
Aleksandër Çipa/
Po pse duhet të mbesim përherë në statusin e një populli kohëhumbur? Një popull i papërgatitur?
Përherë të papërgatitur do të mbesim ne?!? Në Europë dhe gjetkë, po rilind nacionalizmi. Madje edhe më tepër: po rikrijon strukturat dhe ka nisur mësymjet elektorale. Në rajonin tonë këto aksione politike kanë nisur dhe investimet malinje janë shtuar e po shtohen. Parimet neoliberale po eklipsohen, janë kapërcyer dhe, nuk janë e, sipas gjasave, nuk do të jenë më brendi e rendit global. Ku jemi dhe si jemi ne shqiptarët?! Çdo të bëjmë? Do të mbesim siç na lënë apo do të ndërtojmë sërish vonesën dhe diversitetin vrasës dhe pengues?!? Nga axhendat zyrtare të partive kryesore është hequr projekti i bashkimit kombëtar.
Diversiteti fetar po theksohet, me ushqime nga jashtë, si të jemi të ndryshëm deri në pa përafrim. Konstitucionin shpirtëror e kemi varfëruar dhe po biem pre e ushqimeve kanceroze prej tezave dhe identiteteve të rreme të shitura dhe hedhura si doktrina të rreme. Në besimet tona po trajtohet si mish i huaj besimi gjithëkombëtar dhe kombësia e vetme. Historia e pluhurtranzicionit dhe e post-pluhurtranzicionit është kohë e shuarjes dhe zhbërjes së ndërgjegjes për ide dhe kombësi në kushtet dhe kohën kozmopolite.
Jemi mpakur dhe zhbërë në strukturën tonë të substancës kombëtare si shoqëri të sotme.
Shoqëritë tona shqiptare, në hapësirën shqiptare janë aq të ndryshme sa Ben Blushi me Kim Mehmetin, sa Aurel Plasari me Veton Suroin, sa Edi Rama me Albin Kurtin dhe sa himni shpesh pa zë i Kosovës me himnin e aq atakuar kombëtar ( që shpesh shumë shqiptarë e keqcilësojnë, si të Shqipërisë). Të gjithë të pozicionuar në llogoret e mosbesimit, duke u betuar për besim vetlm tek e vetes. Jemi një shoqëri e turpshme, por fatkeqësisht po shndërrohemi në sjellje dhe shpërbërje ndaj referencave të historisë dhe qenies sonë, si një popull i paturpshëm. Në këtë gjendje , përballë kësaj që po vjen në Botë dhe sidomos më afër nesh, jemi si në atë imazhin e Nolit kryeministër që ndërsa vibte rrëmeti, i binte flautit…!
A mund ta rikthejmë siç e meritojmë dhe siç na duhet ekzistencialisht kuktin e bukur përbashkues të Rilindjes Kombëtare?! A mund ta rinisëm prej aty ku e la Naim Frashëri, At Gjergj Fishta, Hafiz Ali Korça , Mit’hat Frashëri, Ndre Mjeda, Parashqevi Qiriazi, Luigj Gurakuqi, Bajo Topulli, Shahin Kolonja etj. etj?!. Vetëm kjo formulë dhe kësi përbërjeje në një vepër të re përbashkimi na mban si komb e popull në jetë.! Patriotizmi që ngjizet së bashku me mendimin dhe arsyetimin logjik nuk efërsohet si nacionalizëm, por formëson kombëtarizmin. Ne për këtë kemi sot nevojë. Vetëm kjo na bën një komb, një flamur.