


Autorja e librit dhe podcastit “But Where Are You Really From” në Danimarkë, rrëfen krenarinë e rrënjëve shqiptare dhe sfidat e shqiptarëve në emigracion.
Intervistoi: Sokol Paja
1. Znj. Rexhepi, ju u larguat nga Kosova në moshën nëntëvjeçare si pasojë e luftës dhe u rritët në Danimarkë. Si ndikoi kjo përvojë emigrimi e lufte në formimin e identitetit dhe personalitetit tuaj njerëzor e krijues?
Largimi si refugjate e Kosovës në aq moshë të re ka qenë baza e jetës teme. Ka ndiku në gjithçka te unë. Identiteti, edhe pse jam Shqiptare me gjak, ka qenë jo një send i lehtë. Jemi rritë si Shqiptarë jashtë vendit dhe identiteti merr edhe fazën e vet të shtëpisë së dytë, ku u rrita në Danimarkë. Ikja nga Kosova m’ka dhanë shumë mëshirë për njerëz dhe kuptim për jetën. Se sot mundesh me pasë gjithçka e nesër krejt të humbin. Kjo m’ka bo që unë jam shumë person i tokës. E thjeshtë në mënyrën si e ndjej veten dhe si i trajtoj të tjerët. Edhe pse kam ambicie, jam person i tokës.
2. Të rritesh larg atdheut, si ka ndikuar kjo përvojë në perceptimin tuaj mbi identitetin shqiptar, integrimin dhe ndjenjën e përkatësisë? Si i keni ruajtur lidhjet me rrënjët tuaja?
Nuk ka qenë një send i lehtë të ndjehem vetëm si Shqiptare, se kur rritesh jashtë vendit, në diasporë, ata presin se ti jo veç të integrohesh, po edhe të asimilohesh. Si fëmijë të vjen turp edhe me folë gjuhën Shqipe, se të qeshin të tjerët. Dhe në fillim ka qenë shumë vështirë, po në kohën e adoleshencës unë shkova në Nju Jork mbas gjimnazit dhe ia fillova me lexu ma shumë për historinë tonë. U ndjeva shumë krenare se si kemi mbijetu ne Shqiptarët, edhe pse plot e plot perandori na kanë sundu. Dhe m’ka bo me qenë shumë krenare me popullin tonë.
Dhe normalisht, nanën e kam shumë patriote nga Kaçaniku dhe ajo gjithmonë na ka folë Shqip dhe na ka tregu për historinë tonë. Na ka dhanë njëfarë krenarie ta duam veten, po kur ika në Nju Jork edhe ma shumë u frymëzova me rrënjët e mia. Dhe mandej jam mundu edhe pas Amerikës me i ndihmu Shqiptarëve. Në vitin 2014 isha në Kosovë me dërgu pako humanitare me Forcat e Kosovës dhe tre shokë e shoqe nga Danimarka.
3. Libri juaj autobiografik “But Where Are You Really From?” i botuar në anglisht, danisht dhe shqip, trajton tema të ndjeshme si lufta në Kosovë, emigrimi, refugjatët dhe përkatësia kulturore. Çfarë ju shtyu ta shkruanit këtë libër dhe cili është mesazhi kryesor që dëshironi t’u përcillni lexuesve?
Librin kam dashtë me shkru moti, po qe tre vjet ia kam fillu tu e shkru, se isha edhe tu punu si Project Manager në Novo Nordisk, këtu në Danimarkë, po edhe në North Carolina, USA, e nuk kisha aq shumë kohë.
Po dëshira ka ardhur pse gjithmonë, kur jam marrë me shkollë dhe punë, më kanë pyetë danezët dhe ndërkombëtarët me çudi se nuk jam lindë në Danimarkë apo Amerikë, se e kam dialektin e anglishtes si amerikanët. Dhe janë çuditë kur u kam tregu se jam refugjate e luftës të Kosovës dhe bile dy vjet mbas luftës kemi jetu në kamp refugjatësh. Domethënë se s’kemi mësu shumë në shkollë. Janë çuditë se qysh unë, në moshë aq të “vjetër”, kam marrë shkollim në Copenhagen Business School dhe London School of Economics dhe qysh unë kam punu me kompani të famshme dhe të mëdha si Novo Nordisk, Banco Santander, Nordea dhe Danske Bank. U ka ardhë çudi, edhe mrekulli.
Edhe asht mrekulli, sepse jeta si refugjat/imigrant asht shumë e vështirë. Dhe për atë kam dashtë me tregu historinë tonë. Se edhe diskriminimi i madh të lodh kur don me u integru.
Dhe normalisht, dashnia ime për atdheun tim. Unë du që historia jonë të shkruhet veç nga ne, Shqiptarët. Na ta mbajmë narrativën dhe jo të huajt. Se më pengon se si shkruajnë të huajt për neve.
Dhe lufta ka lanë shumë plagë pas dhe ka qenë e rëndësishme për mu mos me i harru ato krime ndaj Shqiptarëve, se ende jemi tu pritë një falje nga Serbia. Se Shqiptarët në Kosovë janë 95% e jo Serbët. Për çfarë arsyeje dojnë ata me pasë Kosovën? Përveç se me na sundu neve? Padrejtësia më pengon dhe ky ka qenë motivimi. Historia asht personale, po ndjenjat janë universale, thonë.
4. Titulli i librit tuaj, “But Where Are You Really From?” (Amo, prej kait je ti met vërtet? E huja atje, e huja ktu. Prej Kosovës në Danimarkë), ngre një çështje të rëndësishme për njerëzit që rriten mes kulturave të ndryshme. Çfarë fshihet pas kësaj pyetjeje dhe si e keni përjetuar personalisht ndjesinë e të qenit e huaj dhe e mërguar?
Këtë pyetje, sikurse edhe ti, është një pyetje që shumë njerëz me rrënjë të ndryshme e kuptojnë. Nuk asht diçka e veçantë veç për mu ose neve Shqiptarëve. Po unë personalisht e kam përjetu këtë pyetje shumë e shumë herë në jetën time në diasporë. Apo në Danimarkë, Suedi, Angli, Amerikë e kudo që kam studiu dhe punu.
Nuk më pengon pyetja në izolim, se asht pyetje kureshtare, po kur të pyesin disa njerëz në punë, në shkollë, në market 3-4 herë në ditë, kjo të bën me u ndje ti se je e huaja gjithmonë. Po ta thyejnë indirekt se ti nuk je e vendit lokal. Tashti arsyetohu se pse ke ardhë ti këtu. Prej kah je ti me të vërtetë?
Në izolim asht pyetje normale, po kjo pyetje edhe përdoret me të kufizu ty si e huaja. Me të shti me një boks se kush je ti. Dhe si person kjo pyetje të lodh në fund. Se, shembull, je tu prezantu një projekt e minutat e para duhesh me u arsyetu se kush je dhe nga vjen. Pse asht kjo pyetje aq e rëndësishme? A nuk mundemi me pritë kur të dalim në pauzë dhe me pyetë pyetje personale sa të duash?
Unë jam shumë krenare që jam Shqiptare. Kurrë nuk bahem diçka që s’jam dhe për atë e kam shkru edhe librin në gegnisht, që fëmijët e diasporës të munden me lexu se si flitet Shqipja Gege në Kosovë e veriun e Shqipnisë, Mal të Zi dhe në Maqedoni të Veriut.
Dhe për atë unë e kam rujtë gjuhën time, sepse e dua veten. Kjo pyetje nuk asht për mosdashni për rrënjët, po për të huajt, të Perëndimit, që mundohen shumë me i kufizu refugjatët dhe imigrantët. Se nuk asht njerëzore me ia bë një personi të ditur çdo ditë që asht i huaj. Kjo nuk asht demokraci, po diskriminim.
5. Përmes podcastit tuaj “But Where Are You Really From”, ju sillni histori njerëzore që lidhen me identitetin, migrimin dhe jetën përtej kufijve. Çfarë ju ka mësuar ky komunikim dhe sa e rëndësishme është që këto histori të dëgjohen e të dokumentohen?
Podcasti, për fat të mirë, po shkon shumë mirë, edhe pse asht veç audio e jo video. Kam dëgjues në mbi 40 shtete të botës dhe kjo ka kuptim shumë të mirë për mu, se po muj me ia tregu botës perspektivën tonë. Dhe kam mysafirë që edhe ata i tregojnë historitë e veta.
Unë, në vitet e fundit, më vjen shumë keq se si diaspora Shqiptare, po edhe vendlindja jonë, nuk kanë fokus në tema të mira me mbrojtë vendin tonë, gjuhën tonë dhe kulturën tonë.
Unë me këtë podcast dhe librin po mundohem me e përhapë dijen që e kam unë për historinë tonë e jo me ia lanë të huajve narrativën tonë në dorë.
Kam edhe një episod për librin “She Who Remains”, që asht shkru nga një Bullgare dhe ajo as që e ka vizitu Shqipërinë, po ka shkru dhe e ka bastardizu kulturën tonë me temën: Burrneshat. Tash kush prej Shqiptarëve ka dalë kundër kësaj narrative? Askush. Bile, për fatkeqësi, Dua Lipa e ka mbështetë. Më ka dhimtë zemra se ajo Bullgarka nuk na ka tregu traditat tona në realitet, po për fitimin e vetes së vet dhe për me i qitë Shqiptarët në pozitë të keqe. Tash ky episod asht dëgju mbi 30.000 dëgjues. Pak, bile kam ba diçka për drejtësi.
6. Çfarë mendoni se duhet të bëjë mërgata shqiptare në përgjithësi që t’ua përcjellë brezave të rinj gjuhën, kulturën, historinë dhe kujtesën kombëtare?
Unë shpresoj se mërgata Shqiptare ta dojë veten pikë së pari. Mos me pasë komplekse të vetes si Shqiptar. Mos me u ndje inferior ndaj të huajve. Dhe me dashtë njani-tjetrin. Me mësu historinë tonë. Jo propagandë online, po me të vërtetë historinë Shqiptare.
Me mësu se gjuha Shqipe asht gjuhë e veçantë, e izolume në lisin indoevropian të gjuhëve dhe asht ndër gjuhët më të vjetra ose ndoshta edhe më e vjetra. Kur e din historinë tane dhe gjuhën, askush s’munet me të mësu ty për veten. Kur diskuton me të huajt dhe fqinjët tanë që janë rritë me propagandë për Shqiptarët, ti mundesh me mbrojtë veten dhe vendin tan me fakte. Nëse ne nuk jemi autoktonë, pse pra gjuha jonë asht ma e vjetra? Kjo ka domethënie të madhe.
Gjuha, historia dhe kultura janë një. Krejt po dojnë me folë anglisht, amo sipas mendimit tem, nëse ti nuk di gjuhën tane, nuk je Shqiptar. Edhe nëse prindërit nuk ta kanë mësu, ti duhesh vetë me pasë motivim me mësu këtë gjuhë të lashtë e të mirë.
Shembull, kur isha në gjimnaz në Danimarkë, mësuam për Greqinë antike, po shumë fjalë “greke antike” kishin kuptim në Shqip. Tash kjo për mu ka shumë vlerë. E di që të huajt nuk na pranojnë, po ne s’kemi nevojë me marrë leje prej askujt me mbrojtë gjuhën, tokën dhe kulturën tonë. Pikë. Mos të kenë komplekse.
7. Si e vlerësoni zhvillimin e përparimin e Kosovës së pasluftës e deri në ditët e sotme?
Kosova ka përparu shumë. Infrastruktura asht në nivel shumë të lartë kundrejt para luftës. Këtë e kam unë edhe në libër. Nëse Kosova ka qenë “djepi i Serbisë”, po pse pra Kosova ka qenë vendi ma i varfër në ish-Jugosllavi? As rrugë nuk kemi pasë.
Tashti për mirë po. Jam shumë krenare me Kosovën dhe rininë që janë shumë të dijshëm. Normal, shpresoj që mundemi me u zbutë pak si popull, me pasë ma shumë mëshirë për njani-tjetrin.
Dhe me u vu mend se si i trajtojmë bashkatdhetarët tanë nga diaspora. Dashuria e vërtetë nuk asht për interes. Shqiptarët në diasporë e humbin jetën me mijëra mërzi për një copë bukë dhe kur të shkojmë në Kosovë na thonë “të jashtit”. Asht njëfarë plage e dytë mbas luftës: me u ndje e huaja në vendlindje dhe e huaja në vendin ku je rritë.
Web: www.lenarexhepi.com
Insta: lenarex