
Mësimi edhe për politikanët shqiptarë!
Nga Frank Shkreli
Zgjedhjet e mesmandatit të javës që kaloi në Shtetet e Bashkuara dërgojnë një mesazh të qartë në Uashington se asnjë parti nuk duhet të ketë pushtet të pakufizuar. Zgjedhjet e mesmandatit të 3 nëntorit 2026 në Amerikë përcollën një mesazh që shkon përtej fitores apo humbjes politike të Partisë Demokratike ose asaj Republikane. Ato dëshmuan edhe një herë rëndësinë e njërit prej parimeve themelore mbi të cilat është themeluar Republika Amerikane – parimin e sistemit të kontrollit dhe ekuilibrit të pushteteve (Checks and Balances).
Votuesit amerikanë ushtruan një nga të drejtat e tyre më të rëndësishme kushtetuese, duke i kujtuar Uashingtonit zyrtar se pushteti politik nuk është as i përhershëm dhe as i pakushtëzuar. Në një demokraci, autoriteti për të qeverisur buron, përfundimisht, nga populli, ndërsa ata që ngarkohen me këtë përgjegjësi duhet të japin llogari përpara tij. Fitorja e demokratëve amerikanë, përfshirë marrjen e të dyja dhomave të Kongresit, përfaqëson një goditje të rëndësishme politike për Presidentin Donald Trump dhe administratën e tij. Por, nëse këto rezultate interpretohen vetëm si fitore e demokratëve apo humbje e republikanëve, atëherë do të humbnim thelbin e mesazhit që përcollën zgjedhësit amerikanë me 3 nentor. Elektorati amerikan ka dëshmuar, historikisht, se nuk dëshiron, domosdoshmërisht, që një parti e vetme politike të ushtrojë pushtet të pakontrolluar mbi institucionet e shtetit.
Ky dallim është thelbësor për të kuptuar sistemin kushtetues amerikan. Etërit Themelues të Amerikës, të mbështetur edhe në përvojat e tyre historike, e kuptonin se përqendrimi i pushtetit politik përbën rrezik për liritë individuale dhe qeverisjen demokratike. Prandaj, ata ndërtuan një sistem në të cilin pushteti ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor do të funksiononin në mënyrë të pavarur, duke pasur, njëkohësisht, autoritetin kushtetues për të kontrolluar dhe kufizuar veprimtaritë e njëri-tjetrit. Ky organizim nuk ishte i rastësishëm. Është një garanci e menduar mirë kundër abuzimit me pushtetin. Sistemi amerikan nuk u krijua për t’i dhënë presidentit, pavarësisht përkatësisë së tij politike, autoritet të pakufizuar. As Kongresi nuk u mendua të funksiononte thjesht si një zgjatim i Shtëpisë së Bardhë. Dega legjislative ka përgjegjësitë e veta kushtetuese, ndër të cilat mbikëqyrjen e pushtetit ekzekutiv, kontrollin e shpenzimeve publike dhe autoritetin për të hetuar veprimtarinë e qeverisë. Kur këto përgjegjësi neglizhohen, dobësohet vetë ekuilibri kushtetues dhe e pëson rëndë demokracia. Zgjedhjet e fundit të mesmandatit i kanë dhënë Kongresit një mundësi të re për të ushtruar rolin e tij kushtetues.
Mbetet të shihet nëse demokratët do ta shfrytëzojnë këtë mundësi me përgjegjësi. Sepse detyrimi për të respektuar kufijtë kushtetues vlen njësoj për të dyja partitë. Megjithatë, perspektiva e një qeverisjeje me pushtet të ndarë dhe me më shumë mekanizma kontrolli, ishte pjesë e rëndësishme e diskutimit të përpiluesve të Kushtetutës amerikane. Këtu qëndron edhe një mësim interesant se stabiliteti politik nuk nënkupton, domosdoshmërisht, që një parti të kontrollojë të gjitha institucionet. Shpesh, stabiliteti buron pikërisht nga ekzistenca e kufizimeve institucionale dhe nga garancia se asnjë forcë politike nuk mund të marrë vendime pa iu nënshtruar kontrollit dhe përgjegjësisë.
Zgjedhjet e 3-nentorit, 2026 na kujtojnë gjithashtu se kutia e votimit mbetet instrumenti më i fuqishëm dhe paqësor që kanë në dispozicion qytetarët amerikanë. Votuesit nuk kanë nevojë të pajtohen me çdo qëndrim politik të njërës apo tjetrës parti për të kuptuar se qeverisja duhet të mbetet e përgjegjshme përpara qytetarëve. Ata mund të mbështesin një president dhe njëkohësisht të kërkojnë mbikëqyrjen e Kongresit. Mund të votojnë për njërën parti në një palë zgjedhje dhe për tjetrën dy vjet më vonë, siç ndodhi kësaj radhe. Kjo nuk është kundërthënie. Kjo është demokraci në veprim. Elektorati ka të drejtën të ndryshojë mendim, të rishqyrtojë zgjedhjet e veta politike dhe t’u dërgojë një mesazh atyre që qeverisin.
Zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2026 kanë dëshmuar se edhe një president me ndikim të konsiderueshëm politik duhet ta pranojë se populli amerikan ruan fjalën përfundimtare përmes procesit kushtetues zgjedhor. Kjo merr rëndësi të veçantë në një kohë kur polarizimi politik po ushtron presion të madh mbi institucionet demokratike amerikane. Ndërkaq, këto zgjedhje janë një mësim që shkon përtej kufijve të Amerikës. Pasojat dhe mesazhi i këtyre zgjedhjeve shtrihen përtej Shteteve të Bashkuara.
Për vendet e tjera të botës, veçanërisht, për ato që ende përpiqen të ndërtojnë institucione demokratike — siç janë edhe Shqipëria e Kosova — përvoja amerikane – ndondëse nën rrethana të ndryshme politike dhe historike — ofron një kujtesë të rëndësishme se demokracia nuk është vetëm e drejta për të zgjedhur udhëheqësit, por edhe detyrimi për të kufizuar pushtetin e tyre. Sidomos për Shqipërinë, ku protestat qytetare, kriza e besimit ndaj institucioneve dhe shqetësimet për funksionimin e demokracisë kërkojnë një reflektim më të thellë mbi kuptimin e votës dhe kufizimin e pushtetit. Mesazhi që përcollën zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara nuk duhet të lexohet vetëm në kontekstin e politikës së brendshme amerikane por edhe për të gjitha ato vende ku demokracia vazhdon të përballet me kriza institucionale, përqendrim të pushtetit, mungesë llogaridhënieje dhe humbje të besimit të qytetarëve te institucionet.
Në Shqipëri, ku protestat qytetare disa muajshe, janë shndërruar në një shprehje të pakënaqësisë ndaj qeverisjes dhe funksionimit të institucioneve, mesazhi i zgjedhjeve të javës që kaloi në Amerikë, duhet të shërbejë si një thirrje për reflektim politik. Sa herë e kemit theksuar gjatë këtyre muajve, se protesta është një e drejtë demokratike dhe një instrument legjitim i qytetarëve për t’u kërkuar llogari atyre që qeverisin. Por, përtej protestave, nevojitet një sistem institucionesh të pavarura, një parlament që ushtron realisht funksionin e kontrollit ndaj qeverisë, një drejtësi që nuk i nënshtrohet ndikimit politik dhe zgjedhje zë lira e të drejta, që garantojnë përfaqësimin e vërtetë të vullnetit të qytetarëve.
Asnjë qeveri nuk duhet ta konsiderojë fitoren zgjedhore si një çek të bardhë për të qeverisur pa kufij dhe pa përgjegjësi. Demokracia nuk është pronë e atyre që fitojnë zgjedhjet. Ajo është e drejtë e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe atyre që nuk votuan për fituesit. Ky është një mësim që politika shqiptare, pa dallim partie, duhet ta marrë seriozisht. Se pushteti fitohet përmes votës, por legjitimiteti i tij ruhet vetëm përmes respektimit të ligjit, institucioneve, lirive qytetare dhe llogaridhënies. Në demokracitë e brishta, kjo nuk është thjesht çështje politike, por kusht themelor për të mos lejuar që demokracia të shndërrohet në një fasadë të pushtetit.
Me dyzina herë e kam përsëritur, në shkrime si ky, se zgjedhjet, në vetvete, nuk garantojnë demokracinë. Institucionet e pavarura, mbikëqyrja parlamentare, pavarësia e gjyqësorit, liria e shtypit dhe respektimi i parimeve kushtetuese, janë po aq të domosdoshme për funksionimin e demokracisë. Normalisht, pritet që një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike duhet të qeverisë gjithashtu në mënyrë demokratike. Ky është dallimi që ndan një republikë funksionale kushtetuese nga një sistem politik ku zgjedhjet shndërrohen thjesht në një mjet për të legjitimuar përqendrimin e pushtetit të një personi, a partie për një kohë të gjatë.
Në fund të fundit, rëndësia e zgjedhjeve të 3 nëntorit në Amerikë, nuk duhet të matet vetëm me numrin e vendeve që fituan demokratët apo sa humbën republikanët. Prova e vërtetë do të jetë nëse ekuilibri i ri politik do të forcojë institucionet amerikane, mbikëqyrjen e përgjegjshme të Kongresit dhe do të nxisë një kthim te parimet kushtetuese që e kanë mbështetur Republikën Amerikane për gati 250-vjet. Demokratët tashmë kanë një mundësi, por edhe një përgjegjësi. Ata duhet të dëshmojnë se fitorja e shumicës në Kongres nuk u jep atyre të drejtën të shpërfillin të drejtat dhe interesat politike të qytetarëve që votuan për republikanët. Të njëjtat standarde kushtetuese duhet të vlejnë për të gjithë. Etërit Themelues të Amerikës e kuptonin një të vërtetë që çdo brez amerikan duhet ta rizbulojë se pushteti ka nevojë për kufizime, autoriteti politik kërkon përgjegjësi dhe demokracia nuk mund të mbijetojë pa institucione aq të forta sa të jenë në gjendje të kontrollojnë ata që qeverisin. Një mesazh ky edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, në këtë periudhë të historisë së saj.
Ndoshta ky është mesazhi më i rëndësishëm i këtyre zgjedhjeve. Populli amerikan nuk ka votuar thjesht për një ndryshim të ekuilibrit të pushtetit politik. Ai ka riafirmuar rëndësinë e ekzistencës së një ekuilibri të tillë. Dhe kjo është një fitore që ia vlen të kremtohet – jo për njërën apo tjetrën parti politike në Amerikë — por për vetë demokracinë amerikane. Në këtë ndërkohë, mesazhi për politikanët shqiptarë nga zgjedhjet e fundit në Amerikë, është se duhet të kuptojnë njëherë e mirë, se një shumicë parlamentare nuk është pronë e përhershme e askujt dhe se asnjë pushtet nuk mund të qëndrojë mbi vullnetin e qytetarëve dhe mbi institucionet e shtetit përgjithmonë.