i Pogradecit. Mjafton një perëndim dielli. Mjafton një shtërg që largohet në fund të vjeshtës.
Nga këto elemente të thjeshta, ai krijon një univers ku e dukshmja dhe e padukshmja bashkëjetojnë.
Poeti që e bëri liqenin të flasë
Lasgush Poradeci nuk është vetëm poeti që i këndoi më bukur liqenit të Pogradecit. Ai është krijuesi që e ngriti këtë liqen në nivelin e një simboli universal. Në vargjet e tij, uji bëhet pasqyrë e shpirtit, drita bëhet kujtesë, yjet bëhen muzikë dhe peizazhi bëhet një formë meditimi mbi jetën.
Eqrem Çabej dalloi origjinalitetin e stilit të tij. Mitrush Kuteli zbuloi arkitekturën e gjuhës poetike. Sabri Hamiti vuri në qendër marrëdhënien midis konkretes dhe abstraktes. Rexhep Qosja e vendosi krijimtarinë e tij në horizontin e rrymave letrare evropiane. Studiuesit e mëvonshëm kanë vazhduar të zbulojnë dimensione të reja të këtij universi.
Por pavarësisht këtyre leximeve, Lasgushi mbetet një poet që i shpëton çdo përcaktimi përfundimtar.
Ai është romantik dhe modern, tokësor dhe kozmik, piktor dhe muzikant. Është një poet që e sheh botën përmes syrit, por e rindërton atë përmes shpirtit.
Në krahasim me Emineskun, Lasgushi na tregon se përjetësia nuk ka nevojë gjithmonë për madhështinë e kozmosit. Ndonjëherë ajo mund të gjendet në një liqen të qetë, në një portë që kërcet në mbrëmje, në një shqiponjë që humbet drejt Malit të Thatë apo në një yll që ndizet mbi ujë.
Eminesku e shndërroi kozmosin në dramën e njeriut; Lasgushi e shndërroi një peizazh shqiptar në dramën e kozmosit.
Dhe ndoshta këtu qëndron madhështia e tij. Lasgushi nuk e pikturoi vetëm liqenin. Ai e bëri liqenin të shohë, të ndiejë dhe të flasë në gjuhën e njeriut. Ai i dha heshtjes ngjyrë, ngjyrës muzikë dhe muzikës përjetësi.
Prandaj poezia e tij nuk lexohet vetëm. Ajo soditet, dëgjohet dhe përjetohet. Është një pikturë që nuk mbaron në kornizë, një muzikë që nuk mbaron me tingullin e fundit dhe një peizazh që vazhdon të jetojë edhe pasi libri është mbyllur.
Shënime dhe burime bibliografike
1. Rafael Floqi, “Poezia dhe Piktura: Estetika e Figurës tek Lasgush Poradeci dhe Mihai Eminescu”, pjesa I, Dielli, 22 gusht 2025; pjesa II, 27 gusht 2025. Pjesa I; Pjesa II.
2. Eqrem Çabej, “Mbi poezinë e Lasgush Poradecit”, Gazeta e Re, shkurt 1929; ribotuar në Studime gjuhësore, vëll. V (Prishtinë: Rilindja, 1975).
3. Mitrush Kuteli, Poeti Lasgush Poradeci (Bukuresht, 1937).
4. Sabri Hamiti, Lasgushi qindvjeçar (Prishtinë: Faik Konica, 1999).
5. Rexhep Qosja, “Lasgush Poradeci”, në Dialogje me shkrimtarët, bot. 2 (Prishtinë, 1979), 135–177.
6. Fatos Arapi, “Shënime mbi lirikën e Lasgush Poradecit”, Studime Filologjike, nr. 4 (1978): 127–148.
7. Vasil S. Tole, “Lasgush Poradeci si etnograf i muzikës”, studim mbi marrëdhënien e poetit me traditën muzikore dhe folklorike shqiptare.
8. Merita Gjokutaj-Shehu, “Trinia ekzistenciale e jetës, qielli, toka dhe njeriu, në poezinë e Lasgush Poradecit”, në botimin e konferencës shkencore kushtuar Lasgush Poradecit, Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë.
9. Ilir Shyta, Receptimi i poezisë së Lasgush Poradecit, disertacion doktoral, Universiteti i Tiranës. Burim për historinë e kritikës dhe bibliografinë e studimeve lasgushiane.
10. Kujtim M. Shala, “Studimet letrare shqipe”, analizë mbi rolin e Kutelit në kritikën e modernitetit shqiptar.