
Ndue Ukaj/
Shkrimtarin Mario Vargas Llosa e kam fort për zemër dhe e lexoj me shumë kënaqësi. Më pëlqejnë veprat e tij letrare, stili mahnitës i shkrimit, por edhe esetë e intervistat e tij, ku flet për shqetësimet krijuese, ndjeshmërinë e tij përballë shoqërisë, idetë për letërsinë, artin, dhe detyrimet e intelektualit karshi sfidave shoqërore.
E admiroj për pikëpamjet humane që i transmeton në letërsi e në esetë e tij, por edhe për një aftësi të jashtëzakonshme për t’u transformuar e për të ndryshuar.
Dhe e them me kënaqësi se kam mësuar shumë prej tij.
Më pëlqen besimi i tij i palëkundur te letërsia. E admiroj sinqeritetin e tij kur flet modelet që ka
ndjekur, për transformimin si intelektual, ndërgjegjësimin, për t’i pranuar gabimet.
Ai flet pa komplekse për rininë e tij, kohën kur ishte i përkushtuar ndaj komunizmit dhe ishte ndjekës gati i verbër i Sarter-it, dhe ideve të tij radikale për lirinë, revolucionin e dhunën. Mbasandaj, ai tregonte sesi ishte penduar, duke i dhënë të drejtë Camu-s, në debatin e famshëm, që i kishte ndarë dy shkrimtarët e mëdhenj dhe dy miqtë e ngushtë.
Mario Vargas Llosa i jep një status sublim letërsisë, të pazëvendësueshëm për edukimin e njeriut.
Ai ka folë kudo për lirinë e dashurinë, kundër shtypjes e padrejtësisë. Ai ka folë për fuqinë e letërsisë, por edhe të shkrimtarit në jetën reale të shoqërisë. Ai nuk ka pushuar kurrë së foluri për peshën që ka letërsia për ta ushtruar mendjen njerëzore, kapacitet që ka ajo për t’i zhvilluar ndjesitë për lirinë, mendimin kritik, dobitë që ka ajo mbi njerëzit, duke i formuar në të gjitha aspekte te jetës, madje edhe të dashurisë. Letërsia ka shërbyer, thotë ai “për ta ngritur dashurinë, dëshirën dhe vetë aktin seksual në nivelin e krijimit artistik…”
Llosa nuk ka hezituar asnjëherë të flasë as për problemet politike, për krizën kulturore e identitare, ideologjitë e mbrapshta, ka shkruar nëpër gazeta, ka marrë pjesë nëpër debate, duke folë për rrezikun që i kanoset njerëzimit nga kultura e ulët argëtimeve, që ka tendenca ta zëvendësojë kulturën e lartë.
Në një dialog të shkurtë, të zhvilluar me Adam Smith-in, nga Akademia Suedeze, pasi ky i kumtoi lajmin se kishte fituar Çmimin Nobel, ndër të tjera e pyeti, edhe për interesimin e tij ndaj politikës:
“Ju thoni se u përfshitë në politikë nga ndjenja e detyrimit. Ishte ky një detyrim personal apo një detyrim që buronte nga përgjegjësia juaj si shkrimtar?”
Përgjigja e Margio Vargas Llosa-s ishte kjo:
“Epo, e dini, unë…Unë mendoj se edhe shkrimtarët janë qytetarë, dhe si të tillë kanë detyrimin moral të marrin pjesë në debatin qytetar, në diskutimet për zgjidhjet e problemeve me të cilat përballen shoqëritë.
Kjo nuk do të thotë se mendoj që shkrimtarët duhet të bëhen politikanë profesionistë. Jo, kurrë nuk kam menduar dhe as nuk kam dashur të bëhem politikan profesionist. E bëra këtë vetëm një herë, sepse situata në Peru ishte jashtëzakonisht, jashtëzakonisht e rëndë. Kishim hiperinflacion, terrorizëm, në vend kishte luftë, madje edhe luftë civile. Në këto rrethana, përshtypja ime ishte se demokracia jonë tejet e brishtë (ndërpritet lidhja telefonike) ishte në prag të shembjes!
Prandaj, vendimi im për t’u përfshirë në politikë erdhi në ato rrethana të veçanta. Por e bëra këtë si një përvojë krejtësisht të jashtëzakonshme, duke e ditur fare mirë se do të ishte diçka e përkohshme, siç edhe ndodhi.
Nga ana tjetër, mendoj se shkrimtarët, ashtu si të gjithë qytetarët e tjerë, duhet të marrin pjesë në çështjet që lidhen me jetën qytetare dhe problemet e shoqërisë. Përndryshe, nuk do të mund të protestojnë! Nuk do të mund të (ndërpritet lidhja telefonike) marrin pjesë në jetën publike.
Nëse beson te demokracia, atëherë duhet të besosh te pjesëmarrja. Dhe nuk shoh asnjë arsye pse shkrimtarët, artistët apo intelektualët duhet ta përjashtojnë veten nga ky detyrim moral për të marrë pjesë në jetën qytetare.”
Pyetja që vjen natyrshëm këtu është: a ndiejnë shkrimtarët, artistët e intelektualët shqiptarë detyrim moral për të marrë pjesë në jetën qytetare? Ose, më saktë: a besojnë në demokraci?
Me gjasë, shumica e kanë përjashtuar veten nga ky detyrim moral për të marrë pjesë në jetën qytetare. Ndoshta sepse nuk besojnë në demokraci. Ndoshta sepse një pjesë janë komod, të veshur me petkat e sistemit apo të sistemeve, të cilave u përshtaten lehtësisht dhe u shërbejnë verbërisht.
Pikërisht kjo është arsyeja pse shumë shkrimtarë, artistë e intelektualë, sidomos ata që janë të veshur me petka të sistemeve, është zor të kuptohet nëse kanë ndonjë mendim për ndonjë çështje, për shembull për ndonjë krizë shoqërore – madje as për krizën e demokracisë – nëpër të cilën po kalojmë. E besa, në krejt këtë atmosferë, duket përtej mundësive të gjesh ndonjë që ka guximin të thotë, “po, e kisha gabim, kur isha komunist, kur nuk sillesha në përkim me vlerat e demokracisë, kur gënjeja se isha perëndimor e sillesha si lindor…”
Atmosferë e zymtë mendore që mbretëron mes nesh, idetë e cekëta që kanë ngulfatë shoqërinë tonë, janë pasojë edhe e mospjesëmarrjes së shkrimtarëve, artistëve e intelektualëve në debatin publik. Ndoshta, edhe e mosbesimit të tyre në demokraci!
Kjo mospjesëmarrje apo pjesëmarrje e kufizuar e ka përkeqësuar shëndetin mendor të shoqërisë sonë, duke krijuar njëherësh terren ideal për injorantë e idiotë, që e ushqejnë shoqërinë me dokrra e ide, që nuk promovojnë të mirën, të bukurën dhe të dobishmen. Pikërisht këtu duhet kërkuar arsyet e mungesës së solidaritetit e mirëkuptimit, dhe për pasojë, edhe mungesën e progresit të gjithmbarshëm.
Foto: https://english.elpais.com/…/mario-vargas-llosa-i-have…