
Kastriot Fetahu/
Nuk kam bërë gjëra të tmerrshme në jetë, por është jeta që më trajtoi tmerrësisht. Debati me Gustave Le Bon, pse ai shkroi: “Rreziku më i madh për një shoqëri nuk është rebelimi, por pranimi i ngadalshëm i padrejtësisë”, vazhdon akoma. Dua të kuptoj, a jam fajtor pse linda në mes të atij pranimi? Ajo që për Le Bon ishte padrejtësi, ravijëzohej për mua fat që s’e kishte pjesa tjetër e botës. Sepse nuk më mësoi askush se, ashtu si mungesa e dritës ndërpret ditën, mungesa e lirisë ndërpret jetën.
Kur ndihesha vërtet i vetmuar, edhe një llambë, apo një zog, një libër apo një ëndërr, ishte shoqëri e mirë. Kjo nuk zgjaste shumë, pasi do të më dilte gjithmonë përpara një tabelë e kuqe, apo një njeri i dyshimtë me kostum njëngjyrësh. Dukej se fati im ishte një skenar i mbyllur me një “The End” të njohur nga i njëjti skenarist. Kot e mësova se Sartri mendon: njeriu nuk ka fat, ka përgjegjësi për kuptimin. Ai nuk e dinte se kujdesi im për gjykimet kategorike ishte absolut, sepse për të tjerë është gjendur gjithmonë dikush që ka marrë thikën dhe ia ka ngulur në zemër, kur njëri prej nesh kishte mësuar dhe shprehur kuptimin.
Ndahesha shpejt nga ata dhe strehohesha tek Homeri, pasi Odiseun e zgjodha si heroin tim. Doja të mësoja se sa më bashkonte gjeografia, sa historia dhe sa fati me të. E ndiqja në udhën e tij, por papritmas ngela në një ngushticë, edhe pse Odiseu ma bënte me shenja se si duhej të vazhdoja. Duke menduar me anijen ndalur para Shilës dhe Karibdit, nuk di kë të zgjedh.
Jam i detyruar të zgjedh mes dy të këqijave, ku shmangia e njërës më afron, pa dëshirën time, rrezikshëm me tjetrën.
Pse jeta ime ndodhet gjithmonë përballë zgjedhjesh tragjike? Shila të vret drejtpërdrejt, ndërsa Karibdi të përpin ngadalë, duke të zhdukur pa gjurmë.
Shila të jep mundësinë e një varri, Karibdi nuk të mban as si statistikë, edhe pse të dy janë magnetikë.
Kam dashur t’i largohem përsëritjes së asgjësë, sepse në të ka fantazma vrastare dhe, po kështu, ka jehona fantazmash misterioze edhe në jetën pa asgjënë.
Pas kam lënë njerëz që i përkasin Republikës së Platonit dhe, ashtu i vetmuar, anija më mëshiron me heshtjen e saj. Ajo e kupton se zgjedhja është me humbje dhe do të ndahemi së afërmi. Ndërsa unë dua të ndahem nga Republika me shpikje të pambarimta hajdutësh, nga sirenat përtace të fikura, nga formula e rrënuar e pagëzimit dhe altarët e djegur nga mungesa e nuseve. Dua të ndahem nga maskat e ngrëna nga përdorimi prej njerëzve të kollarisur, nga plagët e reja të mbivendosura mbi të vjetrat, nga xhuxhë dhe dordolecë pa dëshira dhe ëndrra.
Dua të ndahem edhe nga katedralet e shkishëruara dhe drejtësia sokratike pa gjykatës. Dua të ndahem nga përcjellësit e të vdekurve që janë më të shumtë në numër se në çdo ngjarje tjetër familjare. Anija e di se të dyja zgjedhjet dhembin njëlloj. E di se Odiseu nuk triumfoi asnjëherë me fitore në mbijetesën e tij të plagosur, por edhe nuk humbi kurrë. Ndërkohë Odiseu i la pas Shilën dhe Karibdin, po unë?
Tund kokën, se më duket absurde ideja “ç’më duhet mua, njeriut të shekullit të XXI, rruga e njeriut të shekullit VIII para Krishtit”, pasi nuk gjej ide tjetër.
A nuk mund të gjej një tjetër hero që më shpëton nga dilema akt-pasojë?
Projeksioni i turmës më përjashton nga pranimi i humbjes së pjesshme për të shmangur humbjen e jetës. Nuk ka pendesë në shpirtin e tyre. A kanë shpirt?
Nuk ka turp në shikimin e tyre. A kanë shikim? Nuk ka vetëdije në mendjet e tyre. A kanë vetëdije? Morali im lind midis aktit dhe pasojës, ndërsa morali i tyre nuk lind asnjëherë nga akti.
Ndërsa akoma më mundon pyetja se çfarë kanë bërë të parët e mi për 28 shekuj? Ndaj mendoj se Le Bon është i pafajshëm, pasi nuk është shqiptar. Shila më duket vrasëse e bukur, ndërsa Karibdi më zgjat jetën e vuajtur. Dikush prej nesh duhet të jetë i pari të kalojë midis tyre; kur ia arriti Odiseu, unë pse të mos shpresoj? Të kthehem pas më pret shkatërrimi i plotë, më pret një lloj funerali pa varreza. Të provoj me Shilën, mund t’i mbijetoj plagëve që rrjedhin gjak, se ndoshta nuk arrijnë në zemër, po përfundojnë me humbje gjymtyrësh. Kërkoj vetëm frymën, shpresën, kërkoj të mos humbas veten. T’i them “po” edhe asaj jete, edhe pse po më godet padrejtësisht. Pas kësaj nuk e di nëse do të jem send, apo njeri?
Karibdi nuk ka surpriza, është e njohur rruga e shkurtër për në stacionin e tij të fundit. Të dy duken të bukur, të veshur me uniformën e kamerierit me pesë yje. Jam shumë i ngatërruar. Nga Republika dëgjohen vetëm “urra” të fuqishme, që më ndjekin me optimizmin e tyre vulgar, si tentakulat e zgjatura të një oktapodi me botë të ngushtuar. Ato më kërcënojnë vetminë e ndershme me pandershmërinë e tyre, sepse e quajnë çikërrimë kalimin e ngushticës.
Ndërsa antropologët ideologjikë organizojnë meshën në kishën e Republikës për mua.
Kush është zotndjekës, unë apo ata?
Dua të iki në Itakë që të mos kemi më të njëjtën meny.
Endërroj më tej të shkoj në Kamboxhia, të endem në xhunglën e saj, të shëtis zbathur nëpër tempuj, si Rita Levi-Montalçini, pa qenë pacienti i saj.
Pacientët e saj jetojnë me pasojën.
Dua të qartësoj veten nëse çlirohem nga kotësitë e antropologëve ideologjikë, apo duan të më çlirojnë ata nga kotësia ime.
Mendimi flet me anijen që lëkundet nën frymëmarrjen e qetë të ujërave neutrale.
Ai kërkon ndihmë se si të gjejmë një rrugë që të mos humbas as anijen, as veten.
Më ka lodhur “etika rrethanore” e shterur si një krua në verë.
Odiseu më largohet vazhdimisht, si një far që lëviz, edhe pse te Shila humbi disa shokë.
Tani u barazua me një pikë në horizont.
Po Itaka ime sa larg është?