
Arben Iliazi/
Miku im, regjisori dhe skenaristi i mirënjohur Bujar Alimani, është, pa dyshim, një aset kombëtar i filmit dhe kinematografisë shqiptare, i zgjedhur dhe i nominuar disa herë për “Oscar”. E takova Bujarin në New York, para disa muajve, dhe më dhuroi filmat e tij “Amnistia”, “Delegacioni”, “Krom”, “Busulla”, “Zois”, “Vethi I munguar”, “Virgjëreshat shqiptare” (titulli ndërkombëtar: The Albanian Virgin), një film mjaft i suksesshëm i vitit 2021. Dje Bujari njoftoi se, me ftesë të Bashkisë Patos, ky film do të shfaqet në Patos, qytetin e tij të lindjes, në daten 6 Tetor. “Kinematografia është një tren i madh, që shkon me shpejtësi edhe kap shumë stacione të Europës, është shprehur Bujari gjatë një bisede. Ne synojmë kinemanë ndërkombëtare, duke pasur në thelb elementët kombëtarë. Krijuesit shqiptarë kanë përzgjedhur që të rezistojnë, duke mos shkuar drejt një kinemaje komerciale. Por distribucioni i filmit është një nga problemet më të mëdha, që ka vendi ynë”.
Gjesti i kryetarit të Bashkisë Patos duhet përshëndetur, pasi i shërben jo vetëm kujtesës dhe nderimit të figurave të shquara të qytetit, por edhe promovimit të turizmit kulturor. Por filmi shqiptar nuk mund të sigurojë audiencë vetëm falë një kryetari bashkie, pasi ndryshe kinematografia do të mbetej një fantazmë e madhe anonime. Është e vërtetë që sot kemi një spektator të metamorfizuar, ndryshe nga ai tradicional. Është po ashtu e vërtetë se nuk mund të kërkojmë publikun implicit, ose publikun model. Por përderisa regjisorët dhe skenaristët tanë i përmbahen vokacionit kombëtar dhe jo komercializmit, prodhimet kinematografike, si parabola të procesit të ndërtimit dhe afirmimit të identitetit, duhet të kenë një trajtim më specifik, me fonde dhe marketing shtetëror, pasi kinematografia nuk është një industri konkurruese.
Buxheti i parashikuar për Qendrën Kombëtare të Kinematografisë (QKK) për vitin 2026 është caktuar në 181.7 milionë lekë. Kineastët dhe producentët vendas vazhdojnë të shprehin shqetësime të mëdha, duke argumentuar se financimi publik për filmin mbetet në nivele minimale, krahasuar me nevojat reale të industrisë dhe standardet rajonale.
Producentët shqiptarë kanë demaskuar skemën e vështirë të financimit, duke theksuar se Qendra Kombëtare e Kinematografisë mbulon vetëm një pjesë të vogël të kostove të një filmi (maksimumi 40%). Pjesa tjetër duhet të sigurohet nga bashkëprodhime të huaja, në një kohë kur filmi shqiptar nuk gjeneron fitime nga shitjet e biletave. Për më tepër, përllogaritjet e industrisë tregojnë se pagesat mesatare mujore që mbeten për regjisorët më në zë shpesh bien nën nivelet e pagës minimale. Nuk jemi të sigurtë nëse reforma që synohet me ligjin e ri për Kinematografinë (2026), e cila parashikon krijimin e Agjencisë Kombëtare të Kinematografisë dhe Audiovizualit, do të modernizojë industrinë kreative shqiptare, do të rrisë prodhimet filmike, të krijojë vende të reja pune dhe të sjellë efekte pozitive edhe në turizëm përmes promovimit të Shqipërisë si destinacion filmik.
Shumë pak nga publiku shqiptar e dinë që filmi i Bujar Alimanit “Virgjëresha Shqiptare” është një bashkëproduksion ndërkombëtar midis Gjermanisë, Shqipërisë, Belgjikës dhe Kosovës dhe ka marrë vlerësime të larta në festivale të ndryshme ndërkombëtare.
Ky film ka pasur një rrugëtim të jashtëzakonshëm dhe shumë të suksesshëm në arenën ndërkombëtare, duke rrëmbyer çmime të shumta të rëndësishme që vlerësojnë regjinë e Bujar Alimanit, performancën e aktorëve dhe historinë e fuqishme. Në Festivalin Ndërkombëtar i Filmit në Varshavë (Poloni, 2021), në premierën e tij botërore, filmi u vlerësua me dy çmime shumë të rëndësishme:
“Çmimin Special të Jurisë” (Special Mention).
Çmimin e Jurisë Ekumenike (Ecumenical Jury Prize). Në PriFest – Prishtina International Film Festival (Kosovë, 2022) ky film ishte triumfuesi i madh i edicionit të 14-të duke marrë tri çmime kyçe: Filmi më i Mirë Ballkanik (Çmimi “Hyjnesha e Kuqe – Vjosa Berisha”), Aktorja më e Mirë (“Hyjnesha e Artë”) për Rina Krasniqin, Aktori më i Mirë (“Hyjnesha e Artë”) gjithashtu për Rina Krasniqin (për interpretimin e dyfishtë të shkëlqyer si Luana dhe si burrneshë.
Në Noli Film Festival (Boston, SHBA, 2024): Filmi mori vlerësime maksimale në SHBA duke fituar: Çmimin “Filmi më i Mirë i Metrazhit të Gjatë”, Çmimin “Aktorja më e Mirë” për Rina Krasniqin.
Në Ostende Film Festival (Belgjikë, 2022) ishte Fitues i Çmimit të Publikut (Audience Award). Në Film Festival della Lessinia (Itali, 2022): Fitues i Çmimit të Publikut. Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Oulu (Finlandë) është vlerësuar me çmimin “Global Future” (në kategorinë e filmave të metrazhit të gjatë). Përveç çmimeve, filmi ka qenë pjesë zyrtare e konkurrimit në festivale me peshë, ku juritë e kanë renditur ndër projektet më cilësore: U përzgjodh në top gjashtëshen e filmave në garën kryesore të Festivalit të Filmit në Cabourg në Francë. Ka qenë pjesë e programeve zyrtare në CinEast Film Festival në Luksemburg, Balkan Film Festival në Romë, si dhe në disa festivale të tjera në mbarë Europën.
Ngjarjet e filmit vendosen në Shqipërinë e veriut në vitin 1958, në një periudhë ku gërshetohen rregullat e rrepta të Kanunit dhe presioni i regjimit komunist.
Luana (e luajtur nga Rina Krasniqi) është vajza e një burri të respektuar në fshat. Ajo bie në dashuri me Agimin, djalin e disa të “deklasuarve” të dëbuar nga qyteti prej komunistëve. Për shkak të një martese të rregulluar nga familja dhe vrasjes së të atit, Luana gjendet përpara një zgjedhjeje tragjike për të fituar lirinë dhe për të marrë hak. Ajo vendos të sakrifikojë feminilitetin e saj dhe të bëjë betimin e burrneshës (virgjëreshës së betuar), duke u kthyer në një burrë sipas kodeve të fshatit për të qenë zot e fatit të saj.
Filmi shmang ekzotizmin e thjeshtë të fenomenit të burrneshave dhe përqendrohet te lufta universale e një gruaje për mbijetesë e liri brenda një shoqërie thellësisht patriarkale.