



Nga Albert Vataj/
Jeronim De Rada do të kujtohet ndër breza si një personalitet që kapërceu çdo përkufizim të zakonshëm. Ai diti dhe mundi t’i kushtohej me mish e me shpirt idealeve më të larta, virtyteve të epërme dhe detyrimeve të shenjta ndaj kombit të vet. Gjithçka që përmbledh veprimtarinë e tij atdhetare përbën, në thelb, një mision që merr përmasat e një përkushtimi të shenjtë. Edhe pse nuk u shugurua si i tillë, kujtesa e vlerave dhe e veprës që la trashëgim i ngriti një altar në panteonin e shqiptarizmës, duke e shndërruar në një predikues të përhershëm të ndërgjegjes kombëtare dhe të përtëritjes shpirtërore të shqiptarëve.
Ai luajti një rol ndriçues në historinë e letërsisë shqiptare. Ishte njëri prej nismëtarëve të letërsisë sonë me frymë kombëtare dhe themeluesi i një tradite letrare arbëreshe, ndikimi i së cilës kapërceu kohën dhe hapësirën e bashkësive shqiptare në Itali. Ndikimi i tij mbi shkrimtarët arbëreshë bashkëkohës ishte i jashtëzakonshëm, ndërsa tradita poetike e themeluar prej tij vijon të jetojë e të përtërihet edhe në letërsinë e sotme arbëreshe.
Jeronim De Rada ishte poeti i kumbimeve profetike në panteonin e letërsisë shqiptare dhe më gjerë, shqipkumtuesi i zëshëm i vlerave evropiane, dritëlëshuesi mbi terrin e kahershëm të kujtesës dhe të kumteve shpirtërore të arbërit. Ai e bëri gjuhën shqipe një kumt të përkatësisë, letërsinë një akt të ndërgjegjes kombëtare dhe poezinë një mënyrë për të shpallur të drejtën e një populli për të qenë i lirë dhe i njohur në familjen e kombeve evropiane.
Jeronim De Rada (Girolamo De Rada), poet, publicist, folklorist, filolog, pedagog dhe një nga themeluesit e letërsisë e të kulturës arbëreshe, u lind më 19 nëntor 1814 dhe u nda nga jeta më 28 shkurt 1903.
Misioni i një rilindësi
I nderuar me titullin “Mësues i Popullit”, De Rada jetoi dhe veproi në shërbim të një ideali që e kapërceu jetën e tij vetjake. Rrugëtimi i gjatë i veprimtarisë së tij të paepur mori hov që në vitin 1834, kur ndodhej në Napoli për studime. Më 1848, nxori gazetën “L’Albanese d’Italia”, një prej nismave më të rëndësishme të shtypit shqiptar të kohës, e cila u bë tribunë e mendimit të tij dhe e pikëpamjeve mbi zhvillimet politike e shoqërore të epokës.
Dështimi i revolucionit të vitit 1848 shënoi një krisje të thellë në themelet e shpresave dhe të idealeve të tij. Në këtë klimë zhgënjimi, De Rada ndërpreu botimin e “L’Albanese d’Italia” dhe u tërhoq në fshatin e tij të lindjes, duke kaluar një periudhë larg angazhimit të drejtpërdrejtë publik, deri në fillim të viteve gjashtëdhjetë të shekullit XIX.
Një etapë e re nisi më 1861, kur ai u rishfaq me energji të përtërira, duke u bërë një nga zërat më kumbues të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Pas traktatit “Parimet e estetikës” (1861), ai vijoi me vepra që do të kishin rëndësi të veçantë për zgjimin dhe përhapjen e vetëdijes kombëtare: “Lashtësia e kombit shqiptar” (1864) dhe “Rapsodi të një poeme arbëreshe” (1866). Këto botime përfaqësojnë jo vetëm një përpjekje për të dëshmuar lashtësinë historike e kulturore të shqiptarëve, por edhe një akt të mirëfilltë të propagandimit të çështjes kombëtare.
De Rada hyri në korrespondencë me patriotë shqiptarë dhe personalitete të kulturës evropiane, dashamirës të Shqipërisë dhe të vlerave të saj të patjetërsueshme. Ndiqte me interes të gjallë zhvillimet në atdheun e të parëve dhe u përpoq që çështja shqiptare të gjente jehonë në qarqet politike e intelektuale të Evropës.
Një pikë kulmore e veprimtarisë së tij atdhetare ishte përkrahja që i dha Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878, duke ngritur zërin fuqishëm kundër copëtimit territorial të Shqipërisë dhe cenimit të të drejtave të saj kombëtare. Një ndihmesë të çmuar për çështjen shqiptare dha edhe përmes revistës “Flamuri i Arbërit”, të cilën e themeloi dhe e botoi gjatë viteve 1883–1885. Kjo revistë u shndërrua në një tribunë të rëndësishme të mendimit kombëtar, të historisë, të gjuhës dhe të kulturës shqiptare.
Në “Testamentin politik” të vitit 1902, De Rada shprehu besimin në të ardhmen e Shqipërisë, por edhe pakënaqësinë e tij ndaj politikës italiane për çështjen shqiptare. Në këtë dëshmi të fundit të mendimit të tij politik, përkushtimi ndaj atdheut të të parëve mbetet i palëkundur, si një fill që përshkon tërë jetën dhe veprën e tij.
De Rada, studiuesi i gjuhës dhe mbrojtësi i identitetit shqiptar
De Rada la një kontribut të çmuar edhe në fushën e studimeve gjuhësore. Gjurmët e tij janë të pranishme në mendimin shkencor të kohës për prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, lashtësinë e tyre dhe vazhdimësinë historike e kulturore. Ai u përpoq ta mbronte këtë lashtësi me argumente gjuhësore, historike dhe folklorike, duke e konsideruar gjuhën si një nga dëshmitë më të rëndësishme të identitetit kombëtar.
De Rada ishte ndër studiuesit e hershëm shqiptarë që u morën me strukturën gramatikore të shqipes. Në të dyja veprat gramatikore që hartoi, më 1870 dhe 1894, trajtoi aspekte të gjuhës që nuk ishin vënë më parë në qendër të vëmendjes nga dijetarët shqiptarë dhe albanologët e huaj, duke sjellë në shqyrtim edhe dukuri gjuhësore të pastudiuara ose pak të njohura deri atëherë. Në këto punime përfshihen të dhëna me interes të veçantë për të folmet arbëreshe, të cilat përbëjnë një dëshmi të rëndësishme për ruajtjen dhe zhvillimin e shqipes jashtë trojeve amtare.
Ai bëri përpjekje të vazhdueshme për krijimin e një alfabeti të përbashkët të shqipes, duke synuar një sistem shkrimi sa më të plotë dhe të përshtatshëm, të mbështetur në karakteret latine dhe të plotësuar me shenja diakritike.
Në veprimtarinë e tij gjuhësore duhet përmendur edhe organizimi i dy kongreseve për gjuhën shqipe: i pari, më 1895, në Koriliano Kalabro, dhe i dyti, më 1897, në Lungro. Këto nisma dëshmojnë për përpjekjen e tij për ta nxjerrë gjuhën shqipe nga kufijtë e përdorimit të përditshëm dhe për ta vendosur në qendër të një diskutimi të organizuar shkencor e kulturor.
Për dekada të tëra, De Rada dha me vetëmohim mësimin e shqipes në Kolegjin e Shën Mitër Koronës, duke u përpjekur t’u përcillte brezave të rinj jo vetëm gjuhën, por edhe vetëdijen për prejardhjen, historinë dhe përkatësinë e tyre. Deri në fund të jetës mbeti një mësues i përkushtuar, një rilindës i madh dhe një nga mbrojtësit më të vendosur të çështjes kombëtare shqiptare.
Poetika e një kombi që kërkonte të rilindej
Mjaft e gjerë dhe e larmishme është veprimtaria poetike e De Radës. Ai nisi të botonte që herët, por vepra që i solli famën si një poet me talent të jashtëzakonshëm ishte poema liriko-epike “Këngët e Milosaos” (1836), një prej veprave themelore të letërsisë romantike shqiptare dhe një dëshmi e hershme e vlerave të saj të larta artistike.
Në qendër të poemës qëndron historia e një çifti të ri, dashuria e të cilëve përballet me pengesa shoqërore dhe paragjykime të kohës. Por De Rada nuk kufizohet vetëm në trajtimin e dashurisë së penguar dhe në kundërshtimin e ndarjeve klasore që cenojnë lumturinë e të rinjve. Nëpërmjet fatit të personazheve, në vepër kumton edhe ideja e detyrës ndaj atdheut, e përgjegjësisë kolektive dhe e gatishmërisë për të luftuar në mbrojtje të tij.
Dashuria vetjake dhe dashuria për vendin ndërthuren në një botë poetike ku ndjenjat njerëzore marrin përmasa historike e kombëtare. Historia e një dashurie fatkeqe ndërmjet dy të rinjve nga rrethet aristokratike të Shqipërisë së shekullit XV qëndron gjithashtu në qendër të poemës “Serafina Topia”, mbi të cilën poeti punoi gjatë viteve 1839–1843. I pakënaqur me trajtimin e parë të subjektit, De Rada iu rikthye atij në poemën “Pasqyra e një jete njerëzore” (1898), duke e zgjeruar dhe duke e përshtatur me problematika më të afërta me shqetësimet e kohës së tij, veçanërisht me luftën kundër pushtimit osman.
Një vend të veçantë në krijimtarinë e tij zë “Skënderbeu i pafan”, vepra madhore mbi të cilën punoi për një periudhë të gjatë, nga viti 1837 deri më 1896. Në të janë përfshirë dhe ndërthurur shumë prej këngëve e poemave që kishte botuar më parë, duke krijuar një tablo të gjerë poetike të Shqipërisë së shekullit XV. Në këtë vepër shfaqet në mënyrën më të plotë patosi kombëtar që përshkon krijimtarinë e De Radës.
Ndonëse poema nuk zotëron një njësi të plotë veprimi dhe një vijimësi të mirëfilltë narrative, ajo sjell një panoramë të gjerë të jetës shqiptare në shekullin XV, të bëmat e lavdishme të popullit, dashurinë e tij të zjarrtë për lirinë dhe pavarësinë, si dhe qëndresën e jashtëzakonshme përballë sulmeve të armiqve.
Në qendër të veprës qëndron konflikti ndërmjet shqiptarëve dhe osmanëve, i paraqitur përmes skenave të betejave të ashpra e të furishme, të dallueshme për ngjyrimin historik dhe hollësitë shprehëse. Heroi ynë kombëtar, Skënderbeu, shfaqet si burrë shteti i shquar dhe luftëtar i rrallë, i cili, me mençurinë dhe heroizmin e tij, arrin ta ngrejë popullin në një luftë çlirimtare të pashoqe. Edhe personazhet e tjera mishërojnë heroizmin, qëndresën dhe trimërinë e shqiptarëve.
“Skënderbeu i pafan” përbën një nga kulmet e krijimtarisë së De Radës. Në të shfaqen qartë tiparet themelore të talentit të tij: aftësia për të ndërtuar tablo të gjera historike, për të përshkruar botën e brendshme të heronjve dhe për të zbuluar mendimet e ndjenjat më të thella e më të fshehta të njeriut. Si poet, veçanërisht me “Këngët e Milosaos”, De Rada u vlerësua lart edhe nga qarqet letrare evropiane, duke u bërë një prej zërave shqiptarë që kapërceu kufijtë e kulturës së vet.
Zef Valentini për Jeronim De Radën
Në vlerësimin e studiuesit Zef Valentini, De Rada shfaq një përmasë të veçantë shpirtërore dhe mistike, që e dallon nga shumë prej bashkëkohësve të tij. Valentini shkruan: “Te De Rada ia vlen të shënohet ai lloj fluturimi pindarik, tipikisht mistik, që e lidh lajmin e një mirësie të kryer jo me sensin e një mirësie personale, por të një vizioni të gjerë teologjik të gjithë-atësisë së Zotit.
Unë do të rrëfej gjithmonë veç për suksese të vërteta, edhe pse e di shumë mirë se i flas një gjenerate shumë kryeneçe, që ka për divizë shprehjen ‘Quid est veritas?’ (Ku është e vërteta?) të Ponc Pilatit.
Megjithatë e vërteta është se ky njeri mistik duhet të ketë ndjerë e besuar të ketë për rilindjen e Shqipërisë një mision të atillë me atë që pat besuar të kishte Dantja për të gjithë italianët jubileun e vitit 1300. Ai s’u shpreh kurrë qartësisht në lidhje me këtë mision, ndoshta për arsye modestie, duke menduar të mos jetë i denjë për një gjë të tillë. Por, në vëllimin e periudhës së parë të ‘Autobiologjisë’ së tij, autori do të shkruajë: ‘Në vetvete, ngjarjet e jetës sime nuk kanë kurrfarë vlere për të tjerët, as kurrfarë vlerësimi prej tyre. Vlerësimi i takon lartësimit të ‘bërjes dhe pasjes’ së një gjuhe kombëtare, mbrojtëses së vërtetë të kombit shqiptar’.
Ndoshta teologët nuk e kanë kaq të lehtë të pohojnë ekzistencën e misioneve profetike të poetëve, ashtu siç nuk janë të lehta të pohohen zbulesat e tyre të vërteta mistike e të mbinatyrshme, me pretendimin e drejtë për të mos i dhënë Zotit përgjegjësi që nuk janë të tijat.”
Ky vlerësim i Valentinit e vendos De Radën në një marrëdhënie të veçantë me misionin e poetit: jo thjesht si krijues të bukurisë, por si njeri që ndien mbi vete përgjegjësinë e një kohe dhe të një populli. Në këtë kuptim, poezia e tij nuk është vetëm shprehje e një talenti individual; ajo është një përpjekje për ta rikthyer një komb në vetëdijen e historisë, të gjuhës dhe të së ardhmes së vet.
Vepra dhe vlerat, letërsia si fragment i zemrës kombëtare
Bibliografia e De Radës përfshin dhjetëra vepra të gjinive dhe natyrave të ndryshme. Megjithatë, përtej larmisë së tyre, një fill i përbashkët i përshkon të gjitha: patriotizmi i thellë, përkushtimi ndaj gjuhës dhe ideali i ringjalljes kombëtare. Në këtë kuptim, veprat e tij mund të lexohen si fragmente të një zemre që rrahu për Shqipërinë edhe atëherë kur vetë autori jetonte larg saj.
Me të drejtë është vënë në dukje se ai diti ta shndërronte edhe gramatikën, këtë fushë që mund të duket e ftohtë dhe e largët nga emocionet, në një fushëbetejë për mbrojtjen e identitetit shqiptar. Edhe kur njohuritë e tij mbi disa zakone e doke të caktuara ishin të pjesshme, De Rada nuk e humbte bindjen se thelbi i etnicitetit shqiptar qëndronte te gjuha, te kujtesa historike, te trashëgimia shpirtërore, te kujtimi i Skënderbeut dhe te ideali i rifitimit të pavarësisë, si dhe te rikthimi në qytetërimin e humbur. Këto ishin shtyllat mbi të cilat ai ndërtonte përfytyrimin e vet për kombin.
Që në rini, De Rada shfaqte shenjat e një bote poetike vetjake, e cila kapërcente përvojën e fituar nga leximet. Këngët popullore i hapën një fushë të re ku mund ta jetonte dhe ta shprehte këtë botë, duke i dhënë një gjuhë më të freskët, më të lashtë në tingëllim dhe më të afërt me kujtesën e popullit.
Ai u zhyt në këtë univers me një liri të madhe krijuese, duke ndërthurur motive të romantizmit me trashëgiminë e traditës poetike, përfshirë ndikimet e Torquato Tassos dhe të këngëve popullore. Rezultati ishte një përshtypje e fuqishme te lexuesit, të mësuar me fantazinë e poetëve romantikë dhe të traditës epike, të cilët prisnin me entuziazëm çdo krijim që mund të tingëllonte si një shprehje autentike e shpirtit popullor.
Megjithatë, nënvizon Valentini, “nuk besoj se një lexues shqiptar i epokës do të kish njohur, përtej gjuhës dhe frazeologjisë, shumë prej botës së tij në poetikën e autorit”.
Nuk mund të përcaktohet me siguri nëse De Rada ishte apo jo plotësisht i ndërgjegjshëm për këtë largësi ndërmjet botës së tij poetike dhe përvojës së drejtpërdrejtë të lexuesit shqiptar të kohës. Po kështu, nuk mund të thuhet nëse një ndërgjegjësim i tillë do ta kishte ndryshuar mënyrën e tij të të shkruarit, duke qenë se, po të kishte dëshiruar, ai mund të kishte zgjedhur edhe forma të tjera shprehjeje.
Ajo që mund të pohohet është se De Rada nuk ndihej kurrë plotësisht i kënaqur me poemat e veta, pavarësisht se e kuptonte madhësinë e ndërmarrjes krijuese. Kjo shpjegon edhe faktin se shumë prej veprave të tij, ndonëse iu nënshtruan ripunimeve të vazhdueshme, mbetën për autorin përpjekje që nuk arritën kurrë ta përmbushnin plotësisht idealin e tij poetik. Kjo pakënaqësi krijuese, në njëfarë mënyre, dëshmon për kërkimin e pandërprerë të përsosmërisë, për një poet që nuk e konsideroi asnjëherë të përfunduar dialogun me veprën e vet.
Fundi i trishtë i një jete të madhe
Jeronim De Rada, njëri prej përfaqësuesve më të shquar të elitës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe një nga frymëzuesit më të rëndësishëm të intelektualëve arbëreshë të kohës, u nda nga jeta në rrethana të dhimbshme, i përballur me varfërinë dhe braktisjen në vitet e pleqërisë. Kujtesa për fundin e tij është po aq tronditëse sa edhe madhështia e veprës që la pas. Ai, që kishte shpenzuar një jetë të tërë për gjuhën, kulturën dhe çështjen kombëtare, e mbylli udhëtimin tokësor në skamje, larg vlerësimit dhe mirënjohjes që meritonte një personalitet i përmasave të tij. Një intelektual i shquar, poet, gjuhëtar, pedagog dhe veprimtar atdhetar, përfundoi ditët nën hijen e një varfërie që e shoqëroi në moshën e thyer.
Në rrëfimet që përcillen për ditët e tij të fundit, gjendet edhe një episod që e bën këtë fund edhe më të dhimbshëm. Thuhet se njerëzit që iu gjendën pranë ditën kur u shua, mbetën të shtangur kur në xhepat e tij, në vend të të hollave, gjetën vetëm një cironkë të tharë në tym. Një hollësi rrëqethëse, që, nëse merret siç përcillet në këto rrëfime, bëhet simbol i kontrastit tragjik ndërmjet madhështisë së shpirtit dhe skamjes së jetës së tij.
Është një absurditet që nuk mund të matet veçse me vetveten: një komb që mund të krenohet me një personalitet të tillë, por që nuk arriti t’i ofronte atij, në gjallje, dinjitetin material që meritonte. De Rada u largua nga kjo botë me duar të zbrazëta, por la pas një pasuri që nuk mund të matet me asnjë monedhë: një trashëgimi poetike, gjuhësore dhe atdhetare që i përket përjetësisë së kujtesës shqiptare.
Ai mbeti një nga ata njerëz të rrallë që nuk e jetojnë jetën vetëm për veten, por për një ideal që i kapërcen. Ishte një poet që i dha gjuhës shqipe kumbim evropian, një studiues që kërkoi në lashtësinë e saj dëshminë e identitetit tonë, një mësues që ua përcolli brezave dashurinë për gjuhën dhe një atdhetar që e shndërroi përkushtimin në mision.
Jeronim De Rada nuk la pas vetëm vepra. Ai la një dëshmi se si një njeri, edhe larg atdheut, mund ta mbajë një komb të tërë brenda gjuhës, kujtesës dhe poezisë së vet. Ai ishte një nga ata apostuj të fjalës që nuk e kërkuan lavdinë për vete, por ia kushtuan jetën rilindjes së një populli. Dhe nëse jeta e tij u mbyll në varfëri, vepra e tij mbeti një pasuri që nuk mund ta varfërojë as koha.