
Hisen Berisha/
Deklarata e Presidentit Donald Trump në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për Gjykatën Ndërkombëtare Penale (ICC/GJNP) meriton të analizohet seriozisht edhe në Kosovë, jo sepse GJNP/ICC dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës janë e njëjta gjë, por pikërisht sepse nuk janë dhe sepse mënyra se si një shtet i madh e trajton raportin ndërmjet sovranitetit kombëtar dhe juridiksionit ndërkombëtar hap një debat të rëndësishëm politik e kushtetues.
Më 22 shtator 2026, Trump e quajti ICC-në një institucion jashtë kontrollit dhe u bëri thirrje shteteve anëtare të tërhiqen prej saj. Ai argumentoi se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të lejojnë që personeli amerikan t’i nënshtrohet juridiksionit të një gjykate që, sipas qëndrimit të administratës së tij, nuk ka juridiksion mbi SHBA-në.
Në shkurt 2025, administrata Trump vendosi sanksione ndaj GjPN/ICC-së.
Me ketë argumentoi zyrtarisht se veprimet e ICC përbënin kërcënim ndaj sovranitetit, sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme amerikane.
Urdhri parashikonte, ndër të tjera, bllokim të pasurive dhe kufizime të hyrjes në SHBA për persona të caktuar të lidhur me ICC-në.
Por Kosova duhet ta lexojë këtë shembull me maturi juridike.
ICC/GJNP është gjykatë ndërkombëtare e themeluar mbi Statutin e Romës. Ndërsa Dhomat e Specializuara të Kosovës janë krijuar përmes një marrëveshjeje ndërkombëtare të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës, Amendamentit Kushtetues nr. 24, përkatësisht nenit 162 të Kushtetutës, dhe Ligjit nr. 05/L-053 të miratuar në vitin 2015. Selia e tyre është në Hagë dhe mandati i tyre lidhet me një periudhë dhe juridiksion të përcaktuar posaçërisht.
Prandaj, sanksionet amerikane ndaj ICC-së nuk prekin Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe nuk krijojnë ndonjë efekt juridik mbi to. Por ato mund të shërbejnë si pikë reference për një pyetje legjitime politike dhe kushtetuese, që bëhet imediate në ketë situatë, se a ka ardhur koha që edhe Kuvendi i Kosovës ta hapë, pa tabu dhe pa presione politike, debatin për të ardhmen e Dhomave të Specializuara?
Prandaj, nëse Washingtoni e konsideron të papranueshme që një tribunal ndërkombëtar të ushtrojë juridiksion mbi qytetarë amerikanë në kundërshtim me konceptin amerikan të sovranitetit, edhe Kosova duhet ta ketë guximin institucional të shtrojë pyetjen e saj se, pse duhet të mbetet pa afat një mekanizëm i jashtëzakonshëm gjyqësor i krijuar nga vetë institucionet e Kosovës?
Për mua, përgjigjja duhet të jetë hapja e një procesi politik, kushtetues dhe juridik në Kuvend për zhbërjen e Dhomave të Specializuara në Hagë, në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
Nëse një shtet pretendon sovranitet dhe subjektivitet ndërkombëtar, ai duhet të ketë edhe të drejtën dhe përgjegjësinë të rishikojë mekanizmat e jashtëzakonshëm që ka krijuar, sidomos kur ato prekin drejtpërdrejt arkitekturën e tij kushtetuese dhe perceptimin e barazisë juridike të qytetarëve të tij.
Kjo nuk do të thotë ndërhyrje në procese gjyqësore konkrete.
Nuk do të thotë amnisti.
Nuk do të thotë politizim as mohim i drejtësis.
Por, do të thotë se Kuvendi mund të anulojë me një vendim politik një kornizë që është pjesë e rendit kushtetues, duke deroguar detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
Pra do të thotë të kërkohet një shqyrtim serioz kushtetues, juridik, politik dhe diplomatik i një mekanizmi që vetë Republika e Kosovës e ka krijuar përmes Kushtetutës dhe ligjit.
Kushtetuta dhe ligji nuk janë të paprekshëm nga debati demokratik.
Përkundrazi, është pikërisht Kuvendi, institucioni ku duhet të diskutohen çështjet që prekin rendin kushtetues, sovranitetin dhe interesat afatgjata të shtetit.
Madje, vetë historia juridike e Dhomave tregon se çështja ka qenë e lidhur me një proces të jashtëzakonshëm kushtetues. Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shqyrtuar në vitin 2015 amendamentin për krijimin e tyre, ndërsa në vitin 2020 ishte shqyrtuar edhe një propozim për ndryshimin e nenit 162 dhe ishte konstatuar se ndryshimet e propozuara do të cenonin të drejtat dhe liritë e garantuara.
Prandaj, rruga nuk mund të jetë emocioni politik dhe as ai moral i turmave protestuese, as presioni mbi gjykatat dhe as sulmi ndaj proceseve konkrete. Por vetëm presioni mbi deputetët për zhbërjen e DhS në Kuvend.
Rruga duhet të jetë Kuvendi, Kushtetuta, ligji dhe diplomacia.
Dhe këtu qëndron edhe pyetja politike që duhet t’u bëhet të gjitha forcave politike në Kosovë, pse ende nuk ka një debat të mirëfilltë parlamentar për këtë çështje?
Gjykata Kushtetuese me gjithë hendikepin funksional që ka e dha verdiktin rreth konstituimit të institucioneve, rruga është e hapur për veprim.
Pse një mekanizëm i krijuar nga institucionet e Kosovës nuk mund të bëhet objekt i një vlerësimi të ri institucional?
Dhe, mbi të gjitha, a duhet që partitë politike, në pushtet e në opozitë, ta trajtojnë këtë çështje mbi bazën e interesit shtetëror dhe kushtetues, apo mbi bazën e lidhjeve, platformave politike antishtet ku takojnë siç është Soros, dhe kalkulimeve dhe presioneve politike të momentit?
Këtu nuk duhet të ketë “globalistë” dhe “antiglobalistë”, “pushtet” dhe “opozitë”.
Duhet të ketë një pyetje që orienton kah një interes i vetëm, çfarë i shërben Republikës së Kosovës dhe rendit të saj kushtetues?
Nëse Washingtoni argumenton se sovraniteti amerikan duhet mbrojtur përballë një juridiksioni që SHBA-ja nuk e njeh më si GJPN, Kosova ka të drejtë të bëjë pyetjen e vet, brenda kornizës së saj kushtetuese dhe detyrimeve ndërkombëtare, se a është në interesin afatgjatë të Republikës që Dhomat e Specializuara të vazhdojnë në formën ekzistuese, apo duhet të shqyrtohet juridikisht dhe politikisht një alternativë tjetër?
Kjo pyetje nuk duhet të jetë pronë e një partie.
Nuk duhet të jetë as çështje e frikës politike.
Dhe nuk duhet të zgjidhet në rrugë.
Duhet të zgjidhet në Kuvend.
Prandaj, kjo çështje duhet të adresohet seriozisht edhe në Washington. Kosova dhe komuniteti shqiptaro-amerikan duhet t’ua shpjegojnë miqve dhe vendimmarrësve amerikanë se debati për Dhomat e Specializuara nuk duhet të shihet vetëm si një çështje juridike e së kaluarës, por edhe si çështje e stabilitetit, sigurisë dhe interesit strategjik amerikan në Ballkan.
Përmes lobit shqiptaro-amerikan, miqve të veçantë të Kosovës në Kongres, administratë dhe qarqet amerikane të politikës së jashtme e të sigurisë, duhet të kërkohet që Washingtoni ta shqyrtojë këtë çështje në funksion të interesit të vet strategjik, nëse, po kontribuon vazhdimi i këtij mekanizmi në drejtësinë, pajtimin dhe stabilitetin e rajonit, apo po prodhon pasoja të kundërta? Nëse përgjigjja kërkon një zgjidhje tjetër, atëherë SHBA-ja duhet të inkurajojë dhe të mbështesë Kosovën në një proces kushtetues, juridik dhe diplomatik për përfundimin dhe zhbërjen e Dhomave të Specializuara, në përputhje dhe pa mbetur prng i detyrimeve ndërkombëtare të Republikës.
Kjo duhet të jetë pjesë e një diplomacie të organizuar të Kosovës dhe e një angazhimi të koordinuar të shqiptaro-amerikanëve në Washington, jo si kërkesë për ndërhyrje në drejtësi, por si kërkesë për një vlerësim strategjik të pasojave që ky mekanizëm ka dhe mund të ketë për stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit.
Sepse një shtet që kërkon të jetë sovran duhet të ketë edhe guximin institucional, profesional e personal të përfaqësusve shtetëror, për të diskutuar vetë për arkitekturën kushtetuese dhe juridike të shtetit.
Shteti, mbi partitë.
Shteti, mbi platformat politike globaliste – sorosiane.
Kushtetuta mbi interesat e ditës.
Debati parlamentar mbi heshtjen politike.
Dhe interesi i Republikës mbi çdo kalkulim partiak.