
Dr. Lulzim Nika/
Dokumente dhe shkresa zyrtare të qeverisë amerikane, të krijuara gjatë viteve 1998–1999, hedhin dritë mbi krimet dhe masakrat e kryera ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë. Një pjesë e tyre ruhet në fondet e Arkivit Presidencial të Bill Clintonit dhe përbën material me rëndësi për studiuesit dhe për dokumentimin e historisë së luftës.
Dokumentet pasqyrojnë raportimet dhe shqetësimet e institucioneve amerikane lidhur me dhunën e ushtruar ndaj shqiptarëve të Kosovës. Përgjegjësia për krimet duhet të shqyrtohet mbi bazën e dëshmive dhe të së drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë edhe rolin e strukturave shtetërore që i organizuan dhe i mundësuan ato shteti serb.
Dënimi i individëve dhe i grupeve të caktuara nuk e përjashton nevojën për të shqyrtuar përgjegjësinë institucionale dhe politike për krimet e kryera gjatë luftës. Megjithatë, dokumentet arkivore nuk janë shfrytëzuar sa duhet në diskutimin publik ndërkombëtar për këtë çështje.
Politika e zgjerimit dhe e ndryshimit të përbërjes etnike të territoreve shqiptare ka rrënjë të hershme historike. Dëbimet e shqiptarëve nga Nishi, Vranja, Toplica, Prokupla dhe Leskoci, gjatë viteve 1876–1878, patën pasoja të rënda për praninë dhe strukturën etnike shqiptare në ato vise.
Në këtë kontekst përmendet edhe “Načertanije”, programi i lidhur me Ilija Garašaninin, i hartuar më 1844, i cili pasqyronte synime për zgjerimin e ndikimit serb në rajon. Në diskursin nacionalist serb janë përcjellë edhe ide që e lidhnin përkatësinë territoriale me praninë e popullsisë serbe. Një thënie që i atribuohet Vuk Stefanoviq Karaxhiqit shprehet: “Aty ku jeton qoftë edhe një serb, atje është tokë serbe!”
Arkivat e Bibliotekës Presidenciale “Clinton” ruajnë dokumente presidenciale të krijuara nga Presidenti Bill Clinton dhe stafi i tij gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare. Sipas të dhënave të bibliotekës, fondet përfshijnë rreth 78 milionë faqe dokumentesh zyrtare, 20 milionë e-maile, 2,6 milionë fotografi, 12.400 kaseta video dhe 12.000 kaseta audio. Stafi punon për t’i organizuar, përshkruar dhe ruajtur këto materiale, si dhe për t’ua mundësuar qasjen studiuesve dhe publikut.
Ato përmbajnë informacione me rëndësi për UÇK-në, luftën në Kosovë dhe zhvillimet ndërkombëtare që ndikuan në Kosovë e në rajon. Qasja në dokumentet federale rregullohet, ndër të tjera, nga Akti për Lirinë e Informacionit (Freedom of Information Act – FOIA).
Gjatë hulumtimeve të mia në Arkivin Presidencial të Bill Clintonit kam shqyrtuar dokumente të deklasifikuara që ende nuk gjenden në bibliotekën digjitale. Sipas përmbajtjes së dokumenteve që kam konsultuar, ato sjellin dëshmi me rëndësi për historinë politike të Kosovës dhe për zhvillimet e luftës. Ato ndihmojnë gjithashtu në kundërshtimin e pretendimeve dhe fushatave dezinformuese që synojnë të shtrembërojnë imazhin e UÇK-së dhe të luftës për lirinë e Kosovës.
Lufta në Kosovë erdhi pas një periudhe të gjatë shtypjeje, dhune dhe keqtrajtimi ndaj shqiptarëve, si dhe pas dështimit të përpjekjeve paqësore dhe të dialogut. Në këtë kontekst, lufta e UÇK-së ishte përpjekje për mbrojtje dhe çlirim nga politika represive e regjimit serb, e cila përfshinte edhe masakra ndaj civilëve shqiptarë.
Gjatë viteve ’90, analistë amerikanë i shihnin zhvillimet në Ballkan dhe projektet politike nacionaliste si kërcënim për stabilitetin e rajonit dhe të Evropës. Pasojat e këtyre politikave u bënë veçanërisht të rënda në Kosovë, ku gjatë vitit 1999 forcat serbe ushtruan dhunë masive ndaj popullsisë shqiptare. Masakrat në Abri, Reçak, Verboc dhe Izbicë tronditën opinionin ndërkombëtar dhe qarqet diplomatike.
Reagimi ndërkombëtar ndaj dhunës në Kosovë u shpreh përmes deklaratave diplomatike dhe, më pas, ndërhyrjes ushtarake të NATO-s. Lufta dhe sakrifica e UÇK-së, së bashku me ndërhyrjen e NATO-s, kontribuuan në ndalimin e dhunës dhe në përfundimin e luftës. Kosova mbeti e shkatërruar, ndërsa mijëra njerëz u vranë, u masakruan ose u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Mes viktimave kishte fëmijë, gra dhe të moshuar.
E vërteta për Kosovën pasqyrohet në dokumentet që kam shqyrtuar gjatë këtyre ditëve në Arkivin Presidencial të Bill Clintonit. Megjithatë, një pjesë e materialeve që kam konsultuar ende nuk është publikuar në bibliotekën digjitale dhe nuk është bërë e njohur për opinionin e gjerë, as ndërkombëtar dhe as shqiptar. Për këtë arsye, studiuesit kanë përgjegjësi t’i hulumtojnë dhe t’i paraqesin këto dokumente në mënyrë të saktë e të argumentuar, në mënyrë që publiku të njihet më mirë me realitetin historik të Kosovës.
Dokumentet dëshmojnë për masakrat në Likoshan, Qirez, Abri, Reçak, Mejë, Verboc, si dhe në Drenicë, Dukagjin e në shumë pjesë të tjera të Kosovës. Hulumtimi dhe botimi i tyre mund të kontribuojnë në ruajtjen e kujtesës historike dhe në kuptimin më të plotë të përgjegjësive për krimet e luftës.
Dokumentet e deklasifikuara që kam hulumtuar do të jenë pjesë e librit tim të ardhshëm, Dokumente sekrete amerikane për luftën në Kosovë, 1995–1999.