
Artan Nati/
Shkrimtarët e mëdhenj nuk lindin në vakum, as bien nga qielli si meteorë të rastësishëm. Ata shfaqen zakonisht në çaste kur historia ka temperaturë të lartë, kur shoqëritë dridhen, kur rendi i vjetër po shembet dhe një tjetër ende nuk ka marrë formë. Letërsia e madhe është, në thelb, termometri i krizave njerëzore.
Po Shqipëria sot, çfarë temperature ka? Në pamje të parë, gjithçka duket e qetë, madje e stabilizuar. Por nën këtë sipërfaqe fshihet një shoqëri e lodhur, e mbushur me ankth të heshtur, me zhgënjim të pashprehur dhe me një ndjenjë pezullimi të përhershëm. Nuk ka shpërthime të mëdha, por ka një dridhje të vazhdueshme, të brendshme, që tregon se kriza nuk mungon, por thjesht nuk artikulohet. Termometri i krizës njerëzore shqiptare nuk shënon temperaturë të ulët, por një gjendje subfebrile, pra mbinormale: mjaftueshëm e lartë për të dëmtuar organizmin, jo aq e dukshme sa të ngjallë alarm kolektiv.
Atëherë pse nuk po lindin shkrimtarë të mëdhenj shqiptarë?
Në epokat e lulëzimit të shteteve dhe perandorive dalin kronistë, në epokat e rënies lindin gjeni. Tragjeditë greke u shkruan në Athinën e tensionuar mes demokracisë, luftës dhe fatit hyjnor. Eskili, Sofokliu dhe Euripidi nuk shpikën ankthin njerëzor, por ia dhanë formë dramatike një qyteti që po pyeste veten për drejtësinë, pushtetin dhe kufijtë e njeriut. Shekuj më vonë, Dante u shfaq në një Itali të copëtuar politikisht dhe moralisht, dhe “Komedia Hyjnore” u bë jo vetëm udhëtim metafizik, por edhe aktakuzë historike.
Rilindja europiane solli Shekspirin, jo si produkt të qetësisë, por të një Anglie në tranzicion të dhunshëm mes mesjetës dhe modernitetit. Mbretërit e tij tragjikë, intrigat dhe monologët nuk janë thjesht teatër, por pasqyra e një bote ku pushteti nuk kishte më justifikim hyjnor, por as moral. Edhe Servantesi nuk do të kishte shkruar “Don Kishotin” pa shembjen e idealit kalorësiak dhe zhgënjimin e Perandorisë Spanjolle në rënie.
Shekulli XIX, me revolucionet, industrializimin dhe varfërinë urbane, prodhoi realistët e mëdhenj: Balzakun, Dostojevskin, Tolstoin, Dikensin. Ata nuk shkruan për heronj, por për shoqëri të sëmura, për ndërgjegje të copëtuara dhe për njeriun e vogël përballë sistemeve të mëdha. “Krimi dhe Ndëshkimi”, “Lufta dhe Paqja” apo “Kohë të vështira” janë romane që nuk mund të kuptohen jashtë kontekstit të krizës morale, ekonomike dhe shpirtërore të kohës së tyre.
Shekulli XX, shekulli i luftërave botërore, totalitarizmave dhe ankthit ekzistencial, solli Kafkën, Oruellin, Kamynë, Prustin. Kafka nuk do të ekzistonte pa burokracinë absurde dhe ndjesinë e fajit pa emër(e ngjashme me Shqiperine e sotme),“1984” dhe “Ferma e Kafshëve” janë fëmijë të drejtpërdrejtë të dhunës ideologjike, “I Huaji” i Kamysë është pasaporta letrare e njeriut modern, i zhveshur nga kuptimet e gatshme.
Pra, a janë shkrimtarët e mëdhenj produkt i historisë apo rastësi? Talenti është individual, por madhështia është historike. Historia krijon presionin, shkrimtari krijon gjuhën. Pa kriza, gjenitë mbeten poetë të mirë, por me kriza, ata bëhen zëra epokalë. Letërsia e madhe lind kur koha nuk di më çfarë të thotë për veten. Atëherë flet shkrimtari. Dhe kur ai flet, historia detyrohet të dëgjojë.
Pyetja nëse Shqipëria ka prodhuar shkrimtarë dhe eseistë të krahasueshëm me bashkëkohësit europianë është, në thelb, një pyetje mbi vetë historinë e saj të cunguar. Në historinë e letërsisë shqiptare, dallimi mes shkrimtarit revolucionar dhe atij mbijetues nuk matet me famë, tirazh apo dekorata, por me shkallën e rrezikut moral që autori ka marrë përsipër. Shkrimtari revolucionar nuk shkruan për të qëndruar në këmbë brenda sistemit, por për ta lëkundur atë, jo për të shpëtuar veten, por për të zgjuar të tjerët.
Në këtë kuptim, figura e parë revolucionare është Pjetër Bogdani, i cili nuk e pa letërsinë si zbukurim fetar, por si akt emancipimi kulturor dhe politik. “Çeta e profetëve” ishte një projekt qytetërues, një thirrje për daljen nga errësira mendore, në një kohë kur shkrimi në shqip ishte vetë një akt rebelimi.
Më pas vjen Naim Frashëri, revolucionar jo me britmë, por me vizion. Ai krijoi një gjuhë morale të re për kombin, duke e zhvendosur shqiptarësinë nga besnikëria fetare dhe perandorake drejt idesë së kombit dhe njeriut të lirë. Naimi ishte arkitekti shpirtëror i një vetëdijeje që ende nuk ekzistonte, por që duhej shpikur.
Migjeni mbetet tronditja më e dhunshme në ndërgjegjen letrare shqiptare. Ai ishte revolucionar sepse nuk pranoi asnjë kompromis me hipokrizinë sociale, fetare apo morale. Migjeni nuk kërkoi të shpëtonte veten, por i vuri gishtin plagëve të shoqërisë shqiptare, duke e detyruar atë të shohë varfërinë, mjerimin dhe padrejtësinë pa filtra romantikë. Ai nuk mbijetoi gjatë, por ndikimi i tij ishte shpërthyes.
Faik Konica ishte një stilist kryesor që synonte t’i jepte prozës shqipe një identitet të rafinuar perëndimor. Revolucioni letrar i tij ishte fakti që veproi si “kritik i kombit”, duke futur sarkazëm dhe ironi në një letërsi që më parë kishte qenë tepër didaktike dhe moraliste. Konica këmbënguli që vlera letrare duhet të zëvendësojë ndjenjën patriotike, duke nxitur për një përsosje estetike që kapërceu hendekun midis dialekteve tradicionale dhe një gjuhe letrare të unifikuar moderne.
Në periudhën e diktaturës, dallimi bëhet më brutal. Shumë shkrimtarë zgjodhën mbijetesën përmes konformizmit, por Ismail Kadare dallohet si figura më e ndërlikuar dhe më e fuqishme evolucionare.Ismail Kadare ishte një shkrimtar evolucionar dhe, në mënyrë të heshtur, revolucionar: nga shkrimi brenda kornizave të Realizmit Socialist, ai kaloi te alegoria dhe miti, duke sfiduar totalitarizmin jo me aktivizëm të drejtpërdrejtë politik, por duke mbrojtur lirinë e imagjinatës dhe duke e minuar regjimin nga brenda. Evolucioni i tij ishte estetik, alegorik dhe inteligjent. Ai i dha letërsisë shqiptare një dimension universal. Kadareja nuk i foli vetëm shqiptarëve, por e nxori Shqipërinë nga izolimi kulturor.
Vlerat që këta shkrimtarë kanë përcjellë janë të përbashkëta: liria e mendimit, dinjiteti njerëzor, sfidimi i autoritetit, ndërtimi i vetëdijes kombëtare dhe guximi për të thënë të vërtetën edhe kur ajo është e rrezikshme. Ata nuk i shërbyen pushtetit, por shoqërisë dhe shpesh pa e ditur nëse shoqëria ishte gati t’i dëgjonte.
Dhe nëse letërsia shqiptare do të kishte një “mbret”, ai nuk do të ishte ai që mbijetoi më gjatë, por ai që e çoi gjuhën, mendimin dhe imagjinatën shqiptare në nivel botëror. Në këtë kuptim, Ismail Kadare mbetet figura mbretërore e letërsisë shqiptare: jo sepse ishte i pakontestueshëm, por sepse arriti aty ku pak të tjerë guxuan: ta bëjë letërsinë shqiptare një akt rezistence universale. Historia letrare shqiptare, në fund të fundit, nuk është historia e atyre që u përshtatën, por e atyre pak shkrimtarëve që patën guximin të mos mbijetojnë në heshtje, por të jetojnë në të vërtetë.
Shkrimtari shqiptar midis mbijeteses dhe revoltes zgjodhi mbijetesen
Në historinë e saj moderne, letërsia shqiptare është formësuar më shumë nga instinkti i mbijetesës sesa nga fryma e revoltës. Shkrimtari shqiptar, për dekada me radhë, nuk ka shkruar për të përmbysur rendin, por për t’i mbijetuar atij. Jo për të ndezur mendjet, por për të mos u djegur vetë. Ky pozicion i të shkruarit me frena, i kujdesshëm dhe shpesh i nënshtruar, ka lënë gjurmë të thella në ADN-në e letërsisë sonë.
Në vendet ku letërsia ka qenë motor i modernizimit, nga Franca e Rusoit te Europa Qendrore e disidentëve, shkrimtari ka zgjedhur përplasjen me pushtetin dhe shoqërinë, duke paguar çmimin e izolimit, ndëshkimit apo përjashtimit. Në Shqipëri, përkundrazi, shkrimtari është mësuar të negociojë me realitetin, të gjejë hapësira gri ku fjala të mos jetë as sfiduese, as e rrezikshme. Kultura e kompromisit në Shqipëri nuk është një aksident historik, por një trashëgimi e gjatë mendore, e cila nis me sundimin osman, ku mbijetesa kërkonte që elitat lokale të rreshtoheshin me një rend perandorak të largët, mbikombëtar, për të ruajtur statusin shoqëror. Ajo konsolidohet nën diktaturën komuniste dhe mbijeton, pothuaj e paprekur, në tranzicionin postkomunist. Është një kulturë që i mëson individit jo si të ndryshojë realitetin, por si të mbijetojë brenda tij, jo si të përballet me pushtetin, por si t’i përshtatet atij. Kjo kulturë e kompromisit ka prodhuar një letërsi që më shumë përshtatet sesa sfidon.
Stili i mbijetesës ka krijuar autorë të kujdesshëm, por rrallëherë zëra të fuqishëm moralë. Ka prodhuar libra të lexueshëm, por jo vepra që të trazojnë ndërgjegjen kolektive. Sepse një shkrimtar që mendon si të mos prishë ekuilibrat, nuk mund të krijojë tronditje intelektuale. Dhe pa tronditje, nuk ka as emancipim shoqëror.
Këtu qëndron edhe arsyeja pse Shqipëria nuk ka nxjerrë shkrimtarë të shkëlqyer që ta udhëheqin shoqërinë drejt një mentaliteti perëndimor. Perëndimi nuk është thjesht orientim gjeografik apo fjalor politik, ai është kulturë konflikti me autoritetin, mendim kritik, refuzim i bindjes së verbër. Por letërsia shqiptare, në shumicën e saj, ka qenë më afër logjikës së oborrit sesa asaj të agorasë.
Në vend të shkrimtarit që flet në emër të qytetarit, kemi pasur shkrimtarin që përshtatet me pushtetin, që pret çmime, privilegje dhe miratim institucional. Një shkrimtar i tillë mund të jetë i suksesshëm në panaire, por rrallëherë bëhet figurë udhërrëfyese për shoqërinë. Ai nuk krijon qytetarë kritikë, por lexues të qetë.
Shkrimtarët shqiptarë me vlera, por jashtë mbështetjes institucionale dhe sistemit të qokave, përfaqësojnë një letërsi kritike që synon të zgjojë ndërgjegjen kombëtare: në këtë rresht qëndron Fatos Kongoli, i cili me *I humburi* dhe *Kufoma*, ka portretizuar njeriun e thyer dhe një shoqëri moralisht të mpirë nga diktatura dhe tranzicioni. Në të njëjtin horizont janë Ani Wilms me *Dielli në mërgim*, që trajton mërgimin dhe kujtesën kolektive, Lea Ypi me *Të poshtëruarit*, që sfidon drejtësinë dhe demokracinë në plan intelektual, duke dëshmuar se letërsia më e ndershme shpesh mbetet ajo më pak e dëgjuar.
Pa një letërsi që guxon të jetë e pakëndshme, Shqipëria mbetet e ngecur mes një Perëndimi të deklaruar dhe një mentaliteti lindor të pashqiptuar. Dhe derisa shkrimtari shqiptar të zgjedhë rrezikun e së vërtetës mbi komoditetin e mbijetesës, letërsia jonë do të vazhdojë të jetë dëshmitare e kohës, por jo forca që e ndryshon atë.