
Lek Gjoka/
Sapo u ktheva nga vizita në Shqipëri, ku fatkeqësisht ishte hera e parë që isha zhgënjyer shpirtërisht, sepse çdo lloj miqësie, madje edhe ajo e gjakut, ishte kthyer në marrëdhënie interesi financiar. I tronditur nga fjalët e tyre, thashë me vete: vallë a do të kem më zemër të rikthehem në vendlindje?! “Surpriza” tjetër që “shijova” ishte sepse shumica në biseda më thonin: ju që keni dhjetëra e dhjetëra vite në mërgim, sidomos ju të diasporës së Amerikës, keni ngelur vend numëro, nuk keni ecur aspak përpara, nuk kuptoni asgjë se si duhet jetuar e shijuar jeta!
Duke “shijuar” këto idhnime shpirtërore, po e kuptoj më me imtësi se kryeministri shqiptar Rama ka të “drejtë” që Samitin e Diasporës Shqiptare, fare thjesht, e ka kthyer në Samitin e Patronazhistëve në mërgim.
Madje këtë vit Rama krenohet se ka prezent në këtë samit zotin Eric Adams, ku me prezencën e presidentit Begaj i jep nënshtetësinë shqiptare, i cili e quan Tiranën New York-un e dytë në botë. Sigurisht që ish-kryebashkiaku i New York-ut, z. Adams, ka pasur marrëdhënie të mira me shqiptarët e New York-ut dhe e falënderoj sepse në Bronx një rrugë e ka pagëzuar me emrin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, por më çudit fakti sepse mijëra shqiptarë nga Lugina e Preshevës kanë aplikuar për nënshtetësinë e kombit të tyre, pra të Shqipërisë, dhe akoma janë në pritje, ndërsa ai vjen direkt nga New York-u dhe e merr nënshtetësinë shqiptare.
Në Samitin e Diasporës Shqiptare në Tiranë shikova se kishte pothuajse të njëjtit persona nga shqiptarët e Amerikës, por problemi është se nuk kishte asnjë përfaqësues nga shumë shoqata të shqiptarëve të Amerikës, madje mungonin përfaqësues nga Shoqata Vatra e Nolit dhe Konicës. Arsyen sigurisht që duhet ta bëjnë publike organizatorët e këtij Samiti.
Madje nuk kishte përfaqësues as nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, ku ka mjaft anëtarë të kësaj shoqate që janë personalitete me famë jo vetëm në Amerikë, por në botë, si Profesor Doktor Gjekë Marinaj etj. Vërtetë kryeministri u mundua të shtojë radhët e patronazhistëve dhe të mashtrojë diasporën që të investojë në Shqipëri, por pa dhënë një specifikë investimi. Mos vallë qeveria e korruptuar socialiste, pasi grabiti shqiptarët e Shqipërisë dhe i ktheu në ujqër për njëri-tjetrin, po mundohet të luajë me topin e dytë të grabitjes së djersës së shqiptarëve të diasporës?
Uroj që jo vetëm shqiptarët e diasporës ta kuptojnë që janë një faktor kyç i lidhjeve me kombin shqiptar dhe se ky nuk ishte një Samit i Diasporës, por Samit i Patronazhistëve të Partisë në pushtet, por edhe vetë drejtuesit e Partisë Socialiste ta kuptojnë se nuk do të arrijnë asnjëherë që diasporën shqiptare ta bëjnë pronë të tyre, megjithëse mund t’u kenë vjedhur votat e tyre në votimet e fundit, falë përplasjeve të së djathtës shqiptare që vazhdon të jetë në agoni.
Pra, qeveria e Tiranës dhe e Prishtinës, si dhe të gjitha partitë politike shqiptare në Tiranë, Prishtinë, Shkup apo Podgoricë, duhet ta kuptojnë që shqiptarët në mërgim janë faktor kyç për zhvillimin e kombit shqiptar, si dhe ura kryesore lidhëse midis kombit shqiptar dhe botës së qytetëruar. Jemi vetëm ne mërgimtarët, dhe jo ca patronazhistë që për interesa financiare apo personale, duke u munduar ta lartësojnë veten si personalitete të diasporës, që në fakt nuk janë asgjë më shumë se ca mendjemëdhenj që nesër do të treten në shtratin e harresës.
Besoj se Samitin tjetër jo vetëm diaspora, që e di se është faktori kryesor, por të gjithë politikanët shqiptarë në Ballkan duhet ta kuptojnë se diasporë nuk janë vetëm patronazhistët e Partisë Socialiste të Shqipërisë, por çdo shqiptar i mërguar jashtë trojeve etnike shqiptare, dhe të bashkohen së bashku për interesat e kombit të Shenjtores Nënë Tereza dhe jo të partive politike.