


– pentalogjia ime me “Onufrin” –
Nga Visar Zhiti
Erdhi libri shqip në Chicago, nga dheu amë… mes nesh… dhe ne mes librave…
1.
Një nismë e vyer, risi dhe vazhdim…që më kujton ato akte që s’duheshin ndërprerë, bëmat e korifejve tanë rilindas në SHBA, të Konicës modern dhe Imzot Nolit, të Profesor Arshi Pipës, të bashkëpunëtorëve të tyre e të tjerë, mbase të paemër, por me gjurmët prej drite të shërbesës, ku integriteti ishte i lidhur me bashkësinë, patriotizmi me kulturën, të qytetarit amerikan me yll polar dhe atdheun e të parëve…
2.
Ato tryeza të thjeshta me librat shqip…në BookFest 2026: u ngjajnë tryezave me bukë shpirtërore, katedrave në klasa letërsie, “Vatra” të të folurës familjare, kështu dua t’i shoh, jo vetëm në një të shtune, por shpesh e më shpesh…
Libri shqip
për ne, shqiptarët…
Gjuhë dhe kujtesë, pasuri dhe dhëmbje, rrëfim si dhe rrënjë, zanafillë dhe frymëzim, aspak pengesë, por mbështetje, do të thosha, për arritje të tjera përpara në botën e pafund, vëlla me librin në anglishten e madhe…
3.
Të ftuar si në një festë,
të mirëpritur me libra…
Isha dhe unë me 5 libra të miat, njëri sapo ka dalë, ja:
– “NË KOHËN E BRITMËS” – roman i ndryshimeve dramatike në Shqipëri, ikjet e dhimbshme, kërkimi i vetvetes…
dhe
– “KËPUCA E AKTORIT” – roman
i shkruar në Chicago, ku ngërthehen breza dhe kohë dhe vende…
– “DRITË QË ECËN ZBATHUR” – poezi ndër vite, deri te më të vonat rrugëve të Chicagos…
– DORËSHKRIMET E FSHEHTA TË BURGUT” – poezi nga ferri, botim i plotë anastatik…
– “PYETJA NR. 19” – libër i veçantë, bashkëbisedim me shkrimtarin dhe studiuesin e njohur, Dr. Lisandri Kola.
Letrat shqipe tashmë janë pasuruar me atë që kritika e quan dhe “Letërsia tjetër”, që erdhi nga vuajtjet dhe dënimet, duke e universalizuar dhimbjen shqiptare…
Të ringresh
institucionin e bisedës.
Të mirëkuptohemi për më të mirën.
4.
Kujtesa dhe ëndrra
në libër…
Zhvillimet e shpejta, marramendëse, shkenca, shpikjet, e kanë ndryshuar të lexuarit si dhe të shkruarit, vetë botimet, duke kthyer shumçka në formë elektronike, të dixhitalizuar, AI gjithmjë e më shumë, por emocioni i bukur i njeriut, etja për dije mbeten po ato, të domosdoshme, letërsia dhe artet janë në jetën si vetë jeta…
5.
.. me libra!
S’ka ardhmëri pa dijen…
BOOKFEST 2026 në Chicago.
Erdhën librat nga Shqipëria. E patën këtë ide, e nisën në metropol dhe po e vazhdojnë në kontinentin Amerikan, bashkë: themeluesi i Shtëpisë Botuese “Onufri” në Tiranë, z. Bujar Hudhri me Dr. Pashko R Camaj në New York, – ngritën kështu një urë euroatlantike prej librash dhe ëndrre…
Dhe them prapë, libra nga atdheu –
atdhe në libra!
————————————
5 botimet nga “Onufri”,
kopertinat me punime
të Atjon Zhitit.