
Eric Pratt Hamp lindi më 16 nëntor 1920 në Londër dhe që nga fëmijëria jetoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas studimeve universitare dhe doktorale në Harvard, ai zhvilloi pjesën më të madhe të karrierës akademike në Universitetin e Çikagos, ku mbajti titullin profesor emeritus.
Ai ishte një ndër gjuhëtarët më të shquar të shekullit XX, studiues i gjuhësisë krahasimtare-historike, indoeuropianist, ballkanolog, keltolog, romanist dhe albanolog me reputacion ndërkombëtar.
Prof. dr. Hamp mbajti lidhje të vazhdueshme me botën shqiptare, duke studiuar të folmet arbëreshe të Italisë e Greqisë, si dhe çështje të historisë së gjuhës shqipe në kontekstin ballkanik dhe indoeuropian. Studimet e tij për shqipen, të botuara në revista dhe vëllime shkencore ndërkombëtare, mbeten referenca të rëndësishme për albanologjinë bashkëkohore. Në vitin 2010 Universiteti i Kalabrisë botoi vëllimin prej 430 faqesh me studime albanologjike me rastin e 90-vjetorit të lindjes së profesor Eric P. Hamp-it, vëllim në të cilin pati prurje nga të gjitha rajonet shqiptare dhe diasporat.
Ai ishte anëtar i Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave, i disa akademive dhe shoqatave të njohura shkencore ndërkombëtare, si edhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Në vitin 2012, Posta Shqiptare e nderoi me një pullë përkujtimore së bashku me Norbert Jokl dhe Holger Pedersen, në vlerësim të kontributit të tyre në studimet albanologjike.
Me veprën e tij të gjerë shkencore dhe me mbështetjen e vazhdueshme që i dha albanologjisë, Eric Pratt Hamp mbetet një prej personaliteteve më të rëndësishme ndërkombëtare që kontribuoi në njohjen dhe studimin e gjuhës shqipe.