
Prof. dr. Lush Culaj/
Kosova u bë vatra kryesore e kryengritjes të vitit 1912, kurse Isa Boletini ishte njëri ndër udhëheqësit e saj. Raportet konsullore austro-hungareze ishin të vazhdueshme për veprimtarinë e tij dhe familjes së tij. Konsulli nga Mitrovica, më 30 janar 1912, konfidencialisht e informonte kontin Aehrenthal se Isa Boletini e rriti numrin e rojeve të tij personale në 30 vetë më të shumtët nga Shala. Raporti i nënkonsullit Pozel nga Mitrovica, i datës 28 shkurt 1912, dërguar ambasadorit Pallaviçini në Stamboll, lidhur me zhvillimet në Sanxhakun e Prishtinës, armatosjen e popullsisë, kontrabandën e armëve, incidentet kufitare dhe figurën e Isa Boletinit, ndër të tjera, theksonte: “Isa Boletini tani rri i qetë në kështjellën e shkëmbinjve pranë Mitrovicës dhe duket se do të tërhiqet me pushim të përkohshëm.
Flitet se ai është grindur me qeverinë malazeze, nën mbrojtjen e së cilës ishte vënë gjoja vetëm në ngushticën e tij më të madhe. Në vazhdën e interesimit të vazhdueshëm, ministria e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë nga Vjena, më 19 prill 1912, kërkonte nga konsullata e tyre në Mitrovicë informacione lidhur me shëndetin e Isa Boletinit dhe të afërmve të tij. Nga ana tjetër, nga një raport i kësaj periudhe i konsullit austro-hungarez në Mitrovicë, Tahy, dërguar ministrit të Jashtëm Berthold, lidhur me përgatitjet për një kryengritje kundër-osmane në Vilajetin e Kosovës, theksohet se veprimtaria e Isa Boletinit po shkonte drejt një revolucioni, energjia e papërkulshme dhe heroizmi i tij, që po i nxjerrin aq shumë telashe regjimit të ri, e afrojnë më tepër mundësinë e një kryengritjeje edhe në këto vise. Ky raport dëshmon se Isa Boletini kishte papajtueshmëri me Qeverinë e Stambollit.
Ndërkaq zëvendëskonsulli austro-hungarez, Pozel, më 5 maj 1912, nga Mitrovica, i raporton konfidencialisht kontit Berchtold ku theksohet se Isa Boletini, njëra ndër figurat kryesore e shqiptarëve të Kosovës në luftën për pavarësinë e Shqipërisë, prej një jave qëndronte në viset e Shalës dhe bënte bisedime me bajraktarët e atjeshëm.
Nga një telegram i konsullit austro-hungarez në Prizren, Prochaska, i datës 22 maj 1912, dërguar Ministrisë së Jashtme në Vjenë, në lidhje me mbledhjen e Junikut dhe pjesëmarrësit në të, theksohet se shqiptarët së bashku me fisnikët e Pejës, Gjakovës dhe të Vuçitërnit janë mbledhur qysh dje në Junik, në veriperëndim të Gjakovës, me qëllim që të lidhin një besë të përgjithshme. Të pranishëm ishin Isa Boletini dhe Zenjullah Beu, kurse si drejtues intelektual i lëvizjes ishte Hasan Prishtina.
Qëllimi i politikës austro-hungareze, ndonëse kishte interesa të veta, nuk ishte pushtimi i territoreve shqiptare, por pengimi i Serbisë për të siguruar dalje në det nëpërmjet Bosnjë-Hercegovinës, me çka do të pengohej shtrirja e sferës të ndikimit rus në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik.
Në këtë kohë, në radhët e krerëve të kryengritjes shqiptare, krahas problemeve të tjera, kishte edhe dallime rreth zgjedhjes së aleatëve për luftë kundër xhonturqve. Hasan bej Prishtina, Zenjullah Aga dhe Riza bej Kryeziu anonin kah Austro-Hungaria, ndërsa Isa Boletini, Sadik Rama, Mahmut Zajmi etj. nga Serbia. Këta të fundit tërhiqnin pas vetës Bajram Currin, Bajram Daklanin dhe Hasan Jakup Ferrin, sepse Isa Boletini ishte në krushqi me Ferrajt, kurse me Mahmut Zajmin ishin të të njëjtit fis (Shalë). Megjithatë, përballë synimeve të përbashkëta, këto përçarje ishin të vogla dhe të parëndësishme, por nëse thelloheshin mund të ishin të rrezikshme ta dëmtonin Lëvizjen Kombëtare.
Kryeministri serb, në realizimin e politikës së tij, shpresonte dhe kërkonte nga Rusia t’i kundërvihej çfarëdo përkrahjeje të autonomisë shqiptare nga ana e Austro-Hungarisë. Nga ana tjetër, ajo ishte e interesuar t’i mbante nën vëzhgim autoritetet shqiptare, përfshirë këtu edhe Isa Boletinin. Me sa duket Serbia donte të dinte ç’lidhje mund të kishte Isa Boletini me Austro-Hungarinë e Malin e Zi, sepse interesat e tyre në Shqipëri kryqëzoheshin me ato të Serbisë.
Nganjeherë raportet duhet marrë me rezervë por ajo që spikat në bisedimet me të dërguarit e Serbisë është kjo: Isa Boletini nuk u bëri atyre asnjë lëshim dhe në të gjitha rastet ai diti ta ruante pavarësinë e kryengritjes dhe nuk pranoi asnjë çmim, qoftë edhe të dyshimtë, që qarqet politike e ushtarake serbe të ndërhynin në punët e saj.
Qëndrimi i Isa Boletinit ndaj propozimeve serbe ishte i palëkundshëm, megjithatë diplomacia serbe nuk hoqi dorë prej tij. Ajo synonte që me çdo kusht ta bënte Isa Boletinin për vete e ta vinte në shërbim të politikës së saj. Raporti i nënkonsullit Tahy nga Mitrovica, më 18 qershor 1912, drejtuar zotit Franz Kolossa në Stamboll, me të cilin informon që Isa Boletini po përgatiste shqiptarët për kryengritje, ndër të tjera, theksonte se Isai (Boletini) është kthyer në Boletin.
Diplomacia vjeneze, krahas raporteve nga terreni dhe nga qendra diplomatike në Vjenë, më 19 qershor 1912, informonte disa ministri e zyra qeveritare në Vjenë mbi kryengritjen e shqiptarëve dhe mundësisë së kalimit të kufirit të Malit të Zi. Po ashtu, përcillej informata se më 6 qershor Isa Boletini, për të marrë municion, përmes Serbisë, u nis për në Sofje.
Në vijim të informacioneve, konsulli austro-hungarez i Mitrovicës, Von Tahy, informon nga Mitrovica më 21 qershor 1912 se Isa, me njëqindepesëdhjetë shokë në rrethin e Labit- Llapit, u nis dje për ta ngritur edhe këtë krahinë në këmbë. Qeveria qëndron krejtësisht inaktive, duke provokuar kështu zgjerimin e kryengritjes.
Konzujt raportonin në vazhdimësi për aktivitetin e Isa Boletinit
Në vazhdën e informacioneve të detajuara për kryengritjen përfshirë këtu edhe kontributin e Isa Boletinit, nënkonsulli austro-hungarez në Mitrovicë, Tahy, më 1 korrik 1912 e informon ambasadorin austro-hungarez në Stamboll, Pallaviçini, mbi organizimin e kryengritjes antiosmane nga Isa Boletini, ku, ndër të tjera, theksonte: “Isa Boletini punoi pa pushim për organizimin e kryengritjes. Ai përshkoi të gjithë Shalën, krahinën e Labit dhe Kolakut (Llapit dhe Gollakut- L.Culaj) duke nxitur arnautët kundër qeverisë. Kurse telegrami i konsullit austro-hungarez, Kral, nga Selaniku, më 5 korrik 1912, dërguar kontit Berthold, mbi të dhënat e marra nga Fadil Pasha rreth luftimeve në Boletin, theksonte se Fadil Pasha njofton zyrtarisht për një luftim dymbëdhjetë orësh ndërmjet 1000 e ca shqiptarëve, nën udhëheqjen e Isa Boletinit dhe forcave ushtarake të tij një gjysmë ore larg Vuçitërnës.
Udhëheqësit e kryengritjes në Kosovë, si: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini e të tjerë, e përshëndetën formimin e qeverisë së re osmane. Ajo u formua më 22 korrik e kryesuar nga Ahmet Murat Pasha. Se kryengritja kishte një shtrirje të gjerë dhe se kontributi i Isa Boletinit ishte i konsiderueshëm dëshmon edhe raporti austro-hungarez i datës 24 korrik 1912, ku theksohej: “dje më 23 korrik erdhi në Novi Pazar, Isa Boletini, i cili u prit me brohoritje nga popullsia. Përveç popullsisë, me Isa Boletinin u bashkuan edhe nëpunës si dhe garnizoni i vogël që aktualisht ka vetëm një kompani.
Pas hyrjes të krerëve të kryengritësve shqiptarë në Shkup, më 14 gusht 1912, konsulli austro-hungarez në Shkup, Heimroth, informon ministrin e Jashtëm në Vjenë, Berthold, ku thekson se ndër udhëheqësit kryesorë që hynë në Shkup është edhe Isa Boletini.
Austro-Hungaria i quajti të arsyeshme të 14 kërkesat e shqiptarëve, ndërsa konti Berthold u përpoq që ato të përkraheshin edhe nga Fuqitë e Mëdha. Këto përpjekje diplomatike të Austro-Hungarisë synonin ta detyronin Stambollin t’i pranonte kërkesat shqiptare dhe njëherazi ta parandalonte ndërhyrjen e shteteve ballkanike. Më 14 gusht 1912, ministri i Jashtëm austro-hungarez, Bertholdi, ftoi kancelaritë evropiane që të bënin një ndërhyrje të përbashkët në Stamboll. Edhe diplomacia italiane kërkonte një gjë të tillë. Ishte ky presion që e detyroi qeverinë xhonturke të futej në rrugën e lëshimeve dhe kompromiseve.
Se sa ishte i rëndësishëm personaliteti i Isa Boletinit për diplomacitë ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe atë austro-hungareze, tregon e dhëna se përveç aktivitetit të tij ushtarak përcilleshin dhe raportoheshin edhe vizitat që i bëheshin Isa Boletinit dhe korrespodencat e tij.
Kështu, konsulli von Tahy nga Mitrovica, më 4 shtator 1912, e informon ministrin e Jashtëm, Berthold, lidhur me udhëtimin e deputetit britanik Aubrey Herbert dhe disa udhëtarëve të huaj në këtë rajon. Kurse në një raport të ditës së nesërme e informon se në Mitrovicë zoti Herbert vizitoi vetëm kolegun e tij rus dhe i bëri një vizitë Isa Boletinit.
Në analizën që ambasadori austro-hungarez në Stamboll i bën situatës së krijuar në Perandorinë Osmane, dërguar ministrit të Jashtëm Berthold, më 5 shtator 1912, e informon se Isa Boletini mban pushtetin në duart e veta, ndërsa nga ana tjetër, shumë afër qytetit, gjenden dy divizione trupash të rregullta.
Telegrami i nënkonsullit Rudnay, nga vapori i Lloydit “Konti Wurmbrand” në Durrës, për eprorët në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Vjenë lidhur me bisedën me Ismail Qemalin dhe deklaratat e tij për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 22 nëntor 1912, theksonte ndër të tjera: “Ismail Beu mu lut ti parashtroj Shkelqësisë Suaj falenderimet e tij për besimin dhe tu njoftoj se, me anën e një telegrami se ai i ka telegrafuar të gjithë qyteteve të Shqipërisë për të dërguar delegatë në Vlorë. Në bazë të përgjigjeve të marra, tanimë ai është i sigurt se atje kanë për tu mbledhur delegatët e shumicës së qyteteve të Shqipërisë. Prej Dibre, Isa Boletini ka siguruar pjesëmarrjen e tij. Është ftuar edhe kapedani i Mirditës.”
Sipas dokumenteve austro-hungareze Isa Boletini u mirëprit në Vlorë
Konsulli austro-hungarez në Shkup, Heimroth, më 26 nëntor 1912, informon Ministrinë e Punëve të Jashtme në Vjenë në lidhje me pushtimin e viseve shqiptare nga ushtria serbe dhe sjelljen ndaj popullsisë vendase, ku, ndër të tjera, theksohej: “Pasi ra Peja, më 4 të këtij muaji pas një lufte të ashpër, prej ushtarëve serbë të divizionit të Drinit u pushtua edhe Gjakova. Ata mundën të hyjnë pa hasur në rezistencë, sepse Xhavid Pasha nuk luftoi. Riza Beu Kryeziu e Bajram Curri janë në Has kurse Isa Boletini në Lumë. Thuhet se ushtria serbe nga këtu do të shkojë në Shëngjin.” Më 15 të këtij muaji, lumjanët nën komandën e Isa Boletinit, që ka me vete dhe 4 topa, ngritën krye papritur e pa kujtuar.
Deri në momentin e nisjes sime, (ata) po vazhdojnë ende një luftë të ashpër e të përgjakshme, që u ka kushtuar serbëve humbje të mëdha dhe i ka detyruar të thërrasin për ndihmë të gjitha forcat e tyre”. Kurse raporti konfidencial i konsullit austro-hungarez në Vlorë, Lejhanec, për ministrin e Punëve të Jashtme, në lidhje me mbledhjen e Kuvendit dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, informonte nga Vlora më 29 nëntor 1912 se sot pasdreke pritet ardhja këtu e Isa Boletinit, së bashku me njerëzit e tij, dhe e delegatëve të tjerë që kanë mbërritur dje në Fier. Të nesërmen, diplomacia austro-hungareze njoftohej nga Vlora, nga konsulli i tyre, me listën e delegatëve shqiptarë që, më 28 nëntor 1912, kanë marrë pjesë në Kuvendin e Vlorës, ku, ndër të tjera, përmendej edhe emri i Isa Boletinit (si jo i pranishëm). Konsulli Lejhanec nga Vlora informonte Ministrinë e Punëve të Jashtme në lidhje me bisedën me Ismail Qemalin për situatën në Shqipëri më 30 nëntor 1912, ku, ndër të tjera, theksonte se Isa Boletini, i cili erdhi këtu dje me rreth 100 burra të armatosur, është zgjedhur që ta organizojë një trupë të vogël.
Më 3 dhjetor 1912, konsulli Lejhanec nga Vlora, informonte ministrin e Jashtëm, Berthold, në lidhje me komisionin shqiptar që do të nisej në Evropë dhe kapitullimin e trupave osmane në Shqipëri, ku, ndër të tjera, theksonte: “Për momentin, shqetësimi kryesor është çështja e çarmatimit të trupave osmane në Berat. Ismail Qemali dëshiron të dërgojë atje Isa Boletinin për të bindur Said Pashën për kapitullimin dhe njëkohësisht për të pranuar postin e Ministrit të Luftës së Shqipërisë”.
Njoftimi i fundit i konsullit të Austro-Hungarisë, Lejhanec, për vitin 1912 është i datës 5 dhjetor 1912, me anën e të cilit njofton nga Vlora eprorët e tij në Vjenë mbi përbërjen e qeverisë së përkohshme të Vlorës. Nga këto të dhëna kuptojmë qartë interesimin e Austro-Hungarisë në çështjen shqiptare gjatë vitit 1912.
Në përgjithësi, transformimi i qëndrimit mosbesues i Isa Boletinit ndaj depërtimit austro-hungarez, që përcaktohej nga lidhja e tij e fortë me sulltan Abdyl Hamitin dhe nga intrigat e politikës serbe, nga momenti i shpërthimit të luftërave ballkanike në tetor 1912, karakterizohet si shumë miqësore kundrejt Vjenës. Pikërisht për këtë fakt, edhe qarqet diplomatike filluan të llogarisnin në Isanë lidhur me çështjen e Kosovës, por kur erdhi momenti ndodhi fundi i tij.
Në fakt, të gjitha këto momente historike janë gërshetuar mirë në portretizimin analitik që i bën figurës së Isa Boletinit gazeta vjeneze “Fremdenblatt”, vetëm pak ditë pasi ai të vritej në Podgoricë, në një kurth të organizuar nga forcat malazeze, të cilat i pamundësuan Isait bashkimin me trupat ushtarake austro-hungareze, të cilat atëbotë po perceptoheshin si çlirimtare përballë dhunës dhe krimeve që po bënin trupat serbo-malazeze.